Presidenti Obama merr anën e Turqisë, nuk i quan “genocid” masakrat në Armeni
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur të zhgënjejë komunitetin armen në SHBA, duke refuzuar përdorimin e termit “genocid” për të përshkruar masakrat në Armeni, 100 vjet më parë. Fjalimi i presidentit për përvjetorin shekullor të tragjedisë do të mbahet nga fundi i muajit, mirëpo këshilltarët e tij kanë thënë, gjatë një takimi me veprimtarë armenë, se tashmë kjo punë është vendosur. Armenia thotë se deri 1,5 milionë vetë humbën jetën gjatë masakrave të ushtrisë turke, në një periudhë që nis nga 1915 deri në 1923 dhe është e vendosur ta bindë botën që ta quajnë ngjarjen historike zyrtarisht si “genocid”.
Turqia e pranon se kanë ndodhur masakra por e hedh poshtë shifrën e të vrarëve dhe refuzon termin genocid. Diplomacitë e të dy vendeve janë mbërthyer në një luftë të vërtetë prej vitesh. Disa vende europiane tashmë e kanë njohur ngjarjen si genocid, madje në Francë është e ndaluar me ligj që ta mohosh që ka qenë genocid. Armenët kanë një lob të fuqishëm në SHBA dhe gjatë fushatës së tij zgjedhore për president, në 2008, Barack Obama ka premtuar se do ta shpallte ngjarjen historike si genocid. Armeno-amerikanët shpresonin se 100-vjetori do të ishte momenti më i përshtatshëm për ta bërë këtë. Mesa duket Presidenti në fund ka refuzuar. “Kjo është një tradhëti e besimit tonë”, tha me zemërim një nga udhëheqësit e komunitetit armen, që është i madh në numër sidomos në California. Nuk është çudi që në zemër të problemit për Shtëpinë e Bardhë janë marrëdhëiet e saj me Turqinë. Ndonëse nën Erdoganin, marrëdhëniet amerikano-turke kanë pësuar rënie serioze, të dy vendet kanë nevojë të bashkëpunojnë për shkak të krizave në rajon.
Në këtë kontekst, një ngjarje e 100 vjetëve më parë, që ka më shumë vlera historike sesa praktike, shihet me bezdi nga diplomacia amerikane, e cila ka mjaftueshëm telashe në Lindjen e Mesme, duke u përpjekur të harmonizojë aleatët e shumtë që vazhdimisht komplotojnë kundër njëri-tjetrit në rajon. Turqia me kufi të drejtpërdrejtë me Irakun dhe Sirinë, me ngushticën kyçe të Bosforit dhe si i vetmi vend i rajonit anëtar në NATO, është kyç në për të ardhmen e rajonit. Nga ana tjetër, Armenia është afruar gjithnjë e më shumë me Rusinë e Putinit, duke pranuar së fundi anëtarësimin e mundshëm në Bashkimin Euro-aziatik, alternative e Moskës kundër BE-së. Çfarë ndodhi vërtet në Armeni 100 vjet më parë, mbetet një çështje e debatueshme mes historianëve. Ndonëse nuk ka dyshim që një fushatë mizore u ushtrua mbi popullsinë civile, shkalla dhe natyra e saj ndeshet me fakte kontradiktore. Në Washington, kongresistët nga zonat me banorë të prejardhjes armene janë të flaktë në mbrojtje “të të vërtetës historike”, por shumë zyrtarë amerikanë preferojnë të jetojnë realitetin e sotëm dhe t’ia lënë historinë historianëve.
Krijoni Kontakt