Qeveria i shet Pyllin e Sodës në Vlorë “Petroliferës”
Shkelet ligji i Kuvendit. I jepen mbi 70 mijë m2 truall. Historia e gjyqit në arbitrazh
Taksat - “Petrolifera” është një ofrues i pavarur shërbimesh industriale për depozitim dhe trajtim, subjekt i TVSH-së
Detyrimi - 103.371.866 lekë është shuma totale e kredisë së TVSH-së e panjohur si e zbritshme nga tatimorët për “Petroliferën”
Afati - Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit kishte një afat deri në 30 qershor 2014 për shlyerjen e pagesave rreth 3.4 milionë euro
Zamir Alushi
Qeveria i shet Pyllin e Sodës në Vlorë kompanisë koncesionare “Petrolifera”. Padrejtësia që i ishte bërë kompanisë italiane nga qeveria “Berisha”, për të cilën ka fituar gjyqin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris, po shlyhet në natyrë nga qeveria “Rama”, megjithëse kjo nuk i kërkohet nga gjykata. Vetëm me një vendim qeverie, që është ekzekutuar me firmën e katër ministrave dhe të një noteri, është kapërcyer ligji i miratuar nga Parlamenti në vitin 2004. Kuvendi në atë kohë ka miratuar një marrëveshje koncesioni për ndërtimin dhe shfrytëzimin e terminalit bregdetar për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj në gjirin e Vlorës. Por me këtë vendim, qeveria e bën praktikisht të përjetshme marrëveshjen koncesionare që ishte me afat, sepse “Petrolifera” hedh rrënjë në Gjirin e Vlorës, ku i shiten jo pak, por 70,009 m2.
Vendimi i shitjes
Arsyetimi ekonomik i veprimit të qeverisë lidhur me këtë transaksion ka si objekt zgjerimin e Terminalit dhe Infrastrukturën Portuale me një investim të lidhur me eksportin e naftës krudo që do të kushtëzohet nga një rritje e konsiderueshme e këtij eksporti, i cili sipas vendimit, do të jetë jo më pak se 10.000.000 euro. Qeveria ka rënë dakord t’i transferojë “Petroliferës” një pjesë toke (“Zona A” – përballë terminalit të “Petroliferës”), e cila ka një shtrirje rreth 70,009 m2, me të gjitha të drejtat përkatëse dhe të nevojshme të hyrjes me rrugë dhe hekurudhë, pa asnjë barrë, duke i kaluar pronësinë, posedimin dhe përdorimin e menjëhershëm dhe të qetë të kësaj toke, me qëllim që të ndërtojë dhe të shfrytëzojë një kapacitet depozitimi shtesë deri rreth 95,500 m3. Nuk kuptohet pse duhet ta blinte kompania këtë tokë, kur ajo e zotëronte sipërfaqen në formën e një servituti permanent në bazë të marrëveshjeve me shtetin, ku “Petrolifera” ka ndërtuar hekurudhën që lidh Terminalin me rrjetin hekurudhor kombëtar, si dhe me rrugën hyrëse kryesore me Terminalin.
Skandali që çoi shtetin në Arbitrazh
Drejtoria e Tatimeve në qeverinë “Berisha” ngriti një konflikt artificial me “Petroliferën” për vendosjen e kasave fiskale, por qëllimi ishte paralizimi i veprimtarisë së saj dhe kalimi i aktivitetit në Durrës dhe në Shëngjin, në duar të firmave të tjera grosiste të karburanteve dhe të gazit të lëngshëm. Si pasojë, trashëguam situatën monopol në treg dhe një gjyq ndërkombëtar që dënoi shtetin në vitin 2007 të paguajë “Petroliferën”. 275.833 euro ishte shuma e dëmit nga bllokimi i aktivitetit i pretenduar. Ndërkaq, “Petrolifera” kërkonte edhe gjobat për mosshlyerjen e shumave të TVSH-së të zbritura. “Petrolifera” paraqiti në arbitrazhin ndërkombëtar një kërkesë për zbatimin e gjobave për vonesën prej 583 ditëve nga qeveria në rimbursimin e TVSH-së së kërkuar më 23 prill 2008, e cila sjell si pasojë zbatimin e një gjobe të barabartë me 3.498.000 euro, ndërkohë që rezervon të drejtën për të kërkuar gjobat për vonesat e dy rimbursimeve të tjera të TVSH-së që lidhen me fazën e ndërtimit që llogariten rreth 19.5 milionë euro.
Pagesa në natyrë
Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit kishte një afat deri në 30 qershor 2014 për shlyerjen e pagesave ose zgjidhjen me pajtim. Qeveria ka bërë zgjedhjen e saj, shet tokën. Kalohet kështu nga skandali në skandal. Asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk i ka kërkuar qeverisë të shesë tokën, por bëhet fjalë për një dënim 3.5 milionë euro. Me këtë logjikë, sa herë që qeveritë administrojnë keq, duhet të paguajnë duke shitur trojet e Shqipërisë.
Konflikti me “Petroliferën” nis pasi tatimorët i bllokuan aktivitetin e Terminalit për më shumë se dy muaj, për shkak të mospranimit të kasave fiskale. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk donte të pranonte sistemin fiskal automatik të “Petroliferës” dhe, gjithashtu, dëshironte të detyronte firmën të instalonte kasat fiskale në Terminalin e saj. Terminali ka sistemin e vet matës fiskal të automatizuar, që vlerësohet nga qeveria aktuale, se është miratuar siç duhet dhe ligjërisht nga të gjitha organet kompetente, si dhe është deklaruar i aftë dhe i besueshëm për të nxjerrë të gjitha dokumentet doganore dhe fiskale. Në këto kushte, shteti (në fakt qeveria) merr përsipër t’i shesë tokën “Petroliferës” me çmimin 3.773.833 euro, dhe PIA merr përsipër të blejë tokën. Shuma quhet e paguar me heqjen dorë të “Petroliferës” nga pretendimet në arbitrazh.
Marrëveshja
“Pajtimi”, çfarë fitoi qeveria
Ky është teksti i nenit të pajtimit: “Palët, tashmë të gatshme për të diskutuar dhe negociuar një marrëveshje mirëkuptimi, kanë rënë dakord bashkërisht për të shtyrë afatet e pagesave të arbitrit dhe të finalizimit të termave të referencës për arbitrazhin ndërkombëtar; dhe kjo e fundit ka vendosur një shtyrje deri më 30 prill 2014 për kryerjen e pagesave dhe deri më 30 qershor për finalizimin e termave të referencës. Gjithashtu, është vendosur pezullimi për çështjet në gjykatat e Tiranës për çështjet e Kreditimit të Pjesshëm dhe të kasave fiskale”.
Tatimet
I “falen” edhe 100 milionë lekë TVSH
Ndërkaq, vendimet e Autoriteteve Tatimore kundër “Petroliferës”, sipas vendimit të qeverisë, do të anulohen, pasi kjo Marrëveshje Mirëkuptimi të aprovohet me VKM, si dhe po ashtu do të urdhërohet në vendimin e pajtimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Në vijim të përfundimit të çështjes së Kreditimit të Pjesshëm dhe të gjobave të lidhura me to, tatimet do t’i njohin “Petroliferës” një kredi në shumën 103.371.866 lekë (shuma totale e kredisë së TVSH-së të panjohur si e zbritshme), dhe “Petrolifera” ka të drejtë të zbresë këtë kredi nga debia mujore e TVSH-së dhe e detyrimeve të tjera tatimore ndaj shtetit shqiptar që rezultojnë nga aktiviteti i saj, ndërsa gjobat në lidhje me mosmarrëveshjen e mësipërme në shumën 12.428.378 lekë do të hiqen nga Drejtoria e Tatimeve dhe nuk janë të pagueshme nga “Petrolifera”.
Shqip
Krijoni Kontakt