INTERVISTA/ Flet veterania 83-vjeçare Kano Saliaj: Enver Hoxha ishte për partizanët një idhull
Lufta Nacional Çlirimtare ishte luftë heroike, turp për ata që s’e respektojnë
Brigada e 8-ë me Komandant Asaf Dragotin ishte brigadë shumë e organizuar
Albert ZHOLI
Dje në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Kulturës së Ushtrisë Komitetit i Veteranëve të Luftës përkujtoi 70-vjetorin e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Luftës Nacional Çlirimtare. Në këtë takim përkujtimor merrnin pjesë veteranë, pjesëtarë të familjes së veteranëve, pjesëtarë të familjes së dëshmorëve dhe heronjve të Popullit të luftës, historianë, etj...Në këtë përkujtim ra në sy mospjesëmarrja e asnjë politikani, ministri, apo e Presidentit Nishani. Por për më keq, sipas organizatorëve ishte mospjesëmarrja e medias.
Ju sot keni ardhur për të kujtuar 70-vjetorin e Themelimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Çfarë ju kujton kjo ditë?
Më kujton ditën më të bukur të jetës time. Më kujton ato sakrifica të panumërta që ka bërë ushtria Nacional-Çlirimtare, djemtë dhe vajzat e kësaj toke për të çliruar atdheun nga bisha naziste. Me formimin e Shtabit të Përgjithshëm, lufta jonë mori vrull të paparë, mori një organizim të ri dhe një shtrirje kudo në atdhe. Lufta Nacional –Çlirimtare është vlerësuar kudo në botë pasi ne dolëm fitues dhe ishim në krah të kampit që shënoi një fitore historike.
Po sot në këtë festë të veteranëve s’u pa asnjë politikan, asnjë ministër, apo pjesëtar i qeverisë, as Presidenti. Mos vallë s’ju kishit bërë ftesë?
Jo u kemi bërë, por ata tashmë merren me gjëra të tjera. E harruan luftën sepse pa atë luftë eh, nejse. Si mund të vijnë të qeverisë, ata janë të PD dhe kjo parti e ka mohuar luftën , pasi ka në gjirin e saj, ballistë, nacionalistë, zogistë...Kanë të drejtë se ata sot flenë në dyshek me ajër, me pupla, ne flinim në tokë. Harruan se ballistët na luftonin së bashku me gjermanët. Mirë politikanët që kur duan votat na fërkojnë krahët por as televizionet nuk erdhën fare në këtë ditë feste për ne veteranët. Çudi, kaq frikë kanë televizionet nga politika? Ne themi se jetojmë në demokraci.
Nga jeni ju me origjinë?
Unë jam nga fshati Fushë -Bardha e Gjirokastrës. Në këtë fshat jam lindur rritur deri sa dola partizane në moshën 18-vjeçare. Jam nga fisi Çarçani, por tashmë kam mbiemrin e burrit. Ish- Kryeministrin Adil Carçani e kam pasur kushëri të parë.
Në cilën brigadë u inkuadrove ? A të lejuan prindërit?
Unë u inkuadrova në Brigadën e 8 Sulmuese me Komandant trimin dhe të aftin Asaf Dragoti, Komisar Qazim Kondi. Kjo Brigadë u formua më 25 prill 1944. Madje, dua të të them se në luftë më nisi apo më përcolli vetë babai. Lotoi kur më nisi por më tha lufto për vatanin. Se di se çfarë burra kanë qenë ata. Burra që sot si gjen dot. Kjo Brigadë ka bërë luftime shumë të ashpra. Kam dalë partizane së bashku me Nevra Carçani, kushërirën time.
Cila ka qenë beteja e parë, ku ti ke marrë pjesë duke luftuar me armë?
Ka qenë në Rrëzomë të Delvinës ku u vra Ali Gjoliku, djali i të famshmit Jaho Gjoliku. Në atë betejë u vranë dy partizanë. Lufta ishte shumë e ashpër.
Në këtë betejë luftuat kundër gjermanëve?
Kundër gjermanëve dhe ballistëve. Në këtë luftë gjermanët kishin mobilizuar 100 ballistë, të cilët dinin shtigjet.
Po beteja më e ashpër kur është bërë?
Në Operacionin e qershorit të vitit 1944 në malin e Çajupit. Në këtë luftë frontale i kam parë për së dyti se si ballistët ishin në një formacion me gjermanët. Ata ishin mes tyre.
Po sot thuhet se, ballistët e kanë luftuar gjermanin?
Kush thotë? Thonë vetë ballistët. Pa pyetna ne? Ballistët mbeten ballistë, tradhtarë, bashkëpunues me armikun. Se di se si erdhi kjo kohë sot që të vlerësohen ballistët dhe të mohohet lufta Nacional Çlirimtare. Kohë e çuditshme.
Çdo të veçoje nga operacioni qershorit?
U vranë shumë partizanë. Ishte Operacioni më i egër i të gjitha kohërave i Komandës gjermane. Unë në këtë luftë jam plagosur në të dy këmbët. S’ishin plagë shumë të thella, por ndenja mbi dy muaj në spital. Ishte koha më e vështirë për mua. Pas operacionit gjermanët u tërhoqën me shumë humbje.
Cila ishte beteja e fundit që keni marrë pjesë?
Ishte lufta për çlirimin e Tiranës. Ne kemi qenë organizuar tek kazermat e Ali Rizait në Qytetin e nxënësve. Unë isha në batalionin e tretë. Ne ishim në sulm, gjermanët ishin në mbrojtje. Në këtë luftë morën pjesë shumë Brigada, pasi luftohej shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, çati më çati. Nuk pushonte as natën as ditën breshëria e plumbave.
A e njihej emri dhe figura e Enver Hoxhës në luftë?
Posi jo. Ai ishte Komandant i Përgjithshëm. Për ‘të, qarkullonin shumë histori dhe ishte kthyer gati në një mit. Thoshin se ishte i bukur, i gjatë, trim, i zgjuar, diplomat. Kisha shumë dëshirë ta shihja por në kohën e luftës nuk e pashë dot asnjëherë. Gëzonte një simpati të madhe.
Pse u mohua sot kjo luftë?
Pasi historinë sot duan ta bëjnë ata që kanë paranë, ata që s’kanë pasur lidhje me luftën, ata që duan të mbulojnë horrllëqet e tyre. Kush mohon këtë luftë mohon atdheun e vetë.
Ku punove mbas çlirimit të vendit, apo u ktheve në Fushëbardhë?
Unë mbas çlirimit u martova dhe kam lëvizur në disa qytete të Shqipërisë me tim shoq. Më shumë qëndruam në Shkodër dhe më pas erdhëm në Tiranë. Ishte viti 1952. Burri im ka qenë partizan me mua dhe më pas u vesh oficer. Ishte njeri shumë i zoti.
Çfarë punë keni bërë kur keni ardhur në Tiranë?
Kam punuar në Bashkimin Qendror të Artizanatit në degën e kuadrit, pastaj Sekretare e Komitetit të partisë së lagjes nr.5, pastaj shefe kuadri në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve dhe në vitin 1981 kam dalë në pension.
Sot flitet shumë për sistemin socialist, ai dështoi, cili është mendimi juaj për atë sistem?
Ai sistem kishte shumë gjëra të mira, por kryesorja vlerësonte njeriun, vlerësonte luftën dhe ishte shtet i fuqishëm. Dështoi për shumë arsye, por jo të gjitha gabimet i kishte Enveri.
Cilët nga udhëheqësit e asaj kohe ke takuar?
Enver Hoxhën, në Kongresin e Artizanatit. Unë isha në tribunë me të. Kur erdhi ai të gjithë shpërthyem në duartrokitje. Ishte një njeri gjigand. Pamja e tij të mrekullonte. Isha shumë afër. Kur më kaloi aty përbri, ku u ul në karrige o zot çfarë ndjeva. Ai ishte magji. Në atë Kongres unë u dekorova në atë Kongres që u zhvillua në vitin 1953. Mora medaljen e punës.
Po me Adil Carçanin a i ke mbajtur lidhjet?
Posi jo. Të thashë me Adilin jam rritur në një shtëpi në Fushëbardhë. Ne gjithmonë kemi shkruar dhe vinim në raste festash në raste ditëlindjesh. Madje, tek shtëpia e tij që hyja si në shtëpinë time, kam takuar shumë herë Enverin, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, etj... Madje, ai vinte po kaq shumë tek shtëpia ime. Ai ishte një njeri i rrallë, i urtë, ja këtu kam dhe mbesën e tij, vajzën e motrës së Adilit. Adili kishte vetëm një motër dhe ishte shumë i lidhur me të.
Ruaj Lidhjet