Latinët kanë një shprehje të bukur që thotë :” Nëse ke vendosur të bëhesh prind i mirë nise edukimin e fëmijës tënd njëzet vjet para se ta sjellesh në jetë” . Morali kesaj fjale të urtë për një vesh që dëgjon rastësisht , jep reagimin e nje buzeqeshjeje të lehtë dhe një komenti sipërfaqësor . Ata që unë do t’i quaja ekspertë në fushën ku kjo shprehje ,jo vetëm dëgjohet me vëmëndje, por edhe ndjehet e analizohet në detaje është mësuesi i shkollës në të gjitha nivelet e saj dhe i psikologut të thjeshtë në çdo ditë të punës së tij. Një mësues i mirë e kupton nxënësin e tij nga mënyra e sjelljes që bën në shkollë. Një prind i mirë e kupton fëmijën e tij nga mënyra sesi ai komunikon në shtëpi, një psikolog i mirë e kupton pacientin e ti j nga besimi që i lexon në sy. Sot nuk është e lehtë të jeshë as psikolog, as prind dhe as mësues i mirë. Ndër tre misionet e cituara më lart i fundit ka qënë dhe vazhdon të mbetet më i vështiri, gjithmonë, nëse duam ta quajmë një mision të përmbushur, për vetë faktin se brënda rolit të mësuesit duhet të luhet dhe ai i prindit dhe ai i psikologut njekohësisht.
Por, sa i aftë është mësuesi i sotëm në përmbushje të këtij misioni?
Pa dashur t’i largohem realitetit të prekshëm dhe duke mos qënë e aftë të analizoj as me dhëmbshurinë e një prindi, as me pragmatizmin e një psikolugu, pasi janë dy profesione të panjohura praktikisht nga ana ime, mund të them se në rolin e një mësimdhënësje tashme jofillestare në profesion, përgjigja e pyetjes do të ishte shumë afër pragut të kalueshmërise .
Ky prag zhgënjyes, për shumicën ka arsyet e veta të qëndrueshme që mbështeten fort në realitetin e sotëm shqiptarë.
Argumenti im nuk do të vijë as me gërma, as me numra, por me emocione të jetuara nga leximi i disa fragmenteve të një eseje që këto kohët e fundit zhvillova në shkollë me vitet e katërta, në lëndën e Letërsisë, pikërisht pas analizës dhe komentit që bëmë bashkë me nxënësit tek “Leter Babait” . Ja se çfarë shkruante ndër të tjera një nxënës i im (A.S) i vitit të IV .
“ ….jam rritur në një familje të varfër, ku vetëm një murë më ndannte nga bagetitë që kishim. Shpesh më ndodhte që nga blegërima e tyre, sytë e mi hapeshin si feneret e nje makine para një aksidenti. Isha fëmijë atëherë dhe nuk e kuptoja se pse duhej që edhe ne, edhe bagëtia të jetonim nën të njëjtën çati ?
…jam rritur në një familje me shtatë fëmijë, prej të cilëve tash mund të numërosh vetëm dy, unë dhe motra ime më e vogël. Katër nga vëllezrit e mi si edhe nje motër vdiqën pothuajse nga e njëjta sëmundje. Dhimbja e vdekjes së tyre shoqëronte me ankth çdo çast të jetës sime, pasi po bëhesha i vetëdijshëm se radha ime ishte e pashmangshme …
…u rrita duke me quajtur “burri i shtëpise” . Babai u largua për shumë kohë në kurbet. Vitet pa babain ishin të vështira si për ne dhe për nënën që duhej të ishte një prind i dyfishtë.
Kur babai u kthye menduam se gjërat do të fillonin të ndryshonin edhe për ne. U larguam nga vëndlindja, ku na kishte munguar buka dhe buzëqeshja dhe u vendosëm në Tiranë. Kryeqyteti është i bukur, por jo për të gjithë. Siç thashë babai u kthye. Ne ndjeheshim më të mbrojtur derisa siguria jonë u shndërrua në frikë. Ai filloi të pinte çdo ditë. Ne e prisnim deri vonë të kthehej, por rrallë na gjente zgjuar, ndonjëherë vinte pasi agonte mëngjesi. Metamorfoza që pësoi babai u shoqërua me dhunë të tmerrshme ndaj nesh (dy fëmijëve të mbijetuar ) dhe nënës. Sot e kuptoj se kjo dhunë, kjo mënyrë edukimi që kamë marrë më kanë bërë të ndryshëm nga të tjerët. (të gjithë më njohin si tip i heshtur deri në skajshmëri të kësaj fjale).
…Mësuesit në shkollë shpesh na thonë me ironi “ ju jeni pasqyra e prindërve që ju kanë rritur “. Une nuk jam dakort me këtë shprehje, se po te ishte e vërtetë, sot do të isha një ndër nxënësit më problematike të shkollës. Në familje kam parë dhunë …, unë nuk jam i dhunshëm, biles shpesh jam bërë objekt qesharak për shokët e mi vetëm për shkak të urtësisë së tepruar. Nuk kam reaguar edhe pse e kam kuptuar talljen e tyre ...Ka ndodhur që edhe më kanë gjuajtur, por nuk u jam kthyer duke kujtuar shprehjen: “nëse dikush te gjuan në njerën faqe, ti ktheji tjetren”. Në familjen time babai na shan me fjalor rruge, une nuk e përdori ate. Nën zë me qindra herë të kam thënë baba: Pse sillesh me ne kështu? Pse kërkon nga unë gjëra që tek ti nuk janë? Pse nuk vjen njëherë në shkollë të shohësh se sa ndryshe më ke rritur mua nga shokët e mi? Pse na detyrove që edhe une edhe motra të rritemi pa fëmijeri….. Unë e di se thellë në shpirt ti je një prind i mirë … . e di se vdekja dhe varfëria të kanë gjunjëzuar, por ti duhet të kuptosh se nuk mjafton të jesh vetëm një prind i mirë, por edhe nje prind i fortë . Prind i fortë është ai që i siguron fëmijës së tijë siguri e mbështetje. Asnjërën prej tyre nuk e pata, për të mos thënë se ti m’i dhurove të kundërtat e tyre.
Në familjen time jam rritur mes dy burimeve: nga njëra anë dhuna e tmerrshme e babait ndaj nesh, e nga ana tjeter burimi i lotëve të pashterur të nënës sime nga vuajtjet e jetës së sajë të pafundme.
Unë sot nuk pi as alkol, as duhan, edhe pse shumica e shokëve të mi e kthejnë nga një gotë apo e ndezin ndonjë cigare, ndonëse vijnë nga familje normale. Unë sot e kam kuptuar se as duke pirë dhe as duke qarë mund të ndryshoj jetën time. Kam vite që jetoj në periferi të Tiranës dhe shumë rrallë dal në qytetin metropol, vetëm kur kam për të marrë ndonjë libër në bibliotekë, kurse shokët e mi dalin pothuajse çdo natë nëpër pub-e e karaoke. Unë nuk mund të dal dhe as nuk dua të dal sepse mundësite e mija janë të tilla. Megjitheatë mua më pëlqen që deri tani kam mundur të jem ky që jam pa mbështetjen e familjes që kurre nuk ia ndjeva ngrohtësinë. E di se fëmijeria ime më iku pa luajtur me lodra. E di se adeloshenca ime po me ikën pa i shijuar bukuritë e saj, ndoshta do më ikë edhe një pjesë e rinisë pa e gëzuar, por jam i bindur se nëse do kem mundësi të bëhem prind një ditë, do të jem krejt ndryshe nga modeli i prindërve të mijë. E them këtë sepse besoj vetëm tek vetja ime e tek askush tjeter.
….mësuesja na kërkoi të shkruajmë sesi ka ndikuar familja në formimin tonë. Unë po shkruaj kështu duke qënë i bindur se nuk jam i vetmi fëmijë i tillë, ashtu siç mendoj se po aq sa ka rënndësi familja në edukimin tonë, po aq rëndësi ka edhe roli i mësuesve në shkolla, të cilët në shumicën e rasteve nuk na kuptojnë. Mësuesit tanë lodhen shumë, jo vetëm duke shpjeguar, por edhe pse në shumë raste ata gjënden përballë situatave të tilla që kërkojnë zgjidhje shumë delikate. Dikur kam ëndërruar që kur të rritem do bëhesha patjetër mësues, sot, duke e parë me sy tjetër këtë profesion, them se do të ishte profesioni i fundit që do të zgjidhja… i fundit fare. Ne kemi kaq shumë problem, (në shumicën e rasteve nuk janë të së njëjtës natyrë) saqë një mësues i thjeshtë e ka pothuajse të pamundur t’i kuptojë botët që fshihen përtej vështrimeve tona ….Rrallë ndodh që një mësues të kuptojë sesa vuajtje fshihen brënda secilit prej nesh ….sikur ta kuptonin këtë , edhe ata do të lodheshin më pak, edhe ne do të ishim më të mirë …
Te dashur lexues! Vendosa ta publikoj kete shkrim për tre arsye të thjeshta në të kuptuar dhe shumë të vështira në të praktikuar.
Se pari: Të gjithe ata fëmijë që e shohin me sytë e ballit, cdo ditë , sakrificën e prindërve të tyre , të fillojnë të shohin me sytë e mëndjes, se jo të gjithë bashkëmoshatarët kanë të njëjtin përkujdes në rritje.
Se dyti: Te gjithë prindërve aktual dhe atyre që nesër do jenë të tillë të përpiqen të vënë në jetë urtësinë latine, sepse kur një fëmijë vjen në shkollë, edukimi i tijë është në fazën përfundimtare.
Së treti : Të gjithe mësuesve do t’iu thoja: profesioni që kemi zgjedhur është i pamundur të stimulohet në vlerë monetare edhe sikur të 100- fishohen rrogat, kështuqë s’na mbetet gjë tjetër veçse të përmbushim sa më mirë detyrën fisnike që shoqëria shqiptare na ka besuar si MISIONAR TE DIJES.
Autore Zamira Matoshi, mësuese Letërsie
Krijoni Kontakt