Është parti e qendrës, me orientim drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Qytetet ku llogaritet të marrë më shumë vota janë Kavaja, Shkodra, Elbasani, Tirana, Durrësi dhe Berati. Alarm në forcat tradicionale politike. Refuzohen koalicionet me Berishën, Shehin dhe Metën
Tiranë, 19 janar
Shfaqet në Shqipëri demokracia myslimane e qendrës, me orientim euroatlantik. Burime nga drejtuesit e forcës më të re politike bënë të ditur se ata kanë refuzuar ofertat e Berishës, Metës, Shehit etj. Të cilët, pas tyre, përfaqësojnë forca politike të përfolura për korrupsion.
Këto ditë pritet shpallja zyrtare në qytetin e Shkodrës, me mirëkuptimin e anëtarësisë kavajase, e një force të re politike, të quajtur Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë (PDBMSH).
E përjavshmja “Lajmi” ka siguruar kopjen e vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor të Tiranës, e cila regjistroi si person juridik, më 4 korrik të vitit të kaluar, formacionin më të ri politik, inovacion dhe në nivel ndërkombëtar.
Befasia e vitit 2009
Kur një parti politike e djathtë e pakicës religjioze të katolikëve shqiptarë, sikurse është Partia Demokristiane, arriti njëfarë afirmimi, forca e re e demokratëve myslimanë shqiptarë, që nuk pozicionohet as djathtas as majtas, besohet të jetë përcaktuese në qeverisjen e ardhshme të një vendi me 70 për qind të popullsisë të religjionit mysliman. Brenda pak kohësh do të mbahet dhe kongresi i parë i partisë, ku do të miratohen dhe kandidatët për deputetë në të 12 qarqet e vendit, si dhe do të zgjidhen forumet drejtuese dhe kryetari i ri i partisë, ku shanset më të mëdha i ka një nga intelektualët më të kompletuar të komunitetit mysliman, Kreshnik Osmani, i Forumit Mysliman Shqiptar.
Aktualisht, pozitat më të forta kjo parti i ka në Kavajë, Shkodër, Elbasan, Tiranë, Durrës, Berat. Në përbërje të saj ka shumë të zhgënjyer nga partitë e tjera. Parashikohet që kjo parti të jetë befasia e vitit 2009, ndonëse krerët e saj janë tepër të matur në deklarata, pasi kanë ende punë për konsolidimin organizativ.
Krijimi
Sipas provave të paraqitura qysh më 20 dhjetor 2007 në gjykatën e Tiranës, një grup nismëtarësh-anëtarë themelues janë mbledhur dhe, pas një diskutimi të gjerë, kanë vendosur krijimin e Partisë Demokratike të Bashkimit Mysliman të Shqipërisë (PDBMSH).
Në këtë mbledhje u vendos krijimi i partisë dhe u miratua akt-themelimi, statute dhe programi i saj, si dhe u zgjodhën organet drejtuese, si dhe kryetari i partisë, z. Osman Mema. Por gjykata e Tiranës e ka regjistruar më 4 korrik 2008.
Për gjyqtarin A. Gaxhi, PDBMSH-ja, është krijuar në përputhje të plotë dhe në respektim të ligjeve në fuqi.
Kjo parti nuk është deklaruar për krahun politik nga do të anojë. Programi i saj është i një partie joideologjike, të qendrës moderne.
Në BE & NATO
Bie në sy fakti që demokratët myslimanë shqiptarë në programin e paraqitur kanë si përparësi “futjen e Shqipërisë në Evropë dhe integrimin e saj në të gjitha strukturat euro-antlantike”. Shqiptarët myslimanë i dëshmojnë kështu botës se demokracia e vërtetë, mbështetur dhe më mësimet kuranike, nuk ka asgjë të përbashkët me ksenofobinë dhe urrejtjen për kulturën e tjetrit. Ky fakt përbën një inovacion në peizazhin politik ndërkombëtar, të mbarsur dhe me paragjykime.
PDBMSH-ja ka një frymë tejet moderne, teksa deklaron se synon “respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor”. Ajo do të mbrojë dhe inkurajojë pronën private, ekonominë e tregut të lirë; kryerjen e reformave institucionale etj., si dhe do të bëjnë përfaqësimin me kuota të caktuara të grave dhe të rinjve në forumet e saj.
Marrëdhënie vetëm me partitë “e virgjëra”
Sipas statutit dhe programit të partisë, demokratët myslimanë shqiptarë do të mbajnë lidhje me të gjitha ato parti brenda dhe jashtë vendit, që respektojnë parimet dhe vlerat e demokracisë së zhvilluar. Por parësore në këto marrëdhënie është lufta kundër korrupsionit.
Kjo është arsyeja që PDBMSH-ja nuk ka pranuar të bëjë koalicione parazgjedhore me asnjë nga partitë në qeverisje apo në opozitë, liderët e të cilave janë të përfolur për korrupsion.
Demokratët myslimanë kanë deklaruar se ata janë të hapur për anëtarësim dhe të jobesimtarëve apo të ushtruesve të besimeve të tjera, me kushtin që të mos jenë të përfolur për korrupsion apo për krim të organizuar dhe të kenë një figurë të pastër morale. / NOA
link
Krijoni Kontakt