Kur të tjerët qeshnin, unë qaja…

Me Adam Belushin, babanë e artistëve, John e James Belushi.






JULIAN (California).

Kalova shumë kodra, male e fusha, derisa arrita nga Los Angeles-i në fshatin Julian, për të takuar të vetmin shqiptar që banonte në atë fshat të bukur, Adam Belushin, babanë e aktorëve John e James Belushi, emrat e të cilëve janë shumë të njohur në botën e filmit e të teatrit amerikan.

Adam Belushi, një mesoburrë, po më priste para shtëpisë. Ai jetonte i vetëm në këtë shtëpi të vogël, të cilën ia bleu i biri, Johni. Aktori i ndjerë, disa vjet para se të vdiste, bashkë me babanë, që atëherë jetonte në Chicago, shkoi në shumë fshatra e qytete të Amerikës, për të gjetur një vend që do t’i përshtatej stilit të jetës së babait. Fshati Julian, me rreth 3200 banorë, ishte i vetmi që i pëlqeu Adamit, për arsye se i kujtonte pamjen e fshatit Qytezë në Shqipëri ku ai kishte lindur.

Adami erdhi në Amerikë në tetor 1934. Për herë të parë ai u kthye në vendlindje në gusht të vitit 1995. Qëndroi dy javë në Shqipëri me të birin, Jamesin dhe nipin. Prej andej u kthye me plot kujtime e mbresa nga takimet me të afërmit, të cilët nuk i kishte parë prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh.

-Nuk kam aq dëshirë të flas me gazetarët, – tha ai posa hymë brenda në dhomën e pritjes, muret e të cilës ishin të mbushura me fotografitë e tij dhe të bijve, John e James Belushi.

Në atë çast m’u kujtuan shkrimet që kisha lexuar për vdekjen e John Belushit në mars të vitit 1982, në moshën 33 vjeçare, filmat dokumentarë për jetën e tij dhe emrat e të gjithë atyre që tregonin kujtimet për aktorin e shquar.

Ishim bërë gati të fillonim bisedën por në moment na e preu fjalën cingërima e telefonit. Adami kërkoi falje, pastaj u ngrit me vështirësi dhe ngriti receptorin.

- Jamesi është në telefon. Kërkon të flasë me ju,- më tha ai, pasi ndërroi dy tri fjalë me të birin.

Në anën tjetër të telit dëgjova zërin e tij kumbues, aq të njohur për mua e shumë të tjerë.

Më pyeti për emrin e mbiemrin, për cilën gazetë punoja dhe se cili ishte qëllimi i kësaj interviste me babanë e tij.

- Të lutem, – vazhdoi ai, – mos merrni fotografi brenda në shtëpi. Kujdes që të mos e pyesni babanë për jetën e Johnit e as për jetën time. Mund ta pyesësh për udhëtimin e tij të fundit në Shqipëri dhe kaq. U morëm vesh, apo jo?

Pa humbur kohë vazhdova bisedën me Adamin.

- Pse nuk keni dëshirë të flisni me gazetarët?- e pyeta.

- Sepse ata shkruajnë gjëra që s’i thua fare, – tha ai.

- Po, por nuk është gjithmonë kështu, – ia ktheva.

- Kujt po i tregon ti? Ata shkruajnë atë që ua merr mendja, apo ua ka qejfi, gjëra që nuk kanë ngjarë e që nuk janë thënë, – tha Belushi dhe shtoi: – Gazetarë të mirë janë ata që shkruajnë atë që thua.

Vite të shkuara në shtëpinë e tij kishte qenë një ekip televiziv nga Meksika. Gazetarët donin të bënin një emision për jetën e Belushit, por ai i refuzoi. Këtë radhë ai ka vendosur të flasë me një gazetar shqiptar.

- Kur bisedova me ju në telefon, mendova që porsa keni ardhur nga Shqipëria. Po ta dija se je gazetar prej Amerike, do të të thoja: “Harroje këtë punë!” Kohët e fundit më kanë telefonuar shumë shqiptarë që vijnë nga Shqipëria. Dy prej tyre një ditë qenë kthyer në gjysmë të rrugës. S’mundën ta gjejnë dot shtëpinë time. Unë mendova se ti ishe njëri nga ata,- tha ai.

- Kjo do të thotë se sot pranuat të flisni për herë të parë me një gazetar?- e pyeta.

-Po. Dhe e di se kam bërë punë të mirë që po bisedoj me ju. Vetëm, mos shkruaj shumë për mua. Unë jam njeri i heshtur për nga natyra. Dëshiroj t’i takoj njerëzit në restorant, se atje e ndjej veten nën kontroll,- tha ai.

Belushi ka shumë kujtime nga Shqipëria, si nga ato të fëmijërisë, para se të emigronte në Amerikë dhe prej të dytave, pas 62 vjetësh, kur vizitoi Shqipërinë.

- Cila ishte Qyteza e vitit 1934 dhe ajo e vitit 1995?- e pyes.

- Qyteza ka pasur një kishë. Kam shkuar në jë shkollë aty afër saj. Më pëlqente shumë jeta në fshat, po meqë babai, Anastasi, jetonte në Amerikë, më tërhoqi këtu. Kur u nisa nga shtëpia gjashtë dekada më parë, doli të më përcillte tërë Qyteza. Tani kur u ktheva për herë të parë pas kaq vitesh, prapë më priti e tërë Qyteza. Më 1934 fshati im kishte 95 familje, tani kishin mbetur vetëm 30. Shumica e fshatarëve ishin shpërngulur në Korçë. Desha të shkoj edhe te burimi i fshatit, por nuk mund të ecja. Jamesi dhe nipi im shkuan atje,- tregon Belushi dhe shton: – M’u kujtua fshati ku isha rritur, lumi afër shtëpisë që kalohej “pa t’u lagur këmbët” dhe u dëshprova, ngaqë shtëpia dykatëshe, ku u linda, ishte shkatërruar, s’i kishin mbetur as gjurmët. Im bir Jamesi, para se të niseshim për në Shqipëri, u shqetësua. “Baba, si t’ia bëjmë?’, më pyeste. “Nuk di të flas shqip”. “Mos u mërzit”, i thashë. “Atje flasin edhe anglisht”. Dhe kisha të drejtë. Të gjithë flisnin anglisht për mrekulli,- thotë Belushi.

Adami, bashkë me të birin dhe nipin, përveç të afërmve, në Shqipëri takoi edhe presidentin e Shqipërisë, dr. Sali Berishën. E pyeta se ç’kishte biseduar me presidentin dhe ai u përgjigj duke qeshur: – Kjo është sekret. Berisha ishte njeri shumë i mirë. Do të doja ta takoja përsëri.

Në Shqipëri Adamit njerëzit iu dukën shumë të lumtur.

- Shumë njerëz nuk punonin dhe ishin të lumtur. Dukej se shumë prej tyre po e braktisnin Shqipërinë, – tha ai.

- Ata po vazhdojnë traditën tuaj të mërgimit, – i tha me shaka miku im, Kadri Hakaj.

- Po, por unë u nisa për kurbet shumë vjet më parë. Po të isha sot atje, s’do ta braktisja Shqipërinë, – kundërshtoi Belushi.

Adamit i kishte bërë përshtypje të çuditshme numri i madh i makinave në Shqipëri.

- Sa shumë makina që kishte atje!- tha ai dhe shtoi: – Çudi! Ku i morën paratë për t’i blerë mercedez-ët aq të bukur? Ata nuk punonin. Kjo në një farë mënyre më frikësoi, por edhe më pëlqeu, – tha Adami, i cili në Qytezë qëndroi katër orë, ndërsa kohën më të madhe e kaloi në Korçë.

Gruaja e Belushit, Agnes Samara – Belushi, shqiptare e lindur në Ohio, një vit para se të ndërronte jetë, vizitoi Shqipërinë. Belushi sheh fotografinë e saj në mur.

- Ja, ajo atje është, – tregon me dorë dhe shton: – Më vjen mirë që gruaja shkoi në Shqipëri për vizitë. Sikurse Jamesi, ajo kishte kureshtje ta shihte vendin ku kam lindur.

Agnes Samara Belushi ka shkruar: “Shqipëria mund të jetë krenare për birin e saj John Belushi”. Aktori ynë me famë u lind në Chicago më 1949. Në edukimin e tij pati ndikim gjyshja Vasilo Belushi, e cila fliste në shtëpi vetëm shqip.

Ajo ndërroi jetë më 1982. Johni, në një rast, duke shprehur dashurinë ndaj gjyshes kishte thënë: “Ajo ishte shpirti i familjes”. Aktori ynë arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje dhe në Wheaton (Illinois), ku u diplomua më 1967. Tri vjet më vonë kreu kolegjin, dega e artit. Që i ri ra në sy për talentin e tij në sport dhe në art. Mori pjesë në shumë shfaqje teatrore, derisa regjisorja e njohur, Joyce Sloan zbuloi talentin e tij. Karrierën Johni e filloi me trupën e komediografëve “Second City” të Chicago-s. Pesë vjet drejtoi emisionin televiziv “Saturday Night Live”, me të cilin solli një frymë të re humori në jetën amerikane. Një emër i njohur tha se me këtë emision ai “i bëri amerikanët të qeshin përsëri”. Belushi bashkëpunoi ngushtë me aktorin Dan Akroyd, me të cilin themeloi grupin “The Blues Brother”. Interpretoi rolet kryesore në filmat e njohur amerikanë: “Drejtimet për në Meksikë” , “Bregu i ndarjes”, “1941”, “Fqinjët” etj. John Belushi luajti role të njerëzve të të gjitha shtresave. Në vitet 80-të ai ishte aktori më komik në Amerikë. Vdiq në hotelin e njohur “Chateau Marmont” në rrethin e Los Angeles-it, më 1982.

James Belushi, aktor në zë në Hollywood, i cili ka luajtur me shumë sukses në film e teatër, siç shkruan shtypi shqiptar, gjatë qëndrimit në Shqipëri premtoi se herën tjetër do të kthehet në atdheun e babait me projektin për një film. Drejtorit të Albafilmit ai i kishte deklaruar: “Dua të jem producent dhe aktor në një film që do të më ofrohet nga ju”.

* * *

Adam Belushi solli kafe për mysafirët. Për çdo pyetje që i bëj, ai përgjigjet shkurt dhe shpesh me humor. Më interesonte të dija si e kalon jetën babai i dy artistëve të njohur, si e përballon vetminë në atë shtëpi, me se merret dhe si e përjeton famën e të bijve.

- Kam dy javë që jam i ftohur. Nesër duhet të shkoj te mjeku, – thotë ai dhe sytë nuk i hiqen nga fotografitë në mure.

- Si e kalon një ditë zoti Belushi?

- Kujdesem për oborrin e për kuajt dhe kosis barin. Këto gjëra më mbajnë gjallë. Përndryshe, do të shikoja televizor tërë ditën kështu do të ligesha shpejt. Kështu vepronte im vëlla, – thotë ai.

Adam Belushi s’mund të jetojë pa kuaj. Kjo dashuri i lindi kur ishte fëmijë në Qytezë. Për të kalëruar preferon kuajt ngjyrë kafe.

- Nuk e di se si më lindi dashuria për kuajt, por e di se, si kalorës, e ndjej veten shumë mirë. Kur jam mbi kalë, ndihem i gjallë. Nëse do të jem në shtratin e vdekjes e do të më thonë, “eja të hipësh në kalë”, unë do të ngjallem. Shpesh kur kam qenë i sëmurë dhe miqtë më kanë ftuar të kalërojmë, jam ngritur,- thotë Belushi.

Ai vetëm njëherë është rrëzuar nga kali. Me këtë rast, ish kryetari amerikan Ronald Reagan i dërgoi një telegram, me dëshirat më të mira për shërim.

Adami dikur kishte shtatë kuaj, tani ka vetëm dy.

- Pas vdekjes së Johnit, – thotë ai, – njerëzit nuk më vizitojnë aq shpesh. Më parë ata vinin dhe u hipnin kuajve. Me vdekjen e birit tim, çdo gjë u zvogëlua…

Ai zgjohet çdo ditë në orën shtatë të mëngjesit për të ushqyer kuajt. Kur s’e ndjen veten mirë, fle 4 – 5 orë. Kur ndjehet mirë, rri në shtrat edhe më shumë.

Nga të gjitha llojet e ushqimit më tepër i pëlqen peshku.

- Në Shqipëri kemi pasur një peshk mjaft të shijshëm, që s’më kujtohet emri, – thotë Belushi.

Dikur ai ishte një duhanxhi i pasionuar. Pinte dy – tri pako cigare në ditë. Një ditë e ndjeu veten keq dhe iu vështirësua frymëmarrja. I bëri telefon mjekut:.

- S’po marr dot frymë, doktor. Ç’të bëj?

- Ç’mund të ndodhë nëse e fut kokën në oxhak? – ia kishte kthyer mjeku.

- Njeriu mund të vdesë, – ishte përgjigjur Belushi.

- Kjo mund të të ndodh edhe ty, nëse nuk e ndërpret duhanin, – kishte përfunduar doktori.

Kur Adami vendosi të mos pinte më duhan, u habitën të gjithë.

- Si e përballoni vetminë? A mërziteni?

- Nganjëherë ndihem i vetmuar. Kur mërzitem, marr trenin dhe shkoj te Jamesi, – pohon ai.

Adami shpalos kujtimet nga koha kur jetonte në Chicago. Në moshën 15 vjeç filloi punën në një restorant. Bënte çdo lloj pune, derisa, pas disa vitesh, u bë menaxher. Pastaj erdhi koha kur duhej të kryente shërbimin ushtarak. E caktuan në Panama. Pas 56 muajsh u kthye nga Panamaja dhe filloi prapë të punonte në restorant.

- Një ditë, – thotë ai, – m’u mbush mendja të hap restorantin tim. Pronari i restorantit, ku unë punoja, u habit se si mund të filloja unë biznesin pa para.

- Zotëri, – iu përgjigja, – secili mund të hapë restorant kur ka para. Çështja është se si të hapësh restorantin pa para, – tregon Belushi. – Isha në biznes për 28 vjet, sepse njerëzit më besonin.

* * *

Në orën tetë, dolëm nga shtëpia e Belushit. Kadri Hakaj shtroi atë natë darkë në një restorant të njohur në Julian. Kamarierët dhe mysafirët e përshëndetnin me respekt Adam Belushin dhe e pyesnin se si ishte me shëndet. Ai ishte njeriu më i njohur në fshat dhe klienti më i dashur i restorantit.

- Po, a mund të të pyes unë diçka?- më tha ai, pasi porositi ushqimin. – Sa vjet ke që merresh me gazetari?

I tregova.

- Dhe akoma po të pëlqen kjo punë?

- Dashuria ndaj gazetarisë është si dashuria juaj ndaj kuajve. Kur i hipën njëherë, s’mund t’i zbresësh më,- ia ktheva me shaka.

Fillin e bisedës e lidhim spontanisht. Adami sikur e ka harruar premtimin se s’do të flasë për djemtë. Fjalët i rrëshqasin pa e kuptuar. Johni, Jamesi, fama e tyre…Vetmia pas vdekjes së djalit, gruas…

- S’kam besuar kurrë se Johni do ta bënte një gjë të tillë…-, flet ai me sy të përlotur. – S’kam besuar, – përsërit disa herë dhe hesht.

- Kur vdiq John Belushi, fëmijët e mi qanë, – tha Kadri Hakaj.

Kur u përhap lajmi për vdekjen e John Belushit, një vajzë e re shkoi te shtëpia e Adamit. Ishte mbuluar në vaj.

- Si është e mundur të vdesë artisti ynë i madh?!- i kishte thënë ajo me dënesje.

- Ç’ke dashur të bëhen fëmijët e tu, para se ata të merren me art?- e pyes Adamin.

-Çdo gjë tjetër, vetëm restoranxhinj jo. Ata i kanë marrë vetë vendimet, pavarësisht nga unë. Natyrisht, më kanë pyetur, nëse mund të bëheshin aktorë. Dhe unë u kam thënë: “Nëse ju doni, dua edhe unë”. U kam ndihmuar pak financiarisht, por ata kanë ecur vetë. Një gjë kam kërkuar nga ata: të arsimohen. Djemtë e kryen fakultetin dhe kjo më gëzoi shumë, – thotë ai dhe shton: – Tërë jetën kam qenë i lumtur.

- Dhe fëmijët i respektonin këshillat e babait?

- Kur kam qenë i ri, ata më dëgjonin. Kur u plaka, i dëgjoj unë ata,- thotë Belushi, i cili përveç Jamesit ka një djalë në San Diego dhe një vajzë në Chicago.

- Një kushëriri juaj në Illinois, Sam Sutter, më ka thënë se Johni u lind artist…

- Ka pasur të drejtë. Eh! Veç ta shihje kur ishte fëmijë. Që atëherë vëreheshin prirjet e tij për t’u bërë aktor. Unë jam krenar për djemtë e mi. Por ka të tjerë që janë më të mirë se ata, – thotë Belushi, të cilit më së shumti i pëlqen filmi “Bluz Brothers”, në të cilin Johni luan njërin nga rolet kryesore.

Adam Belushi kujton çastin, kur djali i tij Jamesi shkëlqeu në një spektakël teatral në Chicago. Ishte një shfaqje për njerëzit e varfër të qytetit. Jamesi atëherë luajti aq bukur në dramën “Pirati i pendës”, sa duartrokitjet e publikut nuk pushuan për një kohë të gjatë. Ndërsa ata duartrokitnin, babai i aktorit qante nga gëzimi. Një person, ulur afër tij e pyeti pse qante. Ai nuk e kishte njohur e nuk e dinte se ishte i ati i Jamesit. U habit që, kur të gjithë qeshnin, ky burrë qante. Edhe Jamesi ishte habitur kur e kishte parë duke qarë.

- Ç’ke baba?- e kishte pyetur.

- Ishe shumë i mirë, dreq, – ia kishte kthyer.

- Jamesi ka luajtur role të shumta teatrale në disa shtete të Amerikës. Nuk e di pse filloi të luajë në filma, kur ai ishte aq i suksesshëm në teatër. Regjizori i dramës, që në shfaqjen e parë, më tha se djali im ishte shumë i talentuar.

Në mesnatë shkuam prapë me Belushin në shtëpinë e tij. Jashtë dëgjohej vetëm cicërima e zogjve dhe shkrofëtima e kuajve.

Adam Belushi qëndroi para shtëpisë, derisa kaluam derën e oborrit e pastaj u zhduk në errësirën që lamë pas.

Ne vazhduam rrugën duke kujtuar bisedën me të dhe fjalët e tij në ndarje: “Kohët e fundit jam nervoz, nuk e di se pse…”.

Moti po vrugej.

Shtator 1995

Shënim: Adam Belushi ndërroi jetë më 1996

(Nga libri “Shqiptarët e Amerikës”, botuar në New York, në vitin 2003.)