A KA KUVENDI I SHQIPËRISË TRE BURRA(NESHA) ?
Prishtinë, 30 janar 2011 (Kosovapress) Koha 03:54
Ali Mehmeti
Shqipëria është në krizë. Këtë askush nuk mund ta mohoj. Si çdo krizë edhe kjo kërkon një zgjidhje. Oferta e analizave pse ka ardhur deri këtu janë të shumta. Por oferta për zgjidhje gati që nuk ka. E vetmja ofertë erdhi e artikuluar nga ish Presidenti z. Alfred Mojsiu, i cili, për ata që nuk dinë është propozuar për president nga Partia Demokratike e Sali Berishës. Ai propozon zgjedhje të reja parlamentare. Por, si të arrihet aty, kur njëra palë është e gatshme të “vras tre, tridhjetë, treqind apo të gjithë puçistët “ (PD), kurse pala tjetër nuk heq dorë nga kjo kërkesë (PS) ?
Mundësia e vetme që kjo të bëhet në mënyrë të civilizuar dhe pa u prek sedra e askujt është që të bëjmë një apel tek deputetët e Partisë Demokratike dhe asaj të LSI-së që së paku tre veta ta shpallin pavarësimin e tyre nga partia duke ia refuzuar votat qeverisë aktuale. Kjo do t’i shpëtonte me faqe të bardhë të dy prijësit, Presidentit do t’iu hapte rruga për shpalljen e zgjedhjeve të reja, këta tre deputet/e do të hynin në histori, kurse Shqipëria do të kthehet në rrugë “të Zotit”.
Këtë e mendoj sikur një mundësi reale, pasi që nuk mund të besoj se në mesin e 73 burrave dhe grave nuk ka tre që janë të pashantazhueshëm, të guximshëm dhe që ia duan të mirën Shqipërisë, që nuk janë më të gatshëm t’i shërbejnë një Kryeministri që:
- nga fjalori i vet nuk heq fjalët banditë, legen, puçistë, mercenarë, të droguar, rrugaçë, gënjeshtar/e, lavire (madje të shqiptuar para fëmijëve),....., duke ia adresuar të gjithë këto atyre që ai mendon se ia kanë zënë rrugën;
- që të gjitha institucionet e drejtësisë do t’i reduktoj në komisionin parlamentar të përbërë nga pretorianët e tij,
- që edhe tre vjet pas Gërdecit nuk u gjykua askush për vrasje të afër 30 vetave në mesin e të cilëve edhe gra dhe fëmijë (mos të flasim për aspekte tjera kriminale të këtij rasti), kurse ministri i mbrojtjes i asaj kohe sot është ministër i mjedisit (Fatmir Mehdiu);
- që paturpësisht mbron zëvendësin e vet Ilir Metën edhe atëherë kur ky i fundit zihet me “presh në duar”, i xhiruar me kamerë të fshehur, duke thurur plane të palejuara dhe duke shkelur ligjet, të cilat do të duhej t’i zbatonte, madje edhe t’i detyronte të tjerët t’i zbatojnë;
- që ish zëvendëskryeministrin e vet dhe ish ministrinë e drejtësisë Ilir Rusmajli, i cili po ashtu u zu me “presh në duar” me bisedë të regjistruar ku vëllai i tij luante rolin e sekserit dhe bënte presion mbi ish drejtorin e burgjeve Sajmir Shehri duke kërkuar favore për një tender, e emëron Kryetar delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës në Strasburg.
- që pas vendimit se u shkel Kushtetuta nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me rastin e lidhjes së paktit detar me Greqinë, kur u falen rreth 400-500 km2 katror të detit, kryesuesin e grupit punues dhe njëkohësisht Zëvendësshefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kristaq Gerveni e gradoi (si shpërblim) me gradën Kundëradmiral dhe e emëroi përfaqësues i Shqipërisë në NATO;
Nëse mendoni se unë jam idealist dhe varianti i mësipërm nuk mund të ndodh, atëherë propozoj një alternativë tjetër, shumë më efikase. Të hapim një fond të posaçëm ku qytetarët do të derdhin një shumë të hollash që do të mjaftonte për blerjen e këtyre tre deputetëve. Sado që të jetë çmimi i tyre, ky shpenzim do të jetë i arsyeshëm, sepse do të jetë më i vogël se sa ai që e paguan çdo shqiptar, kudo që ndodhet. Paraprakisht, si e do shteti ligjor, do të hapim një tender që ta arrijmë ofertën më të lirë. Madje edhe do të korruptojmë dikë nëse ka nevojë.
Krijoni Kontakt