
Postuar mė parė nga
arun
Çështja e Syrit Qiellor
Shumë mjeshtër shpirterore kanë folur mbi Syrin Qiellor. Por Ligji ka manifestime të ndryshme në nivele të ndryshme. Një praktikues, kultivimi i të cilit ka arritur një nivel të caktuar, mund të shikojë vetëm manifestimet e atij niveli. Ai nuk mund të shikojë të vërtetën përtej nivelit të tij dhe as që ka për ta besuar atë. Prandaj, ai konsideron si të saktë vetëm atë që ai sheh në nivelin e tij. Para se kultivimi i tij të arrijë një nivel më të lartë, ai mendon se ato gjëra nuk ekzistojnë dhe nuk janë të besueshme; kjo përcaktohet nga niveli i tij dhe mëndja e tij nuk mund të lartësohet. Me fjalë të tjera, mbi çështjen e Syrit Qiellor, disa njerëz flasin për të në një mënyrë dhe të tjerë flasin në një mënyrë tjetër. Si rezultat, ata e kanë ngatërruar çështjen dhe së fundi asnjë nuk mund ta shpjegojë atë qartë. Syri Qiellor, në fakt, është diçka që nuk mund të shpjegohet qartë në nivel të ulët. Në të kaluarën, struktura e Syrit Qiellor i përkiste sekretit të sekreteve dhe njerëzit e zakonshëm ishin të ndaluar ta dinin atë. Kështu, gjatë gjithë historisë askush nuk fliste për të. Por këtu ne nuk e trajtojmë atë në bazë të teorive nga e kaluara. Ne përdorim shkencën moderne dhe gjuhën më të thjeshtë të kohës së sotme për ta shpjeguar atë dhe ne do të shtjellojmë çështjet kryesore të tij.
Syri Qiellor për të cilin po flasim është i vendosur pak më sipër dhe në mes të vetullave dhe lidhet me gjendrën pineale të trurit. Ky është kanali kryesor. Trupi njëriut ka shumë sy të tjerë. Shkolla Tao thotë se çdo hapje është sy. Shkolla Tao quan një pikë akupunkture në trup “hapje” ndërsa mjekësia kineze e quan atë pikë akupunkture. Shkolla Buddhës beson se çdo pore djerse është sy. Prandaj disa njerëz mund të lexojnë me veshë dhe disa mund të shikojnë me duar apo nga mbrapa kokës; akoma të tjerë mund të shikojnë me këmbë apo bark. Është plotësisht e mundur.
Me që po flaim për Syrin Qiellor, do flasim së pari për këta palë sy fizikë njerëzore. Në kohën tonë, disa njerëz mendojnë se këta palë sy mund të shikojnë çdo materie apo objekt në këtë botë. Prandaj, disa njerëz kanë zhvilluar nocionin kokëfortë se vetëm çfarë mund të shihet me sy është e vërtetë dhe konkrete. Ata nuk besojnë atë që nuk e shohin. Në të kaluarën, këta njerëz konsideroheshin të kishin cilësi të ulët ndriçimi shpirtëror, megjithëse njerëzit nuk mund ta shpjegonin qartë pse cilësia e ndriçmit shpirtëror të këtyre njerëzve ishte e varfër. Po nuk e pashë, nuk e besoj. Kjo mund të duket shumë e arsyeshme. Megjithatë nga pikëpamja e një niveli më të lartë, nuk është e arsyeshme. Çdo kohë-hapësirë është e përbërë prej materie. Sigurisht, kohë-hapësira të ndryshme kanë struktura fizike të ndryshme dhe forma të shumta manifestimi jetësh të ndryshme.
Le t’ju jap një shembull. Në Buddhizëm, thuhet se çdo fenomen në shoqërinë njerëzore është vegim dhe jo i vërtetë. Si janë ato vegime? Objekte të vërteta dhe konkrete janë të vendosura tamam para jush, pra kush do të pretendonte që janë të rreme? Forma fizike e paraqitjes së objektit duket ashtu, por mënyra e vërtetë e ekzistencës së tij nuk është ashtu. Sytë tanë kanë aftësinë të stabilizojnë objekte fizike në dimensionin tonë fizik në formën që ne i shikojmë tani. Objektet nuk janë në fakt në këtë gjendje dhe ato nuk janë në atë gjendje madje edhe në dimensionin tonë. Për shembull, si duket njeriu nën mikroskop? I tërë trupi tij është i përbërë nga molekula të lira dhe të vockla, tamam si kokrrizat e rërës që janë në lëvizje. Elektronet rrotullohen rreth bërthamës dhe i tërë trupi është në lëvizje. Sipërfaqja e trupit nuk është as e lëmuar e as e rregullt. Çfarëdo materie në univers, si çeliku, hekuri dhe shkëmbinjtë janë po ashtu në lëvizje dhe brenda tyre të gjitha elementet molekulare të tyre janë në lëvizje. Njeriu nuk mund ta shikojë formën e tyre të plotë dhe ato nuk janë në fakt në qetësi. Kjo tavolinë po ashtu është në lëvizje, megjithatë sytë tuaj nuk mund ta shikojnë këtë të vërtetë. Këta palë sy mund të na japin përshtypje të rreme si kjo.
Nuk është se ne nuk mund të shikojmë gjërat në nivelin mikroskopik, apo që njerëzit nuk e kanë këtë aftësi. Njerëzit lindin me ketë aftësi dhe ata mund të shikojnë gjërat në një nivel të caktuar mikroskopik. Pikërisht pse në këtë dimension fizik ne kemi këto palë sy, njerëzit marrin përshtypje të rreme dhe i ndalohet të shikojnë gjërat. Kështu, në të kaluarën thuhej se kur njerëzit nuk besonin ato gjëra që nuk mund t’i shikonin, këta njerëz konsideroheshin nga komuniteti i kultivuesve se kishin cilësi ndriçimi shpirtëror të varfër, se ishin të gënjyer nga pamjet fallso të njerëzve të zakonshëm dhe se ishin të humbur në mes të njerëzve të zakonshëm. Kjo është thënie e bërë historikisht nga fetë. Aktualisht, ne gjithashtu kemi konstatuar të jetë shumë e arsyeshme.
Këto palë sy mund të stabilizojnë gjërat në dimensionin tonë fizik në gjendje të tillë. Përveç kësaj, ata nuk kanë ndonjë aftësi tjetër të rëndësishme. Kur dikush shikon diçka, imazhi nuk formohet direkt në sy. Sytë janë si lentet e aparatit fotografik, ato veprojnë vetëm si përçues. Kur shikon nga larg, lentja zmadhohet; sytë tanë po ashtu marrin këtë funksion. Kur shikon në errësirë, bebet e syrit zmadhohen. Kur një aparat merr një foto në arrësirë, objektivi i tij po ashtu zmadhohet. Përndryshe, foto do të ishte e errët me ekspozim drite të pamjaftueshme. Kur ti del në një vend shumë të ndritshëm jashtë, bebet e tua zvogëlohen menjëherë. Përndryshe sytë e tu do të verboheshin nga drita dhe ti nuk do të mund të shikoje qartë. Një aparat punon mbi të njejtin parim dhe objektivi po ashtu duhet të zvogëlohet. Syri mund të kapë vetëm pamjen e një objekti dhe kështu është thjesht një vegël. Kur ne shohim gjëra aktualisht, një person apo kur shohim formën e ekzistencës së një objekti, imazhet formohen në tru. Domethënë, çfarë shohim me sy dërgohet në gjendrën pineale në fund të trurit nëpërmjet nervit optik dhe pastaj reflektohet si pamje në atë pjesë. Kjo është si të thuash që pamjet aktuale të reflektuara shihen në gjendrën pineale të trurit. Mjekësia moderne gjithashtu e ka pranuar këtë.
Hapja e Syrit Qiellor që ne po trajtojmë shmang përdorimin e nervit optik njerëzor dhe hap një kalim ndërmjet vetullave kështu që gjendra pineale e trurit mund të shikojë direk jashtë. Kjo quhet hapje e Syrit Qiellor. Disa njerëz mund të gjykojnë: “Kjo nuk është realiste. Mbi të gjitha, këta palë sy prapseprap mund të shërbejnë si mjet dhe ata mund të kapin pamjet e objekteve, diçka e pamundur pa sytë.” Anatomia e mjekësisë moderne, ka zbuluar tashmë se pjesa ballore e gjendrës pineale të trurit është e pajisur me një strukture të plotë të një syri njerëzor. Meqenëse rritet brenda kafkës, thuhet se është sy rudimentar. Nëse është sy rudimentar apo jo, komuniteti i kultivuesve ka rezervime. Megjithatë mjekësia moderne ka pranuar mbi të gjitha se ekziston një sy në mes të trurit njerëzor. Kalimi që ne hapim synon pikërisht atë vend dhe kjo është në përputhje të plotë me të kuptuarin e mjekësisë moderne. Ky sy nuk krijon imazhe fallco si pala e syve tanë fizikë, sepse shikon si natyrën e materies ashtu dhe esencën e materies. Prandaj, një person me Sy Qiellor të nivelit të lartë mund të shikojë përtej dimensionit tonë në kohë-hapësira të tjera dhe mund të shikojë skena të cilat njerëzit e zakonshëm nuk mund t’i shohin. Një person me Sy Qiellor të nivelit të ulët mund të ketë shikim penetrues e mund të shikojë gjëra përtej një muri apo shikojë brenda trupit të njeriut. Ai ka pikërisht këtë aftësi supernormale.
Shkolla Buddhës flet për pesë nivele të shikimit: Shikim Mishtor, Shikim Qiellor, Shikim Mençurie, Shikim Ligji dhe Shikim Buddhe. Këto janë pesë nivelet kryesore të Syrit Qiellor dhe secili ndahet në nivel të sipërm, mesëm dhe ulët. Shkolla Tao flet për nëntë herë nëntë apo tetëdhjetë e një nivele të Shikimit të Ligjit. Ne po hapim Syrin Qiellor për secilin këtu, por ne nuk e hapim atë tek apo më poshtë se Shikimi Qiellor. Pse? Megjithëse ti je këtu dhe ke filluar të praktikosh kultivim, ti je, mbi të gjitha, duke e filluar nga niveli i njeriut të zakonshëm me shumë nga dëshirat e njeriut të zakonshëm akoma të pabraktisura. Nëqoftëse Syri jot Qiellor hapet poshtë Shikimit Qiellor, ti do të kesh atë që njerëzit e quajnë aftësi supernormale, sepse ti mund të shikosh tejpërtej murit dhe trupit të njeriut. Po ta shpërndanim këtë aftësi supernormale gjërësisht dhe nëqoftëse Syri Qiellor i të gjithëve do të hapesh në këtë nivel, kjo do të shqetësonte në mënyrë serioze shoqërinë njerëzore dhe do të prishte gjendjen e zakonshme të shoqërisë njerëzore: sekretet shtetërore do të viheshin në rrezik; do të ishte njësoj sikur njerëzit të ishin pa rroba veshur, ti mund të shikoje njerëzit brenda në shtëpi që nga jashtë; ndërsa shëtit në rrugë, ti mund të kapje çmimet fituese të llotarisë me një shikim. Kjo nuk mund të lejohet! Mendojeni pak, secili: A do të ishte kjo akoma shoqëri njerëzore nëqoftëse Syri Qiellor i të gjithëve do të hapej në Shikimin Qiellor? Të shqetësosh seriozisht gjendjen e shoqërisë njerëzore është absolutisht e ndaluar. Po t’ja u hapja Syrin Qiellor në atë nivel, ju mund të bëheshit mjeshtër qigongu menjerëherë. Disa njerëz endërronin më parë të bëheshin mjeshtër qigongu. Nëqoftëse Syri tyre Qiellor do hapesh papritmas, ata do të ishin të aftë të kuronin pacientë. A nuk do t’ju çoja unë në një rrugë të keqe në këtë rast?
Atëhere, në cilin nivel ja u hap unë Syrin Qiellor juve? Unë do t’jua hap Syrin Qiellor direkt e në nivelin e Shikimit të Mençurisë. Po të hapej në një nivel më të lartë, karakteri juaj nuk është i përshtatshëm. Po të hapej në një nivel më të ulët, kjo do të shqetësonte seriozisht gjendjen e shoqërisë njerëzore. Me Shikim Mençurie, ju nuk keni aftësinë të shikoni gjërat përmes murit apo shikoni brenda trupit të njeriut, por ju mund të shikoni skena që ekzistojnë në dimensione të tjera. Çfarë përfitimi ka kjo? Ajo mund të përforcojë besimin tuaj tek praktika. Kur ju me të vërtetë shikoni diçka që njerëzit e zakonshëm nuk mund ta shikojnë, ju do të mendoni që ekziston me siguri. Pamvarësisht nëse mund të shikoni qartë tani, Syri juaj Qiellor do të hapet në këtë nivel dhe kjo është mirë për praktikën tuaj. Një praktikues i vërtetë i Dafës mund të arrijë të njejtin rezultat duke lexuar këtë libër, me kusht që të jetë i rreptë me veten në përmirësimin e karakterit.
Çfarë e përcakton nivelin e Syrit Qiellor të personit? Nuk është e thënë që me t’u hapur Syri juaj Qiellor, ju do të mund të shikoni çdo gjë—nuk është ashtu. Ekziston edhe një klasifikim nivelesh. Atëhere çfarë i përcakton nivelet? Janë tre faktorë. I pari është që Syri Qiellor i dikujt duhet të ketë një fushë që shkon nga brenda jashtë dhe ne e quajmë këtë esenca e qi-së. Për çfarë shërben ajo? Është si ekran televizori: Pa fosfor, pasi një televizor ndizet, ai është akoma një llampë drite. Do të ketë vetëm dritë, por jo pamje. Pamjet dalin në sajë të fosforit. Sigurisht, ky nuk është shembull shumë i përshtatshëm sepse ne i shikojmë gjërat direkt ndërsa një televizor i paraqet pamjet nëpërmjet ekranit. Kjo është idea në vija të gjëra. Kjo pjesë esence qi-je është jashtëzakonisht e çmuar dhe përbëhet nga një substancë tej e imët që përpunohet nga virtyti. Normalisht, esenca e qi-së e çdo personi është e ndryshme. Mbase dy në dhjetë mijë veta janë në të njejtin nivel.
Niveli i Syrit Qiellor është manifestim direkt i Ligjit të universit tonë. Është diçka supernormale dhe e lidhur ngushtë me karakterin e personit. Nëqoftëse niveli i karakterit të një personi është i ulët edhe niveli i tij është i ulët. Për shkak të nivelit të ulët të karakterit, shumica e esencës së qi-së së këtij personi ka humbur. Nëqoftëse niveli i karakterit të personit është i lartë dhe në shoqërinë njerëzore ai që nga fëminija deri në moshë të rritur nuk është dhënë pas famës, fitimit, konflikteve me njerëzit, fitimit personal dhe ndjenjave e dëshirave të ndryshme njerëzore, esenca e tij e qi-së mund të jetë ruajtur relativisht më mirë. Prandaj, pasi Syri i tij Qiellor hapet, ai mund t’i shikojë gjërat më qartë. Një fëmijë nën moshën gjashtë vjeç mund të shikojë shumë qartë sapo t’i hapet Syri Qiellor. Është gjithashtu e lehtë të hapësh Syrin e tij Qiellor. Po të them unë një fjalë, do të hapesh.
Për shkak të ndotjes nga korrupsioni i shoqërisë njerëzore, gjërat që njerëzit i quajnë të drejta janë, në fakt, shpesh të gabuara. A nuk duan të gjithë të jetojnë një jetë të mirë? Dëshira për një jetë të mirë mund t’i hyjë në pjesë interesave të të tjerëve, të stimulojë interesat e tua egoiste, të marrë fitimet e të tjerëve apo të çojë në dominimin dhe dëmtimin e të tjerëve. Njeriu konkuron dhe lufton për fitim personal mes njerëzve të zakonshëm. A nuk është kjo të shkosh në drejtim të kundërt me karakteristikën e universit? Kështu, ajo që njerëzit e konsiderojnë të drejtë mund të mos jetë e drejtë në të vërtetë. Kur edukon fëmijën, një i rritur shpesh e mëson atë, “Mësohu të bëhesh i zoti,” kështu që në të ardhmen ai të ecë më i sigurtë në shoqërinë njerëzore. Nga pikëpamja e universit tonë, “të jesh i zoti” është gabim, sepse ne kërkojmë ndjekjen e rrjedhës së natyrshme të gjërave dhe të mos merakosesh për fitim personal. Duke qënë i zoti, ai do të ndjekë interesin personal. “Kushdo që të rrahë, shko tek mësuesi i tij dhe gjeja prindët.” “Merri lekët që gjen në rrugë.” Fëmija mësohet në këtë mënyrë. Nga fëminija deri në moshë të rritur, ndërsa ai merr gjithnjë e më shumë gjëra, ai do bëhet gradualisht gjithnjë e më shumë egoist në shoqëri. Ai do të përfitojë nga të tjerët dhe do të humbë virtyt.
Kjo substancë, virtyti, nuk zhduket pasi dikush e humb atë. Ajo transferohet tek një person tjetër. Ndërsa kjo esencë qi-je mund të zhduket. Nëqoftëse dikush është shumë dinak nga fëminija deri në moshë të rritur, me një dëshirë të fortë për interes vetjak dhe vetëm kërkon fitim, Syri Qiellor i këtij personi nuk do të funksionojë normalisht apo shohë gjërat qartë pasi të hapet. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk do të funksionojë kurrë më. Pse? Sepse gjatë kursit të praktikës kultivuese ne përpiqemi të kthehemi në origjinë, në veten tonë të vërtetë dhe nëpërmjet praktikës këmbëngulëse ne do të jemi të aftë ta kompensojmë vazhdimisht dhe ta rifitojmë atë. Prandaj, njeriu duhet t’i kushtojë vëmendje karakterit. Ne theksojmë përmirësim të gjithanshëm dhe ngritje të gjithanshme. Po të ngrihet karakteri, çdo gjë tjetër do të ndjekë atë. Nëqoftëse karakteri nuk ngrihet, as ajo pjesë e esencës së qi-së nuk do të rikuperohet. Ky është parimi.
Faktori i dytë është se kur një person praktikon qigong vetë, Syri tij Qiellor mund të hapet nëqoftëse cilësia e tij e lindur është e mirë. Shpesh, disa njerëz frikësohen në momentin kur u hapet Syri Qiellor. Pse frikësohen ata? Sepse njerëzit zakonisht praktikojnë qigong në mesnatë, kur është errët dhe qetësi. Ndërsa personi praktikon, ai mund të shikojë papritmas një sy të madh para syve të tij, që e frikëson atë menjëherë. Kjo frikë është jashtëzakonisht e madhe dhe ai nuk do të ketë guxim të praktikojë qigong pas kësaj. Sa e frikëshme! Një sy që hapet e mbyllet që është aq i madh të shikon dhe është shumë i qartë. Për pasojë, disa njerëz e quajnë atë syri demonit, ndërsa të tjerë e quajnë syri Buddhës etj. Në fakt, është syri jot. Sigurisht, kultivimi varet nga përpjekjet e secilit, ndërsa transformimi i gongut bëhet nga mjeshtri. I tërë proçesi i transformimit të gongut është shumë kompleks dhe ndodh në dimensione të tjera. Trupi nuk ndryshon vetëm në një dimension, por në të gjitha dimensionet e ndryshme. A mund ta bësh ti këtë vetë? Ti nuk mundesh. Këto gjëra janë rregulluar nga mjeshtri dhe kryhen nga mjeshtri. Prandaj, thuhet se kultivimi varet nga përpjekjet e secilit, ndërsa transformimi i gongut bëhet nga mjeshtri. Ju mund të keni vetëm dëshirën dhe të mendoni për të, por është mjeshtri i cili i bën në fakt këto gjëra.
Disa njerëz e hapin Syrin Qiellor vetë nëpërmjet praktikës së tyre. Ne e konsiderojmë atë si syrin tënd, por ti nuk je në gjendje ta zhvillosh atë vetë. Disa njerëz kanë mjeshtër të cilët, me të parë që Syri i tyre Qiellor është hapur, do të transformojnë një për ta. Ky quhet syri i vërtetë. Sigurisht disa njerëz nuk kanë mjeshtër, por mund të jetë ndonjë mjeshtër që enkas kalon andej. Shkolla Buddhës thotë: “Buddhat janë të gjithëpranishëm.” Ata janë kaq të shumtë sa gjenden kudo. Disa njerëz thonë: “Gjenden shpirtra tre pëllembë sipër kokës njerëzve”, që do të thotë se ata janë thjesht të panumërt. Nëqoftëse një mjeshtër që kalon andej shikon që ti ke praktikuar shumë mirë me Syrin Qiellor të hapur dhe se ty të duhet një sy, ai apo ajo do të transformojnë një për ty, që mund të konsiderohet gjithashtu si rezultat i praktikës tënde. Kjo ndodh sepse kur i afrojnë njerëzve shpëtim, ata nuk vënë kushte apo mendojnë për çmim, shpërblim, apo famë. Kështu ata janë shumë më tepër fisnikë sesa heronjtë midis njerëzve. Ata e bëjnë këtë plotësisht nga zemërmirësia e tyre mëshiruese.
Pas hapjes së Syrit Qiellor, do të ndodhë kjo situatë: sytë do të verbohen keq nga drita dhe do të irritohen. Në fakt nuk janë sytë që irritohen. Por është gjendra pineale në trurin tuaj që është irrituar, megjithëse juve ju duket sikur janë irrituar sytë. Kjo ndodh për shkak se ju nuk jeni pajisur akoma me këtë sy. Pasi ju jepet ky sy, sytë fizikë nuk janë më të irrituar. Disa nga praktikuesit tanë do të jenë në gjendje ta ndjejnë apo shikojnë këtë sy. Meqenëse manifeston të njejtën natyrë si të universit, ai është shumë i pafajshëm dhe gjithashtu kurioz. Shikon brenda për të parë nëse kanali i Syrit Qiellor është hapur dhe në mund të shohë. Po ashtu shikon dhe brenda trupit tuaj. Në këtë moment Syri juaj Qiellor është hapur. Ndërsa të shikon ty, ti do të frikësohesh kur papritmas ta shohësh. Në fakt, ky është syri jot. Që këtej e tutje, kur të vështrosh gjërat, do t’i shikosh nëpërmjet këtij syri. Edhe sikur Syri Qiellor i jot të ishte hapur, ti nuk do të ishe në gjendje të shikoje pa këtë sy.
Faktori i tretë janë ndryshimet që manifestohen në dimensione të ndryshme pasi dikush bën ngjitje në nivele. Kjo është çështja që me të vërtetë përcakton nivelin e dikujt. Përveç kanalit kryesor për të parë gjërat, njerëzit gjithashtu kanë dhe shumë nënkanale. Shkolla Buddhës thotë se çdo pore djerse është sy, ndërsa Shkolla Tao beson se çdo hapje e trupit është sy. Domethënë, të gjitha qendrat e akupunkturës janë sy. Sigurisht, këto që thonë ato janë veçse një formë e transformimit të Ligjit në trup; njeriu mund të shikojë nga çdo pjesë e trupit.
Niveli të cilit i referohemi ne është i ndryshëm nga këto. Përveç kanalit kryesor, ka gjithashtu disa nënkanale të mëdha në disa vende, më saktë, sipër dy vetullave, sipër dhe poshtë qepallave dhe në pikën shangen[43]. Ato përcaktojnë çështjen e ngjitjes në nivele. Sigurisht, për një praktikues mesatar, nëqoftëse ai mund të shikojë nga këto vende të ndryshme, ai ka arritur tashmë një nivel shumë të lartë. Disa njerëz mund të shikojnë gjithashtu dhe me sytë fizikë. Dhe ata kanë arritur të kultivojnë këta sy që janë gjithashtu të pajisur me forma të ndryshme aftësish supernormale. Nëqoftëse syri fizik nuk përdoret mirë, dikush do të shohë një objekt pa parë tjetrin. Dhe kjo nuk funksion. Kështu, disa njerëz shpesh shikojnë njërën anë me njërin sy dhe anën tjetër me syrin tjetër. Megjithatë nuk ekziston nënkanal poshtë syrit të djathtë sepse ai lidhet drejtpërdrejt me Ligjin. Njerëzit kanë tendencë ta përdorin syrin e djathtë për të kryer vepra të këqija; kështu nuk ka nënkanal poshtë syrit të djathtë. Këto ishin nënkanalet kryesore që zhvillohen në kultivimin e Ligjit-Në-Botën-Trefishe.
Pas arritjes së një niveli jashtëzakonisht të lartë dhe në kultivimin e Ligjit-Përtej-Botës-Trefishe, një sy që i ngjan një syri të përbërë do të formohet. Më saktësisht, në pjesën e sipërme të fytyrës do të shfaqet një sy i madh me sy të vegjël të panumërt në të. Disa Qënie të Shumëlartësuara shpirtësisht të niveleve shumë të larta kanë kultivuar kaq shumë sy saqë i kanë në tërë fytyrën e tyre. Të gjithë sytë shikojnë nëpërmjet këtij syri të madh dhe ata mund të shikojnë çfarë të duan. Me një shikim, ata mund të shikojnë të gjitha nivelet. Sot, zoologët dhe entomologët kryejnë kërkime mbi mizat. Syri i një mize është shumë i madh; nëpërmjet mikroskopit është parë që ai përmban shumë sy të vegjël në të dhe ky quhet sy i përbërë. Pasi praktikuesit arrijnë një nivel jashtëzakonisht të lartë, kjo situatë mund të ndodhë. Personi duhet të jetë disa herë më lart se niveli i Tathagatës që kjo të bëhet e mundur. Megjithatë një person i zakonshëm nuk mund ta shikojë këtë sy. Edhe njerëzit në nivel të mesëm nuk mund ta shikojnë ekzistencën e tij për shkak se ai ekziston në një dimension tjetër dhe ata mund të shikojnë vetëm që personi është njeri normal. Kjo shpjegon kapërcimet në nivele. Me një fjalë, ka të bëjë me faktin nëse dikush mund të arrijë dimensione të ndryshme.
Kam përshkruar kështu strukturën e Syrit Qiellor për të gjithë. Ne e hapim Syrin tuaj Qiellor me një forcë të jashtme, kështu është relativisht më e shpejtë dhe më e lehtë. Kur po flisja për Syrin Qiellor, secili nga ju mund të ndjente ballin që i tkurrej; i ndjenit muskujt sikur po ju paloseshin mbi njeri tjetrin dhe shtynin drejt brendësisë. Ishte kështu apo jo? Kështu ishte. Për sa kohë që ju me të vërtetë i futeni studimit të Falun Dafës, të gjithë do ta ndjeni këtë; forca e jashtme vjen shumë e fortë kur depërton drejt brendësisë. Unë kam lëshuar energjinë e posaçme që hap Syrin Qiellor. Ndërkohë, kam lëshuar gjithashtu Falun që të riparojnë Syrin tuaj Qiellor. Ndërsa flisja për Syrin Qiellor, po ja u hapja atë të gjithëve, me kusht që ju të praktikoni kultivim në Falun Dafa. Megjithatë, nuk është e thënë që të gjithë mund të shikojnë qartë dhe jo të gjithë mund të shikojnë gjë me të. Kjo ka të bëjë direkt me vetë ju. Mos u shqetësoni sepse nuk ka rëndësi nëqoftëse ju nuk mund të shikoni me të. Kushtojini kohën ta kultivoni. Ndërsa ju vazhdimisht ngrini nivelin, ju do të bëheni të aftë gradualisht të shikoni gjëra dhe pamja e mjergullt do të bëhet gjithnjë dhe më e qartë. Për sa kohë që ju praktikoni kultivim dhe e vendosni në mëndje të praktikoni kultivim, ju do të rimerrni çdo gjë që keni humbur.
Është relativisht e vështirë të hapësh Syrin Qiellor vetë. Më lejoni të flas për disa forma të hapjes së Syrit Qiellor vetë. Për shembull, kur shikoni ballin dhe Syrin Qiellor gjatë meditimit, disa nga ju ndjejnë që është errësirë brenda në ballë dhe se nuk ka asgjë atje. Me kalimin e kohës, do të shikoni që gradualisht zbardhet brenda ballit. Pas një kohe praktike kultivuese, do të zbuloni që gradualisht fillon dhe ndriçohet brenda ballit dhe pastaj kthehet në të kuqe. Në këtë kohë, do të çelët si lulet që shihen në televizor apo në një film ku lulet çelin në një sekondë. Skena të tilla do të shfaqen. Ngjyra e kuqe do fillojë e plotë dhe pastaj papritmas do të qëndrojë në mes dhe rrotullohet papushim. Po të doni ta rrotulloni vetë deri në fund, edhe tetë apo dhjetë vjet mund të mos jenë të mjaftueshëm meqenëse i gjithë Syri Qiellor është i bllokuar.
Syri Qiellor i disa njerëzve nuk është i bllokuar, por ata janë të pajisur me një kalim. Por në kalim nuk ka energji sepse ata nuk praktikojnë qigong. Kështu, kur ata praktikojnë qigong, një top i zi do të shfaqet papritmas para syve të tyre. Pasi ata të praktikojnë për disa kohë, ai do të shndrrohet ngadalë në të bardhë dhe pastaj do të bëhet i ndritshëm. Së fundi, do të ndriçojë gjithnjë e më shumë dhe sytë do të ndjehen pak si të verbuar. Prandaj, disa njerëz thonë, “Pashë diellin”, apo “Pashë hënën”. Në fakt, ata nuk panë as diellin dhe as hënën. Çfarë panë ata atëhere? Ishte kalimi i tyre. Disa njerëz arrijnë ngjitje të shpejta në nivelet e tyre. Me t’ju dhënë syri ata mund të shikojnë menjëherë. Për të tjerë është mjaft e vështirë. Kur ata praktikojnë qigong, ata do të ndjejnë sikur vrapojnë drejt daljes përgjatë këtij kalimi, që është si një tunel apo pus. Edhe në gjumë, ata ndjejnë sikur po vrapojnë drejt daljes. Disave mund t’i duket sikur po i japin një kali; disave mund t’i duket sikur fluturojnë; disave sikur vrapojnë; dhe disave u duket sikur ecin me makinë. Ngaqë është e vështirë të hapësh Syrin Qiellor vetë, atyre u duket gjithmonë sikur nuk arrijnë fundin. Shkolla Tao e konsideron trupin e njeriut një univers të vogël. Nëqoftëse është një univers i vogël, pa mendojeni, është më shumë se 108 mijë li[44] nga balli deri tek gjendra pineale e trurit. Kështu, ty të duket sikur gjithmonë po shtyn drejt daljes dhe nuk e arrin dot fundin.
Është plotësisht e arësyeshme që Shkolla Tao e konsideron trupin e njeriut një univers të vogël. Kjo nuk do të thotë që përbërja dhe struktura e saj janë të ngjashme me ato të universit dhe as i referohet kjo formës së ekzistencës së trupit në dimensionin tonë fizik. Ne pyesim, “Sipas të kuptuarit të shkencës moderne, në një nivel më mikroskopik, si shfaqet trupi fizik që përbëhet nga qelizat?” Ekzistojnë përbërje molekulare të ndryshme. Më të vogla se molekulat janë atomet, protonet, bërthamat, elektronet dhe kuarket. Grimcat më mikroskopike që studjohen sot janë neutrinot. Atëhere, cila është grimca më mikroskopike? Është me të vërtetë tepër e vështirë për t’u studjuar. Në vitet e tij të fundit, Sakyamuni bëri këtë deklaratë: “Është kaq e pamasë sa nuk ka konture të jashtme dhe kaq e vogël sa nuk ka konture të brendshme.” Çfarë do të thotë kjo? Në nivelin e Tathagatës, universi është kaq i pamasë saqë kufijtë e tij janë të paarritshëm, por po ashtu dhe kaq i vogël saqë as grimcat e tij më mikroskopike të përbërjes nuk janë të dukshme. Për pasojë, ai tha: “Është kaq e pamasë sa nuk ka konture të jashtme dhe kaq e vogël sa nuk ka konture të brendshme.”
Sakyamuni gjithashtu foli për teorinë e tre mijë botëve. Ai tha se, në universin tonë dhe në Kashtën tonë të Kumtrit, ka tre mijë planete me qënie të gjalla që kanë trupa fizikë si raca jonë njerëzore. Ai gjithashtu tha se ka tre mijë botë të tilla në një kokrrizë rëre. Një kokrrizë rëre është kështu një univers me vete, me njerëz që kanë intelligjencë si ne, planete, male dhe lumenj. Duket plotësisht e pakonceptueshme! Po qe kështu, pa mendojeni pak: A ka rërë në ato tre mijë botë? Dhe nuk do të ketë tre mijë botë të tjera në secilën nga ato kokrriza rëre? Atëhere, a ka rërë në vetë këto tre mijë botët e tjera? Atëhere a nuk do të ketë tre mijë botë edhe në secilën nga këto kokrriza rëre të rërës? Kështu, edhe në nivelin e Tathagatës, nuk mund t’i shohësh fundin.
E njejta gjë është e vërtetë me qelizat molekulare njerëzore. Njerëzit pyesin sa i madh është universi. Më lejoni t’ju them se ky univers ka kufijtë e tij. Por edhe në nivelin e Tathagatës, ai do të duket i pakufi dhe i pamasë në pafundësi. Megjithatë brendësia e trupit të njeriut është e madhe sa dhe ky univers, që nga molekulat tek pjesëzat mikroskopike. Kjo mund të duket shumë e pakonceptueshme. Kur një qënie njerëzore apo një jetë krijohet, elementet unike të jetës dhe cilësitë qenësore të saj janë tashmë të formuara që nga niveli tepër mikroskopik. Kështu, në studimin e kësaj sfere, shkenca jonë moderne është shumë mbrapa. Në krahasim me ato jetë të një inteligjence më të lartë në planetet e gjithë universit, niveli shkencor i racës sonë njerëzore është shumë i ulët. Ne nuk mund as të arrijmë dimensione të tjera që ekzistojnë njëkohësisht në të njejtin vend, ndërsa objekte fluturuese nga planete të tjera mund të udhëtojnë në dimensionin tonë. Koncepti i asaj kohë-hapësire është plotësisht i ndryshëm. Kështu, ata mund të shkojnë e vijnë sipas dëshirës dhe me një shpejtësi kaq të madhe saqë mëndja njerëzore nuk mund ta pranojë.
Kur fola për Syrin Qiellor, unë solla rastin kur ju ndjeni sikur po dilni jashtë përgjatë një tuneli e do t’ju duket sikur ai është i pakufi dhe i pafund. Disa njerëz mund të shohin një situatë tjetër, ku ata nuk ndjejnë sikur po vrapojnë përgjatë një tuneli, por sikur vrapojnë përgjatë një rruge të pakufi dhe të pafund. Ndërsa sulen për të dalë ka male, lumenj dhe qytete në të dy anët. Kjo mund të duket dhe më e pakonceptueshme. Më kujtohet që një mjeshtër qigongu bëri një deklaratë të tillë: “Ka një qytet në çdo pore djerse të trupit të njeriut dhe trena dhe makina që ecin në të.” Me të dëgjuar këtë, të tjerët habiten dhe u duket e pakonceptueshme. Ju e dini që grimcat mikroskopike të materies përfshijnë molekulat, atomet dhe protonet. Kur kërkon më tutje, po të shikosh planin e secilit nivel në vend të një pike dhe të shikosh planin e molekulave, atomeve, protoneve dhe atë të bërthamave, do të shikosh format e ekzistencës në dimensione të ndryshme. Gjithë materia, duke përfshirë trupin e njeriut, ekziston njëkohësisht në lidhje me nivelet dimensionale të hapësirës kozmike. Kur fizika jonë moderne studjon grimcat mikroskopike të materies, ajo vetëm studjon një grimcë mikroskopike nëpërmjet ndarjes dhe shpërbërjes së saj. Ajo i studjon elementet e saj pas shpërbërjes bërthamore. Po të ekzistonte një instrument i tillë nëpërmjet të cilit ne mund të zgjeronim dhe shikonim nivelin në të cilin të gjitha elementet atomike apo elementet molekulare mund të manifestoheshin në tërësinë e tyre, apo sikur kjo skenë të vëzhgohej, ju do të arrinit përtej këtij dimensioni dhe shikonit skenat e vërteta që ekzistojnë në dimensionet e tjera.
Ka dhe disa situata të tjera kur dikush hap Syrin Qiellor vetë. Ne kemi biseduar kryesisht rreth disa fenomeneve mjaft të zakonshme. Disa njerëzve gjithashtu u duket sikur Syri i tyre Qiellor rrotullohet. Ata që praktikojnë në Shkollën Tao shpesh shikojnë diçka që rrotullohet brenda Syrit të tyre Qiellor. Pasi pllaka Taiji kriset dhe hapet me një të kërcitur, ata do të shikojnë imazhe; megjithatë, nuk është se ka ndonjë Taiji në kokën tuaj. Ishte mjeshtri që kishte vendosur një komplet gjërash për ty që në fillim, një nga të cilat ishte Taiji. Ai e vulosi Syrin tuaj Qiellor. Në kokën kur Syri juaj Qiellor hapet çahet edhe pllaka. Mjeshtri me qëllim e kishte bërë atë në këtë mënyrë dhe nuk ishte diçka që gjendej në kokën tuaj.
Megjithatë disa njerëz kërkojnë të hapin Syrin e tyre Qiellor. Sa më shumë që ata e praktikojnë këtë, aq më e pamundur është që ai të hapet. Cila është arsyeja? As ata vetë nuk e kuptojnë. Kjo ndodh kryesisht ngaqë Syri Qiellor nuk mund të kërkohet; sa më shumë që dikush e dëshiron, aq më pak ai arrin. Kur një person e dëshiron atë jashtë mase, jo vetëm që nuk do të hapet por përkundrazi diçka as e zezë dhe as a bardhë do të dalë nga Syri i tij Qiellor. Kjo do ta mbulojë Syrin e tij Qiellor. Me kalimin e kohës, ajo do të formojë një fushë shumë të madhe. Sa më shumë që del jashtë, aq më shumë grumbullohet. Sa më shumë që ai ta dëshirojë atë, aq më e pamundur është që Syri Qiellor të hapet, e aq më shumë nga kjo substancë do të dalë jashtë. Si rezultat, ajo do të mbulojë gjithë trupin e tij deri sa të bëhet shumë e trashë dhe me një fushë shumë të madhe. Edhe sikur Syri Qiellor i këtij personi të hapet me të vërtetë, ai nuk do të mund të shikojë gjë sepse është bllokuar nga vetë dëshira e tij. Vetëm nëqoftëse ai nuk mendon më për të në të ardhmen dhe heq dorë plotësisht nga kjo përndjekje e tij, substanca do të zhduket gradualisht. Megjithatë do t’i duhet një periudhë tepër e dhimbshme dhe e gjatë praktike kultivuese për ta hequr atë. Kjo është tepër e panevojshme. Disa njerëz nuk e dinë këtë. Megjithëse mjeshtri u thotë që të mos e kërkojnë apo përndjekin atë, ata nuk besojnë. Ata vazhdojnë ta kërkojnë dhe së fundi rezulton pikërisht e kundërta.
Aftësia Supernormale e Shikimit në Distancë
Një aftësi supernormale e lidhur drejpërdrejt me Syrin Qiellor quhet shikim në distancë. Disa njerëz pretendojnë: “Ndërsa rri ulur këtu, unë mund të shikoj skena në Beijing dhe në Amerikë, si dhe në anën tjetër të tokës.” Disa njerëz nuk mund ta kuptojnë këtë dhe kjo as që mund të shpjegohet shkencërisht. Si është e mundur? Disa njerëz e shpjegojnë në këtë apo në atë mënyrë dhe nuk mund ta shpjegojnë në mënyrë të kuptueshme. Ata habiten si bëhen disa njerëz kaq të aftë. Nuk është kështu. Një praktikues në nivelin e kultivimit të Ligj-Në-Botën-Trefishe nuk e ka këtë aftësi. Ajo që sheh ai duke përfshirë shikimin në distancë dhe shumë aftësi të tjera supernormale, të gjitha funksionojnë brenda një dimensioni specifik. Të paktën, ato nuk janë jashtë këtij dimensioni fizik ku ekziston rraca jonë njerëzore. Në mënyrë tipike ato nuk janë as dhe përtej fushës dimensionale të vetë personit.
Brenda një dimensioni specifik, trupi njeriut ka një fushë e cila është e ndryshme nga fusha e virtytit. Ato nuk janë në të njejtin dimension, por janë të një madhësie të njejtë. Kjo fushë korrespondon me universin. Çfarëdo që ekziston në univers reflektohet aty. Çdo gjë mund të reflektohet. Është një lloj imazhi, por nuk është real. Për shembull, ekziston në këtë tokë Amerika dhe Washington D.C. Brenda fushës së një personi, Amerika dhe Uashington, D.C. janë të reflektuara, por ato janë imazhe të reflektuara. Imazhet e reflektuara janë megjithatë një formë e ekzistencës së materies dhe ato janë rezultat i një reflektimi korrespondues që ndryshon sipas ndryshimeve atje. Kështu, aftësia supernormale e shikimit në distancë që i referohen disa njerëz është të shikosh gjërat brenda fushës tënde dimensionale. Kur një person praktikon kultivim në Ligj-Përtej-Botës-Trefishe, ai nuk do t’i shikojë më gjërat në këtë mënyrë. Ai do t’i shikojë gjërat direct dhe kjo quhet fuqija hyjnore e Ligjit të Buddhës. Është diçka me fuqi të pamasë.
Pra si funksionon aftësia supernormale e shikimit në distancë në kultivimin e Ligjit-Në-Botën-Trefishe? Unë do ta shpjegoj këtë për çdo njeri. Brenda kësaj fushe, në ballin e secilit gjendet një pasqyrë. Pasqyra e një njeriu që nuk praktikon është e kthyer drejt vetes, por pasqyra e një praktikuesi kthehet në anën tjetër. Kur aftësia supernormale e shikimit në distancë të një personi është gati të shfaqet, pasqyra do të rrotullohet para dhe mbrapa. Dihet që një film shfaq njëzet e katër poza për sekondë në mënyrë që të krijojë figura në lëvizje. Nëqoftëse tregohen më pak se njëzet e katër poza për sekondë, pamjet do të mungojnë dhe nuk shfaqen në vazhdim. Shpejtësia e rrotullimit të pasqyrës është më e shpejtë se njëzet e katër poza për sekondë dhe reflekton çfarë sheh dhe e kthen atë që ta shikoni ju. Me t’u kthyer përsëri, figurat do të fshihen. Reflekton dhe kthehet dhe pastaj i fshin imazhet. Rrotullimi vazhdon pa ndërprerje. Kështu, ajo që shikoni është në lëvizje. Ajo të lejon të shikosh atë që reflektohet brenda fushës tënde dimensionale dhe i korrespondon asaj që gjendet në univers.
Atëhere si mund ta shikojë njeriu atë që është mbrapa trupit të vet? Me një pasqyrë kaq të vogël, si mund të reflektojë çdo gjë rreth trupit të njeriut? Ju e dini që kur Syri Qiellor i dikujt hapet përtej Shikimit Qiellor dhe është gati të arrijë Shikimin e Mençurisë, ai është gati të arrijë përtej dimensionit tonë. Në këtë pikë kur kalimi duket i afërt, Syri Qiellor do të pësojë një ndryshim. Kur shikon objektet fizike, ato do duken sikur zhduken. Njerëzit dhe muret do duken sikur zhduken—çdo gjë do zhduket. Domethënë, me një shikim më të përqëndruar, ti do të shohësh se në këtë dimension njerëzit nuk ekzistojnë më; ekziston vetëm një pasqyrë që qëndron brenda fushës tënde dimensionale. Megjithatë kjo pasqyrë në fushën tënde dimensionale është e madhe sa e gjithë fusha jote dimensionale. Kështu, kur rrotullohet para e mbrapa, reflekton çdo gjë kudo që ndodhet. Brenda fushës tënde dimensionale, mund të të tregojë ty çdo gjë, me kusht që t’i korrespondojë asaj që gjendet në univers. Kjo është ajo që ne e quajmë aftësia supernormale e shikimit në distancë.
Kur ata që studjojnë shkencën e trupit të njeriut e vënë në prove këtë aftësi supernormale, ata mund ta përgënjeshtrojnë atë me lehtësi. Arsyeja për refuzimin është si vijon: Për shembull, kur një person e pyesin për kushërirën e dikujt në Beijing, “Çfarë po bën kushërira në shtëpi?” pasi i jepet emri i kushërirës dhe informacioni i përgjithshëm, personi mund ta shikojë atë. Ai do të përshkruajë ndërtesën, si të futesh në të dhe mobiljet e dhomës. Çfarë thotë ai është e gjitha e saktë. Çfarë po bën kushërira? Ai thotë se kushërira po shkruan. Për ta verifikuar këtë, ata do të pyesin kushërirën, “Çfarë po bën tani?” “Po ha.” A nuk do ta përgënjeshtronte kjo atë që pa ai? Në të kaluarën, kjo ishte arsyeja për të mos e pranuar këtë aftësi supernormale. Megjithatë, ambjenti që ai pa, nuk ishte aspak gabim. Meqenëse hapësira dhe koha jonë, që ne i quajmë “kohë-hapësirë”, ka kohë të ndryshme nga kohë-hapësira e dimensionit ku ekziston aftësia supernormale, konceptet e kohës janë të ndryshme në të dy vendet. Ajo po shkruante diçka pak më parë dhe tani ajo po han; është ky ndryshim kohe. Si rezultat, nëqoftëse ata që studjojnë trupin e njeriut deduktojnë hipoteza dhe bëjnë studime bazuar në teoritë konvencionale dhe shkencën moderne, edhe pas dhjetë mijë vjetësh të tjera përpjekjet e tyre do të jenë të kota, sepse këto janë para së gjithash diçka përtej njerëzve të zakonshëm. Kështu, njerëzimi duhet të ndryshojë mentalitetin e vet dhe nuk duhet t’i kuptojë më këto gjëra në këtë mënyrë.
Krijoni Kontakt