
Postuar më parë nga
DYDRINAS
Përgjigje Frymzim Dautit dhe islamikëve të llojit të tij
Gazeta Sot
05 Qershor 2011
Nga Valentin BRUÇAJ*
Por islamik Dauti nuk mjaftohet me kaq; ai shkon më tej, deri tek mohimi dhe denigrimi i figurës së Gjergj Kastriotit, sepse ai paska vrarë muslimanë. Por nuk shqetësohet për të gjitha ato viktima që shkaktuan pashallarët turq dhe ata arnautë të shitur, ndaj popullit shqiptar. Ai natyrisht që nuk flet si shqiptar, por flet si turk, si musliman. Dihet botërisht se Gjergj Kastrioti luftoi kundër "nënës" Turqi të Dautit dhe vrau si turq, ashtu edhe shqiptarë tradhtarë, si paraardhësit e Dautit. Në këtë pikë as që duhet të zemërohemi me Dautin. Ai mbron idealet e të parëve të tij, që pa mëshirë u vranë dhe u dëbuan nga Gjergj Kastrioti, sepse ishin turq dhe shqiptarë tradhtarë. Kombin shqiptar nuk e formoi as islami dhe as "shqiptarët që ishin të pozicionuar mirë" në perandorinë famëkeqe. Atë e ringritën ata intelektualë që i kthyen shpinën pikërisht asaj perandorie. Ishin baballarët e kombit, Gjergj Fishta, Mit'hat Frashëri, prifti ortodoks Stathi Melani, Babë Dudë Karabunara, Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Petro Nini Luarasi, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Isa Boletini, Fan Noli, Faik Konica, Lef Nosi, Petro Poga, Myfit bej Libohova, Abdi bej Toptani etj. Nga Kongresi i Manastirit dhe më vonë, me shpalljen e Pavarësisë, për të ardhur tek qeveritë e mëvonshme të Nolit dhe Zogut, ndërtuan shtetin kombëtar me flamurin e Gjergj Kastriotit, dhe të gjithë, pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme, patën një objektiv të përbashkët: Deislamizimin e Shqipërisë.
Dauti na thotë se ne nuk mund të identifikohemi në mitin e Gjergj Kastriotit, sepse vrau muslimanë (e mirë bëri!), por kemi ushtarakë të tjerë shumë të lavdishëm, sipas tij. Na sugjeron të identifikohemi në ushtarakët shqiptarë që udhëhiqnin batalionet turke në vitin 1453 në sulmin kundër Kostandinopojës, kur Perandoria mijëvjeçare Bizantine kishte vdekur dhe turqit u vërsulën t'i hiqnin patkonjtë. Na sugjeron të identifikohemi në ata ushtarakë turq që sulmuan Vjenën europiane e të krishterë mes viteve 1683-93 dhe u thyen turpshëm, apo tek ata që luftuan flotën detare britanike në Detin Mesdhe. Apo edhe tek Ali Pashë Tepelena, grabitësin e karvanëve të tregtarëve, që udhëtonin nga Korça për në Voskopojë e Janinë. Me pak fjalë, na sugjeron të identifikohemi në njerëz që luftuan dhe punuan për shtete dhe kombe të tjera, dhe për Shqipërinë ishin ashtu siç u sollën, pushtues dhe plaçkitës.
Habitet Dauti përse trojet shqiptare dhe shqiptarët dolën më të humburit në rajon pas rënies së Perandorisë Osmane, dhe cilët ishin motivet që territoret shqiptare u pushtuan nga kombet ortodokse të Ballkanit!? Si shpesh herë në histori, kur shqiptarët mundohen t'ua lënë fajin të tjerëve, mundohet të dalë me teorinë se paska qenë faji vetëm i Fuqive të Mëdha, duke anashkaluar me qëllim faktin historik se kjo ndodhi sepse shqiptarët ishin i vetmi komb që kishte pranuar islamin dhe kishin luftuar përkrah ushtrive turke për pushtimin e kombeve të tjera ballkanike. Ishin pikërisht paraardhësit e tij që tradhtuan kombin, kulturën, fenë e traditat shqiptare për të përqafuar zakone dhe tradita njerëzish nga shkretëtira. Si mund të pretendonin shqiptarët të duheshin nga të tjerët, kur ata kishin qenë të parët që kishin tradhtuar kulturën dhe traditat e të parëve të tyre!? Kishin qenë të parët dhe të vetmit në Ballkan që sollën në zemër të Europës diçka të huaj e barbare. Të mundohesh t'i thurësh lavdi pushtuesit është denigruese për kombin shqiptar; kjo nuk ndodh tek asnjë komb tjetër europian. Shqiptarët nga Perandoria Osmane dhe "civilizimi" islam nuk patën asnjë avantazh, përkundrazi. Ishte pikërisht lidhja me këtë botë që ka dëmtuar e vazhdon të dëmtojë shqiptarët. Është qesharak fakti që autori mundohet të shndërrojë mundësinë që shqiptarët kanë pasur të lëviznin pa viza drejt vendeve islamike si një faktor pozitiv dhe një dashuri kundrejt kombit shqiptar prej këtyre vendeve. Por tradhtohet kur thotë se shumë nga shqiptarët që udhëtojnë drejt këtyre vendeve, shkojnë në Mekë dhe Medinë për pelegrinazh, duke i dhënë përgjigjën që kërkonte pyetjes pse këta vende lejuan shqiptarët të udhëtojnë pa viza. Por shqiptarët pa viza udhëtojnë edhe drejt Europës së qytetëruar dhe shume shpejt do të jenë pjesë e saj, duke i dhënë fund ëndrrës islamike që të përfshijë në një shtet të madh islamik edhe kombin shqiptar.
Përse habitet Dauti për gjendjen aktuale të shqiptarëve të Maqedonisë dhe nivelin e lartë të analfabetizmit atje. Çdo tentative që ai përdorë për t'ua lënë fajin vetëm autoriteteve maqedonase dhe politikave diskriminuese sllave ndaj popullsisë shqiptare, është një tentativë që nuk qëndron më. Nuk qëndron edhe për faktin e thjeshtë se ky diskriminim nuk ka qenë më i madh se në Kosovë, ku kemi një realitet krejt ndryshe. E vërteta është se shqiptarët e Maqedonisë nuk identifikohen tek kombi shqiptar, por tek islami. Unë e kam vizituar disa herë Maqedoninë, dhe të takosh diçka shqiptare, të duhet të shkosh tek ndonjë rrënojë e lashtë ilire. Në diatriben për ndërtimin e qendrës së re të Shkupit edhe shqiptarët (me të drejtë) ngritën zërin që të përfaqësoheshin nga diçka shqiptare. Por ata si simbol zgjodhën dhe kërkuan të ndërtojnë një xhami të madhe në qendër të qytetit. Janë në Shkup të paktën që tre mijë vjet më parë dhe nuk arritën të gjenin diçka tjetër të identifikohen përveç një xhamie. Kjo çon ujë vetëm në mullirin e sllavëve maqedonas, dhe pretendimet e tyre që shqiptarët në territoret ku jetojnë sot janë të ardhur shumë vonë, forcohen pikërisht me këtë politikë antishqiptare që ndjekin shqipfolësit e Maqedonisë. Si është e mundur që një komb, që jeton në Ballkan të paktën dymijë vjet para Krishtit, nuk është në gjendje të identifikohet në një simbol më të lashtë se 300-400 vjeçar, ku veç të tjerash dihet botërisht se është simbol i importuar dhe imponuar nga pushtuesit turko-islamikë!?
Me të drejtë shkrimtari Kadare, në shumë prononcime të tij në lidhje me pushtimin osman, thotë se ky pushtim nuk solli asgjë të mirë për kombin shqiptar. Aty ku kaloi Perandoria Osmane nuk u rrit as bari. Por çuditërisht Dauti na del me filozofira prej islamiku e mundohet të hiperbolizojë diçka që në realitet ka qenë vetëm shkatërruese. Ai arrin deri atje sa themelimin e disa qyteteve shqiptare si Berati, apo Gjirokastra, t'ia atribuojë perandorisë famëkeqe. Si duket Dauti ka mbetur mbrapa si vetë "civilizimi" islamik. Qytete si Berati ekzistojnë që para 2400 vjetësh. Ai mundohet të bëjë të njëjtën gjë që ka bërë në Maqedoni: çdo gjë shqiptare t'ia atribuojë islamit dhe pastaj t'i japë të drejtë Greqisë, se shqiptarët janë të ardhur aty ku janë, sepse qytetet më të rëndësishme janë themeluar gjatë periudhës osmane. Në Shqipëri, duhet t'a dijë Dauti dhe gjithë Dautët, mund të gjesh rrënoja ndërtimesh romake, por nuk gjen asgjë me vlerë që ta ketë ndërtuar Turqia. Meqë shqipfolësit janë mësuar të rehabilitojnë gjithmonë pushtuesit, sidomos kur ata janë islamikë, duhet t'a dijë se çdo gjë që Shqipëria trashëgoi nga e kaluara, e ndërtoi Italia gjatë pushtimit 4-vjeçar të vendit tonë. Të gjitha ndërtesat qeveritare dhe kulturore të të gjitha qyteteve shqiptare, që janë ndërtuar para ardhjes së komunistëve në pushtet, janë ndërtuar nga pushtuesit Italinë. Ndërsa Turqia, në 500 vjet pushtim, ndërtoi vetëm disa xhami për paraardhësit e Dautit, për tradhtarët e Gjergj Kastriotit.
Thirrjes së Kadaresë për t'u rikthyer në të krishterë, Dauti nuk e di se i janë përgjigjur me mijëra shqiptarë në Shqipëri, dhe shumë të tjerë në Kosovë, pavarësisht nga kërcënimet që kanë nga njerëzit si Dauti. Procesi i deislamizimit të Shqipërisë ka 100 vjet që ka filluar, dhe sot mund të themi se ka dhënë edhe rezultate të mira. Që nga Kongresi i Manastirit, për të kaluar në të gjitha qeveritë me radhë e deri në ditët tona, Shqipëria ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, duke ndërruar faqe, edhe pse mbetet ende shumë për të bërë, sepse njerëzit si Dauti janë të pranishëm edhe në Shqipëri. Këtu, emrave si Muhamet, Ibrahim, apo Daut, ua kanë zënë vendin emrat si Gjergj, Daniel apo Kristian, duke i dhënë Shqipërisë një imazh europian, ashtu si edhe në Kosovë, që të njëjtit emra janë zëvendësuar me emra si Drita, Dardana, Vlora apo Berati. Thirrjet që Dauti u drejton shqiptarëve, që të ruajnë me fanatizëm islamin dhe emrat islamikë, mendoj se duhet t'i mbajë për provincën islamike të Maqedonisë, sepse për pjesën tjetër të kombit është një thirrje e kotë.
Unë e dija që ne shqiptarët kishim prejardhje nga Pellazgët dhe Ilirët, e më parë, si gjithë të tjerët, nga majmuni, por nuk e dija se shqiptarët na paskan lidhje të drejtpërdrejtë me fisin e Profetit Muhamet. Duhet të jenë shqipfolësit si Dauti, që në shumicën e rasteve flasin më mirë arabishten se shqipen, ose asnjërën. Edhe kjo duhet të bëjë pjesë në planet e Dautit dhe Erdoganit, që duan të krijojnë perandorinë fantoçe islamike ku të përfshihen Turqia, Azerbajxhani, Turkmenistani, Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe territoret shqiptare të Maqedonisë. Ndoshta në këtë plan bën pjesë edhe pushtimi i Bullgarisë, sepse duket plan qesharak të ndërtohet një Perandori me territor të ndarë në disa pjesë të pavazhdueshme, në disa njolla të zeza islamike.
*Autori është Kryeredaktor tek Revista Drini.com
Gazeta Sot
Krijoni Kontakt