Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,172
    Postimet në Bllog
    22

    Elbasan në Albanistan: Një 29 vjeçare socialiste e panjohur merr më shumë vota se të gjithë!

    Sara Mila, ‘fenomeni i çuditshëm’ i zgjedhjeve të Elbasanit

    Një kandidate 29- vjeçare në qarkun e Elbasanit, me një profil modest publik, rezulton më e votuara mes të gjithë socialistëve në listat e hapura, ndërkohë që opozita e shpjegon suksesin e saj elektoral me ndikimin e krimit të organizuar në zgjedhje.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Mila-1.jpg

Shikime: 31

Madhësia:  40.5 KB
    Sara Mila, kandidatja e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanin, më e votuara deri tani e listës socialiste preferenciale. Foto: Facebook.

    Pasditen e të dielës së zgjedhjeve, një vëzhgues i Partisë Demokratike u fut me hapa të mëdhenj brenda oborrit të Fakultetit Ekonomik në Elbasan, për t’iu ankuar kryetares së komisionit se kolegët e tij socialistë po monitoronin votuesit nga lokali përtej rrugës.

    “I filmojnë votuesit me kamera,” u ankua ai. Komisionerja ia preu shkurt, pasi kishte dëbuar më herët vëzhguesit e të dy palëve nga oborri. “Mos të shoh më këtu,” i tha ajo.

    Në pak sekonda, para derës së oborrit të godinës universitare parkuan dy makina, zbritën dy burra të frustruar po nga kampi i opozitës dhe kërkuan shpjegim për çfarë po ndodhte.

    Situata po shkonte drejt pikës së vlimit deri në momentin kur afrohet vëzhguesi i socialistëve, Kliton Kapaj, drejtues i teatrit “Skampa”. Për çudi, dy burrat takohen miqësisht duke tokur duart, situata sqarohet dhe Kapaj kthehet te birra e tij në tavolinë në lokalin përballë dyerve të fakultetit, ku dy dyzina burrash po ndjekin “El Classicon” mes Barcelonës e Realit.

    “Këta ia fusin kot o burrë, nuk ndryshohet vota sot. Njerëzit e kanë nda mendjen,” thotë Kapaj me zë të lartë, që mund të dëgjohet edhe disa tavolina më tutje.

    Pas 12 vitesh në pushtet, Partia Socialiste e thelloi rezultatin e vet në qarkun e Elbasanit, duke marrë më shumë se dyfishin e votave të koalicionit opozitar dhe 10 nga 14 mandatet e qarkut. Përtej makinerisë së mirëvajosur elektorale, komisionerë socialistë në Peqin dhe Elbasan ia dedikojnë këtë sukses edhe debutantes Sara Mila, kandidates së tyre 29-vjeçare.

    Mila, një nëpunëse e Shërbimit Social Shtetëror dhe figurë e panjohur deri ditën që shpalli kandidaturën, rezulton deri mbrëmjen e së mërkurës kandidatja më e votuar mes socialistëve të listave të hapura në të gjithë vendin.

    Me pothuajse dyfishin e votave nga kandidati pasardhës, Mila rivalizon në rezultat me rekordin e kapur në vitin 2021 nga ish-kreu i qarkut, Taulant Balla.

    “Kjo goca [Sara Mila] ka ngjit. Nuk e di si e ka bo fushatën, por ka ngjit,” thotë me habi një prej vëzhguesve socialistë në qendrën e votimit të instaluar në shkollën “Mahir Domi” në lagjen 5 Maji, i shqetësuar për fatin e kandidatëve të tjerë socialistë të cilët i njihte personalisht. “Më tha gruaja do votoj Sarën,” shtoi ai.

    Sipas kreut të opozitës, Sali Berisha, suksesi elektoral i Milës buron nga mbështetja që i ka dhënë asaj Suel Çela, një drejtues i krimit të organizuar në Elbasan, i shpallur në kërkim për një listë të gjatë veprash penale. “Suel Çela ditë e natë po zbaton porosinë e Edi Ramës për të zgjedhur deputete një Mile, Mile, Sara Mile”, paralajmëroi Berisha, duke i ndërruar një zanore në mbiemër kandidates.

    Sara Mila i hodhi kategorikisht poshtë akuzat e Berishës se po mbështetej nga Suel Çela dhe i quajti ato thashetheme të shëmtuara dhe alibi për humbjen. Ajo e lidhi gjithashtu lakimin e emrit të saj me faktin, siç e tha ajo, se “pritej se unë do të isha mandati i 9-të i Partisë Socialiste në Elbasan.

    “Berishës i marrin shumë fjalë për të mirëqenë, nuk jam e vetmja që kam hyrë në gojë të tij,” tha Mila, ndërsa shtoi se do ishte pa fjalë “po të kishte fakte reale”. E pyetur nëse kishte njohje personale me Suel Çelën, ajo u përgjigj: “Absolutisht jo”.

    Në garë për të fituar

    Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në shtatë bashkitë e qarkut të Elbasanit morën pjesë rreth 132 mijë votues në zgjedhjet e së dielës dhe 60% e tyre votuan në favor të Partisë Socialiste.

    Deri në orën 19:30 të së mërkurës, Sara Mila ka marrë gati 18 mijë vota ose më shumë se 20% të votave të të gjithë socialistëve të qarkut.

    Mila vjen nga një profil modest publik dhe debutimin e saj në politikë e konsideroi si ‘një ëndërr” në tetor të vitit të kaluar, kur shpalli kandidaturën për Partinë Socialiste në qarkun e Elbasanit.

    Bazuar në të dhënat e gjetura në internet, Mila ka filluar të punojë në moshën 24-vjeçare në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare pranë Kryeministrisë dhe në vitin 2022 u emërua drejtoreshë e njërit prej sektorëve të Shërbimit Social Shtetëror, të dyja punë të nivelit teknik.

    Përtej karrierës si nëpunëse, ajo është vajza e një biznesmeni me aksione në dy kompani tregtie me qendër në Tiranë si dhe bashkëshorte e pronarit të një fabrike të përpunimit të aluminit. Në rrjetet sociale, ajo nxjerr gjithashtu në pah miqësinë me ish-deputeten socialiste, Reme Lala, dhe punoi në varësinë e saj, që kur kjo e fundit mori detyrën e kreut të Shërbimit Social Shtetëror.

    Emri:  Mila-me-Ramen.jpg

Shikime: 28

Madhësia:  54.2 KB
    Sara Mila me kryeministrin Edi Rama gjatë një takimi elektoral në Elbasan.

    Mila i tha BIRN përmes një bisede telefonike se si kandidate nga platforma “Deputeti që duam”, e kishte zgjedhur vetë kandidimin në Elbasan, pavarësisht se punonte në Tiranë.

    “Një lloj frike ekzistonte brenda meje, megjithë këtë imazh që i është veshur Elbasanit…,” tha ajo, duke e hedhur më pas poshtë imazhin e një qyteti të kontrolluar nga krimi si të gabuar.

    Suksesin e saj në këto zgjedhje, Mila thotë se ia dedikon kreativitetit dhe origjinalitetit të fushatës së saj, grupit që e mbështeti si dhe dëshirës së votuesve për të parë gjeneratën e re në parlament. Ajo thotë gjithashtu se mblodhi rreth vetes të majtë dhe të djathtë, përfshirë edhe kryetaren e Forumit të Gruas së PD për Elbasanin – e cila e ndihmoi sipas saj që të bënte fushatë pranë grave të Partisë Demokratike.

    “Kam ndërtuar që prej fillimit një skuadër shumë të mirë, disa përfaqësues shumë të mirë të PS-së, disa që për arsye personale ishin shkëputur më herët. Unë kam arritur që t’i mbledh me një frymë të re dhe ata punuan secili si koordinator në të gjithë bashkitë e Elbasanit,” tha Mila, duke e konsideruar këtë grup njerëzish “një strukturë partie brenda partisë”.

    Lakimin e emrit të saj përpara zgjedhjeve ajo e lidh me pritshmërinë e kundërshtarëve se ajo do të ishte fituesja e mandatit të 9-të në Elbasan.

    “Nuk do shkoja në një garë për të mos fituar, nuk do të guxoja. Prindërit e mi, bashkëshorti dhe prindërit e tij vijnë nga bota e biznesit, dhe ata (opozita) druheshin për një potencial ekonomik dhe një fushatë shumë të mirë nga ana ime,” i tha ajo BIRN.

    ‘Fenomen i çuditshëm’

    Përveç deklaratave të Berishës apo akuzave nga të tjerë drejtues të PD-së, lidhja e emrit të Milës me grupin e Suel Çelës është një bisedë e zakonshme në qarkun e Elbasanit.

    Një votues i opozitës në Peqin, i tha BIRN pasi kishte votuar pranë Qendrës së Kulturës “Ferdinand Deda” se vota në qytet kontrollohej nga bandat. “Këtu janë bandat. Nuk i sheh se i kanë mbyll punët dje e pardje me parë”, tha burri rreth të 50-ave. Ai përmendi specifikisht emrin e Milës dhe këmbënguli se ajo merrte masivisht vota në bashkinë e Peqinit për shkak të mbështetjes së errët.

    Vëzhgues lokalë të zgjedhjeve në zonën e Librazhdit po ashtu i thanë BIRN se Mila kishte një prani të fortë edhe në këtë rreth, në të cilin socialistët kishin kandidat kolegun e saj në listë, Olsi Komici. Një anëtar i kësaj force i tha BIRN se mbështetësit e saj shkaktuan përplasje mes socialistëve në këtë qytet.

    Një vëzhgues i huaj i zgjedhjeve i tha gjithashtu BIRN se prania e posterave të Milës i tejkalonte kandidatët lokalë, ndërsa e përshkroi fushatën e saj si “fenomen i çuditshëm”.

    Fuqinë përtej të zakonshmes të 29-vjeçares e pranojnë edhe votuesit socialistë. Taksisti në të zezë që na shoqëroi nga Peqini në Elbasan të dielën, tha se votoi për Milën pasi ajo i zgjidhi një problem të bashkëshortes në vendin e punës. Ai tha se deputeti aktual i zonës, Saimir Hasalla, po ashtu garues në listën e hapur të socialistëve, nuk ia kishte ngritur telefonin.

    “Është shumë e fortë,” tha ai. “Asnjë se njihte atë në Peqin, po do marrë më shumë se Edi Rama”, shtoi burri dhe më pas pyet në mënyrë retorike: ti e di që atë e mbështet Sueli?!”.

    Taksisti ishte i bindur që Mila merr në Peqin më shumë vota se Hasalla, ky i fundit i afërm dhe i zgjedhur në 2021 si deputet në zonë me përkrahjen e ish-deputetit Aqif Rakipi – ky i fundit i shpallur non-grata nga Departamenti amerikan i Shtetit për korrupsion në zgjedhje.

    Edhe garues mes socialistëve hodhën hije dyshimi për garën. Ky gazetar ishte i pranishëm në një bisedë të kandidatit Florenc Spaho me mbështetës të tij, të cilët e komplimentuan për fushatën model. Spaho u përgjigj gjysëm me ironi se shpresonte që garë të tillë të kishin bërë edhe kandidatët e tjerë të PS-së.

    Zyrtarisht, Spaho i tha BIRN se gara mes llojit kishte qenë e moderuar dhe e cilësoi atë të drejtë. “Procesi ka qenë një garë, jo një luftë apo betejë, ka qenë një garë normale,” tha Spaho pas përfundimit të votimit. Pasditen e së mërkurës, Spaho renditej i nënti në listën preferenciale, çka e mban atë jashtë parlamentit.

    Drejtuesi politik i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti u ankua se në Elbasan nuk kishte pasur zgjedhje.

    “Unë mendoj që këtu nuk janë grupet kriminale problemi, problemi është qeveria. Kot me u dhënë vlerë atyre,” tha Alizoti, duke iu referuar mbështjes së hamendësuar për Milën.

    Kandidatja 29- vjeçare thotë se është ndjerë disi e intimiduar nga ato që i quajti thashetheme, por shtoi se kishte vendosur që të ishte e qetë.

    “Përballë thashethemeve nuk ke si të tregosh të vërtetën tënde, por kam vendosur të jem e qetë, ta marr qetësisht, pasi secila alibi që ata duan të zhvillojnë nuk është në interesin tim apo të Partisë Socialiste dhe askujt,” përfundoi ajo.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,172
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Elbasan në Albanistan: Një 29 vjeçare socialiste e panjohur merr më shumë vota se të gjithë!

    Berisha: Bandat vepruan në 10 qarqe për të sjellë në parlament 30 deputetë të PS! ‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile

    Emri:  auto_WhatsApp_Image_2025-05-14_at_20.59.001747249677.jpg

Shikime: 20

Madhësia:  38.1 KB

    Gjatë fjalës me drejtuesit politik të qarqeve, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, gjatë këtyre zgjedhjeve bandat vepruan në 10 qarqe që të sillnin në Kuvend, 30 deputetë.

    Sipas tij, ‘ylli’ i këtyre bandave është Sara Mile në Elbasan, e mbështetur nga Suel Çela/

    ‘Këto banda kanë vepruar në dhjetë qarqe të vendit dhe në mbi 20 bashki me detyrën për të mbështetur dhe sjellë në parlament 30 kandidatë të PS.

    ‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile, e cila arriti në 30 mijë, po tani po i ulin votat sepse bëhet barsoletë botërore se si e panjohura u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit shqiptar’, deklaroi kryetari i PD-së.

    Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

    Cilat do qofshin përmasat e veprimtarisë kriminale të nëndheshme, këto publiket janë më të mëdhatë, më gjigantet, më të pashembulltat.

    Për të mos thënë pastaj rreth 500 milionë euro prokurime, PPP-ra, koncesione, gjatë fushatës elektorale.

    Që të gjitha për vota.

    Për të mos thënë pastaj mbi 10 mijë punësime në qeverinë vendore, lokale dhe ndërmarrjet publike, që të gjitha punë për votë, punësim për votë.

    E vërteta është se në këto zgjedhje, bandat kriminale kanë vepruar më të strukturuara dhe më të kontrolluara se asnjëherë më parë.

    Këto banda kanë vepruar në dhjetë qarqe të vendit dhe në mbi 20 bashki me detyrën për të mbështetur dhe sjellë në parlament 30 kandidatë të PS.

    ‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile, e cila arriti në 30 mijë, po tani po i ulin votat sepse bëhet barsoletë botërore se si e panjohura u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit shqiptar.

    Bandat, aty ku panë se puna e nëndheshme mund të mos realizonte objektivin, dolën haptas në shesh, në terren, në një seri bashkish, ndër të cilat në Vorë, në Peshkopi, në Mat dhe në Durrës, në Elbasan, në shumë rrethe të tjera.

    Unë gjej rastin të shpreh një falenderim dhe mirënjohje ndaj të gjithë gazetarëve, të cilët me guxim, me trimëri kanë bërë publike të vërtetat, këtë aktivitet kriminal, i cili u ushtrua ditën e zgjedhjeve pa asnjë lloj kufizimi.

    Pra, e vërteta është se zgjedhjet u rrëmbyen nga një narkodiktator që me një fuqi korruptive dhe që mendon se do mund të qëndrojë mbi mandatin e tij të krimit.

    Syri

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,172
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Elbasan në Albanistan: Një 29 vjeçare socialiste e panjohur merr më shumë vota se të gjithë!

    Rama urdhëron të fshihet krimi, kandidatja e Suel Çelës, Sara Mile menderosi zgjedhjet në Elbasan

    Emri:  auto_496766044_1434375768043521_6957847318609333954_n1747148456.jpg

Shikime: 20

Madhësia:  28.7 KB

    Denoncime të shumta vijnë në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve.

    Një qytetar nga Elbasani, ka denoncuar se kandidatja e Suel Çelës, Sara Mile ka marrë mbi 30 mijë vota dhe për të fshehur manipulimet dhe kërcënimët për votën, është urdhëruar që të shtyhet numërimi i votave.

    Denoncimi është bërë nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

    Reagimi i kreut të PD, Sali Berisha:

    Përshëndetje për vëzhguesit guximtarë!

    Sara Mile kandidatja e Suel Çeles menderosi zgjedhjet në Elbasan. Rama urdhëron të fshihet krimi

    Lexoni denoncimin e vëzhguesit guximtar!

    Pershendetje, interesohuni pak ne elbasan dhe qarkun e elbasanit sepse numurimi per parti ka mbaruar po e kane shtyre per ne oren 5 ps sepse sara mile ka mare mbi 30 mij vota dhe duan tja heqin per te mos dale kaq shum qe te futen dhe kandidate te tjere, un jam vezhgues ne partin demokratike dhe po bejn shum dallavere te lutem anonim

    Syri

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,172
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Elbasan në Albanistan: Një 29 vjeçare socialiste e panjohur merr më shumë vota se të gjithë!

    Fenomeni Sara Mila… kandidatja që votuesit e saj nuk e ndjekin as në rrjetet sociale, si i garantoi 18 mijë vota?

    Emri:  auto_hq7201747314250.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  19.2 KB

    Sara Mila, 29 vjeçe është aktualisht deputetja më e votuar e Parlamentit duke siguruar më shumë vota në listat e hapura. Mila, një personazh i panjohur në politikë ka mundur të sigurojë jo pak, por 18.599 vota, duke u shkëputur përmbi Agron Malajn në Dibër, apo Tërmet Peçin që të dy janë të votuar por jo aq sa ajo.

    Emri:  auto_-0-450-1747308788xa34d9b6c-f172-455a-9a77-56bfa0d9ef31-6681747314093.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  11.3 KB

    Habia qendron përtej faktit se Mila është e panjohur për publikun e gjerë. Nga vëzhgimi që Dosja.al i bëri fushatës së saj, 29-vjeçarja ka vetëm 7500 ndjekës në rrjetet sociale. E njëjta prezencë e ulët pasqyrohet edhe në komentet apo reagimet e postimeve të saj.

    Emri:  auto_-640-0-1747308695xec0ca839-9608-4860-93d9-3e4b3c18e260-1121747314094.jpg

Shikime: 9

Madhësia:  26.2 KB

    Por për të mos e “baltosur” figurën e saj, siç tha edhe ajo vetë, deri në shpalljen e kandidatëve, Sara Mila nuk ka patur asnjë takim përpara ditës që emri i saj u konfirmua si pjesë e listave të hapura në Partinë Socialiste. Kështu, Sara Mila e nis aktivitetin politik më tetor të 2024 me një video, ku njofton nisjen e aplikimit te “Deputeti që Duam”. Nga tetori i 2024 e deri më 28 mars kur ajo u konfirmua si kandidate, sërish nuk ka asnjë postim. Më 28 mars 2025, kur emri i saj doli, Sara ndezi motorët për të mos u ndalur pa 18 mijë vota.

    Por si shpjegohet ky rezultat? Cila është aftësia speciale e kësaj makinerie elektorale që bindi sovranin e Elbasanit për ta votuar masivisht Sara Milan?

    Por nëse është kështu, nëse një kandidate që gëzon mbështetje popullore në këtë qark, si mund të mos ndiqet në rrjetet sociale nga elektorati i saj?

    Mungesa e një fushate të strukturuar në rrjete sociale dhe në terren ngre dyshime serioze mbi mënyrën si Sara Mila arriti këtë rezultat. Në një sistem zgjedhor ku vota preferenciale kërkon njohje dhe lidhje personale me votuesit, një kandidate me ekspozim minimal nuk arrin natyrshëm një rezultat kaq të lartë.

    Emri:  auto_-640-0-1747308685x8bb64720-371d-45c8-b9f5-d2c9856851e4-9881747314094.jpg

Shikime: 10

Madhësia:  71.8 KB

    Ndërsa opozita dhe Berisha e lidhin këtë sukses me emrin e Suel Çelës, një personazh i njohur në Elbasan për ndikimin e tij të madh në terren dhe raportet e hershme me Partinë Socialiste. Sipas opozitës, votat për Sarën nuk janë rezultat i përkrahjes popullore, por i një makinerie elektorale të padukshme që kontrollon votën në territor. Ndërkohë që vetë Sara thotë se ka qenë puna e saj e fortë që ka sjellë këtë rezultat.

    Emri:  auto_-640-0-1747308685x7bc7bf82-5ef4-4ae2-aa83-e0b503634f25-2621747314093.jpg

Shikime: 10

Madhësia:  47.5 KB

    Ajo tashmë është deputete e Kuvendit dhe përfaqëson një nga qarqet më të mëdha të vendit. Por mbetet për t’u parë nëse ajo do të ketë zë dhe rol në Parlament, apo do të jetë thjesht një mandat memec i garantuar nga struktura që nuk kanë lidhje me politikën por me krimin e organizuar. Deri atëherë pyetja është: Kush e kontrolloi vërtet listën dhe votën në Elbasan më 11 maj?

    Dosja.al

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,172
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Elbasan në Albanistan: Një 29 vjeçare socialiste e panjohur merr më shumë vota se të gjithë!

    Skandali i trenit bullgar në Elbasan! Fletë votimi, lista e para në lokalin e vëzhguesit PS! Berisha: Kriminelët elektoralë mbrohen nga Rama e Dumani

    Partia Demokratike ka publikuar prova të cilat vërtetojnë fenomenin e trenit Bullgar në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Elbasanit.

    Dervish Beqiri: Këto janë për të verifikuar njerëzit
    Blendi Himçi: Ku i ke gjetur?
    Dervish Beqiri: I kam marrë tek shkolla. I ka sjellë Sami Hasalla.
    Blendi Himçi: Mos luani se po vjen policia.
    Blendi Himçi telefonon policinë: Jam në Pekisht! Kam gjetur fletë votimi dhe listat e votuesve. Jemi para krimit elektoral.

    Lideri i opozitës Sali Berisha, së bashku me deputetët e zgjedhur për qarkun e Elbasanit Tomorr Alizotin dhe Blendi Himçin denoncuan provat e gjetura në lokalin e vëzhguesit të Partisë Socialiste në Peqin, të cilat vërtetojnë manipulin e vullnetit të qytetarëve.

    "Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit. Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh. Kjo është tavolina e krimit elektoral.

    Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës. Krimineli në krye të bashkisë është mentori i kriminelëve të tjera për të realizuar ‘trenin bullgar’ në mënyrën më antiligjore, më antikushtetuese"

    Sali Berisha akuzoi Edi Ramën dhe Altin Dumanin se po mbrojnë personat që kanë kryer këtë farsë elektorale, si dhe pati një përgjigje për ata që bëjnë avokatin e krimeve zgjedhore.

    Çfarë përfaqësojnë këto, vullnetin e qytetarëve apo vullnetin e kriminelëve të mbrojtur nga Edi Rama dhe Altin Dumani? A nuk i denoncuam 30 herë Troplinët dhe Pojën si zotërit e Portit të Durrësit? Kush i mbronte ata?

    Çfarë mendoni ju se Antimafia Italiane e ka bërë për qëllime elektorale vonimin? Jo, ia ka vonuar Dumani për qëllime elektorale Antimafias Italiane. Ka mashtruar Antimafian Italiane si ordiner. Se kemi operacion tani, se na prish punë tani…

    Dhe Poja çau ferrën.
    Kush e njoftoi Elvis Doçin dhe të tjerët? Kush i njoftoi?Këtu janë të gjithë bashkë.
    Edhe ato shishet 36 mijë euro me kë i hapte Edi Rama?
    Këtu bota e krimit ka kreun e organizatës, ky është Edi Rama.
    Por këto janë zgjedhjet.
    I them këto fjalë për të gjithë ata lakej që nga mëngjesi gjer në darkë bëjnë avokatinë e turpshme elektorale. Mercenarë të vërtetë të fjalës së lirë dhe moralit njerëzor.
    Bëjnë avokatinë e dhunimit të votës.

    Drejtuesi i qarkut Tomorr Alizoti dhe deputeti I ardhshëm Blendi Himcci bënë me dije mënyrat që mazhoranca ka ndjekur për të manipuluar votën e qytetarëve.

    "Çfarë ka ndodhur në Elbasan. Në orën 8 të darkës deri në 6 të mëngjesit, për 6 komunat poshtë Shkumbimit që janë pjesë e Bashkisë së Elbasanit, Shirgjan, Gjergjan, Tregtan, Shushicë, Gjinar, Zavalinë janë hequr dritat, ditën e shtunë duke gdhirë e dielë' tha Himçi.

    'Na japin këto rezultate të cilat përngjajnë me kohën e Maos dhe Koresë së Veriut. Kjo është logjika, çfarë duan këto në një lokal. Dhe këto janë ato që janë kapur sot, po sa mund të jenë në të gjithë Elbasanin, në të gjithë Shqipërinë, të pakapura' tha Alizoti.

    VIDEO

    Në konferencë për mediat, Berisha u shpreh se opozita ka të dhëna të sigurta që janë përdorur kuti të mbushura, nga ministrja e Infrastrukutrës Belinda Balluku.

    Syri
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 22-05-2025 më 12:57

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 23-05-2025, 12:17
  2. Elbasan: Blinte vota për socialistët, vritet Pjerin Xhuvani
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 27
    Postimi i Fundit: 28-06-2022, 10:23
  3. Albanistan: 83 mijë vota të pavlefshme në zgjedhje
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 03-05-2021, 14:02
  4. Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 17-03-2021, 21:19
  5. Manipulimi, 23 mijë vota fiktive më shumë në Vlorë dhe Elbasan
    Nga mesuesi_1 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 26-06-2015, 13:13

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •