-
Koço Tashko: Ja katër gabimet e rënda të Miladin Popoviçit
TIRANE- Raporti kritik dërguar Kominternit në vjeshtën e 1942, ku zbulohen shumë anë të lënë në hije për muajt e parë të Partisë Komuniste... Në fund të vitit 1942, Koço Tashko ish-kryetari i grupit Komunist të Korçës, ishte i pakënaqur për shumë zhvillime që kishin ndodhur brenda Partisë Komuniste Shqiptare. Në një letër që ia dërgonte Internacionales së III-të Komuniste në Moskë, Koço Tashko shpërthen me një lumë akuzash ndaj Miladin Popoviç-it, duke e akuzuar atë si përgjegjësin kryesor. Letra e ruajtur në fondin e Partisë në Arkivin Qendror të Shtetit, zbulon detaje të panjohura ose të lëna në hije për shumë zhvillime kurioze brenda Partisë Komuniste Shqiptare, nga themelimi i saj deri në vjeshtën e ’42-shit, pas zhvillimeve të Konferencës së Pezës.
Koco Tashko gjykon se PKSh kishte adaptuar një politikë të gabuar për katër çështjet kryesore: çështjen e Kosovës, çështjen e Ushtris Shqiptare, çështjen e nacionalistëve dhe luftës Nacional Çlirimtare, dhe çështjen e zgjidhjes së problemeve të brendshme simbas një nënçmimi të forcave të armikut të jashtëm.
Për këtë linjë të gabuar të PKSH-së ai fajëson në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të ashpër Miladin Popoviçin.
Ndarë sipas këtyre çështjeve gazeta nis sot botimin e kësaj letre të gjatë të Koço Tashkos, një formë raporti për Kominternin, mbi gjendjen e Partisë Komuniste Shqiptare në fundvjeshtën e ‘42-shit, duke kërkuar njëkohësisht ndihmë nga Moska për ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve në PKSH dhe minimizimin e ndikimit të Popoviçit dhe Partisë Komuniste Jugosllave në të.
Pas kësaj letre do të sjellim për lexuesin edhe përgjigjen e Miladin Popoviçit për Koço Tashkon, ku ai parashtron argumentet e tij për seicilën çështje të nxehtë që parashtronte Tashko për Kominternin. Këto dokumente, të cilat nuk janë krejt të panjohura për historianët tanë, sidoqoftë sillen për herë të parë në këtë formë, të plota, si një replikë për lexuesin e gjerë.
Botimin e këtyre dy letrave gazeta e sheh si kontribut në zbardhjen e ngjarjeve të para të jetës politike të PKSH dhe gjithashtu të viteve të para të rezistencës shqiptare ndaj pushtuesve.
Letra e Koço Tashkos për Kominternin pjesa e parë
Me formimin e Partisë, tue shkrirë të tre grupet kryesore, lëvizja komuniste në Shqipëri mori një hov të madh jo vetëm nga shkaku i gjendjes së re të krijuar prej hyrjes së Gjermanis Hitlerjane në luftë kundra Bashkimit Sovjetik, jo vetëm prej diskreditimit që pësoj fashizmi italjan pas luftës me Greqinë dhe me pazotsinë administrative të tij, jo vetëm nga vështirsimi i përgjithshëm i jetesës dhe i antagonizmave nër klasat sunduese, por edhe nga mënjanimi i luftës së grupeve, nga mënjanimi i theorirave të kuadrove që ishin anti lenin-Stalin dhe kundërshtonin lëvizjen e masave, nga bashkimi i forcave komuniste dhe nga zotsija dhe eksperienca organizative e të dy shokëve që kishim ftuar përmes Partisë Jugosllave që të na ndihmojnë për shkrimjen e forcave komuniste.
Që të lehtësohet procesi i formimit të partisë, unë kisha propozuar në Pejë (Shtator 1941) pranë Komitetit Qarkuer për Kosovë e Metohi të Partisë Komuniste Jugosllave (kur kisha vajtur atje për të kërkuar ndërmjetësimin e Partisë Jugosllave për likuidimin e grupeve në Shqipëri) përjashtimin t’im nga Komiteti Qëndruer që do të krijohej në Shqipëri që ashtu të lehtësohej përjashtimi i krerëve të grupeve të tjera të cilët kishin qenë krijuesit e theorive anti Lenin-Stalin, theorira këto kundra lëvizjes së masave.
Propozimi i im u përsërit dhe u pranua në Konferencën e parë e cila formoj Partinë. Pra për Komitetin Qëndruer Provizor i propozova shokut Miladin elementa krejt të ri nga të tre grupet, elementa që besonja se ishin të pa përlyer ose të përlyer më pak në frymën e grupeve ose të pajosur me cilsira që më siguronin se do të mundnin ta shkundnin larg prej vetes atë frymë. Nga ana tjetër isha krejt koshient se shokët e propozuar prej meje nga tërë grupet, sa do të sakrifikuar për çështjen dhe të pa kursyer në punët, s’kishin pregatitjen politike të duhur për të qënë antarë të një Komiteti Qëndruer (këtë fakt ma kish cilësuar edhe shoku Miladin), d.m.th. për të kuptuar problemat politike dhe ekonomike të Shqipërisë në një mënyrë të mjaftueshme për të konstatuar në çdo kohë gjendjen objektive, rrolin e forcës subjektive dhe për të parashikuar situatat e ardhshme.
Veç kësaj, për arsye të pa pjekunis politike, shokët që u propozuan dhe u pranuan në Komitetin Qëndror, kishin në grupet e mëparshme antarë që pranonin udhëheqjen personale të krerve të grupeve (për shembull udhëheqjen t’ime) dhe pra prezantonin rrezikun që në K.Q. të ri të vazhdonin si të udhëhequrit e një personi në vënd që të jenë edhe vetë kontributorë në udhëheqjen politike të K.Q. Këto të meta kryesore të tyre shpresoja të mënjanoheshin, deri sa të mblidhej Kongresi i Partisë, prej qënjes në Komitetin Qëndror si instruktorë e të dy shokve të Partisë Jugosllave, shokëve Miladin dhe Dushan.
Me pak fjalë tërë përgjegjsinë ju a dorzova këtyre dy shokve (sado që s’kisha asnjë ide të së kaluarës së tyre) vetëm duke u bazuar në rekomandimin e K.q. për Kosovë e Metohi të P.K.J. dhe te bindja e ime që sado keq të jenë rezultatet nuk do të kishin qenë më keq se sa po të vazhdonte lufta e grupeve ose se sa po të ishja unë në K.Q. bashkë me krerët e grupeve tjerë me të cilët (unë me ata dhe ata me mua) kishim patur një luftë të egër personale.
Sa kohë që s’ishte mbledhur Kongresi i Partisë dhe sa kohë që s’kish ardhur një përfaqësues i Kominternit (për të cilin shoku Miladin më kish siguruar se do të vinte) unë krejt nga jashtë, se nga brenda s’kisha asnjë mundësi me që s’isha as përgjegjës celule që të mirrnja pjesë të paktën në aktivin e Tiranës, mbajta një vigjilencë që ish krejt e nevojshme me që shokët Jugosllavë s’kishin dijeni përmbi problemat Shqiptare, dhe me që duhej të ipnje raportin Kominternit ose përfaqësuesit të tij që shpresoja se do të vinte përpara Kongresit. Këtë raport do të ma kërkonte Kominterni në bazë të detyrës që më kish ngarkuar ay më 1937.
Përsërit që jo vetëm që s’kam qënë në ndonjë nga forumet që të mund të informohem por edhe shokët e ish grupit tim ose kanë patur frikë të flasin me mua se mos quhen “grupazhë” ose kanë folur me mua për punë grupi dhe kam qënë i parë që t’i luftoj e t’i raportoj dhe kështu të shkaktoj që shokët e ish grupit tim (ata me tendenca grupi ose me mos kënaqsira) të kthehen kundra meje.
Që nga Marsi i këti vjeti pra, i kam bërë vërejtjet vazhdimisht shokut Miladin të cilët ay s’i ka pritur mirë. Vërejtjet e mia kanë qënë në kundërshtim me zgjidhjet që ay i ka dhënë çështjeve të Partisë, zgjidhje që pas mëndjes t’ime janë kopjuar nga gjëndja e luftës në Jugosllavi e pra të “majta” në Shqipëri. Këto çështje janë: çështja e Kosovës, 2- çështja e Ushtris Shqiptare, 3-çështja e nacionalistëve, dhe lufta N.Çl., 4- zgjidhja e problemeve të mbrendëshme simbas një nënëçmimi të forcave të armikut të jashtëm.
Më parë se të hyjmë në këtë çështje, gjëndjen në Shqipëri mund ta përshkruajmë në përgjithësi kështu: urrejtja për zaptuesin është e madhe, por fashizmi e ndalon popullin shqiptar të hyjë në lëvizje tue i paraqitur kryesisht këto tri gjëra: 1) gogolin e Sërbis dhe të Greqis, 2) përkëdhelimin e faktit që Shqiptarët myslimanë, të cilët janë shumica dërmonjëse e popullit, në të kaluarën kanë qënë racë sundonjëse si mbrënda në Shqipëri kundrejt feve të tjera, ashtu edhe jashtë kundrejt popujve të skllavëruar prej Perandorisë Otomane, dhe zotimin që në të ardhmen do të jenë përsëri “racë sundonjëse” në Ballkanin e fashizuem; 3) fakti që Shqipërija është port hyrje për Italinë në Ballkan rezulton në një aktivitet ekonomik shumë më të madh se në Greqi e në Jugosllavi, njëkohësisht edhe në një gjëndje ushqimore më të mirë dhe një politikë temporizatore.
Nga ana tjetër “majtizmi” i Partisë e ka bërë të zorshme kalimin e popullit nga inaksjoni, në të cilin e ka vënë fashizmi, në aksionin që kërkon prej tij Partija. Partija gëzon simpathinë e popullit por jo përkrahjen në aksjon (në Kosove nuk gëzon simpathinë, përkundrazi propaganda anti-komuniste e Mustafa Krujës ka patur sukses). Para 7 prillit 1942, aniversarit të zaptimit të Shqipërisë, merrte pjesë në demonstrata por këtë 7 prill populli shqiptar nuk mori pjesë. Ato ditë ishin shpallur ligjet e para punitive anti-komuniste të Mustafa Krujës.
Demonstratat e këtij aniversari të zaptimit të Shqipërisë mbetën, pra, thjeshtësisht demonstrata kuadrosh dhe simpathizantësh të organizuar; dhe sot, pas 6 muajsh, aksionet e partisë në qytetet dhe në çetat partizane janë aksjone kuadrosh dhe sinpathizantësh të organizuar (thuhet se aksjoni në Skrapar që u bë nga mezi i shtatorit i udhëhequr nga K.q. i Korcës pati përkrahjen e një pjese të katundarisë por hala s’dimë gjë gjer në ç’masë është e vërtetë).
Pra Partija ndodhet përpara detyrës të kalojë nga gjëndja ku populli i Shqipërisë është sehirxhi (spektator) simpatizues në gjëndjen ku populli të hyjë në vallen e aksioneve, kalim që është i domosdoshëm për të siguruar Partinë kundër izolimit dhe eventualitetit të një reaksjoni të gjërë. Në këtë drejtim kam shpresë që do të kontribuojnë rezultatet e konferencës me nacionalistë që u mbajt në pezë më 16 Shtator.
Çështja e Kosovës.
Për Shqiptarët e Kosovës që përbëjnë 60%-65% të popullsis së atjeshme dhe 2/3 e popullsisë së Shqipërisë së vjetër (kufijve të 1913-ës) Partija ka heshtur sistematikisht duke thënë (fjalët e shokut Miladin) se kjo çështje s’na përket neve po i përket P.K.J. Rezultati ka qenë se në fushën e propagandës së mbrëndëshme, këtu në Kosovë, Mustafa Kruja ka patur duart e lira.
Në mars-prill 1942 u botua një proklamatë shqipe e drejtuar shqiptarve të Kosovës nga ana e K.q. për Kosovë e Metohi të P.K.J. Ndën këtë nënshkrim ndodhej dhe ai i P.K.SH. Regjimi fashist menjëherë u kap pas kësaj proklamate e ribotoi në gazetat e tij e shtypi në kartë të mirë si trakt qeveritar dhe e shpërndau në Kosovë dhe në Shqipëri për të provuar që komunistat shqiptar ja kanë lënë Kosovën Serbisë. Vazhdimisht deri sot Mustafa Kruja zhvillon aktivitetin më të math anti-komunist ndër kosovarët.
Atje kanë vajtur personalitetet më të lartë fashiste (ndër të cilët edhe Mustafa Kruja vetë)për të kallur urrejtjen kundër komunizmit pa përmendur asnjë fjalë për Nediçin Kosta Peshancen dhe çetnikët e tyre. Kundër Mihajloviçit foli vetëm kur ish i bindur se ai bashkëpunon me partizanët. Mustafa Kruja pra ka mundur të rekrutojë kosovarë shqiptar për luftën kundër partizanëve të Malit të Zi dhe është rrezik i madh që kosovarët të zbrasin në Shqipëri kundra nesh (një nga batalionet që kishin rrethuar Myslimin në Pezë në 29 shtator 1942 ishin milicë kosovarë).
Veç kësaj “zgjidhjes” që i kemi dhënë neve çështjes së Kosovës dhe heshtjes sonë mbi këtë çështje Mustafa Kruja i ka përdorur sistematikisht për t’i larguar nacionalistat dhe popullin shqiptar në Shqipërinë e vjetër prej Partisë K.SH. Nga ana tjetër antarët e partisë në propagandën e tyre kanë qënë krejt në errsirë mbi kët çështje dhe s’kan mundur t’i përgjigjen shtypit fashist, i cili po e rreh këtë çështje pothuaj për ditë me majën e shigjetës drejtuar kurdoherë kundra nesh. Nacionalistat edhe ata na kanë kërkuar shpjegime dhe neve s’kemi patur se ç’tu themi konkretisht.
Shokve dhe shokut Miladin u hoqa vërejtjen sapo e pashë atë proklamatë tue e cilësuar atë si një gabim që do të ketë konsekuenca të këqija për ne, si një botim pa shëmbëll (se s’di që dy partira komuniste të shpallen më një vënd dhe shpallja e dy partiravet në një rast të tillë do të thotë që ay vënd ka nevojë për organizatën e vet) dhe si një zgjidhje internacionaliste dhe jo nacional-çlirimtare kosovare. Shokut Miladin i tregova që Kominterni kish patur një komitet kosovar pranë “Çlirimit Nacional” në Berlin dhe i propozova që ose të krijohej për Kosovën një organizatë komuniste kosovare ose të paktën një Këshillë Nacional-Çlirimtar Kosovar.
I çfaqa bindjen që fjala e P.K.J. nuk mund të ngrerë në kandar për Shqiptarët e Kosovës sikundër që për Sërbët e Kosovës s’mund të ngrerë në kandar fjala e P.K.SH. Shoku Miladin u zotua të më japë përgjegje, por përgjegje nuk më dha veç asaj që kjo është puna e PK. Jugosllave dhe neve s’kemi pse të ngatrrohemi dhe s’mund të lejohet që të ngatrrohemi.
Që at-here e gjer më sot me heshtjen e vazhdueshme të P.K.SH., Kosova është bërë një burim shumë i rëndësishëm për rezervat e armatosuna në shërbim të fashizmit.
Qëndrojmë pra përpara detyrës që t’a ndalojmë fashizmin të përfitojë nga ky burim tue neutralizue Kosovarët Shqiptarë, mundësisht t’i bëjmë rezervat tona. Urrejtja dhe frika e kosovarëvet ndaj Sërbët e Malazëst është shumë e madhe por të mos harrojmë që ata kanë një urrejtje për Italinë fashiste, të cilën e quajnë “buracake” dhe “kaurre”, dhe besimi që kanë patur te hitleri si shpëtimtar i tyre prej sundimit serb ka filluar të tronditet. Veç kësaj gjendja ekonomike atje është vështirsuar në një gradë me gjendjen në Shqipëri.
Më 12 shtator në një mbledhje shokësh në Pezë, dy dit përpara hapjes së konferencës me nacionalistat u theksua që çështja e Kosovës nuk mund të lihej në heshtje se këtë çështje nacionalistët do ta hapnin sikurse me të vërtetë e hapnë. Në këtë mbledhje shoku Miladin tha që Kominterni ka vendosur që çështja e Kosovës është një çështje që do të zgjidhet vetëm prej jugosllavisë demokratike dhe Shqipërisë demokratike. Kësaj thënje neve ju përgjigjëm që nacionalistave t’ja u shtrojmë problemin e Kosovës në këtë mënyrë dhe se detyra e jonë imedjate nuk është të presim sa të bëhen Shqipërija dhe Jugosllavija shtete demokratike por të mobilizojmë tërë forcat shqiptare për ta bërë Shqipërinë Demokratike.
Kosova s’duhet të bëhet rezerva e armikut që të na shtypi ne dhe partizanët e Malit të Zi dhe të Serbisë por mundësisht të bëhet rezerva e jonë për të shtypur armikun ose të neutralizohet që të mos ndalojë shtypjen e armikut e pra të mundim të harrijmë Shqipërinë demokratike për të cilën lufton Kominterni, luftojmë dhe ne. Veç kësaj në mbledhje u çfaq dhe fakti që në Shqipëri janë mbledhur mjaft antarë të Partisë Komuniste prej origjine kosovare të cilët mund të vleftësoheshin shumë më mirë në Kosovë, ku, sikundër që e pranon edhe shoku Miladin, shqiptarët komunista janë shumë të paktë.
Thënja e një antari të K.Q.së për Shqiptarët e Shqipërisë së vjetër problemi i Kosovës nuk ekziston nuk i përgjigjet të vërtetës, por vetëm është një tentativë për të justifikuar dorëheqjen tonë nga ai problem deri sot.
Thënja e shokut Miladin që për Kosovën është më mirë të rrijë ndën PK.Jugosllave se Jugosllavija ka për t’u çliruar më parë se Shqipërija ishte një profeci e ëmbël e këtij shoku e dalë nga zembra e tij, por aspak revolucionare se me atë profeti nuk mobilizon forcat e revolucionit anti-fashist as i neutralizon forcat të pa vendosura në Shqipëri që mund t’i shërbejnë armikut për ta bërë të pa mundur realizimin e asaj profetije.
Përfundimi që u muar në këtë mbledhje ish që për Kosovë të formohej një Këshill Nacional-Çlirimtar e cila të jetë në lidhje me Keshillin Nacional-Çlirimtare që do të formohej dhe u formua në Shqipëri dhe kjo zgjidhje të popullarizohet sa më gjërë. Nga ana e ime kjo zgjidhje s’është e mjaftueshme, se në Kosovë Këshilli i atjeshëm do të flasë thjesht me parrulla N.Çl. e në emrin e vet dhe pra fytyra komuniste dhe fakti që vetëm Partija Komuniste mund të sigurojë realizimin e plotë të të drejtave nacionale të popullit nuk do të duket veçse me ndërhyrjen e P.K.J.
Kurse një organizatë komuniste për Kosovën do të mënjanojë këtë të metë dhe do të mund të bashkojë me të vërtetë luftën e elementavet të ndryshëm në Kosovë. Organizata komuniste për Kosovën do të mund të jetë e lidhun eventualisht me Partinë Komuniste Jugosllave dhe pra në qoftë se është e vërtetë thënja e shokut Miladin që viset e Mbretnisë Jugosllave duhet të mbeten si më parë ndën P.K.J. ky rregull nuk prishet, njëkohësisht dhe e meta e sotme ndreqet.
Përpara vendimit të mbledhjes për formimin e një Këshilli N.Çl. për Kosovën, shoku Miladin deklaroi se në Kosovë ekziston një Këshillë N.Çl. Kur e pyeta pse nuk është shpallur proklamata e atij Këshilli, ai u përgjigj se Këshilli është në formim e sipër d.m.th. që s’është formuar akoma. Shoku Miladin beson se autokritika rrëzon prestigjin kurse unë besoj se prestigji mbahet më mirë me ballë hapur.
Në kët mes mund të kujtoj që në rezolucionin e konferencës për zgjedhjen e Këshillit të përgjithshëm N.Çl. ndodhet kjo parullë: “Rroftë Shqipërija e Lirë, e pa ndashme, indipendente dhe demokratike”. Nacionalistat në kët konferencën theksuan që në Shqipërinë e pa ndashme s’mund të kuptojnë veç Shqipërinë e kufijve të reja.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Shtator 2014
Pergatiti: Admirina Peçi
-
-
Për: Koço Tashko: Ja katër gabimet e rënda të Miladin Popoviçit
Pergjigjen e Miladin Popovic e lexoni ne temen me poshte:
http://www.forumishqiptar.com/thread...ste-Jugosllave
Albo
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt