Rama: Shqiptarët po ikin sepse keqkuptuan një njoftim
Ka shumë njerëz që pyesin këto ditë se përse po ikin shqiptarët. Megjithatë nuk ka një përgjigje përfundimtare. Por kryeministri Edi Rama thotë se një nga arsyet është edhe një keqkuptim. “Pse ikin shqiptarët? Është fyerje për inteligjencën e shqiptarëve t’u thuhet se ajo çka po ndodh në këto javë të fundit është e lidhur me ndonjë rënie të ekonomisë, rrënim që është lehtësisht i lexueshëm po të krahasojmë me 1, 2, 3 vjet më parë, ashtu sikundër pas dy- tre muajsh do të themi që kjo që po ndodh u kthye në normalitet sepse u vendos normalitet ekonomik. Kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqputim të madh nga njëra anë i krijuar nga një raport mbi një nevojë të shpallur të Gjermanisë për 45 mijë të huaj me specialitete të caktuara dhe dëshirës së njerëzve për të pasur një mundësi më të mirë. Mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal. E njëjta situatë ndodhi dhe në rajon. Ndodhi dhe në Kosovë”, tha Rama.
Një tjetër faktor që sipas shefit të qeverisë ka ndikuar në këtë eksod është edhe keqqeverisja 8-vjeçare e kaluar, e cila, siç tha ai, e ka lënë vendin në një pirg me probleme. “Ne nuk kemi shkop magjik për të ndryshuar situatën e trashëguar nga ju. Mos na i hidhni neve përgjegjësitë tuaja”, ka thënë Rama duke iu drejtuar opozitës. Ish- kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në Kuvend, duke e akuzuar atë për mashtrim të qytetarëve dhe zhvatjes së tyre përmes taksave. Në fjalën e tij, Berisha ka akuzuar qeverinë se po shpik gjoba për të mbledhur para dhe ka kritikuar ashpër ligjin që lejon sekuestrimin e banesës së qytetarëve debitorë të energjisë elektrike. “Ti ke sjellë një ligj që lejon sekuestrimin e banesës nëse qytetari është debitor. Sot shqiptarët nuk i kanë më të sigurta banesat me këtë ligj. Për vete ndërton saraje, ndërsa qytetarëve iu prish shtëpitë”, ka thënë Berisha. Ish-shefi i ekzekutivit i ka kujtuar kreut të mazhorancës premtimet e bëra në fushatë elektorale e që nuk i ka mbajtur, duke e vënë theksin tek heqja e TVSH-së për çmimin e energjisë dhe tek shëndetësia falas.
Mapo
Krijoni Kontakt