Vizita e revistës prestigjioze zvicerane në shtëpinë e shkrimtarit të njohur: Ishte përballë "makinerisë së terrorit"
Shqipëria po përjeton vitet më të lumtura në historinë e saj. Kështu është shprehur shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, shtëpinë e të cilit e ka vizituar një revistë prestigjioze zvicerane. Kadare, i cili ka folur kryesisht për krijimtarinë e tij, është shprehur shumë qartë: Nuk jam disident! "Në Shqipëri, regjimi stalinist nuk të linte hapësirë të ishe as disident. E vetmja disidencë e mundur ishte literatura...", është shprehur shkrimtari Kadare.
Autori i intervistës, Michel Audetat, gazetar i revistës së njohur zvicerane "L‘Hebdo" i ka bërë një vizitë shkrimtarit shqiptar, jo larg qytetit të Sorbonës. Biseda me z.Kadare për revistën e njohur zvicerane nis me vlerësimin e veprave të tij madhështore, si "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Sipas revistës, ishin pikërisht këto vepra, plot vlera, që e radhisin Kadarenë mes autorëve me famë botërore. Ndaj, nënvizon "L‘Hebdo", ai meritoi vlerësim të veçantë nga akademikët suedezë të çmimit "Nobel" për literaturë.
Shkrimtari Kadare ka biseduar gjithashtu edhe për aktualitetin në Shqipëri. Ai ka shprehur "satisfaksion për zhvillimet e hovshme ekonomike dhe demokratike në Shqipëri". "Deri dje, Shqipëria ishte ndër vendet më fatkeqe. Ndërsa sot, ky vend po përjeton vitet më të lumtura në historinë e saj", tha Kadare, i cituar nga revista e njohur zvicerane. Në vijim të intervistës dhe bisedës për aktualitetin shqiptar, Kadare ka pohuar se "armiqtë" e djeshëm të Shqipërisë, sot janë miqtë e vërtetë të saj. "NATO i ka hapur dyert asaj dhe Shqipëria po u kthehet integrimeve natyrale", thotë ai.
Më tej, autori i intervistës shkruan se, për vite me radhë, Kadare ishte në shënjestër të regjimit stalinist, të drejtuar nga diktatori Enver Hoxha. Vazhdimisht ai ishte në ndjekje, nën censurë, - shkruan Michel Audetat. Deri në vitin 1990, para se të largohej nga Shqipëria në Francë, Shqipëria për Kadarenë ishte një vend komunist, i vështirë dhe paranojak. Ky regjim, sipas autorit të intervistës me shkrimtarin e madh shqiptar, e ndiqte vazhdimisht Kadarenë. "Shkrimtari ishte vazhdimisht në ndjekje të këtij regjimi, kërcënohej, censurohej, denoncohej si armik numër një i regjimit... Shumë vepra të tij, si poema "Pashallarët e Kuq", në vitin 1975, u ndaluan nga regjimi i Enver Hoxhës. Kadare ishte përballë një "makinerie të terrorit", shkruan "L‘Hebdo" për shkrimtarin e madh shqiptar.
Shtypi
Romani "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" i Ismail Kadaresë ka tërhequr vëmendjen e kritikëve të letërsisë edhe në Shtetet e Bashkuara, pas ribotimit ditët e fundit në gjuhën angleze. Gazeta "New York Times" botonte ditë më parë artikullin "Një mision i errët në fushat me eshtra të Shqipërisë", në të cilin vlerësohej lart jo vetëm ky roman, por edhe vepra e shkrimtarit të madh në përgjithësi. Libri është botuar nga shtëpia botuese "Arcade", e cila ka sjellë edhe më parë vepra të shkrimtarit Kadare për publikun amerikan. Botimi i "Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur" është një rikthim në libraritë amerikane. Dick Seaver, shtëpia botuese e të cilit "Arcade", nxjerr librin, sqaroi arsyet: "Ka dy arsye për ribotimin e ‘Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur‘. Së pari, varianti i mëparshëm kishte dalë jashtë qarkullimit prej shumë vitesh, dhe së dyti, zoti Kadare nuk ishte plotësisht i kënaqur me përkthimin e atëhershëm. Edhe përkthimin e tanishëm ai e rishikoi dhe besoj se duhet të jetë i kënaqur me hedhjen në tregun amerikan të variantit të tanishëm". "Arcade" ka botuar edhe më parë libra të Kadaresë, përfshirë "Pasuesin" dhe "Vajzën e Agamemnonit". "Ne kemi botuar të paktën 12 libra të Kadaresë dhe i kemi botuar veprat e tij me shumë besnikëri, sepse besojmë se ai është një shkrimtar i madh botëror", thotë Seaver, sipas të cilit, vepra e Kadaresë nuk ka depërtuar akoma plotësisht në tregun amerikan, pasi, siç shprehet ai, lexuesit amerikanë kanë në përgjithësi paragjykime për shkrimtarët e huaj. Por ndërsa publiku amerikan në përgjithësi mund të dojë ende kohë për t‘u njohur me shkrimtarin e madh, vepra e zotit Kadare është jo vetëm e njohur, por e vlerësuar jashtëzakonisht nga kritikët letrarë. "Bota e Kadaresë është një lloj antimaterie. Shkatërron tonën. Vetëm se ndryshe nga ç‘ndodh me grimcat elementare në fizikë, bota e tij plotëson tonën, duke lënë gjurmë të jashtëzakonshme", shkruan Richard Eder, një prej kritikëve të njohur.
Shqip
Ruaj Lidhjet