Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1

    Ambasadori italian në 1984: Kulisat pas vdekjes së Enverit

    Ambasadori italian në 1984: Kulisat pas vdekjes së Enverit

    Speciale e Dielë, Shkurt 26th, 2012

    Robert Ducci

    Kujtimet e Robert Duccit, ish-ambasador i Italisë në Shqipëri.

    “Hoxha i ka shkatërruar të gjithë rivalët, askush nga pasuesit s’do të ketë mundësinë për të pasur hijen e tij”

    Shkëndi që do të shkaktojë zjarr. Kështu e ka paralajmëruar vdekjen e Enver Hoxhës ambasadori italian në Tiranë në fillimin e viteve ‘80. Në argumentin me referenca nga zhvillimet në Shqipëri, diplomati i vendit fqinj vërente jo pa shqetësim prishjen e ekuilibrit politik në rajon, por dhe më gjerë, pas vdekjes së diktatorit Hoxha. Sipas tij, ky do të ishte një rast fatlum për zbarkimin e trupave sovjetike në tokën e shqiponjave dhe rivendosjen e marrëdhënieve të ndërprera në fillimin e viteve ‘60. Sakaq, Shqipëria e vogël, për diplomatin italian që këtej do të bëhej arenë e përplasjeve të mëdha NATO-Traktat i Varshavës. Ambasadori Roberto Ducci konsiderohet një emër i madh i diplomacisë së vendit fqinj, karriera e të cilit është e lidhur me vendimet më të rëndësishme të politikës së jashtme italiane gjatë viteve të Republikës së Parë: nga pjesëmarrja në bashkëpunimin shumëpalësh në ndërtimin e Europës deri në paqësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe Austrinë. Ai cilësohet si një nga personalitetet më brilante të politikës së jashtme të kohës. af.im

    Nuk kam ndërmend të merrem me “meritat” e Marksizëm-Leninizmit në këndshikime të tjera, por e shoh interesante të shënoj se si ai i mban gjatë në jetë subjektet e veta që ushtrojnë pushtet politik të pakufizuar. Ne na kujtohet ky fenomen në vitet e fundit kur kemi ndjekur në ekranet e televizionit funeralet e shumta të anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në Sheshin e Kuq, jeta mbi tokë e të cilëve ishte mbyllur në mosha që vërtiten midis të shtatëdhjetave e deri në tetëdhjetë e pesë vjeç. Statutet e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik përshkruajnë akoma se një bolshevik i mirë nuk del kurrë në pension nga lufta për revolucionin botëror, të cilit ai i kushtonte rininë e tij. E njëjta është e vërtetë në vendet e Europës Lindore të nënshtruara nga BRSS. Sapo udhëheqësit e tyre origjinalë “bolshevikë të vjetër” ekzekutoheshin sipas urdhrave të Stalinit, pa mbushur ende të pesëdhjetat, apo përjashtoheshin për gabimet e tyre kundërrevolucionare në moshat gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetëvjeçare, rregulli zbatohej me besnikëri në të gjitha vendet e Europës Lindore: Kujtoni Janos Kadar të Hungarisë, Gustav Husak të Çekosllovakisë, Nicolae Ceausescu të Rumanisë. Por, kurrë ky fenomen nuk është dukur më i suksesshëm sesa në rastin e dy udhëheqësve rebelë komunistë, Marshall Tito dhe Enver Hoxha. Tito e drejtoi Jugosllavinë për më shumë se dyzet vjet. Hoxha, i cili themeloi dhe u caktua udhëheqës i Partisë Komuniste të Shqipërisë në 1941, akoma e gëzon pozitën e tij. Sundimi i tij absolut në Shqipëri iu ka kundërqëndruar me sukses sulmeve nga brenda partisë së tij. (Komplotuesit zakonisht janë gjetur të vdekur: më i famshmi ndër ata, Mehmet Shehu, kishte qenë shoku dhe miku më i mirë i Hoxhës dhe numri 2 i përjetshëm për tridhjetë e pesë vjet.) Për më tepër, Hoxha kishte qenë i aftë të parandalonte e të digjte të gjitha planet e përpjekjet e herëpashershme që ishin bërë kundër jetës së tij apo pushtetit të tij, të iniciuara dhe të kryera nga jugosllavë e rusë. Duket se me të vërtetë, duart e apostujve Marks dhe Lenin do të kenë qenë mbi kokën e tij. Por, fatkeqësisht, askush, madje as edhe një bolshevik i konfirmuar, nuk është i pavdekshëm.

    Një ditë vdekja do ta thërresë edhe Hoxhën dhe as mendjemprehtësia e as mizoria e tij nuk do të mjaftojnë për ta ndaluar atë të shkojë në shtratin e të sëmurit. Do të mbahet një zi e përgjithshme nga ana e popullit shqiptar, madje disa do të jenë edhe të sinqertë. Do të ndizen zjarre në male dhe do të shtihet me pushkët e vjetra në lugina. Kufoma e tij do të balsamoset dhe do të varroset në varrezat shtetërore, ashtu sikurse u veprua me Stalinin (Hoxha është admiruesi më i pakthyeshëm i Stalinit!). Pastaj zhurma dhe të qarat do shuhen dhe vendi i vogël ballkanik do të vijojë të endet në një të ardhme të pasigurt. Qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ka bërë vend vetëm tri herë në titujt kryesorë të mediave: kur kujdestaria jugosllave u zëvendësua nga kujdestaria ruse; kur këta të fundit u zëvendësuan nga kinezët; kur kinezët u falënderuan thatë për ndihmën e tyre dhe iu kërkua të largoheshin. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, shumë pak njerëz në Perëndim kanë pasur dijeni për ekzistencën në Juglindje të Europës të këtij vendi, i cili, për të gjitha synimet dhe qëllimet, mund të ishte edhe Tibet. I mbyllur në vetvete, ky vend praktikisht nuk ka asnjë komunikim me botën përreth, përveçse përmes një grupi të vogël zyrtarësh të besuar; nuk ka marrëdhënie diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar, as me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo BRSS; nuk lejon asnjë mundësi për popullin e tij për të njohur çfarë po zhvillohet jashtë botës; toleron shumë pak turizëm të huaj dhe e bën praktikisht të pamundur për shqiptarët të udhëtojnë jashtë vendit të tyre. Asnjë, madje as edhe diplomatët në kryeqytetin Tiranë, të cilët janë kaq të reduktuar në numër, saqë shpesh e gjejnë të vështirë të organizojnë një tavolinë katërshe, asnjë pra, nuk di çfarë ndodh me të vërtetë në Shqipëri. U ekzekutua ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku në 1975. Pse? Sepse ishte spiun sovjetik (jugosllav, amerikan)? Vrau veten Mehmet Shehu apo u vra qëllimisht sipas urdhrave nga lart? Përgjigja e kujtdo ndaj këtyre pyetjeve dhe ndaj pothuaj të gjitha pyetjeve jetësore si kjo, është: Ne, me ndershmëri, nuk dimë asgjë. Interesimi i ngritur midis njohësve për ndonjërën nga këto ngjarje, shuhet shpejt: harta e Europës duket se nuk e përfshin më vendin e vogël, ku në shekullin e pesëmbëdhjetë heroi Skënderbeg udhëhoqi revoltat kundër turqve dhe nga ku Perandoria Otomane nxori jeniçerët më luftarakë dhe shumë nga pashallarët e vezirët e mëdhenj.

    Shqipëria është një vend me terren të thyer malor, pak më i madh se Uellsi. Kufizohet nga Veriu me Malin e Zi dhe Kosovën (në Jugosllavi), në lindje nga Maqedonia, në Jug nga Epiri (në Greqi) dhe në Perëndim nga deti Adriatik. Provinca jugosllave e Kosovës ka më shumë se një milion shqiptarë: s’ka çudi që qeveria e Tiranës e konsideron këtë numër si “të parivlerësuar”. Maqedonia, e banuar nga serbë, bullgarë, turq dhe grupe të tjera etnike, tradicionalisht ka qenë e pretenduar nga vendet ballkanike; Bashkimi Sovjetik, pasardhësi i pashuguruar i Rusisë së shenjtë, vijon të ushqejë shpresa për t’ia aneksuar atë Bullgarisë besnike, duke krijuar kështu një pykë midis Jugosllavisë heretike dhe Greqisë së NATO-s. Epiri gjithashtu, i shenjtëruar pas shpirtrave të të parëve, Akilit dhe Pirros, ishte dhe ka të ngjarë që përsëri të bëhet një mollë sherri midis Shqipërisë dhe Greqisë. As Serbia, as Greqia – dy rivalët kryesorë ballkanas për hegjemoni mbi Shqipërinë përpara Luftës së Parë Botërore dhe midis dy luftërave, nuk qenë në gjendje ta sigurojnë krejt për veten Epirin – arsye e qenësishme që Italia nuk do ta lejonte. Italia nuk e kishte lejuar Perandorinë Austro-Hungareze të instalohej fuqishëm në pjesën e poshtme të Adriatikut, pa le më të lejonte një gjë të tillë ta bënte Jugosllavia apo Greqia.

    Pse Italia ishte e interesuar për të siguruar një Principatë shqiptare nën kontrollin e saj apo për krijimin e një bashkimi midis dy vendeve në personin e kreut të familjes mbretërore të Mbretit të Savojës (Victor Emmanuel III, perandor i Etiopisë dhe Mbret i Shqipërisë gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Dytë Botërore)? Në qoftë se ne hedhim një shikim tjetër në hartë, do të shikojmë se në ditët e supremacisë dhe të lirisë në detin Adriatik, po aq sa Venecia, edhe Trieste ishin të varura nga zotërimi, ose, së paku, nga mbajtja nën kontroll e të dy brigjeve, italiane dhe shqiptare, të ngushticës së Otrantos, e cila lidh detin Jon me atë Adriatik. Ky pra, ishte edhe një parim i politikës së jashtme italiane, me qëllim që të sigurohej se Shqipëria nuk do të binte në duart e një shteti apo perandorie të fuqishme kundërshtare. Pas vitit 1945, ky parim nuk mund të zbatohej. Shqipëria, e braktisur nga fashistët në fund të vitit 1943 dhe nga nazistët në 1944, hyri në perandorinë e Stalinit. Por pas revoltës së Titos, Shqipëria ishte i vetmi post i përparuar i BRSS. Pasardhësit e Stalinit nuk dinin ç’të bënin me të. Italia kishte të tjera probleme për të zgjidhur dhe, në çdo rast, klasa e saj politike kishte qenë vaksinuar kundër ndërhyrjes dhe përzierjes në çështjet ballkanike. Aty-këtu zienin dhe përhapeshin thashetheme për instalimin e një baze për nëndetëset sovjetike në Gjirin e Vlorës. Përpara viteve gjashtëdhjetë, praktikisht nuk kishte flotë Sovjetike në Mesdhe. Ndërkaq, Hoxha përzuri rusët dhe thirri kinezët. Pasi edhe ky episod pati një fund, qeveria e Tiranës akoma vijonte të mbante pajisje dhe shërbime forcash ajrore e detare nga Bashkimi Sovjetik, si dhe nga çdo vend tjetër. Vendi mbetet blockfrei (Germ. i lirë nga blloqet), duke mos pranuar kontakte si me bllokun e Varshavës, ashtu edhe me bllokun e NATO-s. Ai nuk pranon madje të llogaritet as ndër vendet e paangazhuara, apo ndër vendet asnjanëse të Europës (Zvicra, Austria, Suedia, Finlanda dhe Malta); ai nuk pranon të marrë pjesë në Konferencën e Helsinkit mbi Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë dhe nuk është nënshkrues i Aktit Final të Helsinkit. Shqipëria jeton në një izolim të vetëimponuar: populli i saj është shumë krenar për t’u dorëzuar, shumë i varfër për të ushqyer e për të zgjuar vështrime lakmitare, shumë trim e burrëror ndaj çfarëdo agresioni që do të mund t’ia vlente barra qiranë të ndërmerrej kundër tij. Shqipëria është, ndoshta, shembulli i fundit i Kleinstaaterei (mikroshteteve) të shekullit të tetëmbëdhjetë, siç ishin Vajmari dhe Parma. Për më tepër, Shqipëria ishte aplikacioni i parë i formulës së Schumacher (Ekonomist britanik, i famshëm-shënim i red.) “I vogli është i këndshëm” (Small is beautiful)” në fushën ndërkombëtare, ose aplikacioni i Shekspirit i Dukatës së Ilirisë në fushën e poezisë, ku Viola (personazh i dramës “Dymbëdhjetë netët”) dashurohet nga Orsino, i cili dashuron Olivian, e cila dashuron Violën, derisa çdo gjë rregullohet në skenën përmbyllëse, përveç…
    Përveç çfarë mund të ngjasë pas rënies së Hoxhës – megjithëse çdokush duhet ta marrë me mend se duke qenë vetëm shtatëdhjetë e gjashtë vjeç, ai mund të mbijetojë edhe për disa vite. Sidoqoftë, mosha e tij e thyer është një arsye e mirë për vëzhguesit e skenës së Ballkanit të fillojnë të vrasin mendjen dhe, ndoshta, të planifikojnë se çfarë do të ndodhë kur ai të lëshojë timonin. Nuk ka vetëm një mënyrë të parashikuari se si do të jetë gjendja politike e çështjeve dhe e punëve në Shqipëri pas vdekjes së Hoxhës. A është diskutuar tashmë pasardhësi i tij në Byronë Politike të Tiranës, apo – sikurse duket se ka të ngjarë – shefi sundimtar nuk ia ka besën asnjërit për ta vënë këtë çështje në axhendë? Duke e bërë të njohur se në ç’supe do të bjerë manteli i tij, një diktator, fare lehtë, ndërton dhe ngre në krye një rival dhe, me gjasë, vrasësin e tij. Nëse dikush do të mund të merrte me mend se është një grupazh shumë i madh pro Hoxhës në Byronë Politike (nuk ka dyshim për këtë), ky grupazh do të përpiqet të dalë në krye duke zgjedhur Shokun X si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë. Ky skenar është i pranueshëm, por ka një të metë: Hoxha i ka shkatërruar të gjithë rivalët e tij, kështu që asnjeri prej mbështetësve të tij në rangjet e larta të Partisë do të jetë mjaftueshmërisht i madh “për të pasur hijen” e tij. Miqtë dukshëm unanimë ndaj Hoxhës mundet, për këtë arsye, të ndahen shpejt në dy apo tri grupe rivale, secili nën një baron më të vogël dhe qyshse shoqëria shqiptare është akoma e strukturuar në klane kundërshtare, lufta politike do të mund të dyfishohet nga rivaliteti për epërsi midis klaneve. Sipas këtij skenari, skena politike në Shqipëri do të mund të destabilizohej për disa vite – një gjendje gjërash e punësh që do të mund të inkurajonte ndërhyrjen e huaj, sikurse edhe do të shikojmë.
    Kushdo që do të marrë shkopin e dirigjentit të Hoxhës, do të jetë, për një kohë, paevitueshmërisht pak a shumë i dobët dhe i ekspozuar. Kursi më i mirë që ai mund apo duhet të ndjekë, si fillim, është të ruajë statukuonë. Çfarëdo që mund të thotë propaganda zyrtare, kur ajo shpik komplote dhe komando të CIA-s, udhëheqësit e Tiranës e dinë – dhe e dinë vetëm mire, se Shtetet e Bashkuara nuk kanë arsye për të destabilizuar Shqipërinë. Jugosllavët janë tashmë duke përballuar një punë të vështirë për të mbytur e shtypur pakënaqësinë e shqiptarëve në Kosovë dhe nuk do të donin t’ia aneksonin atë vendit të saj mëmë. Për sa kohë që Beogradi dëshiron të ruhet nga një ndërhyrje sovjetike, ai do të mbetet i interesuar për stabilitetin Shqiptar. Për këtë arsye, udhëheqja e Tiranës do të përqendrohet në rrezikun e një ndërhyrjeje sovjetike. Por, a ka gjasë të vërtetë për një ndërhyrje Sovjetike në një republikë të vogël të Ballkanit, një ndërhyrje politike, ushtarake apo të dyja së bashku? Sipas mendimit tim, përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është “po”, për arsye që janë të qëndrueshme, si afatshkurtra, edhe afatgjata. Është e lehtë të shohësh çfarë avantazhesh do të mund të vilte BRSS nga rikthimi i djalit plangprishës në Paktin e Varshavës (Shqipëria ishte i vetmi anëtar që doli nga Pakti me vullnetin e saj të lirë dhe pa vuajtur asnjë hakmarrje shpagimi).
    Rivendosja e ndikimit sovjetik në Shqipëri do t’i krijonte mundësinë Moskës për të ushtruar presion mbi Jugosllavinë duke inkurajuar irridentizmin shqiptar të Kosovës dhe duke marrë rolin e arbitrit për pretendimet e dy palëve. Lidhja aleate e Greqisë me NATO-n, e dobësuar tashmë nga konflikti i saj me Turqinë dhe nga orientimi e prirja e Andrea Papandreut për nga politika e paangazhimit, do të mund të dobësohej edhe më tej. Portet shqiptare (Durrës, Vlorë, dhe Sarandë), të lakmuara aq shumë dhe aq gjatë, do të mund të hapeshin për flotën sovjetike të Mesdheut, e cila do t’i përdorte ato për baza riparimi, shërbimesh, zbarkimi, furnizimesh dhe qëllime të tjera, sepse ajo nuk ka lehtësira e infrastrukturë në Mesdhe përveç, në një masë shumë të vogël, në Latakia, në Siri. Për më tepër, aneksimi i Shqipërisë do të mund t’u lejonte forcave sovjetike të instalonin pajisje e mjete të vëzhgimit elektronik, të cilat do të mbulonin pjesën më të madhe të rajonit të Mesdheut, duke përfshirë edhe Italinë Qendrore, Jugore dhe ishujt e saj, si dhe tërë hapësirën tokësore dhe ishujt e Greqisë. Aeroplanët e zbulimit dhe ata sulmues (gjuajtës) do të mund të bazoheshin në aeroporte të modernizuara me hangarë nëntokësorë: planet e mbrojtjes të komandës së krahut jugor të NATO-s do të duhej të modifikoheshin thelbësisht. Më në fund, vetëm masa ekstreme nga NATO do të mund të parandalonin BRSSS nga instalimi i raketave bërthamore taktike që do të shënjestroheshin mbi Itali, Jugosllavi dhe Greqi. Këto tri vende tani kërcënohen nga raketa të tipit SS-20, si dhe nga tipa të tjerë raketash, por vendosja në Shqipëri dhe përdorimi prej andej i raketave me rreze të shkurtër – e për këtë arsye edhe më të shpejta – do t’i shtonte akoma edhe një vështirësi tjetër problemit kompleks të kërcënimeve të frikshme ndaj rajonit të Europës Juglindore, i cili, edhe në gjendjen e sotme, nuk është i mirëmbrojtur.
    Avantazhet që Bashkimi Sovjetik mund të korrte duke e rikthyer Shqipërinë në Paktin e Varshavës janë kaq të dukshme, sa që, me siguri, çështja duhet të ketë qenë studiuar në rrethe të mbyllura në Këshillin e Mbrojtjes dhe në Komitetin Qendror të PK të Bashkimit Sovjetik. Rreziku i vënies së zjarrit një krize shumë serioze me Perëndimin ishte sigurisht i dukshëm dhe i madh në një vlerësim të tillë. Të ndërmerreshin veprime luftarake mbi Shqipërinë mund të dukej një vendim tepër i guximshëm, tamam në rendin e vendimit që pat marrë Hrushovi për të instaluar raketa në Kubë. Përfitimet potenciale megjithatë do të mund të peshonin më shumë sesa vështirësitë. Më e madhja ndërmjet këtyre të fundit ishte mungesa e vijimësisë tokësore midis Shqipërisë dhe Bullgarisë: përdorimi i forcave tokësore, së paku në fazën fillestare, do të duhej përjashtuar. Por trupat parashutiste dhe ato të transportueshme me mjete ajrore, do të mund të kapnin lehtësisht portet e Adriatikut, me një perspektivë që do t’i mbyllnin hermetikisht këto porte ndaj një zbarkimi të mundshëm të forcave të ANATO-s. Në mënyrë të befasishme do të kapeshin gjithashtu aeroportet dhe do të krijohej një urë ajrore për furnizime logjistike në një kohë relativisht të shkurtër. Unë nuk do të vijoj më tej të trajtoj lojëra lufte, në të cilat nuk jam aspak kompetent. Në vend të këtij kursi, unë do të provoj të përshkruaj një skenar të mundshëm politik që do të justifikonte operacionin “Shqipëria”.
    vijon nesër…

    ROBERT DUCCI
    Përktheu Dr. Zeno Jahaj

    panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 26-02-2012 më 17:07

  2. #2
    Roberto Ducci: NATO-s i duhet një axhendë e re pas vdekjes së Enverit

    Speciale e Hënë, Shkurt 27th, 2012

    Kujtimet e ish-ambasadorit italian në Shqipëri në vitet ‘80

    “Rasti i pushtimit të Afganistanit, më i mundshmi për t’u përsëritur në Shqipërinë post-Hoxha nga vëllezërit sovjetikë”

    Pavarësisht rrjedhës që morën zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enverit, dilemat e kancelarive perëndimore për të papriturat e situatës post-Hoxha kanë qenë nga më të ndryshmet. Kujtimet e Roberto Duccit, ish-ambasadorit italian në Tiranë në fillimin e viteve ‘80, por jo vetëm, zbulojnë një pjesë të parashikimeve të mundshme. Në numrin e kaluar botuam refleksionet e diplomatit të vendit fqinj mbi pritshmëritë dhe pështjellimet që do të shkaktonte humbja e diktatorit komunist nisur nga realitetet politike që përjetonte Tirana e asaj periudhe dhe roli i saj në ekuilibrat e brishtë të rajonit, por dhe më gjerë. Ambasadori Ducci duke shprehur bindjen se kushdo që do të marrë shkopin e dirigjentit të Hoxhës do të jetë për një kohë të gjatë më i dobët nga ai dhe duke e ditur se SHBA nuk kanë asnjë arsye për ta destabilizuar Shqipërinë, parashikon një rikthim të mundshëm te aleati i dikurshëm BS, e për rrjedhim një zbarkim të trupave sovjetike në Shqipëri. Pjesa në vijim e kujtimeve të ambasadorit Ducci bën fjalë për efektet e pritshme pas ritakimit të mundshëm të Shqipërisë me Traktatin e Varshavës dhe axhendën e re të NATO-s pas kësaj… af.im

    ..vijon nga numri i kaluar


    Në një fjalim në Konferencën e Vendeve të Paangazhuara, e ndjera Indira Gandhi bëri një prononcim të papritur, sipas të cilit vendi i saj mund të ndjehej për t’u keqardhur ndonjë ditë, prandaj “Është krejtësisht normale dhe në rendin e gjërave,” tha ajo, “për qeverinë e një vendi të kërkojë ndihmë nga një vend aleat ose vëlla”. Ajo çfarë kishte në mendje zonja Gandhi, ishte natyrisht Afganistani: ajo provonte kështu të legjitimonte ndërhyrjen e armatosur sovjetike aty. Me këtë goditje, do të legjitimizoheshin agresione të tjera ushtarake nga BS kundër vendeve “vëllezër”, të tillë si Hungaria dhe Çekosllovakia. Ishte ndoshta homazhi më i mirë ndaj kujtimit të Leonid Brezhnev, i cili shpiku doktrinën e “ndihmës vëllazërore”, e cila do të ishte shkak për ndërhyrje ushtarake jashtë vendit, me skenarë të tillë ku një vend socialist përshkruhet zakonisht sikur po i humbet pavarësia dhe trashëgimia revolucionare e tij për shkak të manovrave të bandave tradhtare ndaj proletariatit, në komplot konspirativ me imperialistët perëndimorë. Rregullohet që një grusht heronjsh kryengritës të ngrihen kundër këtij komploti të fshehur dhe të kërkojnë ndihmën e Bashkimit Sovjetik për ta thyer e shtypur atë – një kërkesë që Moska e nderon me bujari në shpirtin dhe frymën e internacionalizmit revolucionar.

    Në këtë skenar, planizuesit sovjetikë kanë arritur tanimë në një pikë ku dy nga elementët kryesorë të operacionit “Shqipëria” kanë kaluar testin e mundësisë: një goditje dhe desantim ajror kundër Shqipërisë do të ishte një punë jo aq e madhe për forcat ajrore dhe ato tokësore. Me një plan për të destabilizuar grupet e popullsisë dhe ato politike që do të trashëgonin pushtetin në Tiranë pas vdekjes së Hoxhës, synimet do të mund të bashkoheshin lehtësisht. Disa fraksione të vogla që nuk patën pranuar të merrnin pjesë në pushtet, do të mund të inkurajoheshin për t’i bërë thirrje Moskës për ndihmë vëllazërore. Ose, vetë grupi sundues do të mund t’i sfidonte kundërshtarët duke kërkuar mbrojtjen e “Vëllait të Madh” dhe kështu do të vijonte sundimin në emrin e Hoxhës. Kjo mundësi e dytë do të ishte më e mirë për planifikuesit e sovjetikë. Skenari më bindës për operacionin “Shqipëria” duhet të marrë parasysh shkallën e rrezikut ushtarak. Natyrisht, jo rrezikun që ushtria pushtuese të mund të mbahej falë qëndresës së patriotëve shqiptarë, por një rrezik akoma më i madh: ai i shpërthimit të një krize të përmasave Lindje-Perëndim. Njerëzit në Kremlin janë gati të marrin përsipër rreziqet e llogaritura: ata kanë llogaritur drejt se kur Brezhnjevi i sklerotizuar i dha dritë jeshile pushtimit të Afganistanit, nuk do të kishte ndonjë reagim nga Perëndimi, përveçse me fjalë. Gjeografia e përjashtonte një ndërhyrje ushtarake të çdo lloji nga Perëndimi. Por Shqipëria është në zonën e Mesdheut, shumë ngjitur me forcat e NATO-s. Për këtë arsye, vlerësimi i rrezikut duhet të llogarisë mundësinë e një reagimi ushtarak nga Italia, nga Greqia, nga Flota e Gjashtë e SHBA-ve ose nga NATO si e tërë. Çfarë lloj reagimi duhet të presë Kremlini nga secili nga këta?

    Reagimi i Italisë ndaj një pushtimi të befasishëm të Shqipërisë nga BS do të lëkundej midis ankthit e shqetësimit të skajshëm në qarqet politike, si dhe indiferencës së frikshme të popullit. Udhëheqësit italianë do ta gjenin të vështirë të përpunonin një propozim praktik për t’ua parashtruar aleatëve të NATO-s. Ata nuk do të çuditeshin për mundësinë e demonstrimeve nga Partia Komuniste apo nga sindikatat: perspektiva e forcave sovjetike të vendosura në mënyrë të përhershme njëqind milje larg brigjeve të Italisë Jugore nuk ishte kënaqësi për këto organizata. Por, populli do të ishte i papërgatitur shpirtërisht për t’u ndeshur forcë me forcë, duke qenë se ishte mbajtur në errësirë për rrezikun e një përballimi me BRSS në Ballkan. Për këtë arsye, Roma do të qëndronte e ngurtësuar, duke pritur për një rol udhëheqës nga Uashingtoni dhe nga kryeqytetet e tjera aleate.

    Pozita strategjike e Greqisë do të ndryshonte akoma edhe më rrënjësisht se sa ajo e Italisë. Qeveria greke do të tronditej seriozisht. Presioni i Paktit të Varshavës, i ndjeshëm prej kohësh përgjatë kufijve të Bullgarisë, do të mund të përhapej tani edhe në kufijtë dikur paqësorë të Shqipërisë. Në fillim Athina do të formulonte qëndrimin e harmonizimit me Beogradin dhe, ndërsa do të ngrinte veshët ndaj zhurmave që mund të vinin nga Turqia, me gjasë do të këshillonte maturi, duke iu besuar pëshpëritjeve se trupat sovjetike do të tërhiqeshin sapo të kishin plotësuar detyrën e tyre vëllazërore ose sapo Moska të ofronte një traktat mossulmimi sovjeto-grek. Unë kam përmendur Flotën e Gjashtë Amerikane, sepse ajo është themeli i fuqisë së SHBA-ve në Mesdhe. E mbështetur nga vendet mesdhetare të NATO-s dhe e furnizuar nga portet dhe aeroportet e tyre, Flota e Gjashtë është një makinë tepër e fuqishme lufte. Por, nëse do të mund ta përballonte e vetme mbështetjen e një operacioni ushtarak, i cili do të ishte thelbësisht shumë më domethënës dhe shumë më i rëndë sesa dy operacione që ajo kishte kryer në vitet e fundit kundër Libisë së Kaddafit – kjo mbetet e hapur për t’u dyshuar. Sigurisht një apo dy aeroplanmbajtëse të mëdha do të merrnin një pozicion në Detin Jon apo në Gjirin e Tarantos; aeroplanët AAC që fluturonin mbi Adriatik do të mund të zbulonin dhe të jepnin të dhëna mbi shtrirjen e penetrimit sovjetik. A do të mundte një shfaqje e tillë e kufizuar force të shkurajonte Moskën nga plotësimi i zbarkimit ajror dhe ta detyronte atë të tërhiqte mbrapsht aeroplanët e saj “Antonov” dhe parashutistët, sikurse bëri Hrushovi kur thirri tërheqjen e anijeve të tij për shkak të ultimatumit të Kenedit? Ndoshta përgjigja është “jo” dhe për këtë arsye një hap tjetër do të duhej të merrej. Uashingtoni do ta çonte problemin në prehrin e NATO-s.

    Natyrisht që NATO është një mbulesë e përshtatshme për çfarë është në realitet një ballafaqim i vullnetit politik të disa shteteve sovrane. Përvoja e kaluar ka treguar se është e vështirë për organizata si kjo të arrijnë një vendim kolektiv që mund t’i japë shkëndijë një lufte të madhe, në qoftë se nuk është një agresion i drejtpërdrejtë kundër një nga anëtarëve të saj. Për shumë vite, këshilltarët ushtarakë e kanë nxitur Aleancën e Atlantikut të mbrojë jo vetëm shtetet e saj anëtarë, por gjithashtu edhe interesat jetësore të Aleancës në zona jashtë kufijve juridikë të NATO-s (kufij që përfshijnë Amerikën e Veriut, Europën Perëndimore me përjashtim të vendeve asnjanëse e të paangazhuara dhe Pellgun e Mesdheut me përjashtim Lindjes së Afërt dhe Afrikës së Veriut). Asgjë nuk rezultoi nga këto propozime. Vështirësitë në përcaktimin e interesave dhe të zonave jetësore u provuan se qenë tepër të mëdha. Në vitin 1973, qeveritë aleate Europiane, përveç Portugalisë, nguruan të sigurojnë baza ajrore dhe instalime të tjera për forcat amerikane të angazhuara në shpëtimin e lëkurës së Izraelit – dhe pak ditë më vonë, atë të Egjiptit. Në këtë retrospektivë, mungesa e guximit të Perëndimit në kohën e ekspeditave kubane në Angola (1975) dhe Etiopi (1978) provon idiotësinë e udhëheqësve të saj, ashtu sikurse edhe mungesën edukimit politik të tyre. Shumica e tyre injoruan në mënyrë të çuditëshme faktin se ku ndodhen gjeografikisht Luanda (Kryeqytet i Angolës) dhe Addis Ababa (Kryeqytet i Etiopisë), si dhe faktin që “çlirimtarët” kubanezë e bënë të pamundur për angolezët dhe etiopianët të kërkonin dashamirësinë dhe ndihmën e Perëndimit. Do të kishte qenë e vështirë të bindje elektoratin e Kopenhagenit apo të Amsterdamit të toleronin një operacion ushtarak në ato “vende të largëta për të cilat ata nuk dinin asgjë.” Megjithse Shqipëria e Tirana janë shumë më afër, të themi, me Norvegjinë, se sa me me dy vendet Afrikane të përmendura më lartë, anëtarët veriorë të NATO, midis të tjerëve, me gjasë do të adoptonin një qëndrim të harmonizuar, por një qëndrim që do të ishte çdo gjë, por gjithsesi, jo veprim konkret.

    Debati në Këshillin e Atlantikut në Bruksel do mund, për këtë arsye, të përfundonte me fjalë moralizuese ose, heshturazi do t’iu ngarkohej barra Shteteve të Bashkuara – ndoshta bashkë me Italinë – për të vepruar sipas mundësive, aftësive, gjykimit dhe autoritetit të tyre më të mirë politik për të arritur largimin e sovjetikëve nga Shqipëria. (Precedenti i pakëndshëm i Afganistanit duhej mbajtur në mendje, por jo të merrej si model. Perëndimi nuk kishte asnjë mundësi për t’u futur në atë rajon, ndërkohë që me Ballkanin, është në kontakt të ngushtë fizik). Kështu, çdo gjë do t’i “lihej në derë” dhe do t’u besohej aftësive dhe kapaciteteve të Presidentit Amerikan për të bërë për vehte Kongresin, në përpjekjet për të përballuar sovjetët me një qëndrim të besueshëm që do të sinjalizonte ose….ose… Fatkeqëisht koha do të ishte shumë e shkurtër dhe planifikuesit në Moskë – duke shqyrtuar përzgjedhjet e kufizuara që hapeshin për Presidentin – do të mundeshin fare mire që të konkludonin se ishte tashmë shumë vonë për të instruktuar Flotën e Gjashtë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të zbarkuar trupa në bregdetin shqiptar me idenë që të siguronin, së paku, disa pengje territoriale me qëllimin që të parandalonin një pushtim të plotë të vendit nga ushtria sovjetike. Një vlerësim i tillë pesimist për anën tonë dhe një tjetër optimist për anën kundërshtare do të përjashtohej nëqoftëse qeveria e SHBA dhe Shtabi Suprem i NATO-s do të kishte një plan të gatshëm politik dhe ushtarak për një gjëndje të tillë emergjente, me qëllim që të manaxhonte një krizë të këtij tipi. Në Perëndim, aktualisht studimi teorik i menaxhimit të krizave ka ecur përpara në mënyrë të konsiderueshme. Ka vend plotësisht për të shpresuar se aplikimi i saktë i kësaj doktrine është në dispozicion për të menaxhuar krizat që mund të ngjasin në disa sektorë delikatë të botës. Për më tepër, nëqoftëse do të ishte e njohur apo e besueshme se egzistonte një plan emergjence për të përballuar ngjarjet si skenari shqiptar,- kjo do të ishte në vetvete një akt shkurajimi ose, së paku, do t’u jepte udhëheqësve sovjetikë të kuptonin shkallën e rrezikut, të futeshin në dyshime për t’u ndikuar prej tyre dhe pastaj, për t’iu frenuar dorën.

    Çfarëdo hamendje dhe parashikim do të mund të shtrohej në dy plane të panjohur dhe të pavarur: Kur mund të nisë kriza? Cili do të jetë atëherë raporti i përgjithshëm i forcave në të dyja kampet, veçanërisht në fushën bërthamore? Le të supozojmë se nuk jepet asnjë ultimatum bërthamor për të kërkuar tërheqjen e forcave sovjetike; se nuk u vu këmbë dhe nuk u morën të kryera sulmet në territorin shqiptar, kur rrethanat qenë akoma të favorshme; se nuk rrëzuam asnjë aeroplan transporti sovjetik që ta detyronim Moskën për ndalur e për të reflektuar. Perëndimi do të kishte akoma karta të tjera për të futur në lojë (do të ishte arritur një shkallë e lartë gatishmërie, do të kishte mbytur anije lufte e transporti sovjetike pa ndonjë rrezik të madh për shpagim nga kundërshtari; ideja e një operacioni të ardhshëm zbarkimi do të mund të zhvillohej edhe në praktikë) etj. Por vlera e këtyre kartave do të pakësohej me kalimin e ditëve. Pas një apo dy javësh, rendi sovjetik do të ishte instaluar në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Qeveria e Tiranës do të falënderonte në mënyrë solemne Moskën për ndihmën vëllazërore. Do të prodhoheshin “Provat” e komplotit imperialist përmes të burgosurve që gjoja kishin rezultuar nga “komandot subversive”. Këshilli i Sigurimit do të votonte për të dënuar BS-në, por me veton sovjetike, rezoluta do të konsiderohej e pavlefshme. Gazetarë të mirëdisponuar apo thjesht naivë perëndimorë, do të përhapnin periodikisht lajme se trupat sovjetike do të embarkoheshin në Durrës për t’u rikthyer në shtëpi. Burimet zyrtare të Moskës do të premtonin herë pas here përfundimin e gjendjes së pushtimit. Disa njësi ushtarake madje do të tërhiqeshin gradualisht. Sidoqoftë, bazat ajrore e detare do të prisnin “këshilltarë” rusë; eventualisht satelitët e zbulimit të SHBA-ve do të zbulonin depo raketash në proces ndërtimi nëpër kodrat shqiptare. Amerikanët do të protestonin ashpër ndaj Moskës. Por kjo do të përgjigjej se nuk ka asnjë marrëveshje të ndërsjellë për kufizime apo shtrëngime të pranuara nga të dyja palët, si për përdorimin luftarak nga dy blloqet të raketave bërthamore me rreze të mesme, ashtu edhe për rastin e vendosjes së raketave me rreze të shkurtër në Shqipëri, e cila linte të kuptohej se bëhej si kundërpeshë ndaj raketave “Cruise” në Sicili.

    Ndryshimi i thellë në situatën strategjike në Ballkan dhe në Mesdhe nuk do të ndalonte me vendosjen e raketave me rreze të shkurtër të shënjestruara kryesisht ndaj Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Do të kishte një sërë rrjedhimesh politike. Pas ca kohësh do të ngrihej çështja e Maqedonisë; incidente dhe trazira do të inkurajoheshin në Republikën e Maqedonisë, pas të cilave do të vinin manovra ushtarake përgjatë gjithë kufirit të Jugosllavisë nën komandën e lartë të Paktit të Varshavës. Asnjë ndihmë konkrete nuk do të mund të dukej nga vendet e paangazhuara apo nga NATO. Nuk do kishte ndonjë ndryshim se cila formulë do të adoptohej: një Maqedoni “e pavarur”, apo një federatë Jugosllavo-Bullgare (këtë shpikje e kishte hedhur për konsum në vitin 1947 udhëheqësi i Bullgarisë, Georgi Dimitrov, por Stalini i vuri veton për arsyet e veta). Do të ndërtoheshin e do të mbaheshin një sërë rrugësh të sigurta komunikacioni e transporti tokësor midis Bullgarisë dhe Shqipërisë.

    Sapo ta kishte vënë për së mbari në përdorim kartën maqedonase, Kremlini do të shtrëngonte pjesën tjetër të darës, Kosovën, për shtrydhur lëshime të mëtejshme nga Jugosllavia. Në këmbim të vetëpërmbajtjes sovjetike për të mos ndezur kryengritje nga minoriteti shqiptar aty, Beogradi do të pranonte të lëshonte bazat e tij ajrore e detare për forcat sovjetike. Ky parim reciprociteti “më jep – të jap” do të mbështetej nga shovinistët serbë, sepse do të ruante minoritetin serb në Kosovë nga shpërngulja nga tokat e tij aty. Për Jugosllavinë dhe kjo do të shënonte fundin e paangazhimit të saj. Kështu, i gjithë Ballkani do të bëhej pjesë e Perandorisë Lindore të udhëhequr nga Moska. Greqia, mbase edhe Turqia, do ta gjenin të arsyeshme ndoshta për t’u tërhequr nga NATO e të deklaronin asnjanësinë.

    Sapo të qe konsumuar përdhunimi i Shqipërisë, në Itali do të kishte, ndoshta, një lëvizje politike për qëndresë dhe përgatitje. Disa parti politike, të cilat nuk ndjeheshin mirë me praninë e raketave “Cruise” në Sicili, do të insistonin që ato të përdoreshin, por sidoqoftë me kusht që disa apo të gjitha të shënjestroheshin kundër depove sovjetike në Shqipëri. Grupe të tjera, në të kundërt, do të kërkonin që të hapeshin menjëherë negociatat me sovjetikët lidhur me tërheqjen e njëkohshme të raketave bërthamore nga Shqipëria dhe nga Sicilia. Do të dëgjoheshin edhe më shpesh sugjerime dhe zëra – midis tyre zëri entuziast i zotit Mintoff (Dom Mintoff, politikan, gazetar dhe arkitekt, kryeministër i Maltës disa herë) në favor të kthimit të Mesdheut në një zonë të lirë nga armatimet bërthamore. Heshtja e thellë që u mbajt në Izrael dhe në Libi ndaj kësaj ideje do t’i vriste ndërkohë këto sugjerime. Kriza jugosllave që do të vinte pas grushtit të shtetit në Shqipëri, do të preokuponte dukshëm vetëm qarqet përgjegjëse në Itali. A nuk është Jugosllavia një krijesë pak a shumë artificiale? Por, sapo ajo të binte nën ndikimin sovjetik, do të ndodhte një ndryshim i shpejtë, si në qarqet politike, ashtu edhe në pjesën e mirinformuar të opinionit publik. Rrjedhimet do të ishin serioze.

    Cili imazh i Europës do të ishte në fakt i pranishëm në sytë e vëzhguesve të ndjeshëm në gadishullin Apenin? Për më shumë se një të tretat e shekullit, siguria e Italisë është ruajtur nga Aleanca e Atlantikut. Por, asnjë vendim i menjëhershëm, asnjë lëvizje kurajoze nuk do të bëhej, sidoqoftë, nga NATO apo nga Komuniteti Ekonomik Europian ndaj krizës shqiptaro-jugosllave. I gjithë krahu lindor i Italisë, nga Trieste deri në Sirakuzë, do të mbetej i ekspozuar dhe i pambrojtur. Në qoftë se llogaritej edhe pseudo-neutraliteti i Greqisë, si dhe pakti i asistencës reciproke midis Libisë dhe BRSS krahas pranisë së forcave sovjetike në brigjet lindore të Mesdheut, atëherë harku i shteteve potencialisht armiqësore që rrethonin Italinë do të peshonte rëndë dhe ashpërsisht në të ardhmen e saj. A do të ishte e mundshme që Flota e Gjashtë e SHBA-ve të vijonte të mbetej e bazuar në Gaeta dhe Maddalena, apo do të kërkonte ujëra më të qeta më në perëndim? Dhe, a do të mbeteshin të sigurta rrugët e komunikimit detar me Kanalin e Suezit sapo Egjipti të fillonte ta ndjente veten të shkëputur nga qendra e fuqisë perëndimore? Shefat e Partisë Komuniste të Italisë do të zëvendësoheshin nga njerëz të afërt të Moskës. Do të rriteshin prirjet asnjanëse në Partinë Socialiste dhe në krahun e majtë të Partisë Katolike. Nuk do të mungonin t’u faleshin intelektualëve radikalë. Për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet akoma, kokat e ftohta do të fillonin të hartonin një kurs të ri, për t’u larguar nga Aleanca dhe nga Komuniteti Ekonomik Europian drejt vendeve të paangazhuara të botës.

    Historia nuk është një teoremë matematike, megjithëse ajo shpesh i ngjan një të tille. Në vend të përfundimit, do të kisha përzgjedhur disa citime nga tre njerëz të mëdhenj: I pari nga Paul-Henri Spaak (politikan i shquar belg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1957 deri në 1967) i cili thotë: “Kush dëshiron të përfitojë disa gjëra, duhet të pranojë edhe konsekuencat e tyre: në qoftë se ai nuk i pëlqen ato, duhet të kundërshtojë burimet nga lindin konsekuencat”. I dyti ka lidhje me atë çfarë Çu En-Lai i mençur u tha disa vizitorëve të ardhur nga NATO (ku përfshihej edhe ministri i Jashtëm italian, Giacomo Medici) në fillim të viteve ’70: “Sovjetikët nuk do t’ju sulmojnë në fushat e Gjermanisë. Ata fillimisht do t’ju hipnotizojnë mendjen dhe shpirtin me këtë kërcënim. Pastaj do të zbatojnë një strategji të rrethimeve të gjera dhe njëpasnjëshme të Europës. Rrethimi i parë që kalon përmes Angolës dhe Mozambikut do t’ju kërcënojë rrugët e furnizimeve me hemisferën Lindore. Një unazë e dytë do të krijohet për të parambyllur Perëndimin nga pllajat e larta të Etiopisë, Adenit dhe Afganistanit e, ndoshta, Iranit dhe Gjirit Persik. Influenca juaj në Indi do të pakësohet aq shumë sa do të bëhet thuajse zero; Pakistani do ta gjejë veten në një situatë të vështirë. Ndërsa do ta kenë përfunduar të gjithë këtë, udhëheqësit sovjetikë do të fillojnë të ndërtojnë një unazë të tretë rrethimi. Këtë herë, ata do të synojnë të futin nën kontrollin e tyre gadishullin Ballkanik dhe Mesdheun Lindor. Në qoftë se ndodh kjo, atëherë Perëndimi mbaron në këtë pikë. Përpara sesa të ndodhë kjo, ju do të dëshmoni një përmirësim të marrëdhënieve sovjeto-kineze: marrëdhënie të ngadalta, të matura, por që nuk mund të ndalohen. Ju duhet t’i thërrisni kujtesës për të mos harruar se ne kurrë nuk e deshëm Stalinin, por as që e kundërshtuam paktin e tij me Hitlerin. Mbijetesa e popullit të tij është përgjegjësia e parë e një udhëheqësi. Ca më vonë, lufta dhe përpjekjet mund të rifillojnë në kushte më të mira”. Citimi i tretë është nga Dante: “Poca favilla gran fiamma seconda”, (Një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë një zjarr të madh). Mund të jetë një përfundim i përshtatshëm për të medituar për të ardhmen e Shqipërisë.

    Përktheu: Zeno Jahaj

    ROBERT DUCCI

    panorama

  3. #3
    Pikerisht po nisin e po kthjellohen shume ngjarje qe kane ndodhur ne Shqiperi dhe ne Kosove, gjate viteve '80.

    Ketu spikatin demostratat e pranveres se vitit 1981 ne Kosove dhe vrasja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu.

  4. #4
    Po risjell ate qe kam shkruar tek tema e ketij forumi per rastin e ish-kryeministrit Mehmet Shehu:


    Eleminimi i Mehmet Shehut ka qene i diktuar nga agjenturat e huaja te interesuara per mbajtjen larg Shqiperise dhe Jugosllavise, te forcave ushtarake te Traktatit te Varshaves.

    Asokohe u fol qe ne demostrata e '81 ne Kosove ishta dora sovjetike! Permes kujt?

    Aludohet permes Mehmet Shehut! Por me dijeni te plote te Enver Hoxhes!

    SHBA mbante nen vezhgim te dy shtetet, per t'u siguruar qe edhe pas Titos dhe pas Enverit (pritej vdekja e tij) do te ruhej satuskuoja, pra mbajtja larg e trupave ushtarake te Traktatit te Varshaves!

    Interesante ka qene qe gazetat e SHBA kane qene raportuese te rregullta te te gjitha zhvillimeve ne Kosove!

    Mendoj se viti 1981, ka qene nje vit i perplasjes se SHBA dhe BRSS-se, pikerisht ne Kosove.

    BRSS e ka nxitur nje konflikt ushtarak ne Kosove, duke i siguruar keshtu mundesine per nderhyrje dhe SHBA e ka parandaluar nje aventure te tille, duke shmangur nje konflikt me permasa te paparashikueshme.

    Nje dore e kujdesshme qe kujdesur, per te derguar dosjen e te ashtuquajturit agjenti "MISH", ne Argjentine dhe prej andej ne kasaforten e Enver Hoxhes.

    Pra Hoxhes i ishte hapur drita jeshile per te mbajtur pushtetin, duke kapercyer mbi kufomen e Mehmet Shehut!

    Hoxha u tregua i bindshem dhe i pakompromis!

    Pasi u eleminua Shehu, Hoxha i publikoi "dosjen", duke i ngjitur 1001 epitete dhe duke e cilesuar ate nje "superagjent", vriten ne Gjermani vellezerit Gervalla dhe Kadri Zeka, Hoxha merr familjen e Jusuf Gervalles ne Tirane, ndersa ne vitin 1982, ne nje takim me zgjedhesit e zones se tij zgjedhore, do te deklaronte se: "Shqiperia ishte per ruajtjen e integritetit te Jugosllavise, se shqiptaret do te luftonin sebashku me popujt jugosllave kunder çdo agresioni ruso-bullgar" etj etj.






    Emisaret e tij udhetuan ne Stamboll, prej ku urdheruan qe "shqiptaret ne Kosove duhet te kerkojne zgjidhjen e kerkesave te tyre brenda sistemit politik jugosllav".

    Cuditerisht pas vitit 1982, thuajse u shua teresisht ajo qe shpertheu ne vitin 1981 dhe Shqiperia vazhdoi ta kishte Jugosllavine partnerin numer 1 ne tregetine e jashtme!

    Mekat qe gazetaret nuk hulumtojne zhvillime te tilla! Do te ishte shume interesante!


    http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=54152
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 27-02-2012 më 15:58

  5. #5
    Pjese e shkeputur nga intervista e ish-Shefit te Shtabit te Pergjithshem Veli Llakaj:

    "Shoku Enver, në situatën aktuale të krijuar, kur regjimit serb po i digjet toka nën këmbë nga forcat kryengritëse të popullatës shqiptare kudo në trevat e banuara nga shqiptarët edhe mund të ndërmerret një operacion i tillë, por ne nuk kemi atë fuqi jo vetëm goditëse, por as të shpejtësisë së mjeteve të blinduara ta bëjmë këtë në kushte kur në këtë situatë mund të ndërhyjnë Forcat e Traktatit të Varshavës të dislokuara në Hungari, Bullgari e Rumani, pra po ndërhynë këto forca, ne jemi të dështuar!". "Sepse, -vazhdova t'i flisja më tej Enver Hoxhës, -këto (Forcat e Traktatit të Varshavës) do të vijnë më shpejt se trupat tona jo vetëm në Gjilan-Prishtinë-Ferizaj-Mitrovicë-Klinë, por unë mendoj se në momentin kur ne të kemi hyrë në Prizren nga drejtimi i Kukësit dhe Hasit, në Gjakovë-Pejë-Deçan nga drejtimi Tropojës, apo në Strugë nga drejtimi Librazhd-Rajcë etj. Forcat e Traktatit të Varshavës në bashkëveprim me forcat e ushtrisë jugosllave kanë mbërritur përafërsisht në Tharandë (Suharekë) Malishevë-Rahovec." Kurse në drejtim të Maqedonisë, -vazhdova unë më tej- që ne mund të futemi nga Rajca mbi Strugë ose nga Tre Portat e Korabit drejt Kërçovës ose në çdo drejtim tjetër, forcat kundërshtare na kanë marrë Kërçovën bashkë me divizionin e gjeneral Ibrahimit.



    Pa mbaruar akoma argumentet që po jepja, Enveri më ndërpreu dhe më thotë: "Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që Forcat e Traktatit të Varshavës të mos futen, a mund të futemi në luftë e të çlirojmë Kosovën?" Pashë i përqendruar, pa kuptuar fillimisht se ku donte të dilte, ndërsa më pas do të kuptoja disa gjëra që as më kishin shkuar ndërmend deri në ato momente që isha në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

  6. #6

    1981 - Tirana akuzonte per komplot serbo-rus.

    RADIO FREE EUROPE Research

    RAD Background Report/165
    (Eastern Europe)
    9 June 1981

    TIRANA IMPLIES SOVIET-SERBIAN PLOT
    By Louis Zanga


    http://www.osaarchivum.org/files/holdings/300/8/3/text/3-11-121.shtml

  7. #7

    Shqiperia nje muaj pas vdekjes se Enver Hoxhes

    RADIO FREE EUROPE Research

    RAD Background Report/45
    (Albania)
    21 May 1985

    ALBANIA ONE MONTH AFTER HOXHA'S DEATH

    by Louis Zanga


    http://www.osaarchivum.org/files/holdings/300/8/3/text/4-2-70.shtml

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •