Zgjedhjet lokale, raporti final, OSBE/ODIHR: Partitë kryesore përdorën administratën
Audry Glover, shefja e misionit të vëzhgimit për zgjedhjet lokale të 21 qershorit në Shqipëri
Dy muaj e gjysmë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, zyra e OSBE/ODIHR në Shqipëri ka publikuar raportin përfundimtar për zhvillimin e procesit zgjedhor.
Sipas ODIHR-it, edhe pse procesi ka shkuar mirë në tërësi, partitë politike kanë shfrytëzuar dhe përdodur pushtetin e tyre në radhët e administratës shtetërore.
“Në përgjithësi liria e shprehjes dhe e votës u respektua, megjithëse politizimi i institucioneve minoi administrimin efikas të procesit elektoral, – raporton “Top Channel”. – Dita e votimit eci pozitivisht, megjithatë u gjetën raste të votimit në grup dhe disa parregullsi proceduriale të tjera”, thuhet në raport.
“Procesi zgjedhor në tërësi eci mirë, por u konstatuan disa parregullsi, – vazhdon raporti. – Në procesin zgjedhor u zbatuan të drejtat themelore. Politizimi i institucioneve minoi administrimin efikas të procesit. Partitë kryesore përdorën pushtetin e tyre në radhët e administratës”.
Raporti përmend sesi kryeministri Rama, kryetari i Kuvendit, Meta me kandidatet e tyre bashkiakë, përdorën dhënien e certifikatave të pronësisë për fushatë elektorale, duke thyer një nga rregullat kryesore demokratike të ndarjes së shtetit nga partia.
Raporti nënvizon gjithashtu si thyrje të një prej standardeve demokratike të kritereve të Kopenhagenit për votën e lirë, pa frikën e ndëshkimit. Raporti flet për presion të ushtruar nga koalicioni qeveritar mbi nëpunësit publikë, kryesisht mësues, punonjës të kujdesit shëndetësor dhe bashkive për të marrë pjesë në aktivitet, përndryshe kërcënoheshin me humbjen e vendit të punës.
Sipas raportit, vërehet edhe problemi i blerjes së votës në këto zgjedhje, ku theksohet se ka pasur akuza direkte për blerje votash apo marrjen e kartave të identitetit një ditë para procesit zgjedhor.
Shqip
Krijoni Kontakt