-
Mitropolitin e Korçës Fotis Kallpidhis e vrau Spiro Kosturi
Mitropolitin e Korçës Fotis Kallpidhis e vrau Spiro Kosturi
Arben Llalla

Një e vërtetë historike që zbardhet sipas disa burimeve. Ja patrioti nga çeta e Bajo Topullit që vrau Fotis Kallpidhise më 9 Shtator 1906, si hakmarrje për vrasjen e dy vëllezërve të cilët ishin mësonjës të shkollave shqipe, Theodhos dhe Kristo Harallamo- Negovani të masakruan nga grekët më 12 Shkurt 1905.
Qyteti i Korçës gjithnjë ka qenë nën presionet e Greqisë për greqizmin e saj me anë të kishës dhe shkollave greke të cilat mundohet të krijoj një minoritet artificial që para 200 vitesh. Lufta e ashpër është zhvilluar midis patriotëve shqiptar dhe strukturave kishtare dhe shtetërore greke.
Kjo luftë nuk ka kursyer dhe shumë figura të larta shqiptare dhe greke, luftë e cila në një formë më klasike zhvillohet edhe sot. Një ngjarje ende e pa zbardhur mirë nga historianët shqiptar është vrasja e Mitropolitit të Korçës, Fotis i cili nënrrobën e udhëheqësit shpirtëror të ortodoksëve bënte punën për greqizmin e shqiptarëve në zonën e Voskopojës, Korçës e deri në Përmet.
Një ngjarje historike që lidhet me çetat shqiptare është vrasja e Mitropolitit të Korçës Foti Kallpidhis të cilin patriotët shqiptar e vranë më 9 Shtator 1906, si hakmarrje për vrasjen e dy vëllezërve të cilët ishin mësonjës të shkollave shqipe, Theodhos dhe Kristo Harallamo- Negovani të cilët u masakruan nga grekët më 12 Shkurt 1905.
Gjithnjë është shkruar se Mitropolit Fotin e vrau çeta e Bajo Topullit, por pa përmendur asnjë emër. Studiuesi Xhevat Lluri shkrun se më 1914, në Prongji të Gjirokastrës vijnë 200 ushtarë grekë dhe gjënë e parë që bënë arrestuan Bajramin Ligun i njohur për atentatin që kishte kryer me Hito Lekdushin mbi Bimbashin e Gjirokastrës, Mars 1908. Nga torturat në burg grekët i thyen disa brinjë dhe i prenë njërin vesh pasi e akuzonin për vrasjen e Mitropolitit të Korçës, Fotis Kallpidhis. Fshati Prongji mblodhi monedha floriri dhe ia dërguan komandës greke me anë të Majko Llurit për lirimin e tij. Pasi u pranua shuma e florinjve komandanti grek dha urdhër që Bajrami i sakatuar të lirohet. Por nuk u mësua nëse Bajrami kishte qëlluar vërtetë mbi Mitropolitin grek.
Në kujtimet e tij Eqerem Bej Vlora shkruan se çetat e Spiro Kosturit dhe të Spiro Bellkamenit vrasin Mitropolitin Fotis dhe klerik të tjerë antishqiptar. Studiuesi dhe shkrimtari grek, Tasos Kondojanidhis, mbështet tezën se Mitropolitin e Korçës, Fotin e vrau Spiro Kosturi. Gjatë kërkimeve të mia nxora përfundimit se Tasos Kondojanidhis ka të drejtë në tezën e tij se Mitropolit Fotis Kallpidhin e ka vrarë Spiro Kosturi. Këtë tezë e mbështesë edhe unë në bazë të ngjarjeve që u zhvilluan pas vrasjes së Mitropolitit grek dhe të disa të dhënave që gjeta gjatë kërkimeve në lidhje me këtë ngjarje.
Mihal Grameno në një shkrim të botuar në gazetën Drita të Sofjes më 1 Shkur 1908, shkruan se Spiro Kosturin e vranë grekët sepse ata mendonin se familja Kosturi ka gisht në vrasjen e Mitropolitit. Familja e Jovan Kosturit ka qenë njëra nga mbështetësit kryesor të Komitetit të Fshehtë të Manastirit, vetë Jovan Kosturi ka qenë anëtarë i degës së Korçës të këtij Komiteti. Ka të dhëna se kryetar i vërtet i Komitetit të Fshehtë të Manastirit ishte Jovan Kosturi, por kjo gjë mbahej shumë e fshehtë. Në të vërtetë Komiteti i Fshehtë i Manastirit është projekt i familjes Kosturi sepse ata ishin drejtuesit kryesorë dhe financuesit e saj.
Mitropolitin Fotis, nuk e vranë shqiptarët mysliman, nuk e vranë as komitët bullgarë dhe rumunë, atë e vranë ortodoksit shqiptar të Korçës për veprimtarinë antishqiptare që bënte ky klerik i ardhur nga Azia e Vogël. Korçarët e vranë për greqizmin e shqiptarëve duke përhapur gjuhën greke dhe mallkuar gjuhën shqipe. Por Patriarkana e Stambolli nuk hoqi dorë lehtë për të dërguar misionarët e saj për përhapjen e greqizmit tek shqiptarët. Në vend të Foti Kallpidhis, ajo dërgoj Mitropolitin Gjervasio, i cili edhe ky ishte pondios, pra sllavë nga Azia e Vogël.
Mitropoliti i Korçës Foti Kallpidhis renditet në historigrafinë greke tek Heronjtë e luftës për Maqedoninë greke e cila u zhvillua nga viti 1904-1908. Ai renditet si martiri i parë me rrobën e një kleriku fetar i kësaj lufte. Fjala është për atë Maqedoni që pretendonin grekët nga Manastiri, Ohri, Prespën, Korça, Pogradeci.
Kush është Foti Kallpidhis
Mitropolit Foti Kallpidhis ka lindur më 1865 në Çakrak- Giresun, të Turqisë, afër kufirit me Gjeorgjinë dhe Armenin. Foti Kallpidhi i përket grupit ortodoksë të Azisë së Vogël, ata identifikohen si ortodoksë Pondios. (tradiat, zakohet, veshjet dhe ana antropologjike e pondiove është më afër sllavëve të Azisë së Vogël dhe osmanëve se sa evropianëve, dhe më larg me grekët antik). Familja e tij ishte shumë e varfër dhe e dërgoj për të mësuar në shkollën fetare. Kallpidhis i ngjit shpejtë shkallët e karrierës duke zënë poste të rëndësishme në Patriarkanën e Stambollit të cilin i besoj detyra të rëndësishme. Në vitin 1897, ai caktohet një nga drejtuesit kryesorë të revistës javore “EKKLISIASTIKI ALITHEIA” (E Vërteta Kishtare), organ zyrtar i Patriarkanës së Stambollit.
Në Maj të 1902, Foti Kallpidhis u caktua Mitropolit i Voskopojës, Korçës dhe i Përmetit. Ai filloj aktivitetin për greqizimin e ortodoksëve shqiptar ashtu si shumë klerikë të tjerë. Fotis Kallpidhis financojë hapjen e disa shkollave greke në Prefekturën e Korçës ku mësonin fëmijët shqiptar. Për këto veprime Mitropolit Foti mori lëvdata edhe nga shteti grek. Në përfundim të vitit shkollor më 1905, Konsulli grek i Manastirit në ndarjen e diplomave të nxënësve shqiptar që ndiqnin shkollën greke të Korçës e mbylli fjalimin e tij përshëndetës me fjalët: “Ky është greqizmi i pastër! Rroftë Korça greke”! (ka mundësi që ky konsull të ketë qenë Stamatios Kuzes Pezas, sepse ai lëvizte shumë në fshatrat shqiptar ato vite nga Follorina-Korçë)
Në Qershor të vitit 1905, Mitropoliti Fotis i shpëtoj një atentati në fshatin Plasë. Pas këtij atentati ai i kërkoj autoriteteve turke që ta ruanin, por shqiptarët kishin vendosur ta vrisnin. Në fillim të Shtatorit të vitit 1906, rrugës për në fshatin Bradvicë, Spiro Kosturi vret Mitropolitin Fotis Kallpaidhis. (Bradvica i përket Komunës së Hoçishtit).
Greqia dhe Patriarkana e Stambollit kërkojnë gjetjen e vrasësit të Mitropolitit
Revistës javore “EKKLISIASTIKI ALITHEIA” (E Vërteta Kishtare), organ zyrtar i Patriarkanës së Stambolli, i kushtoj vëmendje të veçantë vrasjes dhe figurës së Mitropolitit Fotis Kallpidhis. Në numrin e 16 Shtatorit, 1906, shkruhet një faqe për vrasjen dhe biografinë e tij. Lajme rreth vrasjes, meshën që mbajti në Korçë Mitropoliti i Kosturit, Germanos Karavangjeli për nder të Mitropolitit të vrarë Fotis dhe shqiptarëve që akuzoheshin për këtë vrasje u botuan në disa numra të revistës në fjalë.
Fjalimin gjatë ceremonisë së varrimit të Foti Kallpidhit e mbajti Mitropoliti i Kosturit, Germanos Kravangjeli i cili u betuar se do ti gjende vrasësit e klerikut grek. Mitropoliti Karavangjelis hapët shprehu para besimtarëve shqiptar se misioni i Mitropolit Fotit për përhapjen e greqizmit do të vazhdojë sepse gjaku u derdh për çlirimin e Greqisë. (Grekët, Korçën e kanë quajtur dhe e quajnë tokë të tyre). Në përfundim të fjalës ai mallkoj shqiptarët dhe vrasësit.

Mitropoliti Germanos Karavangjeli kishte raporte shumë të mira me qeveritarët turq dhe u angazhua personalisht për të gjetur vrasësit e Foti Kallpidhit. Mitropoliti Karavangjeli kishte patur shumë lidhje të ngushta me Kallpidhis. Ata kishin qenë shokë klase gjatë studimeve dhe midis tyre ruhej një lidhje e fortë miqësie, Foti Kallpidhis dhe Karavangjeli i përkisnin grupit të ortodoksëve Pondios, nga Azia e Vogël.
Mitropoliti i Kosturit, Germanos Karavangjeli, kur gjendej në vështirësi kërkonte ndihmën e ushtrisë turke. Më 1903, turqit vranë komitin bullgar Lazar Poptrajkov i cili ishte nga fshatrat bullgar të Kosturit. Karavangjeli ua kërkoj trupin e tij turqve dhe pasi i preu kokën e mbante në zyrën e tij si triumf ndaj luftës bullgaro-greke të viteve 1904-1908.
Më 11 nëntor, 1906, dy grek vranë në Selanik Spiro Kosturin si i akuzuari kryesor për vrasjen e Mitropolit Fotit. Grekët nuk u mjaftuan vetëm me këtë vrasje, ata vranë edhe Kostaq Kosturin. Pas disa ditësh qeveria turke arrestojë babanë dhe vëllezërit e Spiros. Këto veprime ishin bërë në bashkëpunim me Mitropolitin e Kosturit, Karavangjelin dhe qeveritarëve turq kundra patriotëve shqiptar. Gazeta Drita e Sofjes më 26 Shkurt 1907, botonte një artikull të bujshëm i redaksisë me titull “Pse grekët vranë Spiro Kosturin?, “Ç’bëri qeveria barbare, ç’duhet të bëjnë shqiptarët? Pas shumë presioneve nga mediat shqiptare dhe pagesës që paguan shoqatat patriotike, qeveria turke për mungesë provash i lirojë nga paraburgimi Jovan Kosturin dhe dy djemtë e tij.
Shqiptarja
Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 19-10-2014 më 22:58
-
-
Për: Mitropolitin e Korçës Fotis Kallpidhis nuk e ka vrarë Spiro Kosturi
Mitropolitin e Korçës Fotis Kallpidhis nuk e ka vrarë Spiro Kosturi
INA KOSTURI
Spirua, djali i patriotit Jovan Cico Kosturi apo Jovan Shqiptarit siç njihet nga bashkëkohësit, nuk ka qenë anëtar i çetës së Bajo Topullit.
Ideja e rishkrimit të historisë duket se trondit ndonjëherë dhe të vërtetat e thëna e dokumentuara deri sot. Në frymën e zbulimit, apo të referimit me përulësi ndaj çdo të huaji, studiues, historianë, apo dhe fqinj që interpretojnë historinë tonë sipas interesave dhe formimit të tyre, duket se gjendemi shpesh para zbulimeve të pavërteta. Historia e një kombi është një e vërtetë e shenjtë për të cilën duhet të kontribuojnë vetëm faktet, përtej interpretimeve personale, pëlqimeve apo interesave të caktuara të politikës, brenda apo jashtë Shqipërisë.
E parë në dritën apo kërkesën e vërtetësisë, opinioni i mëposhtëm i referohet shkrimit të datës 12 tetor 2014 botuar në “Shqiptarja.com” me titull “Mitropolitin e Korçës Fotis Kallpidhis e vrau Spiro Kosturi” Ngjarjet i referohen një periudhe të rëndësishme para shpalljes së pavarësisë dhe historia deri më sot, megjithë regjimin apo zigzaqet ka qënë e saktë për disa fakte të asaj periudhe, të cilat nuk mund të ndryshohen në 101 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Artikulli i referohet vrasjes së dhespotit të Korçës, Fotis, në vitin 1906, rrugës së Bradvicës, ngjarje e njohur dhe e dokumentuar, e pranuar dhe në shkrim nga çeta e Bajo Topullit. Përsa i përket zbulimit se kjo vrasje u krye nga Spiro Kosturi, duhet saktësuar se Spiro Kosturi, djali i patriotit Jovan Cico Kosturi, apo Jovan Shqiptarit nuk ka qenë anëtar i çetës së Bajo Topullit.
Për të forcuar lëvizjen patriotike brenda vendit, të 1906 me iniciativen e Bajo Topullit ishte krijuar në Manastir Komiteti i Fshehtë Shqiptar, me qëllim të ngjallurit e Shqipërisë nëpërmjet vllazërimit… Ky komitet mbante lidhje të ngushta me gjithë atdhetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, sidomos me Komitetin e Fshehtë që vepronte në Korçë, të krijuar në 1886, me kryetar Jovan Cico Kosturin. Në drejtimin e Komitetit të Manastirit u krijuan çetat e para patriotike, dhe çeta e Bajo Topullit vendosi të zbatojë vendimin e këtij komiteti, për të marrë hakun e patriotit Papa Kristo Negovani, vrarë mizorisht nga grekët, sipas porosive të dhespotit të Kosturit dhe atij të Korçës. I referohemi për këtë çështje “Gazetës Drita” të Sofjes nr 97, datë 1 shkurt 1908 “ Letër nga malet e Shqipërisë “me autor Cerciz Topulli dhe Mihal Grameno”.
Përsa i përket artikullit të botuar së fundmi i cili shpall Spiro Kosturin si vrasës të dhespotit, mbetet të analizojmë së cili është burimi të cilit i referohet artikullshkruesi. Historia e martesës së djalit të Jovan Kosturit, një martesë historike me lejen e kryeministrit rumun, apo grindja e Kosturëve me dhespotin Fotis, aktiviteti patriotik në hapjen e shkollës dhe librave shqip, apo jehona e një martese të ndaluar e cila tronditi shtypin jashtë Shqipërisë, bëri që grekët të dyshonin se vrasja e dhespotit Fotis të ishte e shtyrë nga Kosturët. Duke ju referuar dorëshkrimit të Jani Kristaq Kosturi, nip i Spiro Kosturit, Komiteti i Manastirit kishte vendosur kohë më parë hakmarrjen për vrasjen barbare të Papa Kristo Negovanit.
Pergjegjës për këtë ishte dhespoti i Kosturit, Karavangjeli dhe dhespoti i Korçës, Fotis. Dhespoti i Kosturit kuptoi diçka dhe u largua nga Korça, ndërsa çeta e Bajo Topullit u përball me dhespotin e Korçës dhe vendosi të qëllojnë të gjithë luftëtarët, duke ruajtur besimin që secili kish në Zot, si një hakmarrje e përbashkët për vrasjen Papa Kristo Negovanit dhe çështjen e madhe kombëtare shqiptare. Pra, vlen te theksojmë se vrasja e dhespotit ishte një ngjarje e madhe e shtyrë nga interesa të mëdha të Shqipërisë. Sipas rrëfimit të gruas së Mihal Gramenos, Niqka Grameno, mendohet se Çerciz Topulli ishte më i zoti nga gjithë luftëtarët e çetës, i njohur për nishanin, ndërsa sot në histori njihet se dhespotin e Korçës se vrau çeta e Bajo Topullit.
Sipas dëshmive të grekëve, autoritetet turke ndaluan Hysenin, një djalë trim që Spiro Kosturi e mbante pas për çdo të papritur, i dyshuari i vënë nga Kosturët, pasi dihej që ditën e vrasjes së despoti, Kosturët gjendeshin sipas riteve martesore në Korçë, “në te parë “sic quhej aso kohe. Kjo shtëpi e nuses ishte ajo e Zoi Dhimitrit që ka ekzistuar në Korcë me nr 12. Pra dihej që vrasësi nuk mund të ishte Spiro Kosturi.
Spiro Kosturi, për të liruar Hysenin shkoi në Selanik tek Hilmi Pasha, ndërsa në 11 nëntor 1906, në rrugën e ambasadës gjermane, vritet në Molo të Selanikut nga dy grekë në orën 7 pasdite. Përtej hakmarrjes për vrasjen e dhespotit nga çeta e Bajo Topullit, vrasja e tij ishte një mësim për gjithë shqiptarët. Pas disa ditësh u burgosën në Korçë Jovan Cico Kosturi dhe dy djemtë e tjerë. Pas një paraburgimi të gjatë në presionin e opinionit vendas e të huaj, e sidomos gazetave shqipe jashtë Shqipërisë që botonin me prova, fotot e çetës së Bajo Topullit dhe luftëtarëve të kësaj çete, duke e lehtësuar akuzën, Jovan Kosturi u lirua për mungesë provash.
Bujë bëri artikulli i gazetës së Sofies “Drita” 26 shkurt 2007 ku citohet “ Grekët Spiro Kosturin e vranë vetëm e vetëm që të frikësojnë e trullojnë shqiptarët ortodoksë që të heqin dorë nga gjuha e tyre”. Janë të njohura shkrimet e veprimtaritë për vrasjen e Spiro Kosturit, “Mbi varr e Spiro Kosturit “, vjershë nga Mihal Grameno, gazeta” Drita” në Sofje nr 89, 18 maj 2007,” “Rracat e tjera dhe rraca pellazge “, nga Petro Nini Luarasi, Gazeta “Shpresa e Shqipërisë” Raguzë nr 2, 16 janar 1907, Gazeta “Shpresa e Shqiperisë” nr 23 Trieste, 16 shtataor 1907, Gazeta” Shqiperia” Kajro nr 3, 15 shkurt 1907 etj. Shqiptarët e Bostonit organizuan një tjetër mbledhje ku diskutuan Petro Nini Luarasi, Sotir Peçi, ndërsa fjalimi madhështor i Nolit bëri përshtypje të veçantë.
Ky fjalim i mbajtur nga Fan Noli më 23 dhjetor 1906, i botuar në gazetën“Kombi” më 1 janar 1907, është një pjesë e jehonës dhe indinjatës, zemërimit në tërë qarqet patriotike brenda dhe jashtë Shqipërisë për vrasjen e Spiro Kosturit. Duke botuar fjalimin e Nolit “Kombi” shënonte: “Ata që nuk dëgjuan nuancat e zërit të tij, humbën shumë, se Noli nuk foli, po këndoi”. Pas Spiro Kosturit, në fushën e Orman Çifligut në 1911 vritet në moshën 19-vjeçare nga turqit dhe Kostaq Spiro Kosturi, bashkë me të tjerë luftëtarë shqiptarë. Pas vargjeve të dhimbshme: “Dëshmor i ati, theror i biri, kështu vdes vetëm i liri…”, në gazetën “Koha” të viti 1918 nr.131, Mihal Grameno, pas vrasjes së djalit dhe nipit të patriotit Jovan Kosturi, shkruan: “I vetmi dëshpërim i Jovanit ka qenë vetëm Shqipëria.
Ai qëndronte i patundur si një breth i gjelbër duke i duruar me gëzim vuajtjet e theroritë për nder të Shqipërisë, kjo antikë kombëtare...”.Gjithë këto gazeta dhe fjalime për Spiro Kosturin, ndërsa njeriu dërguar nga Shqiparët e Amerikës për të marrë hakun e Spiro Kosturit, Vasil Trebicka u ndalua nga Kosturët të cilët ishin kundra vrasjeve. Kjo është përgjithësisht historia e vrasjes së dhespotit të Korçës, ndërsa shkrimi që përmendëm i referohet gazetës elektronike të helenëve të Korçës dhe studiuesit grek Tasos Kodojanidhis. Që në fillim të shkrimit të Kodojanidhis, gazeta paraqet foton e dhespotit të Korçës duke e cilësuar martir, ndërsa më pas përmend Spiro Kosturo si i caktuar, paguar dhe i shpërblyer me grada për vrasjen e dhespotit.
Gjendemi para një fakti; i duhet besuar një studiuesi grek i cili në shkrimin e tij haptazi ka synimet e politikës greke të gati 100 viteve më parë, apo fakteve historike të dhjetra gazetave të kohës dhe personaliteteve tona të shquara të kombit për ngjarjen? A mundet sot të kërkojmë rishkrimin e historisë mbi vizione e hamendesime të studiuesëve të ciët janë të pozicionuar pa filluar prononcimin, apo në 101 vjetorin e pavarësisë do i japim vendin që meritojnë patriotëve shqiptarë, aktivitetin e të cilëve e nderoi dhe vetë diktatura, pasi para veprës së tyre i dekoroi dhe respektoi Jovan Cico Kosturin, Spiro Kosturin e Kostaq Kosturin.
Të besosh versionin e studiuesit grek Kodojanidhis, i cili e quan shembullore vrasjen e Spiro Kosturit, më bëri të kujtoj një shprehje të huazuar nga një prononcim i historianit Kristo Frashëri. Në një prononcim ku desh të pohonte diçka që ish e pandryshueshme, i referohej Jovan Kosturit. Të thuash se Spiro Kosturi, sipas grekut ishte i paguar të vriste, është si të thuash se Jovan Kosturi nuk ishte shqiptar!
Skedarët e Bashkëngjitur 165788
Shqiptarja
Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 19-10-2014 më 23:01
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt