http://www.gazetastart.com/? faqe=shfaqforum& LajmID=27029
Bizantinofilia kërkon vendlindje në Kosovë
Milazim Krasniqi
Ideve dhe iniciativave absurde që dinë të jenë prezente jo rrallë në
jetën kulturore e publike të ne shqiptarëve, këto ditë iu shtua edhe
një: ideja për shqiptarizimin e perandorit bizantin, Justinianit. E
gjetur nga një shoqatë që mbaka emrin "Anton Pashku" dhe një
tjetër "Gollaku", kjo ide tashmë është shndërruar në projekt
kulturoro-politik, që kërkon me ngulm edhe ndihmën e komunës së
Podujevës e edhe të qeverisë së Kosovës, që me një yrysh
ta "justinianizojë ", pra, ta bizantinizojë sa më shumë Kosovën, thua
se ka pak bizantinizëm në jetën politike të saj.
Organizatorët e aktivitetit kulturoro-politik, "Gjurmëve të
perandorit Justinian", kanë kërkuar madje edhe emërtimin e Liqenit
të Batllavës me emrin e perandorit bizantin! Nëse kjo miratohet,
atëherë shqiptarët do të pinin ujë të jodizuar me emrin dhe me bëmat
e njërit nga simbolet më të mëdha të bizantizimit. Vërtet, kjo ide
është skajshmërisht absurde, sepse me emrin e Justinianit më parë do
të duhej të emërtohej ndonjë thertore, ku gjaku shkon valë-valë, si
në hipodromet e Bizantit kur Justiniani ishte perandor, e kurrsesi
një liqen me ujë të pastër. Organizatorët pohojnë se kanë kërkuar që
edhe një shkollë të mbajë emrin e Justinianit, sigurisht me shpresën
që nxënësit të identifikohen me doktrinat fetare të kohës së tij.
Kur i lexon dhe i dëgjon këto ide e i sheh këto aktivitete, njeriu e
ka zor ta kuptojë se a e kanë seriozisht apo është një mahi e radhës
me veten. Mirëpo, disa nga emrat që janë përmendur si pjesëmarrës në
këtë maskaradë, nuk lënë hije dyshimi se ata e kanë seriozisht, meqë
u mungon tërësisht talenti për të bërë humor. Fytyrat e tyre të
vrenjtura më parë ta kujtojnë Don Kishotin e përvuajtur në shërbim
të një kauze të madhe, se sa Sanco Pançën naiv.
Edhe pse kjo ide e këto aktivitete vërtet duken më shumë
tragjikomike, prapë se prapë, ia vlen të shpjegohet diçka seriozisht
lidhur me këtë punë. Puna e parë që duhet të shpjegohet pa dyshim
është kjo: kush ëshë Justiniani dhe çfarë ka bërë që të meritojë
nderimin e shqiptarëve, qoftë dhe vetëm të një grupi fanatikësh të
bizantinizmit? Justiniani ka lindur dikund në Ballkan, por
studiuesit seriozë nuk e dinë tamam se ku. Bizantinologu i njohur,
Ogyst Baji, në librin "Perandoria e Bizantit" nuk sjellë ndonjë
shënim për vendlindjen e Justinianit. Gjon Julius Norvich, shkruan
se " Justiniani lindi në vitin 482 në Trakë". Ndërsa, Georg
Ostrogorski shkruan se " i lindur në fshatin Tauresio (ndoshta pranë
Nishit…". Këta dijetarë kanë shkrirë mend për studimin e Bizantit,
por kanë mbetur me dilema për vendlindjen e tij, ndërsa zbuluesit
tanë të shoqatës "Anton Pashku " dhe të asaj `Gollaku", pa u bërë
hiç syri tërr, e kanë gjetur Turuqicën si vendbanim të Justinianit.
Edhe sikur të ishte e mirëqenë e dhëna se paskësh lindur në
Turuqisë, çfarë arsyesh ka që të shënohet emri i tij nga shqiptarët
e sotëm? A ka bërë ndonjë gjë të mirë Justiniani dhe Bizanti për
ilirët/ shqiptarët? Kjo pyetje kërkon shpjegime të gjata, por këtu
po sjellim vetëm mendimin e Reginald Hibertit, i cili ka thënë
se "lidhja e gjatë me Bizantin, i la shqiptarët pa identitet
politik". Nëse dikush të ka lënë pa identitet politik, dhe ti e
kremton emrin e tij, kjo do të thotë se vërtet ke mbetur pa
identitet politik, po edhe kulturor e etik. E vërteta është se
sundimtarët bizantine, duke përfshirë edhe Justinianin dhe gruan e
tij, Tadorën, janë dalluar për sundim mizor, për masakra nga më të
egrat në historinë e njerëzimit. Nga ana tjetër, prejardhja etnike
nuk është kurrë një arsye për ta glorifikuar e përjetësuar emrin e
një sundimtari të një shteti okupator.
Me kësi kriteri shqiptarët do të duhej të glorifikonin edhe emrin e
udhëheqsit serb, Karagjorgjit, për të cilin histrorianët romantikë
shqiptarë pohojnë se kishte prejardhje shqiptare. Edhe Mark Milani
do të na dilte si vëlla dëshiri me kësi kriteri. Me këtë kriter
shqiptarët duhet të glorifikojnë edhe pushtetarë grekë si
Pangallosi, që kishte tamam prejardhje shqiptare. Por, me kësi
kriteri, politikanë të kohës sonë si Sejdo Bajramoviqi, Sinan
Hasani, Ali Shukriu e Kolë Shiroka, duhet të glorifikohen meqë kanë
qenë udhëheqës në një shtet të madh. (Kur krahasohen liritë e
shqiptarëve në shtetin ku ka qenë pushtetarë Sejdo Bajramoviqi, me
liritë që kanë pasur ilirët në shtetin e Justinianit, Sejdoja na
rezulton trim me fletë për nga shqiptarizmi. ) Në fakt, Bizanti ka
qenë ferri mbi tokë për ilirët, edhe në kohën e Justinianit e edhe
më vonë.
Prandaj, përpjeket për ta infiltruar një figurë të tillë në jetën e
sotme kulturore, publike dhe kombëtare, me kriterin gjenetik, është
shumë absurde. Ka shumë njerëz në histori që kanë pasur prejardhje
ilire a shqiptarëve. Nuk mund të infiltrohen e as të rehabilitohen
me këtë kriter, ata që nuk kanë kontribute faktike në zhvillimin e
jetës së një populli a kombi. Prandaj, edhe përpjekjet për ta sajuar
një dashuri për sundimtarë bizantinë e për Bizantin janë absurde.
Ostrogorski jep këtë definim se çfarë në fakt ishte
Bizanti: "strukturë shtetërore romake, kulturë greke dhe besim i
krishterë: këto janë burimet kryesore kulturore të zhvillimit të
Perandorisë bizantine". A mund të na tregojë dikush se cila nga këto
elemente të trashëgimisë bizantine janë elemenet thelbësore të
identiteti shqiptar? Për vete e di se asnjëra nuk është.
Këtë lloj bizantinofilie e kanë me arsye grekët, e deri dikund edhe
serbët dhe rusët, por ne nuk kemi asnjë arsye që ta kultivojmë.
Identiteti kombëtar i shqiptarëve nuk është përftuar mbi themelin e
bizantinizmit e të ortodoksisë. Dhe nuk do të transformohet në atë
drejtim as në të ardhmen.
Atëherë pse bëhet kjo përpjekje e infiltrimit të biznatinizmit në
jetën e sotme shqiptare në shtetin e ri të Kosovës, i cili ende po i
vuan pasojat e presionit panortodoks e pansllavist, në instancë të
fundit edhe bizantinist?
Qëllimi përfundimtar i entuziastëve bizantinofilë , të mbledhur rreth
shoqatës " Anton Pashku " dhe asaj "Gollaku" është që si e si ta
minojë realitetin e tashëm politik, kulturor, kombëtar e fetar të
shqiptarëve të Kosovës. Ata duan si e si të gjejnë rrënjë të tjera
të identitetit shqiptar, veçmas të atij fetar. Në këtë eufori
rrënuese, janë në gjendje ta kthejnë fitimtar mbi qiejt e Kosovës së
pavarur, edhe kryqin e Bizantit, për ta zëvendësua disi kryqin e
thyer të Serbisë.
Entuziastët bizantinofilë e dinë se ke kënd kanë punë: në një vend
ku një hajni mashtron ministra, në një vend ku një djalë i ri që
ngjet si bodigard i ndonjë lideri arrogant, prezantohet si pasardhës
i Skenderbeut, një një vend ku kontrabandohen Viagra me kamionë, nga
zyrtarët e doganave, edhe ky diversion i radhës mund të pi ujë. Mund
të pi ujë sepse élites së këtij vendi ia ka pi sorra mendët.
12/09/2008 18:17
Krijoni Kontakt