Sondazhi me 2000 persona, ja mekanizmat e joshjes për marrjen e votës
FATJONA MEJDINI
Një e treta e qytetarëve shqiptarë deklaron se ‘shitja e votës’ është një nga arsyet kryesore që orientoi votimin për zgjedhjet e qershorit për zgjedhjet parlamentare. Në këtë konkluzion del sondazhi i kryer me 2000 qytetarë nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) me mbështetjen teknike dhe financiare nga “UN Women” i realizuar në qytetet kryesore gjatë periudhës nëntor – dhjetor të vitit të kaluar. Të intervistuarit renditën tri arsye kryesore sipas të cilave qytetarët ‘shisnin’ votën e tyre. Arsyeja kryesore është renditur ajo për të mbajtur vendin e punës, një tjetër për të gjetur punë pas zgjedhjeve dhe një tjetër arsye është ajo e përfitimit të parave apo dhuratave mbi mënyrën e votimit të tyre. Por shqiptarët e bënë këtë zgjedhje në mënyrë të lirë, pa u ndikuar, sepse 93 për qind e tyre theksojnë se janë ndier “tërësisht të lirë” kur kanë votuar në zgjedhjet e 2013-s. Shkëmbimi i votës me favore ka qenë një zgjedhje e tyre për këtë proces. Një progres i dukshëm është bërë dhe për sa i përket çështjes së votimit familjar, ku vetëm 5 për qind e atyre që kanë votuar kanë vënë re raste kur Komisioni i Qendrës së Votimit ka lejuar më shumë se një person në zonën e fshehtë të votimit. E pranishme në konferencën ku u prezantuan gjetjet e sondazhit “Liria e Votës dhe Votimi Familjar 2014”, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi, theksoi rëndësinë e rezultateve të këtij studimi për punën e KQZ-së, sidomos duke pasur parasysh zgjedhjet lokale të 2015-s, nga të cilat na ndan një vit.
Shitja e votës
Një e treta e shqiptarëve e shikojnë si fenomen tepër të përhapur shitjen e votës, por që bëhet me vullnet të plotë të votuesit shqiptar si një zgjedhje për përfitime që lidhen kryesisht me punësimin. “Shumica dërrmuese e të intervistuarve (93%) deklarojnë se janë ndier “tërësisht të lirë” kur kanë votuar në zgjedhjet e 2013. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që votuesve nuk u janë premtuar favore në këmbim të votës. Në fakt, pothuajse 43% e të intervistuarve deklarojnë se janë në dijeni të rasteve në të cilat favore apo shërbime janë premtuar në këmbim të votës. Specifikisht, hedhja e votës për “të mbajtur vendin e punës”, për “të gjetur punë pas zgjedhjeve” dhe për të “përfituar para apo dhurata” janë përmendur si fenomene të hasura shpesh nga më shumë se një e treta e të intervistuarve”, theksohet në sondazhin e bërë publik dje. Kjo tregon se vota e qershorit të vitit 2013 është orientuar kryesisht nga pritshmëritë për çështje personale që shqiptarët kanë pasur.
Votimi familjar
Të votuarit në emër të familjarëve duket se është një fenomen i cili po zhduket dalëngadalë në Shqipëri. Sondazhi me 2000 të intervistuar tregon se ky lloj votimi është evidentuar në raste shumë të pakta. “Për sa i përket votimit familjar – kur disa persona nga familja votojnë njëkohësisht apo kur një anëtar i familjes voton edhe për anëtarët e tjerë – vetëm 5% e atyre që kanë votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s pohojnë se kanë vënë re raste në të cilat Komisioni i Qendrës së Votimit ka lejuar më shumë se një person në zonën e fshehtë të votimit”, theksohet në sondazh. Kjo gjetje sugjeron se presioni i dallueshëm, i drejtpërdrejtë apo i dhunshëm, për të votuar kundër dëshirës së individit nuk ka qenë shumë i pranishëm në zgjedhjet e shkuara parlamentare.
Anëtarësimi
Konkluzioni, 1 në 10 gra pohon se ishin anëtare të partive politike
Sondazhi i financuar nga “UN Women” del në konkluzionin se femrat ende vijojnë të jenë më larg politikës se meshkujt. Sipas sondazhit, pothuajse 9 në 10 gra pohojnë se nuk kanë qenë asnjëherë anëtare të partive politike, krahasuar me 7 në 10 meshkuj që pohojnë të njëjtën gjë. Po kështu, femrat shfaqin nivele më të ulëta angazhimi edhe për sa i përket përdorimit të instrumenteve të ndryshëm për të shprehur mendimin e tyre rreth çështjeve politike apo shoqërore. “Vetëm 12% e femrave deklarojnë se kanë kontaktuar me zyrtarë publikë në 12 muajt e fundit, për të shprehur opinionin e tyre; vlerë kjo dy herë më e ulët se përqindja e meshkujve që deklarojnë të njëjtën gjë. Edhe më shqetësues është fakti që 41% e femrave deklarojnë se nuk do të kontaktonin apo vizitonin kurrë ndonjë zyrtar shtetëror për të shprehur mendimin e tyre në lidhje me çështjet politike apo sociale, një numër ky shumë më i lartë se ai i meshkujve që pohojnë të njëjtën gjë (25%)”, deklarohet në sondazh.
Mediat sociale
Përdorimi i rrjeteve sociale (Facebook, Twitter etj.) për të shprehur mendime politike apo shoqërore është gjithashtu shumë i ulët, 8% e meshkujve dhe 6% e femrave deklarojnë se i kanë përdorur këto instrumente.
Shqip
Krijoni Kontakt