Me mbështetjen e Investitorëve turq të “Kurumit”, porti i Durrësit kërkon të konkurojë portin e Selanikut dhe Barit.
Në bashki është dorëzuar kërkesa për ndërtimin e një parku industrial prej 80 hektarësh në zonën e Kënetës, specifikisht në ndërtimin e një platforme për transportin e mallrave me kontenierë. Kërkesa është mirëpritur dhe është në fazën e shqyrtimit nga Bashkia e Durrësit, e cila ka shprehur dakordësinë parimisht, që ky investim të ndërtohet brenda dy viteve të ardhshëm. Kështu deklaroi kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në prani të ambasadorit turk në Shqipëri, Hidajet Bajraktar. “Kemi kërkesë nga investitori ‘Kurum’ për të ndërtuar një zonë industriale logjistike, një platformë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin”, tha Dako në praninë e mediave.
Investimi
Kreu i Bashkisë së Durrësit shpjegoi edhe detaje të tjera të investimit, duke nisur nga sipërfaqja në të cilën do të shtrihet zona industriale, si dhe një rol të dorës së parë të këtij parku për të gjitha vendet e rajonit. Ndërsa theksoi se investimi do të pesëfishojë volumin e punës në logjistikë, Dako deklaroi gjithashtu se parku do të kontribuojë edhe në hapjen e një numri të konsiderueshëm vendesh të reja pune. “Zona do të shtrihet në parkun industrial të qytetit, në zonën e ish-kënetës, në një sipërfaqe prej afro 80 hektarësh. Do të kemi një pesëfishim të aktivitetit logjistik të kësaj kompanie kryesisht për transportin e mallrave me kontenierë. Është një sukses, është një shtim i konsiderueshëm i vendeve të punës. Është objektivi unë kryesor dhe në bashkëpunim me autoritetet lokale shpresojmë që investimi të bëhet realitet brenda dy vitesh”, the kreu i Bashkisë së Durrësit.
Investimet strategjike
Ambasadori Hidajet Bajraktar deklaroi se sipërmarrësit turq në Shqipëri janë duke investuar në fusha strategjike, siç janë transporti detar, bankat telekomunikacioni, energjitik miniera, në portin e Durrësit etj. Kryebashkiaku dhe ambasadori vizituan terminalin e kontenierëve në portin e Durrësit, që i është dhënë me koncesion kompanisë “Kurum”. Shkëmbimet tregtare Shqipëri- Turqi janë në rritje dhe investitorët turq janë të prirur të rrisin investimet e tyre në Shqipëri. Ambasadori turk, Idajet Bajraktar dhe kreu i bashkisë vizituan sot koncensionarin e kontenierëve në portin e Durrësit.
Ambasadori Bajraktar, gjatë vizitës së tij në Terminalin e Konteinerëve në Portin e Durrësit shprehu haptazi vlerësimin pozitiv të Ankarasë për Durres Container Terminal Sh.a, e cila ka marrë të drejtën koncensionare për operimin dhe menaxhimin e Terminalit të Konteinerëve dy vjet më parë, dhe ishte i lumtur për arritjet e kompanisë më të madhe turke në Shqipëri, KURUM, e cila ka investuar me sukses në fushat stategjike të ekonomisë shqiptare, gjë që rrit ndjeshëm impaktin pozitiv të partneritetit strategjik Shqipëri – Turqi. Ambasadori komentoi që porti është i rëndësishëm për ekonominë dhë është e rëndësishmë që të merren hapat e duhur në drejtimin e duhur dhe me investimet e duhura, dhe ai pranon që kompania serioze turke është zgjedhur të menaxhojë dhe operojë Terminalin e Konteinerëve dhe nxiti investitorin që të përdori ekperiencën dhe praktikat e industrisë së mirë. Gjithashtu ai theksoi faktin që qeveria shqiptare, megjithëse në koalicion, po vepron në mënyrë të unifikuar duke promovuar marrëdheniet Turqi Shqipëri në fusha të ndryshme, jo vetëm në ushtri dhe në arsim.
NGA: KLODIANA HAXHIAJ
GazetaShqiptare/
Krijoni Kontakt