Opozita përkrah protestën kundër Ligjit për Prizrenin
Parti të ndryshme politike që veprojnë në komunën e Prizrenit i kanë dhënë mbështetje nismës së koalicionit të shoqërisë civile për kundërshtimin e Ligjit për Qendrën Historike, duke paralajmëruar pjesëmarrjen e tyre në protestën që do të mbahet, të dielën, në qendër të qytetit.
Madje, ata i kanë bërë thirrje edhe anëtarëve dhe simpatizantëve të partive të tyre që të mbështesin protestën qytetare, në mënyrë që të shprehet zëri kundër miratimit dhe zbatimit të aktit ligjor, që sipas tyre i krijon favore shtesë Kishës Ortodokse Serbe.
Haziz Hodaj i LDK-së ka theksuar se ai personalisht do të jetë i pranishëm në protestën e OJQ-ve dhe se i bën ftesë të gjithë anëtarëve të kësaj partie por edhe qytetarëve që të vihen në kundërshtim të Ligjit për Zonën Historike të Prizrenit.
“Ne e mbështesim çdo nismë që do të pamundësoj zbatimin e këtij ligji diskriminues. Kësaj here do të jemi përkrah OJQ-ve, ndërkohë që do të komunikojmë edhe me udhëheqësit e bashkësive fetare islame e katolike që edhe ata ta bojkotojnë këtë ligj”, ka thënë Hodaj.
Ndërsa kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka pohuar se kjo lëvizje do të “mbështes çdo qasje pozitive për kundërshtimin e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, qoftë nga shoqëria civile, bashkësitë fetare apo edhe partitë politike”, meqë konsideron se “me këtë ligj krijohet një burokraci fetare, me favorizim të Kishës Ortodokse Serbe, e cila do të vështirësoj zhvillimin e aktivitetit ekonomik e kulturor në qendër të Prizrenit”.
Në përkrahje të protestës së paralajmëruar është renditur edhe Bashkimi Demokratik.
“Bashkimi Demokratik përshëndet iniciativën e OJQ-ve dhe fton të gjithë qytetarët simpatizantët dhe anëtarët e vet që ti bashkëngjiten protestës së paralajmëruar të OJQ-ve të dielën në ora 13:00, për të treguar shqetësimin e arsyeshëm qytetarë kundër këtij ligji diskriminues si dhe për të bërë trysni pozitive Kuvendit Kosovës që të mos miratoj ligje të pa pranueshëm për qytetarët e Prizrenit”, thuhet në komunikatën e BD-së.
Zyrtarët e këtij subjekti politik kanë shprehur qëndrimin se “ligji në fjalë bie në kundërshtim me Kushtetutën si dhe ligjet tjera sepse më këtë ligj favorizohet një komunitet fetarë dhe injorohen komunitetet tjera, ku njëkohësisht me këtë ligj e veçanërisht neni 18 i këtij ligji Kisha Ortodokse Serbe merr kompetenca ekzekutive”.
Koalicioni ad-hoc i OJQ-ve në Mbrojtje të Qendrës Historike të Prizrenit, të martën pat bërë të ditur vendimin që të dielën të protestohet për të kundërshtuar projekt-ligjin për Qendrën Historike të këtij qyteti. /koha/
Krijoni Kontakt