Jahjaga dhe Thaçi urojnë besimtarët ortodoksë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri i Kosoves u kane uruar festën e Krishtlindjeve të gjithë besimtarëve ortodoksë.
Postuar: 16:07; 06/01/12 • Share
Prishtinë - Në mesazhin e Jahjagës thuhet:
”Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Me rastin e festës së Krishtlindjes ortodokse, ju shpreh urimet më të mira.
Uroj që këtë ditë të dashurisë dhe të mirëkuptimit për njëri-tjetrin ta kaloni me gëzim në familjet e juaja, në paqe dhe në harmoni me të gjithë të dashurit tuaj.
Vendi ynë është shembull i mirë i bashkëjetesës, i mirëkuptimit dhe i tolerancës në mes njerëzve me etni dhe besim të ndryshëm. Le të shërbejë kjo ditë feste për të shtuar edhe më shumë dashurinë dhe respektin ndërmjet gjithë qytetarëve, me besimin e plotë për një të ardhme më të mirë dhe më të begatë për të gjithë”.
Ndërsa ka uruar dhe kryeministri Thaçi:
”I nderuari Peshkop Teodosije. Të nderuar qytetarë të besimit ortodoks.
Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’ua uroj Festën e Krishtlindjeve Ortodokse.
Kjo festë e rëndësishme për besimtarët ortodoksë bart mesazhin e kultivimit të vlerave më të mira të besimit, respektit, harmonisë dhe paqes në shoqërinë tonë të lirë, demokratike dhe multietnike.
Festa e Krishtlindjeve e gjen Republikën e Kosovës me institucione të konsoliduara dhe gjithëpërfshirëse, duke përmbushur agjendën institucionale të integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian.
Gjithë qytetarëve të besimit ortodoksë të Kosovës iu uroj që gjatë festës dhe tërë vitit të kenë më shumë shëndet, lumturi dhe besim në të ardhmen tonë”, thuhet në urimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.
Lajmonline
Krijoni Kontakt