08 Korrik 2014 - 15:00
TIRANE - Partia Demokratike denoncon përplasjen për vdekje të një 19-vjeçari nga eskorta e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe atë që e cilëson si “sjellje kriminale me mbulimin e lajmit”.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi tha se ngjarja ka ndodhur dy netë më parë rreth orës 22:00 në fshatin Bilal të Bashkisë Manëz, kur eskorta e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ka përplasur për vdekje Marsel Lohjan, 19 vjeç, të cilit iu dha dje pasdite lamtumira e fundit.
“Ky aksident vdekjeprurës, u kthye menjëherë në një ngjarje të rëndë kriminale, pasi për 48 orë, Ilir Meta arriti ta fshehë ngjarjen, duke u përpjekur të mbyllë punët me policinë, prokurorinë dhe familjen e viktimës. Asnjë media nuk raportoi lajmin. Askush nuk foli rreth kësaj ngjarjeje.”- deklaroi Vorpsi.
Sipas zëdhënëses së PD-së, “përpjekja për të varrosur faktet, të vërtetën, është akt mafioz, është një sjellje prej Pinoçeti, ku jeta e një njeriu nuk ka vlerë, ku me para dhe me forcën e pushtetit, mund të blesh gjithçka”.
“Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të bëjë menjëherë transparencë për aksidentin e dy netëve më parë të eskortës së kryetarit të Kuvendit dhe të informojë publikun për këtë ngjarje. Ne i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë rrethanat e ngjarjes, dhe të bëjë sa më shpejt drejtësi. Ne i kërkojmë medias të hedhë dritë mbi faktet dhe mbi arsyet pse ky aksident që mori jetën e një 19-vjecari nuk është raportuar. Partia Demokratike i kërkon Ilir Metës të kërkojë ndjesë publikisht për këtë sjellje të turpshme dhe revoltuese me të cilin ai ka fyer secilin nga ne duke u përpjekur të fshehë e të varrosë vdekjen e një 19-vjeçari. Jeta e Marselit, jeta e cdo qytetari shqiptar, është njësoj e rëndësishme sa jeta e çdo zyrtari në këtë vend, qoftë ai edhe Kryetari i Kuvendit.”- deklaroi Vorpsi.
MB: ESKORTA NUK ËSHTË PËRFISHIRË NË AKSIDENT, OFICERI ME MJETIN E TIJ PERSONAL
Ndaj akuzave të Partisë Demokratike ka reaguar edhe Ministria e Brendshme, sipas së cilës eskorta e kruet të Kuvendit nuk është përfshirë në aksident.
“Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se eskorta e Kryetarit të Kuvendit nuk është përfshirë në asnjë aksident rrugor. Deklarata e PD-së për fshehjen e një aksidenti është tërërisht e pavërtetë”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Brendshme thotë se drejtuesi i mjetit Kastriot Braho, oficer pranë Gardës së Republikës në momentin e ngjarjes nuk ka qenë me shërbim por me mjetin e tij personal.
"Në komunikatën e përditshme të Policisë së Qarkut Durrës, (dt.07.07.2014, faqja 3, me numër rendor të ngjarjes 17, publikuar dhe shpërndarë për gjithë mediat), është përfshirë arrestimi i shtetasit K. B., pasi ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin M.L, 19 vjeç, banues në Maminas. Prokurori pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës Ilir Turja, ka drejtuar dhe ndjekur gjithë veprimet proceduriale, që nga momenti kur është marrë njoftimi për ndodhjen e aksidentit. MPB sqaron se shtetasi K. B, oficer pranë Gardës së Republikës, në momentin e ngjarjes nuk ka qenë me shërbim. Shtetasi K.B. ishte duke udhëtuar me automjetin e tij personal me targa AA 067 JP dhe nuk ka qenë në ushtrim të funksioneve të tij.Me marrjen e njoftimit për arrestimin në flagrancë për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” neni 290 pika 2 i Kodit Penal, shtetasi K. B. është pezulluar nga detyra si oficer i Gardës së Republikës, deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, përfundon deklarata.
Policia
Ndërkohë në lidhje me ngjarjen në fjalë, policia e Durrësit njoftoi zyrtarisht një ditë më parë se ka vënë në pranga shtetasin Kastriot Braho, i cili ka aksidentuar 19-vjecarin me iniciale M.L. Sipas policies, 43-vjecari ka qenë duke udhëtuar me mjetin tip benz me targa AA 067 JP në aksin rrugor Maminas-Manëz dhe në vendin e quajtur Bilalas ka përplasur të riun, duke i shkaktuar vdekjen. Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur të djelën në mbrëmje rreth orës 21 e 45 minuta, teksa drejtuesi i mjetit Kastriot Braho është arrestuar në flagrancë. Mbi 43 vjeçarin rëndon akuza “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Balkanweb
Krijoni Kontakt