Braktis të shoqin natën e martesës, nuk kishte WC në shtëpi
Një nuse në Indi e ka braktisur të shoqin që natën e parë të martesës, kur vuri re se shtëpia e tij nuk kishte tualet.
Mund të duket si një ngjarje që nuk përbën lajm, por agjencia IANS ka gjetur rastin për të theksuar gjestin e nuses Anita Bai si një rebelim me domethënie të thellë sociale.
Arratisja e nuses indiane ka zgjuar një lëvizje të vërtetë popullore në zonën e shtetit jugor Madhya Pradesh, ku edhe sot praktikohet zakoni mesjetar i kryerjes së nevojave personale në natyrë, një praktikë e ndjekur nga 660 milionë indianë e që ka pasur pasoja në higjenën publike dhe dinjitetin femëror.
Duke refuzuar këtë praktikë mesjetare, Anita është kthyer në një heroinë kombëtare dhe personazh në mediat indiane.
Një organizatë joqeveritare, Sulabh International, i ka dhënë asaj një çmim prej 500 mijë rupi (7700 euro), një shifër e madhe për mjerimin në fshatrat indiane.
Asaj i është dorëzuar personalisht ky çmim në Nju Delhi nga Bindeshwar Pathak, një mjek që prej 40 vjetësh lufton për të instaluar kulturën e WC-së brenda në shtëpi, si një instrument efektiv për të parandaluar sëmundjet, por edhe për të mbrojtur dinjitetin e femrave.
Gjesti i Anitës duket se nuk ka shërbyer vetëm për të sensibilizuar opinionin publik, por ka detyruar edhe dhëndrin të kërkojë një kredi për të ndërtuar një WC brenda shtëpisë, një “modë” e re që është ndjekur edhe nga shumë familje të tjera. / Përgatiti: Gazmira Ndoja
shekulli
Krijoni Kontakt