Qeveria vendos kalimin e Doganave te “Crown Agents”
Doganat shqiptare do të kalojnë “në menaxhimin” e Crown Agents, një agjenci e specializuar në konsulenca të ndryshme, mes të tjerash edhe për financat publike me qendër në Britani. Me një vendim të veçantë, i cili mori dje miratimin e Këshillit të Ministrave, Crown Agents do të ketë një kontratë me qeverinë për dhënien e asistencës në shërbimin doganor. Tri janë drejtimet ku do të punohet në Dogana dhe ku do të ofrohet asistenca. E para lidhet me përmirësimin e performancës, e dyta me rritjen e të ardhurave, dhe e treta me zvogëlimin e korrupsionit në administratën doganore.
Crown Agency
Kompania “Crown Agents” operon sot në rreth 100 vende, duke ofruar shërbimet e saj në fusha të tilla si shërbimet financiare, konsulencë, rritje ekonomike, forcim i sistemit shëndetësor dhe menaxhim i financave publike. Kryesisht janë vendet me probleme të thella ekonomike dhe politike ato që kanë kontraktuar në vitet e fundit shërbimet e kësaj kompanie, ose më saktë vendet e botës së tretë. Shqipëria është e fundit pas Zimbabvesë, Ganës, Pakistanit, Sudanit apo Nigerisë që ka kërkuar ndihmë në lidhje me menaxhimin e të ardhurave.
Pagesa
Kontrata që qeveria shqiptare do të nënshkruajë me Crown Agents ka në bazë pagesën me “tarifë suksesi”, (success fee), e cila është një praktikë që ka filluar të ndiqet rëndom nga kompanitë që ofrojnë konsulenca. Por si përcaktohet pagesa me këtë mënyrë? Ka disa mënyra aplikimi, por ende nuk dihet se kë ka zgjedhur qeveria shqiptare në bashkëpunim me kompaninë. Rëndom në botë aplikimi i parë i tarifës së suksesit lidhet me përqindjen e një shifre që paracaktohet, pra është fikse. E dyta është një tarifë e përshkallëzuar, pra që në bazë të masës së suksesit të arritur bëhet edhe pagesa, por kjo ndryshon nëse nuk përmbush gjithë parashikimet e planit. Kurse e treta është sipas vlerësimit me kolona të ndara, pra në bazë të realizmit të secilit shërbim të marrë përsipër, bëhet një vlerësim i veçantë dhe caktohet pagesa.
Si punon “Crown Agents”
Rasti më tipik që i afrohet rastit të Shqipërisë është ai që Crwon Agents ka aplikuar në Sudan. Projekti në Sudanin Jugor u zbatua në vitin 2011. Asistenca e Crown Agents ishte në disa drejtime. E para, rishikimi i politikave ekzistuese dhe procedurave duke prodhuar manuale në ndihmë të uljes së burokracisë dhe rritjes së transparencës. E dyta, në trajnimin e stafit për të zhvilluar aftësitë e tyre teknike. E treta, hapja e një zyre koordinimi për pagesën e taksave specifike. Dhe më e rëndësishmja ishte e katërta, që lidhej me asistencën në caktimin e taksave. Crown Agents në atë kohë do t’i propozonte Sudanit që të ndryshonte mënyrën e taksimit të mallrave duke i sugjeruar rritjen e tarifës doganore për mallrat e luksit dhe uljen për ato të përdorimit të përditshëm.
Berisha: “Crown Agents”, në listën e zezë të BB
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ditën e djeshme lidhur me vendimin e qeverisë shqiptare për të marrë asistencën e kompanisë “Crown Agents” pranë Doganave shqiptare. Në një reagim në Facebook, Berisha thekson se kjo kompani është në listën e zezë të Bankës Botërore. “Sot qeveria ‘Rama-Meta’ vendosi dorëzimin e Doganave të vendit Crown Agents, e cila është një agjenci private e futur në listë të zezë nga Banka Botërore dhe thuhet e përzënë nga Bullgaria”, shprehet Berisha. Sipas tij, ky vendim është i dyti në dëm të financave pas votimit të aktit normativ, që ul të ardhurat. “Me këtë dekret, qeveria, në vend që katër muajt e fundit të vitit të ruante më së paku nivelin mesatar mujor të mosrealizimit të të ardhurave në Tatime dhe Dogana, të njëjtë me nivelin e muajve të fushatës elektorale dhe atyre pas zgjedhjeve, rriti me katër herë mosrealizimin e tyre”, shprehet Berisha.
Panorama
Krijoni Kontakt