Presidenca e Egjiptit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas masakrës që ndodhi kur forcat e sigurisë bastisën kampet e protestuesve në Kajro.
Në kampe qëndronin mbështetësit e ish-presidentit Mohamed Morsi, që u rrëzua nga pushteti në fillim të korrikut. Forcat e sigurisë deklarojnë se 100 persona janë vrarë, por lëvizja Vëllazëria Myslimane thotë se viktimat janë shumë më tepër.
Gjendja e jashtëzakonshme fillon në 16:00 me orën lokale dhe do të zgjasë për një muaj. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, buldozerë të armatosur hynë thellë në kampin kryesor të protestuesve që ishte ngritur jashtë xhamisë Raba al Adawiya, në lindje të Kajros.
Autoritetet deklarojnë se edhe kampet e tjera të protestuesve, në Sheshin Nahda, tani janë boshatisur. Të dhëna për një gjakderdhje masive dolën nga kampet e protestuesve, me gazetarët që raportonin se të plagosurit po trajtoheshin pranë të vdekurve në tenda spitalore.
Vajza 17-vjeçare e një lideri të Vëllazërisë Myslimane ishte mes viktimave, thonë gazetarët. Asmaa el Beltagy u qëllua në kurriz dhe në gjoks, tha vëllai i saj.
Ndërkohë, një kameraman që punonte për “Sky News”, Mick Deane, është vrarë gjithashtu gjatë akteve të dhunës dhe po ashtu edhe një reportere vendase. Së fundmi vijnë të dhëna edhe për manifestime në zona të tjera të Egjiptit.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se bilanci zyrtar i viktimave është ngjitur në 95, ndërsa Ministria e Brendshme ka mohuar që vdekjet të jenë shkaktuar nga forcat e sigurisë duke qëlluar me armë zjarri.
![]()
Krijoni Kontakt