Politikë, Shekulli Sot|05/01/2012 08:29
Kryeministri merr nën vartësi katër institucione të reja
Nga Denis Dedej
Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2012 për të zgjeruar kompetencat e tij. Si çdo të mërkurë, kreu i qeverisë është shfaqur në orën 11:00 duke drejtuar mbledhjen e Këshillit të Ministrave, nga ku komentoi situatën politike dhe sfidat që do të përballet vendi gjatë vitit që sapo ka nisur. Por, në përfundim të mbledhjes, në faqen zyrtare të kryeministrisë janë renditur disa vendime për ndryshimin e kompetencave të disa prej institucioneve që janë në varësi të Këshillit të Ministrave.
Nëse më parë këto institucione vareshin nga Këshilli i Ministrave dhe vendimet në lidhje me to duhet të merreshin në mënyrë kolegjiale nga të gjithë ministrat, tashmë do të jetë kryeministri ai që do të kontrollojë këto sektorë të administratës shtetërore. Shumë prej këtyre drejtorive që më parë krijoheshin pranë Këshillit të Ministrave do të jenë nën strukturën e Kryeministrisë.
Vendimi i parë i miratuar dje ka të bëjë Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar “sekret shtetëror”, e cila ishte në varësi të Këshillit të Ministrave. Përmes projektligjit që do t’i dërgohet Kuvendit për miratim, kjo drejtori do të në kalojë në varësi të kryeministrit Berisha. “Për të organizuar, drejtuar e kontrolluar masat për ruajtjen, klasifikimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar krijohet Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), institucion në varësi të kryeministrit. Drejtori i saj emërohet nga Kryeministri”,- do të jetë ndryshimi që do të miratohet.
Kjo drejtori është e rëndësishme në administratën publike pasi merret me mbikëqyrjen e rregullave të sigurimit fizik, ushtarak dhe elektronik të informacionit të klasifikuar, si dhe të anës teknike të marrjes, përpunimit, administrimit dhe arkivimit të tyre. Gjithashtu, DSIK harton procedura për parimet e klasifikimit dhe të shenjëzimit, trajnimit dhe edukimit profesional dhe harton udhëzime për klasifikimin e deklasifikimin.
Të njëjtën rrugë kreu i ekzekutivit ka zgjedhur dhe për të ndryshuar varësinë e Komisionit të Prokurimit Publik, që më parë ishte person juridik publik, në varësi të Këshillit të Ministrave dhe që financohej nga buxheti i shtetit. Tashmë ajo do të kalojë në vartësi të kryeministrit. Një prej institucioneve më të kritikuara nga opozita ai i Institutit të Statistikave do të kalojë nën administrimin e kryeministrit Berisha. INSTAT, i cili është institucioni kryesor për organizimin dhe shpërndarjen e statistikave zyrtare në vendin tonë do të kalojë në varësi të kryeministrit Berisha. Më parë, ky institucion administrohej nga Këshilli i Ministrave.
Listës së shtrimit të kompetencave të kryeministrit i shtohet edhe Agjencia e Kërkimit Teknologjisë dhe Inovacionit. AKTI ka për detyrë mbështetjen, monitorimin dhe vlerësimin e programeve dhe të projekteve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit në shkallë vendi. Ndryshe nga tre vendimet e tjera, ky i fundit do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Institucionet që kalojnë në varësi të kryeministrit
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar
Agjencia e Kërkimit Teknologjisë dhe Inovacionit
Komisioni i Prokurimit Publik
Instituti i Statistikave
Krijoni Kontakt