Për FIFA-n, Kosova e barabartë me Osetinë
Driton Latifi | 27-08-2011 09:28 CET
Për Federatën botërore të futbollit (FIFA), rasti i anëtarësimit të Kosovës në të është i barabartë me atë të Osetisë Veriore, Qipros turke etj. Kjo është goditja më e rëndë që e ka pësuar futbolli kosovar në rrugën drejt ndërkombëtarizimit.
FIFA kohë më parë ka krijuar një grup punues për të trajtuar rastet e Federatave kombëtare që kërkojnë pranim të koduar si “Anëtarët e rinj potencial të FIFA-së”.
Sipas këtij raporti, ky grup ka kategorizuar këto raste në tri nivele:
1. shtetet e pavarura që nuk janë në FIFA,
2. territoret që nuk janë të pavarura dhe
3. vendet të si rastet e ndjeshme politike.
Kosova është vlerësuar në kategorinë e fundit, që shënon një degradim të ri për vetë futbollin kosovar dhe qëllimet e anëtarësimit në FIFA. Në grupin e parë (“shtetet e pavarura që nuk janë në FIFA) bëjnë pjesë shtete të vogla dhe pak të njohura si Kiribati, Ishujt Marshall, Mikronezia, Palau, Tuvalu etj.
Në grupin e dytë (territoret që nuk janë të pavarura) janë Guadeloupe, Grenlanda, Jersey, Martinique, Mariana Veriore, Reunion, Sint Maarten, Zanzibar... Në grupin e tretë janë “rastet e ndjeshme politike” si Katalonia, Gjibraltari, Osetia Veriore, Kosova dhe Qipro Veriore.
Madje, Gjibraltari del vendi më fitimtar, pasi që sipas një vendimi i Gjyqit arbitrar të sportit (CAS), ka urdhëruar Federatën evropiane të futbollit, UEFA se duhet të bëjë çdo gjë që të lejojë pjesëmarrjen e ish-kolonisë britanike në kongresin e ardhshëm të UEFA-së, që mbahet në qershor të vitit 2012 në Turqi.
Vendimi i CAS-it mund të shkaktojë reperkusione të mëdha në botën e futbollit, pasi që Spanja kishte kërcënuar se do të tërhiqet nga të gjitha garat ndërkombëtare nëse Gjibraltarit i lejohet anëtarësimi në FIFA e UEFA.
Euforia e FFK-së me Blatterin
Në mars të këtij viti ka qenë vetë presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter, që kishte deklaruar se pranimi i Federatës së futbollit të Kosovës (FFK) në FIFA do të bëhet vetëm atëherë kur Kosova të pranohet në OKB.
FIFA disa javë më parë ka refuzuar kërkesën e Kosovës që t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve ndërkombëtare. Por, po ashtu ka qenë vetë Blatter dhe bordi ekzekutiv i FIFA-së, që kishte lejuar në saje të vullnetit të mirë që futbollistët kosovarë të mos largohen pa dokumentacion nga klubet e tyre kosovare, duke i futur ato të jenë pjesë e TMS (Transfer Matching System).
Madje, kanë qenë vetë zyrtarët e FFK-së që pas takimit në Zurich, të jenë aq euforikë sa që të shprehen se Blatter atyre iu ka premtuar se do të jetë “avokati i futbollit kosovar në FIFA”.
Ndryshimet e vitit 2001
Ka qenë viti 2001, kur UEFA ka bërë ndryshimin esencial të saj në nenin për anëtarët e rinj, kur Spanja (me problemin e Gjibraltarit), Rusia (me Çeçeninë) dhe Serbia (me rastin e Kosovës) kanë iniciuar ndryshimet në statutin e UEFA-së.
Kjo ishte ndikuar nga kërkesa e vitit 1999 e Gjibraltarit për anëtarësim në UEFA. Tani prerazi thuhet se çdo anëtar i ri i UEFA-së duhet të jetë anëtar i OKB-së (Organizatës së Kombeve të Bashkuara). Një kusht i tillë madje nuk ekziston as në FIFA (ku thuhet se anëtarët e rinj duhet të njihen nga komuniteti ndërkombëtar).
Komisioni i vendeve me probleme
Grupi i vendeve me probleme politike që kërkojnë anëtarësim në FIFA, më herët ka qenë i udhëhequr nga ish-presidenti i Federatës së futbollit të Anglisë, Geoff Thompson (kryetar i komisionit për Federatat kombëtare në FIFA, i cili kishte marrë në shqyrtim edhe rastin e Kosovës).
Tani ky komision udhëhiqet nga Urs Kluser. Ky komision është takuar tre herë dhe ka caktuar qëllimet e objektivat e komisionit. Kluser madje ka udhëtuar në tre vende të ndryshme për të kuptuar problemet e disa shteteve të vogla si Tuvalu (vend në oqeanin Pacifik), etj.
Në një raport të këtij komisioni, ndër të tjera thuhet: “Prioritet do të ketë kategoria e parë, derisa ndihma për kategorinë e dytë do të konsiderohet vetëm nëse kanalizohet nëpërmjet Federatave ose Konfederatave të tyre kontinentale.
Duhet theksuar se ndihma nga FIFA nuk nëkupton njohje politike dhe nuk duhet konsideruar si hap drejt anëtarësimit në FIFA. Ndihma nuk nënkupton përfshirjen në projektet FAP dhe Goal”.
Grupi për herë të fundit është dashur të takohet në mars të këtij viti, por takimi nuk është mbajtur për shkak të problemeve të korrupsionit që kishin filluar të vlojnë në këtë kohë në FIFA.
http://www.zeri.info/artikulli/5/15/...te-me-osetine/
Krijoni Kontakt