
Postuar më parë nga
L-7
Bllaca përballë Fahredin Gashit
25-05-2011
Fahredin Gashi është ndier në siklet të madh derisa e ka marrë në pyetje Nazim Bllacën. Gjatë pyetjeve nuk ka pritur shumë të marrë përgjigje dhe shpesh i ka thënë Bllacës “po rren”. Ai i ka bërë shumë pyetje atij për ta bindur trupin gjykues që Bllaca nuk e kishte pasur “shok intim” Farukun, ashtu siç pretendon.
Nazim Bllaca në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues të gjykatës ka vazhduar të martën të merret në pyetje në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nga i akuzuari Fahredin Gashi, i cili po gjykohet bashkë me Hysri Ramën lidhur me vrasjen e Salih Gashit natën e 15 qershorit 1999.
Dëshmitari është ballafaquar nga i akuzuari me deklaratën e 22 gushtit të vitit 2007, për të cilën deklaratë Bllaca tha se kur e kishte dhënë, e kishte dhënë në mënyrë të rezervuar.
“Atë deklaratë që e kam dhënë para hetuesisë së Kosovës është e rezervuar për arsye se kam qenë i interesuar që t’ia dorëzoj Blerim Dajakut skicën e vrasjes në Varigoc. Kështu që unë i kam iniciuar këto kah fundi i qershorit. Arsyeja ka qenë sepse kam ditur që nëse e përmendja vrasjen e Salih Gashit, e kuptoja se u takon krimeve të luftës dhe se nuk kam qenë i gatshëm t’u besoja punëtorëve të Osman Kryeziut sepse ai ka qenë kryeprokuror dhe ka udhëzuar hetuesit e famshëm dhe ai ka lidhje të ngushtë me Azem Sylën, Fatmir Limajn, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin”, u përgjigj Bllaca.
Në këtë moment, avokati Kolë Krasniqi e ka pyetur Bllacën nëse kishte shkuar vullnetarisht për ta dhënë këtë deklaratë te autoritetet zyrtare të Policisë së Kosovës dhe se a ia kishin bërë me dije se duhet të thuhet e vërteta. Bllaca tha se hetuesit e Policisë së Kosovës nuk ishin marrë shumë me të.
“Sa për t’ia përkujtuar të pandehurit, hetuesit e Policisë së Kosovës nuk janë marrë shumë me Bllacën, po hetuesit janë marrë me dëshmitarët vullnetarë, përkatësisht me dy dëshmitarë vullnetarë”, tha ai.
Dy dëshmitarët vullnetarë, sipas tij, në rastin e Kraishtës ishin marrë në pyetje nën mbikëqyrjen e Osman Kryeziut. Sipas tij, ata dy dëshmitarë ishin Shpresim Uka dhe Shaban Syla.
Gashi i ka drejtuar një seri pyetjesh prej kohës kur Bllaca kishte qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë luftës në vitin 1998, ku kishte qëndruar, çfarë pozite kishte pasur në batalionin e përmendur, kush kishin qenë komandantë, zëvendëskomandantë të këtij batalioni etj. Kur është pyetur për pozitën e tij në këtë batalion, Bllaca ka hezituar të përgjigjet, duke i thënë Gashit se në atë kohë kishte qenë i obliguar t’i kontrollonte pikat e ushtarëve.
Mirëpo Gashi ka insistuar përsëri me pyetjen e tij, se cila ishte pozita konkrete e Bllacës në këtë batalion. Bllaca përsëriti se në atë kohë kishte qenë i obliguar t’i kontrollonte pikat e ushtarëve.
“Ndoshta më kanë bërë gjeneralmajor, por unë ketë s’e di”, u shpreh ai. Gashi e ka pyetur Bllacën edhe se a kishte shtab lokal të UÇK-së në fshatin Varigovc. Bllaca ka thënë se aty kanë qenë disa ushtarë, nëse kjo mund të quhej shtab lokal.
Faruk Gashi i ka bërë disa pyetje Bllacës rreth disa datave që ai i ka konsideruar si shumë të rëndësishme për jetën e tij e të cilat Bllaca, sipas tij, do të duhej t’i dinte pasi po paraqitet që kanë qenë shokë intimë. Mirëpo, Bllaca nuk ishte në gjendje që t’i kujtojë këto data, duke shtuar se i kujtoheshin vetëm dy gjëra të rëndësishme për Fahredinin.
“Për shokun tim më kanë interesuar dy ngjarje shumë me rëndësi të madhe: për Tribunalin e Hagës dhe ka qenë si kolaboracionist në burgun e Llapushnikut. Këto dy ngjarje për 10 vjet më kanë interesuar dhe më interesojnë ende. Përveç këtyre dyjave, diçka tjetër me rëndësi nuk ka pasur”, u shpreh Bllaca.
I pyetur se a dinte ku kishte qenë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në periudhën prej 10 deri më 14 qershor të vitit 1999, Bllaca tha se ishte në Divjakë. I pyetur se pse në prokurori kishte thënë se ka qenë në Kleçkë, Bllaca tha se Shtabi i Përgjithshëm asnjëherë nuk ka qenë i vendosur me një vend pasi që kanë lëvizur nga një vend në tjetrin.
“Ka pasur lëvizje herë Divjakë herë Kleçkë, kështu ka funksionuar për shkak të bombardimeve. Duhet t’ju them edhe një gjë ku ka qenë Shtabi i Përgjithshëm, kanë qenë edhe ministrat e Qeverisë së Përkohshme. Disa kanë qëndruar në Divjakë e disa në Kleçkë”, u shpreh ai.
Ai u është përgjigjur pyetjeve edhe për kartelën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qeverinë e Përkohshme, pjesë e së cilës thotë të ketë qenë.
Krijoni Kontakt