Nishani: Individë nga administrata po hetojnë jetën time private (VIDEO)
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, akuzoi strukturat shtetërore se po mundohen të gërmojnë në jetën private të tij dhe familjes së tij, duke bërë në këtë mënyrë sipas tij një gabim fatal.
I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan, Nishani ishte i ashpër ndaj Kryeministrit Rama për qëndrimeve të tij ndaj kreut të shtetit dhe deklaratave të tij publike.
Maxhoranca ka paraqitur sot një projektligj për dekriminalizimin ndërsa paralelisht është ngritur një komision i posaçëm parlamentar pozitë-opozitë për këtë çështje. Si e vlerësoni këtë situatë?
Thelbi i çështjes është situata në Parlament dhe jo vetëm.
Ç’do të thotë situata në Parlament dhe jo vetëm?
Përderisa kemi ardhur në një angazhim të tillë institucional politik, duke përfshirë dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-të, do të thosha që situata në Parlament është e turpshme, që njerëz me aktivitet kriminal të përfshirë në trafikun e drogës, në larjen dhe pastrimin e parave në aktivitete të paligjshme, të jenë sot pjesë e ligjbërjes, e vendimmarrjes dhe të orientimit të politikave financiare, ekonomike, sociale, zhvillimore të shtetit shqiptar. Ka kaluar vendi vite edhe më të vështira në këto 25 vjet, por kurrë në Parlamentin shqiptar nuk ka qenë kjo situatë dhe kjo problematikë në këtë pikë që po diskutojmë.
Presidenti Nishani dhe gazetari Fevziu
Çfarë ka ndodhur me politikën shqiptare?
Përgjegjësia morale është e atyre që kanë vendosur t’i çojnë këta individë në foltoren e Parlamentit, prandaj përgjegjësia në daç morale dhe institucionale e drejtpërdrejtë është e atyre që kanë bërë listat e deputetëve dhe kanë marrë vendimin që këta persona të jenë përfaqësues të forcës së tyre në Parlament.
Zoti President, si janë marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin Rama?
Janë institucionale. Marrëdhënie mes dy institucioneve.
U duk ironik Kryeministri sot kur deklaroi se Zagani është bërë heroi i opozitës dhe i kreut të shtetit…
Presidenti i Republikës është konsideruar si armik politik që ditën e parë që Kryeministri i vendit hyri në zyrën e tij.
Ç’do të thotë kjo, zoti President?
Do të thotë që qëndrimet e Kryeministrit gjatë gjithë kohës si institucion, si person, si kabinet, si qeveri e kanë trajtuar Presidentin e Republikës si një armik politik. Secili prej nesh manifeston kulturën personale politike, përmbajtjen e tij qytetare, sociale, shoqërore, por dhe veprimtarinë institucionale që përfaqëson. Të vijmë te pyetja juaj. Zagani nuk është heroi im. Në fakt heroi im është Ibrahim Basha dhe të gjithë ata punonjës policie që kanë integritetin dhe dinjitetin e Ibrahim Bashës. Në gjykimin tim institucional, Zagani duhet të ishte një dëshmitar i mbrojtur i Drejtësisë sot.
Ç’do të thotë kjo?
Që detyra e Kryeministrit dhe e të gjitha institucioneve në varësi të Kryeministrit, duhet që të kishin angazhuar menjëherë pas deponimeve që inspektori i Policisë Zagani ka bërë, menjëherë të kërkonin vënien e tij në mbrojtje në shërbim të Drejtësisë. Zagani ka denoncuar me emër dhe mbiemër trafikantë të grupeve kriminale në Vlorë dhe përtej Vlorës, ka denoncuar praktika dhe procedura se si kryhet trafiku i drogës, i ka denoncuar këto si të raportuara institucionalisht. Dhe çfarë kam bërë unë? Asgjë më shumë, kam kërkuar që këto akuza të hetohen. A do të kishte ndonjë njeri normal, pavarësisht institucionit që drejton, që kur ka akuza të tilla të mos thotë që këto të hetohen?! Zaganit duhej të ishte ofruar bashkëpunimi me Drejtësinë. Në momentin që Kryeministri e kërcënon duke i thënë kriminel, duke i thënë kthehu se ke punë me ne, e shantazhon, e intimidon…
Si e shantazhon?
Mund të më thotë dikush në cilin vend të botës një Kryeministër i vendit e cilëson një njeri kriminel pa u dënuar nga gjykata?! Nuk ka kuraje një prokuror të hetojë më këtë njeri apo këto denoncime pas kësaj deklarate të Kryeministrit. Këto deklarata nuk janë normale.
Zoti President a ka bërë hapa përpara në luftën kundër drogës dhe plantacioneve të kanabisit?
Unë kam vlerësuar punën e Policisë së Shtetit dhe kujtdo që u angazhua në aksionin kundër plantacioneve të kanabisit në Lazarat, sepse ishte një shqetësim për shtetin shqiptar. Po aq e vërtetë është sa sot harta e kultivimit të kanabisit, sipas informacioneve dhe raportimeve të Policisë, sipas raportimeve të medias në terren, është zgjeruar shumë herë në krahasim me vitet e shkuara.. kemi një fenomen të pandodhur më parë. Nëse kishte shkuar në minimum trafikimi i kanabisit me gomone nga deti, sot na janë shfaqur avionët nga ajri. Ky nuk është një fenomen që tregon për shkurtimin dhe rënien e sasive të kultivimit dhe tregtimit. Unë inkurajoj forcat e Policisë për luftën që bëjnë çdo ditë, ashtu siç i them që të qëndrojnë dhe të refuzojnë me neveri çdo urdhër politik dhe çdo joshje politike.
Ç’do me thënë urdhër politik?
Në momentet që policia urdhërohet apo i çohen mesazhe për t’i konsideruar si persona që punojnë kundër interesave të vendit Presidentin e Republikës, besoj se kjo ka një konotacion shumë të madh politik.
E keni fjalën për deklaratën e sotme të Kryeministrit?
Jo vetëm. Ka një sërë deklaratash dhe qëndrimesh në prani të institucioneve të rëndësishme të vendit qeveritarë, deputetë, forcave të Ushtrisë, të Policisë, që vazhdimisht atakohet Presidenti i Republikës.
Ju thatë se goditet personi, ç’do të thotë kjo?
Për fatin e keq ka një angazhim dhe unë dua t’u çoj një mesazh sot të gjithë atyre individëve, të cilët, për shkak të urdhrave politikë që kanë marrë, janë investuar ata vetë, kanë investuar administratën shtetërore për të hetuar jetën private të Presidentit të Republikës dhe familjarëve të tij.
Çfarë thatë? Institucione shtetërore janë angazhuar të hetojnë jetën private të Presidentit të Republikës?
Individë brenda institucioneve shtetërore.
Në rrugë legale apo ilegale?
S’mund të hetohet Presidenti i Republikës në rrugë legale, përveçse kur ka vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk kam asnjë lloj problemi me jetën time private dhe të familjarëve të mi. Ata që janë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur infrastrukturën zyrtare, kanë bërë një gabim fatal
Çfarë po thoni me këtë, zoti President, se është shumë e rëndë si akuzë?
Është shumë e rëndë, por ata që e kanë bërë këtë kanë bërë një gabim fatal. Janë munduar të gërmojnë në jetën private të Presidentit të Republikë dhe familjes së tij.
Ka pasur një debat gjatë verës për mbylljen e rezidencave qeveritare për Presidentin e Republikës. Në fakt ishte mbyllje apo rikonstruksion i vilës qeveritare të Dhërmiut ku ju donit të shkonit me pushime me familjen tuaj. Mos ju u nxituat me këtë çështje?
Unë do të kërkoja mirëkuptimin që të mos flisja për këtë çështje, e cila është më shumë private, sesa lidhet me hallet dhe problemet e njerëzve. Natyrisht është tregues i një sjelljeje arrogante institucionale. Nuk ka pasur asnjë nxitim nga ana ime. Kam kërkuar që të vihet në dispozicion sipas ligjit njëra prej rezidencave, sepse në fund të fundit për të qenë shumë të sinqertë nuk kam asnjë lloj problemi të pushoj në mes të njerëzve, por për efekte të strukturës se si funksionon shteti, por edhe sepse për sa kohë je President i Shtetit mbart mbi shpinë edhe imazhin e vendit dhe potencialin e institucionit që përfaqëson, mund të bezdisësh qytetarët e tjerë kur shkon me pushime në mes të qytetarëve të tjerë. Por unë nuk kam dashur ta trajtoj më këtë çështje.
Por që t’i mbyllin derën e rezidencës qeveritare Presidentit të Republikës, kjo është problematike…
Ja që degradon deri në këtë derexhe!
Në diplomaci Kryeministri Rama ka qenë protagonist, ka takuar Kryeministrin serb Vuçiç dhe duket se ka tentuar të ndërtojë një raport të ri rajonal…
Është normale që Kryeministri të ketë një rol më dinamik dhe më të ngjeshur, ai përfaqëson pushtetin ekzekutiv. Por në aspektin e politikës së jashtme gjykoj se të gjitha institucionet duhet të jenë më bashkëpunuese. Në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë unë i përshëndes dhe e vlerësoj çdo tentativë që bëhet në mënyrë reciproke për të shtensionuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ne jemi të gatshëm dhe bëjmë mirë që ofrojmë gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar, por nga ana tjetër, mendoj se Shqipëria s’mund të jetë një make up i Serbisë dhe këtu flas për interesat e vendit tim.
Panorama
Krijoni Kontakt