Close
Faqja 18 prej 29 FillimFillim ... 8161718192028 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 171 deri 180 prej 289
  1. #171
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,265
    Postimet në Bllog
    22
    Me granatë në dyert e kryeministrisë: Sa paqësorë ishin demonstruesit?

    Gjin Ndreu nuk ishte i vetmi protestues i armatosur në demostratën e 21 Janarit. Pamjet filmike të transmetuara në internet tregojnë një tjetër person që ka në dorë një granatë dore, por që ndalohet nga protestuesit e tjerë që ta përdorë atë në sulmin kundër forcave të gardës.
    Në momentin kur djaloshi i armatosur me granatë dhe e mban atë në dorë gati për ta hedhur drejt kryeministrisë, ai ndalohet nga një grua e cila arrin që t’ia rrëmbejë nga dora armën shpërthyese.

    TV Klan

    Video ne fjale eshte kjo me poshte:

    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 25-01-2011 më 15:54

  2. #172
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,265
    Postimet në Bllog
    22
    Socialistët europianë: Dhuna e çon Shqipërinë në vitet e errëta të së kaluarës

    Pas deklaratës së dhimbshme të Doris Pack, që shpreh revoltën për përdhosjen e imazhit të qytetarëve shqiptarë gjatë demonstratave të të premtes dhe humbjen e tre jetëve, dy grupet kryesore të Parlamentit Europian kanë reaguar ndaj dhunës, duke e konsideruar si të prapranueshme. Dhuna mund ta çojë Shqipërinë vetëm në vitet e errëta të të kaluarës, por kurrsesi përpara drejt integrimit europian. Për socialistët europianë, është momenti që Bashkimi Europian të tentojë për herë të dytë të ndihmojë Shqipërinë të dalë nga kjo situatë, duke i ulur të dy liderët kryesorë rreth tryezës.

    Hannes Swoboda: "Dhuna nuk është kurrë një opsion në vendet demokratike europiane për të marrë pushtetin apo për të ruajtur pushtetin. Dhuna nuk ka vend në territorin europian në vendet demokratike , kështu që është abolutisht e rëndësishme që të gjitha palët të tërhiqen nga dhuna. Pas ngjarjeve që ndodhën duke rezultuar me të vdekur në rrugë, Europa duhet patjetër te reagojë. Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të themi së ky është një problem shqiptar. Sigurisht që s'është problem shqiptar , por është gjithashtu një problem europian”


    Erisa Zykaj:” Për grupimin e partisë popullore në Parlamentin Europian, rendi publik duhet të ruajë institucionet demokratike dhe gjykatat ato që duhet të merren me hetimin e akteve të dhunës dhe akteve kriminale. Kryefjala e Bashkimi Europian mbetet se forcat politike duhet tw ulen rreth të njëjtës tryezë.Në këtë moment, Komisioni Europian, pêrfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme e BE-së, por edhe grupimet e Parlamentit Europian janë duke diskutuar, se si mund ta ndihmojnë Shqipërinë për tê kapërcyer situatën aktuale”

    Eduard Kukan: "Ne kemi parë skenaret e Tunizisë dhe Algjerisë, apo Jemen dhe ndoshta këto skenare po nxisin disa, por situata në çdo vend është e ndryshme.Në vendet demokratike në Bashkimin Europian, nëse ka probleme, ka institucione ku ato mund të zgjidhen. Kjo është mënyra për t’i zgjidhur problemet duke respektuar Kushtetutën dhe në mënyrë paqësore, jo duke qëlluar me armë, jo duke hedhur gurë, jo duke sulmuar institucionet dhe godinën e qeverisë. Kjo nuk është rruga e duhur. Akte dhune si qëllimi i institucioneve me gurë, djegja e makinave apo goditjet. Me aktet e dhunës kundër institucioneve demokratike dhe një zgjidhjeje politike mendoj, se roli i policisë është të mbrojë institucionet, por njëkohësisht duhet thënë se duhen përdorur mjetet e përshtatshme për këtë, gjë që disa herë është e vështirë”

    Hannes Swoboda:"Eshtë abolutisht e rëndësishme që të gjitha palët të tërhiqen nga dhuna dhe t’i paraqesin çështjet e dhunës përpara drejtësisë. Janë Gjykatat që duhet të trajtojnë çështjet e dhunës, duke qenë se ato janë të pavarura. Janë ato që duhet të vendosin se cili është fajtor për aktet e dhunës dhe vrasjet që u bënë dhe cili jo.

    Eduard Kukan: "Eshtë momenti për ne që tê dyfishojmë përpjekjet tona për tê ndihmuar politikën shqiptare, por zgjedhja duhet të jetë e tillë, që tê jetë vërtet funksionale dhe që të ketë impakt në qëndrimin dhe qasjen e liderëve politikë në Shqipëri".

    TV Klan

  3. #173
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,265
    Postimet në Bllog
    22
    Shqiptarët e Maqedonisë: Të anullohet protesta e PS

    Shqipërisë për momentin i nevojitet dialog mes partive politike, e jo protesta të reja. Kështu vlerësojnë politikanët shqiptarë në Maqedoni, duke apeluar që edhe nëse mbahen protesta të reja, organizatorët të angazhohen të mos përsërtitet dhuna e 21 janarit. Edhe opinionistët shqiptarë në Maqedoni vlerësojnë se Partia Socialiste duhet të pranojë sugjerimet e faktorit ndërkombëtarë për anulim të protestave. Ngjarjet e 21 janarit në Shqipëri kanë brengosur opinionin shqiptar në Maqedoni. Analistët shqiptarë në Shkup posaçërisht janë të shqetësuar nga fakti që protestat e dhunshme ndodhën në kohën kur mbarë opinioni shqiptar në Ballkan ishte i mobilizuar për të kundërshtuar raportin e Dik Martit në Këshillin e Evropës.

    TV Klan

  4. #174
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,265
    Postimet në Bllog
    22

    Tubimi, Berisha: Po shqyrtojmë mundësinë e anulimit


    TIRANË- Kryeministri Sali Berisha gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot rreth orës 19:30 përpara mediave deklaroi se po shqyrton mundësinë e anulimit të tubimit “kundër dhunës” të parashikuar për ditën e shtunë. Reagimi i tij vjen vetëm pak orë pas apelit të fundit të ambasadorit të SHBA-ve Aleksandër Arvizu i cili i bëri thirrje forcave politike të shtyjnë tubimet përkatëse.
    Edhe sipas Berishës, kanë qënë rekomandimet e ambasadorëve të huaj, që e kanë shtyrë të shqyrtojë këtë mundësi. “Duhet të shqyrtojmë mundësinë e anullimit të atij takimi. Ka një mënyrë tjetër për ta dënuar dhunën. Plotësojmë kërkesën e ambasadorëve”,- u shpreh kryeministri.

    Duke deklaruar se ka qënë ndër të parët që ka këruar hetimin e 3 vrasjeve përpara kryeminstisë Berisha tha se mbështet ndihmën e ekspertëve amerikanë për të hetuar ngjarjet e 21 Janarit. "Hetim profesional të ngjarjes më të rëndë. Publikisht paraqita një kërkesë që ekspertë të huaj të kësaj fushe të kontribuojnë në zbardhjen e të vërtetës të këtyre ngjarjeve dramatike. Kjo përbën një detyrim të shtetit ligjor. Bashkim të plotë të të gjitha agjencieve të huaja në procesin e këtij hetimi”,- tha më tej kryeministri.

    I pyetur nëse do të ulet në një tryezë të përbashkët me kryesocialistin Rama, Berisha u përgjigj “Zoti Rama organizoi një puc, me njerëz të hurit dhe të litarit u vërsul dhe rrethoi kryeministrin, Rama do përballet me pasojat e aktit të tij. E garantoj, i kam dhënë ultimatum të prerë”,- tha Berisha.

    (m.a/BalkanWeb)

  5. #175
    Perjashtuar Maska e Fiesta
    Anëtarësuar
    23-01-2011
    Postime
    157
    Shikoni nga minuta 2:05 dy tri her e kontrollon pallton nga mbrenda.



  6. #176
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,265
    Postimet në Bllog
    22
    Konferencë për shtyp e kryeministrit Berisha

    Kryeministri Berisha dha sot pasdite, një konferencë për shtyp, në të cilën u shpreh:

    Jam këtu, për të falënderuar përzemërsisht ambasadën e SHBA-ve , për angazhimin e saj, për të kontribuar në një hetim të plotë, të gjithanshëm, profesional, të rrethimit të dhunshëm të kryeministrisë, të ngjarjeve, kontekstit, background-it, rrethanave, të zhvillimit të kësaj ngjarje, e cila në dijeninë time është më e rënda që nga 1924-a deri në ditët e sotme.

    Dy ditë më parë, unë paraqita një kërkesë të tillë dhe e vlerësoj shumë mundësinë që ekspertë të shquar të kësaj fushë të kontribuojnë në zbardhjen e të gjithë të vërtetës në këto zhvillime dramatike. Gjithashtu e vlerësoj shumë këtë akt sepse në mënyrën më precize, jam i bindur se do të mund të saktësohet gjithçka lidhet me humbjen e tre jetëve, shkaqet, rrethanat, në të cilat këta protestues humbën jetën. Kjo përbën një detyrim të shtetit ligjor. E kam theksuar dhe theksoj se në përpjekjet për të përmbysur një qeveri, në përpjekjet për grusht shteti, mund të humbasë jetën askush, por mund të humbasin jetën 3, 13, 30 dhe më shumë. Një gjë është e sigurtë që kurrë një institucion i lirë nuk lëshohet, nuk jepet, nuk dorëzohet. Ky është themeli i qëndrimit.

    Pra, qëllimi është për një ekip të besueshëm. Përpara jush, në datën 21 janar, në darkë, unë apelin e parë ia drejtova Prokurorisë së shtetit. Zhvillimet e revoltës faktuan shumë gjëra të tjera, rrethana të cilat në fakt kërkonin një hetim kredibël. Garantojmë se do të ketë bashkëpunim të plotë të të gjitha agjencive në procesin e këtij hetimi, pa asnjë lloj mëdyshje.

    Tani ka dhe një kërkesë të dytë, e cila ka të bëjë me mitingun e ditës së shtunë, sepse në mënyrë të vetvetishme pasi e shtyva nga e mërkura përzgjodha të shtunën, por përzgjedhja e kësaj dite nuk kishte lidhje me asgjë tjetër, përveçse me dy rrethana. E para që nuk ishte ditë pune dhe e dyta sinoptika se dhe ky ishte një faktor. Meqenëse po krijon përshtypjen e një “show up”, nuk është ky qëllimi. Në këtë kontekst, përveç kërkesës, sepse mendoj se u plotësua një kërkesë shumë e rëndësishme, për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, mendoj se edhe ne duhet të shqyrtojmë mundësinë e anulimit për të shtunën, të atij mitingu që të mos kuptohet kjo si një lëvizje populiste, që është gjëja e fundit që më shkon ndër mend, ndërkohë që ajo kishte thjesht synimin për të dënuar dhunën, se ka një mënyrë tjetër për ta dënuar dhunën në një kohë kur del jashtë kontekstit dhe nuancave që mund të jepen.

    Ndaj dhe jemi duke e konsideruar këtë kërkesë, të cilën ma ka bërë ambasadori Arvizu, ambasadorë të tjerë, por ma kanë bërë dhe shumë shqiptarë, cështe e vërteta, më të shumtë nga diaspora, por dhe shumë nga Shqipëria, që të mund të shihet, ne mënyrë që të mos ketë një koncept ku të përzihet edhe show up, për forcë edhe antidhunë. Por, unë në filozofinë, për të cilën ishte konceptuar, besoj se isha i qartë.

    Pyetje: Pak orë më parë, në një konferencë për shtyp Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama e cilësoi demonstratën e dhunshme të 21 janarit dhe sulmin ndaj kryeministrisë si një ngjarje në bulevard. Cili është komenti juaj për këtë?

    Kryeministri Berisha: Kjo tingëllon si emër-kod i puçit të dështuar.

    Pyetje: Gjithashtu, në këtë konferencë për shtyp, zonja Rama deklaroi se policia nuk i kishte kërkuar të hetonte për organizatorët e sulmit ndaj kryeministrisë. Cili është komenti juaj?

    Kryeministri Berisha: Përgjigjen për këtë e ka dhënë zëdhënësi i policisë së shtetit, ku ka informuar se policia ka depozituar në prokurori, ditë më parë, padinë për dhunimin e rendit kushtetues.

    Pyetje: Sot vura re se jeni tërhequr nga fjalët puç dhe grusht shteti. A keni tani besim se Prokuroja e Përgjithshme, të cilën ju e quajtët pjesë të skenarit të puçit të shtetit, do të bëjë një hetim të besueshëm me përfshirjen e ekspertëve amerikanë?

    Kryeministri Berisha: Së pari, nuk ka asnjë tërheqje se nuk ka njeri në botë që mund të tërhiqet, në qoftë se një Këshill ministrash rrethohet nga barbarët për 5 orë. A e patë ju se kush do të udhëhiqte Shqipërinë? I patë me çfarë njerëzish Edi Rama donte të vinte në pushtet. Me njerëz të hurit, të gurit , të drurit. Pra nuk mund të ketë asnjë lëkundje nga kjo. Kryeministri i vendit, para të gjithë shqiptarëve u rrethua nga skuadrone dhe falanga banditësh, kriminelësh, të droguarish, të paguar, që drejtoheshin direkt nga lokalet dhe zyrat e Fidel Yllit, nga kryetari i opozitës që priti 5 orë për të ardhur me dhunë, në zyrën e Kryeministrit dhe së dyti nga ata, të cilët jepnin ato urdhra, pjesë të së cilave, unë lexova sot para mediave. Këtu nuk mund të ketë asnjë lloj ekuivoku. Fillimisht unë kam ftuar prokurorinë për hetim , por çdo qytetar që lexon Kodin Penal gjen te shkruar e zezë mbi të bardhë se çdo tentativë për të pushtuar ndërtesa qeveritare është kryengritje e dhunshme. Çdo qytetar që lexon dhe ligjet më elementare gjen të shkruar se çdo përpjekje për të përmbysur me dhunë qeverinë është grusht shteti. Kjo është e qartë si kristali. Ka një komision hetimor parlamentar, i cili do të faktojë në rrafshin ligjor për këtë akt të shëmtuar, më të shëmtuarin pas 1924, në historinë e këtij vendi. Si akt, se diktatura ishte gjëja më e rëndë që pësuam ne, ndërsa si akt, ky ishte më i shëmtuari nga 1924

    Pyetje: Zoti kryeministër a jeni ju të gatshëm të uleni në një tryezë me zotin Rama tani dhe a ju a kanë kërkuar këtë ambasadorët?

    Kryeministri Berisha: Zoti Rama organizoi një puç, zoti Rama me njerëz të hurit dhe të litarit, të gurit dhe të drurit, të eksplozivave, u vërsul dhe rrethoi Kryeministrin. Zoti Rama do të përballet me pasojat e aktit të tij. Natyrisht kur e them këtë e theksoj se kam qene dhe mbetem i vendosur për rrugën ligjore. Në rast se tenton edhe një herë i kam dhënë ultimatum të prerë se do të amnistohet çdokush tjetër përveç atij. Kjo nuk lëviz. Dua të jem i hapur me shqiptarët. Në një vend të lirë, një prokurori e pavarur vepron dhe jep zgjidhjen, po kur kjo nuk ndodh, për arsye të implikimeve direkte, atëherë ka gjithnjë rrugë të tjera për tu zgjidhur dhe rruga do të jetë kjo që kam paralajmëruar. Unë jam shumë serioz sepse është alternative e vetme. Askush nuk e ka rrethuar Zotin Rama. Kjo qeveri e mbron zoti Rama, shpenzon për mbrojtjen e zotit Rama. Është ky kryeministër që ka vendosur liderin e opozitës nën mbrojtje, me ligj. Dhe kam bërë mirë. Nuk jam i penduar. Në qoftë se ky mendon se do mund ta rrëzojë këtë qeveri, kjo është tjetër gjë. E bëri njëherë dhe unë uroj të mendoj thellë, thellë për atë që ka bërë. Nga pozita të tilla kjo është gjëja më e rëndë që mund të bënte. Imagjinoni se atë që nuk duhet ta bënte kurrë, ai e bëri para të gjithë shqiptarëve. Rrethoi për pesë orë kryeministrin e vendit, duke fërkuar duart, duke iu dhënë urdhra bandave, kriminelëve, për sulme. Ju njoftova, ishin të gatshëm kallashnikov dhe armë të tjera. Me asnjë lloj arme nuk mund të futesh në këtë ndërtesë. Kjo ka një mbrojtje totale dhe absolute. Kjo është e vërteta.

    Pyetje: Keni deklaruar se në rast se opozita do të ripërsërisë këto akte dhune, do të arrini deri në përdorimin e ushtrisë.

    Kryeministri Berisha: Nuk e kam deklaruar kurrë këtë. Dhe po të garantoj se as edhe një ushtar i vetëm nuk do të lëvizë nga kazerma. Çfarëdo që të ndërmarrë, ushtria do të jetë në kazermë. Nuk ekziston as edhe një lloj nevoje dhe variant në asnjë rrethanë që ushtria të dalë nga kazerma. Përkundrazi kam deklaruar se ushtria nuk do të dalë nga kazermat, por kam deklaruar se, në se do të ndërmerret më, ndonjë rrethim i institucioneve kushtetuese, ose sulm për ti marrë ato, ai që e ndërmerr nuk do të mund ta ndërmarrë kurrë më, një herë tjetër. Kaq kam deklaruar dhe e kam bërë këtë në rrethanat kur kam konstatuar se kishte një fazë (b) dhe një fazë (c), të këtij procesi.


    Kryeministria
    25/01/2011

  7. #177

    Kantrimen : Vendimi për protestë të premten ne 28 janar, i gabuar

    Kantrimen: Palët të rivlerësojnë dhe qetësojnë situatën. Vendimi për protestë të premten i gabuar

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Tom Kantrimen u bën thirrje dy palëve në Shqipëri të qetësojnë situatën, nga e cila ka vetëm të humbur dhe nuk mund të ketë fitues. Shtetet e Bashkuara, thotë zyrtari i lartë amerikan, janë të shqetësuara nga mundësia e përsëritjes së dhunës.
    Zoti Kantrimen e quan të gabuar vendimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për të vazhduar me planet për organizimin e një proteste tjetër të premten.
    Shtetet e Bashkuara, thotë ai, do ta ndihmojnë Shqipërinë me hetimet e ngjarjeve të 21 janarit. Institucionet e pavarura në Shqipëri, thotë ai, janë të afta të bëjnë hetime të besueshme. Por udhëheqësit politikë, duhet të heqin dorë dhe të mos t’i përdorin përpjekjet e prokurorëve si një mjet politik.
    Ky nuk është një mjet për një palë të godasë tjetrën. Partitë duhet të mos përzihen, por të bashkëpunojnë me prokurorinë dhe të lejojnë që hetimet të vazhdojnë, thotë zyrtari i lartë amerikan.
    Intervistën e plotë me Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Tom Kantrimen ju ftojmë ta ndiqni të mërkurën në programin Ditari në orën 18.

    VOA
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  8. #178
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,592
    Postimet në Bllog
    1

    Deklarate e KOASH-it

    KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

    DEKLARATË

    Tiranë më, 23 janar 2011


    Me hidhërim dhe dhimbje në shpirt, ndoqëm ngjarjet dramatike të ndodhura gjatë ditëve të fundit në qendër të Tiranës. Shprehim ngushëllimet nga zemra për familjet e atyre personave që humbën jetët e tyre ose u plagosën rëndë. Në këto ditë kritike, jemi të detyruar të ritheksojmë në të gjitha drejtimet se dhuna pjell urrejtjen dhe urrejtja e errëson zemrën duke na çuar drejt një qarku të mbyllur trazirash dhe rrugësh pa krye. Që të mbizotërojë paqja dhe progresi konstant, duhet të braktiset çdo metodë keqinformimi dhe çdo formë dhune.
    Lutemi me tërë shpirtin, që të ekzistojë, nga të gjitha palët, më tepër vetëpërmbajtje, më tepër predispozitë dialogu dhe pajtimi. Jo më gjak! Jo më konflikt! Perëndia i dashurisë, i drejtësisë dhe i faljes le të ndriçojë të gjithë personat me përgjegjësi për të kërkuar paqen dhe bashkëpunimin. Vetëm me vetëpërmbajtje, me të vërtetën dhe frymë mirëkuptimi mund të sigurohet pajtimi esencial dhe të udhëhiqet vendi drejt një të ardhmeje që mbart shpresë.
    Duaje te afermin tend si veten

  9. #179
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,265
    Postimet në Bllog
    22
    Kryeministri Berisha takohet me Drejtorin Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së zotin Miroslav Lajcák

    Kryeministri Berisha priti sot Drejtorin Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së zotin Miroslav Lajcák, i cili është i dërguari i Bashkimit Evropian për të diskutuar me faktorët politikë shqiptarë mbi situatën e krijuar si pasojë e protestave të dhunshme dhe përpjekjeve për përmbysjen e rendit kushtetues dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike.

    Kryeministri Berisha i paraqiti zotit Lajcák një ekspoze të ngjarjeve që çuan në përpjekjen e dhunshme të 21 janarit dhe mbi pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me situatën. Duke shprehur falënderimin për mbështetjen dhe interesin për hetimin, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Lajcák se qeveria shqiptare mbështet një hetim të plotë, objektiv, profesional, e mbi të gjitha të paanshëm të ngjarjeve. Kryeministri siguroi gjithashtu për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend, përkarshi çdo tentative për shkeljen e tyre.

    Zoti Lajcák i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian duke theksuar së ajo e konsideron qeverinë Berisha si partner dhe qeveri legjitime të Shqipërisë si dhe vlerësoi si një akt përgjegjësie të lartë nga ana e kryeministrit vendimin për mos mbajtjen e manifestimit të ditës së shtunë duke theksuar se ky qëndrim duhet të ndiqet edhe nga opozita.

    Zoti Lajcák u shpreh se BE kërkon nga palët, shmangien e organizimit të protestave për të evituar përshkallëzimin e akteve të dhunshme kundër institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor. BE kërkon nga të gjitha palët rivendosjen e dialogut politik në Parlament për të vijuar ecjen përpara me axhendën e integrimit evropian veçanërisht atë të statusit të vendit kandidat dhe përqendrimin të gjitha energjive në përgatitjen për zgjedhjeve lokale të 8 Majit.


    Kryeministria
    26/01/2011

  10. #180
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,265
    Postimet në Bllog
    22
    DEKLARATË E PRESIDENTIT TOPI MBI SITUATËN POLITIKE NË VEND

    Përshëndetje!

    Sot zhvillova dy takime me delegacionin e posaçëm të Bashkimit Evropian në vendin tonë, të kryesuar nga zoti Miroslav Lajçak, me të cilin bisedova rreth situatës dhe klimës së rënduar politike të krijuar në vendin tonë sidomos pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit, duke ndarë shqetësimin e jashtëzakonshëm për këtë gjendje. Së bashku diskutuam rreth mundësive për të gjetur një rrugëzgjidhje të menjëhershme nga kjo situatë, që përveç të tjerash dëmton rëndë edhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

    Që në fillim, me cilësinë e Presidentit të Republikës shpreha mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian përmes përpjekjeve, apeleve dhe deklaratave të njëpasnjëshme lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes politike në Shqipëri.

    Gjithashtu, në përputhje të plotë edhe me qëndrimet dhe me mesazhet e vazhdueshme të partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, ritheksova qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta e të civilizuara mes palëve është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes politike dhe garanti i stabilitetit, i funksionimit normal të shtetit ligjor si dhe respekti i plotë për institucionet në vend.

    Nën frymën e konsensusit si dhe sipas standardeve demokratike, si Kryetar i Shtetit shqiptar, në këto momente të rënda e delikate theksoj me forcë nevojën se klasa politike shqiptare duhet të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane. Në këtë drejtim sugjeroj se pezullimi i përkohshëm i çfarëdolloj demonstrate apo tubimi publik do të kontribuonte ndjeshëm në uljen e tensionit si dhe mundësimit të hapësirave të duhura për institucionet e pavarura të drejtësisë që të zhvillojnë një hetim tërësor, transparent, të paanshëm dhe profesional. Nga ana tjetër, duhet që për stabilizimin e menjëhershëm të situatës, si mazhoranca ashtu edhe opozita të gjejnë vullnetin e duhur politik dhe individual e të rivendosin menjëherë dialogun politik institucional!

    Qytetarët shqiptarë, në përpjekje për të përmbushur aspiratën e tyre integruese, nuk mund të qëndrojnë peng pafundësisht i retorikës gjithnjë e më të ashpër në publik të aktorëve dhe faktorëve politikë. Duke mos vënë në pikëpyetje për asnjë çast të drejtën legjitime të çdo subjekti politik dhe individi për të demonstruar paqësisht, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian dhe në unison me organizmat e tjera ndërkombëtare, dënojmë dhunën e ushtruar dhe të pajustifikuar gjatë ngjarjeve të 21 janarit duke theksuar edhe njëherë së rendi kushtetues e publik, jeta e qytetarëve dhe e punonjësve në detyrë si dhe institucionet e shtetit janë të shenjta e të paprekshme.

    Është nevojë imediate dhe jetike që të rifitohet qetësia, të rigjehet maturia, vullneti i mirë si dhe gjuha e dialogut institucional nga të gjitha palët e politikës, sepse vetëm funksionimi normal i hapësirave dhe mjeteve demokratike nga ana e institucioneve kushtetuese e të pavarura do të na sillte sërish në normalizimin e jetës së qytetarëve dhe funksionimit normal të një shteti ligjor, modern e demokratik, siç i ka hije vendit dhe popullit tonë.

    Në këtë prizëm nuk duhet harruar se zgjedhjet vendore po afrohen gjithnjë e më shumë, dhe në prag të tyre është detyrim ligjor dhe moral i mbarë klasës dhe aktorëve politikë shqiptarë që të garantojnë me përgjegjësinë më të madhe një klimë të qetë, një zhvillim normal dhe administrim korrekt të zgjedhjeve dhe rezultateve që do të dalin prej tyre. Qytetarët shqiptarë duhen lejuar dhe mundësuar që të shprehin vullnetin e tyre të lirë vetëm nëpërmjet votës, së pacënuar e të pa manipuluar nga askush, në mënyrë që Shqipëria të ketë shansin për t’u bërë pjesë realisht edhe zyrtarisht një anëtare e denjë dhe e barabartë e familjes së madhe evropiane. E ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nga sjellja e përgjegjshme, atdhetare dhe vizionare e drejtuesve politikë të mbarë spektrit politik! Ajo që duhet bërë, duhet bërë sa më shpejt dhe sa më drejtë në mënyrë që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë e garantuar dhe e lumtur!


    Ju falemnderit!


    Presidenca

Faqja 18 prej 29 FillimFillim ... 8161718192028 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •