Close
Faqja 15 prej 29 FillimFillim ... 5131415161725 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 141 deri 150 prej 289
  1. #141
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,421
    Postimet në Bllog
    22

    Urdhër-arrestet nuk zbatohen, Prokuroria: Të tria vrasjet nga armët e Gardës



    TIRANË- Ekspertët e Mjekësisë Ligjore, në përfundim të akt-ekspertimeve të tre të vrarëve, kanë arritur në konkluzionin se të tre janë qëlluar me armë zjarri të kalibrit 9 mm. Sipas këtyre të dhënave të siguruara nga burimet pranë Mjekësisë Ligjore dhe raporteve që tashmë janë administruar në dosjen hetimore, mësohet se të tre viktimat janë vrarë nga armë zjarri në vende të ndryshme në një afat të ngushtë kohorë mes tyre. I pari që është qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Hekuran Deda nga Dibra, i cili ndodhej rreth 10 metra nga porta hyrëse e kryeministrisë, hipur në dy tavolina të vendosura nga televizionet private për të pasqyruar demonstratën. Viktima Deda ka qenë duke zbritur nga tavolinat, ku plumbi e ka qëlluar në anën e majtë të kokës, mes veshit dhe ballit, duke i shkaktuar një plagë tejshpuese dhe vdekjeprurëse.

    Plumbi që ka qëlluar Dedën, ka goditur edhe një gazetar të televizionit ABC duke i shkaktuar plagosjen në dorë. Viktima Deda, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore ka gjetur vdekjen nga një plumb i kalibrit 9 mm.

    Më pas, vetëm pak sekonda nga vrasja e Dedës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Ziver Veizi nga Gjirokastra, i cili ndodhej rreth tre metra nga porta hyrëse e kryeministrisë në bulevard. Sipas raportit të mjeko-ligjorëve, viktima Veizi ka marrë një plumb në kraharor, në anën e djathtë ballore. "Plumbi që ka sjell vdekjen e tij, është i kalibrit 9 mm", - thuhet në raportin e prokurorisë.

    Vetëm pak minuta nga këto dy vrasje, është qëlluar shtetasi Faik Myrtaj. "Vrasja e Myrtajt, është bërë nga një plumb i vetëm, i cili e ka goditur në shpatullën e djathtë duke përshkruar hyrjen me një pjerrtësi të vogël. Edhe plumbi që ka qëlluar Myrtajn është i kalibri 9 mm",- thuhet nga ekspertët.
    Sipas prokurorisë, në vendin e ngjarjes, dhe në oborrin e kryeministrisë janë gjetur një sasi e madhe gëzhojash të të njëjtit kalibër 9 mm, të cilat janë shkrehur nga armët e efektivëve të Gardës së Republikës të tipit MP5 të prodhimit turk. Sipas prokurorisë, predhat e gjetura në trupin e të vrarëve, janë të armëve të kalibrit të njëjtë që efektivët e Gardës kanë në përdorim.

    Që në orën 12:00 të mesditës së djeshme, prokuroria e kryeqytetit ka lëshuar gjashtë urdhër-arrestet për drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, mes tyre komandantin e këtij institucioni gjeneral Ndrea Prendi dhe pesë vartësit e tij, por, policia e shtetit nuk i zbaton këto urdhra.

    Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës, ku grupi hetimor nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës prokurorit Sokol Malaj, ka konstatuar nga hetimet paraprake të ngjarjes, elementë të veprës penale të kryer nga drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, vartësit e të cilëve dyshohet se kanë vrarë tre demonstruesit dhe kanë plagosur me armë zjarri së paku 10 persona të tjerë.
    Sipas këtyre burimeve, mësohet se prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi për Komandantin e Gardës gjeneral Ndrea Prendin i njohur si ish-shoqëruesi personal i kryeministrit Sali Berisha dhe pesë komandantët të njësive të Gardës, por ende nuk janë zbatuar nga Policia e Shtetit.

    "Është lëshuar urdhër-arresti për Komandantin e Gardës gjeneral Ndrea Prendi, komandantin e njësisë numër dy të Gardës kolonel Dashamir Shehi, efektivët e të cilit sipas rregullores kishin për detyrë ruajtjen e ambienteve të kryeministrisë. Për komandantin e njësisë speciale të Gardës major Alfred Ahmetcenaj, komandantin Fran Prenga, komandat i njësisë Vladimir Ndreaj dhe një komandant tjetër i njësive që ishin organizatorët e planit të masave ndaj demonstratës",- thuhet nga prokuroria, të cilët nuk japin detaje për dy emrat e tjerë të gardistëve. "Shekulli" deri në orët e vona të mbrëmjes, nuk ka mundur të sigurojë këto dy emra, por ka konfirmuar 4 prej tyre të cilët janë personat e sipërpërmendur.

    Gjashtë drejtuesit e gardës akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprave penale të "shpërdorimit të detyrës" sipas Kodit Penal Ushtarak dhe akuzën e "vrasjes në rrethane cilësuese" kundër dy apo më shumë personave (pasi është qëlluar në drejtim të turmës) sipas Kodit Penal civil. Mësohet se urdhrat për arrestimin e gardistëve janë dërguar në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por, në mënyrë skandaloze, deri në mesnatën e djeshme, urdhrat nuk janë ekzekutuar nga policia në kundërshtim flagrant me ligjet e shtetit.

    Prokuroria: Asnjë ligj nuk lejon që të qëllohen protestuesit jashtë rrethimit të kryeministrisë

    Gjatë paradites së djeshme, hetuesit e çështjes kanë sekuestruar në ambientet e Gardës së Republikës rregulloren e këtij institucioni, ku tregon ndarjen e secilës njësi. Sipas këtyre dokumentacioneve të sekuestruar, rezulton se Garda është e ndarë në pesë njësi, atë speciale, numër një, numër dy, tre dhe katër, ku secila prej tyre i ka detyrat e ndara.
    Ditën e demonstratës, mësohet se njësitë e Gardës ishin ndarë në pozicione të ndryshme, por të gjitha nën komandoni e njësisë numër dy të drejtuar nga kolonel Dashamir Shehi, që kishte për detyrë ruajtjen dhe sigurinë e ambienteve të kryeministrisë.
    Në hapësirën mes kryeministrisë dhe piramidës, sipas hetuesve, ka qenë njësia nr. 2 e gardës, ndërsa para kryeministrisë ka vepruar njësia e forcave speciale të gardës nën komandën e major Alfred Ahmetcenaj, në krahun mes hotelit të njohur dhe kryeministrisë ka qenë e vendosur në pozicion njësia nr. 1 nën drejtimin e kolonel Vladimir Ndreaj.
    Ndërsa dy njësitë e tjera të drejtuar nga komandantët e tyre, kanë shërbyer si forcë mbështetëse për tri njësit e shpërndara për rreth kryeministrisë. Sipas planit të masave që tashmë është sekuestruar nga prokuroria, mësohet se Garda e Republikës kishte planifikuar disa masa për menaxhimin e situatës që pritej të demonstronin para kryeministrisë. Sipas këtyre të dhënave, në asnjë rast nuk ishte parashikuar specifikisht përdorimi i armëve.
    "Në planin e masave, thuhej që në rastet kur situata del jashtë kontrollit të policisë dhe protestuesit hynë në ambientet e brendshme të rrethimit të kryeministrisë, efektivët e gardës duhet të zbatojnë ligjin për ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë. Sipas ligjit për ruajtjen e këtyre institucioneve, parashikohet se në rast tejkalimi të situatës dhe personat që hyjnë me forcë brenda rrethimit të parashikuar, efektivët e gardës duhet të qëllojnë në ajër për të paralajmëruar gjithmonë nëse situata është përshkallëzuar. Në momentin që qëllohet në ajër dhe protestuesit nuk janë ndalur, efektivët e gardës kanë të drejtë të qëllojnë në drejtim të agresorëve gjithmonë, nëse kanë hyrë brenda rrethimit të institucionit", - thanë burimet e prokurorisë.
    Por, në rastet e vrasjes së tre protestuesve, duket qartë që asnjëri prej tyre nuk është qëlluar brenda rrethimit të kryeministrisë por jashtë saj. Çka do të thotë, sipas hetuesve, se personat që kanë dhënë urdhër të qëllohet dhe ata që kanë zbatuar këto urdhra do të ndiqen penalisht.

    Paraditen e djeshme, hetuesit dhe prokuroritë e kryeqytetit, kanë marr në pyetje të gjithë drejtuesit e Gardës së Republikës dhe një numër të konsiderueshëm oficerësh e ushtarësh, që ndodheshin në ruajtje të institucionit të kryeministrisë gjatë ditës së premte. Përveç këtyre, hetues e prokuror të grupit hetimor kanë administruar në dosjen hetimore edhe një sërë dëshmish të personave të plagosur me armë zjarri dhe atyre të lënduar nga të goditurat e policisë. Gjithashtu, prokurorët gjatë ditës së djeshme kanë siguruar edhe dëshmi të gazetarëve, të cilët mbetën të plagosur me armë, apo nga të goditurat e policisë gjatë demonstratës të së premtes në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
    "Në dosjen hetimore janë administruar edhe disa akt-ekspertime të Mjekësisë Ligjore, ku bëhet fjalë për akt-ekspertimin e kufomave të të vrarëve, të plagosurve me armë, të dëmtuarve nga goditjet me shkopinj gome e mjete të forta të policisë",- thuhet nga burimet e prokurorisë.

    Shekulli

  2. #142
    Maska e *Babygirl*
    Anëtarësuar
    06-07-2006
    Vendndodhja
    Local Disk :D
    Postime
    910
    Gardistët e plagosur mjekohen brenda kryeministrisë

    Kamera e News 24 ka filmuar pamje ekskluzive të pjesëtarëve të gardës së Republikës, duke u mjekuar brenda ambienteve të kryeministrisë, pas plagëve që ata morën pas protestës së opozitës. Efektivat e gardës që hapën zjarr ndaj demonstruesve të opozitës nuk janë lejuar të largohen nga ambientet e kryeministrisë, për asnjë moment që nga dita e premte.

    Ata janë urdhëruar nga drejtuesit e tyre të mos largohen për asnjë moment nga institucioni për cdo lloj arsyeje. Nuk dihet për cfarë arsyesh është dhënë ky urdhër, por prej tre ditësh të gjithë pjestarët e gardës që morën pjesë në operacionin për mbrojtjen e kryeministrisë po qendrojnë të izoluar në ambientet e selisë qeveritare, madje edhe në rastet emergjente kur ata kanë patur nevojë të mjekohen.

    Kamera e News 24 ka fiksuar personelin mjekësor që ka shkuar me mjete transporti të ndihmës së shpejtë, duke mjekuar gardistët brenda rrethimit të kryeministrisë. Efektivat e gardës të dëmtuar gjatë protestës shihen në një pamje krejtësisht të pazakontë, a thua se janë në situatë lufte, duke marrë mjekim të specializuar mjekësor në natyrë të hapur.

    Ata ndodhen në oborrin e kryeministrisë, brenda asaj që cilësohet si zonë rreptësisht e ndaluar për cdo qytetar dhe si zonë e rëndësisë së lartë për gardën e republikës. Ndërsa ata mjekohen për plagët që kanë marrë, territori është në juridiksionin dhe ruajtjen e gardës së republikës, gjë që u jep rëndësi maksimale atyre se nuk mund të ndalohen ose shoqërohen nga agjencitë ligj-zbatuese, nëse ndaj tyre është lëshuar një urdhër-arresti nga Prokuroria.

    Balkanweb
    Mos jeto pa buzëqeshur...sepse dikush në këtë botë jeton nga buzëqeshja jote ...!

  3. #143
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,421
    Postimet në Bllog
    22
    Kisha Katolike: Populli të mos bjerë pre e lojërave politike

    TIRANE-Ngjarjet e 21 Janarit kanë tronditur thellë dhe Kishën Katolike shqiptare. Në një njoftim për shtyp, Ipeshkvinjtë e Shqipërisë bëjnë thirrje politikës të lërë mënjanë ambiciet politike ndërsa popullit të mos bjerë pre e lojërave të dhunshme të politikës.
    “Në të njëjtën kohë, ne, ipeshkvinjtë e Shqipërisë, u bëjmë thirrje atyre që kanë në dorë fatet e vendit, që të lënë mënjanë ambicjet politike e te vihen në shërbim të qytetarëve, me vullnetin e mirë për të bashkëpunuar për realizimin e aspiratave qytetare për paqe, mirëqenie e dinjitet. U bëjmë thirrje edhe të gjithë vëllezërve e motrave shqiptare, që të mos bien pre e lojrave politike që përdorin dhunën, por me qëndrimet e tyre qytetare t'i japin politikës mesazhin e qartë se të gjithë së bashku duam të shkruajmë një faqe të re në historinë e Shqipërisë”, citon njoftimi i Ipeshkvinjëve të Shqipërisë.
    Kisha Katolike vlerësoi se ngjarjet e 21 Janarit shënuan një tjetër pikë të dhimbshme të historisë shqiptarë, ndërsa vrasja e 3 personave tronditi edhe më thellë popullin.
    “Ngjarjet e 21 Janarit kanë shënuar një tjetër pikë të dhimbshme në ecjen e vendit tonë drejt stabilitetit të plotë social dhe politik. Kisha Katolike në Shqipëri ka ndjekur me shqetësim skenat e dhunës që sollën vdekjen e tre personave dhe tronditjen e tërë popullit, prandaj shpreh dhimbjen e saj për jetët e ndërprera në absurditetin e dhunës që u shfaq në mënyrë të befasishme në rrugët e kryeqytetit tone”.

    (d.b/BalkanWeb)

  4. #144
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,421
    Postimet në Bllog
    22
    KE: Duhet hetim gjithpërfshirës për 21 Janarin

    BRUKSEL-Komisioni Europian bën thirrje për rikthimin e qetësisë e përgjegjësi për respektimin e ligjit.

    “Mbështesim principet e nje hetimi per ngjarjet e 21 janarit, por kjo duhet bere ne menyre gjithperfshirese”- deklaroi sot Natasha Butler, Zëdhënësja e komisionerit të BE për Zgjerim, Stefan Fyle gjatë një konference për shtyp në Bruksel.
    Komisioni Europian konsideron se menyra për të dalë nga kriza është t’i jepet fund mosmarreveshjeve “driteshkurtra politike” ndërsa palët të fokusohen në axhendën europiane në mënyrë që Shqipëria të përmbushe perspektiven e saj europiane në interest e qytetarëve shqiptarë.
    Buttler vuri në dijeni se KE po ndjek me shumë kujdes situatën në Shqipëri nëpërmjet delegacionit të BE në Tiranë.

    Sipas zëdhënëses, për momentin e rëndësishme është të rikthehet qetësia ndërsa thekson se nuk duhet të përsëriten skena si ato së të premtes. Butler apelon për politikën që të gjejë menjëherë zgjidhjen e menjëhershme.
    “Ështe e rëndesishme të kthehet qetësia, të evitohet përsëritja e dhunës të së premtes që solli viktima dhe të plagosur. Ështe e rëndësishme për liderët politik të fokuohen tek zgjidhjet që mund të gjejnë sëbashku me qëllim zgjidhjen e ngërcit. I takon liderëve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe maturi politike. I takon si qeverisë dhe opozitës që të gjejnë zgjidhjen”.

    E pyetur nga mediat për përgjegjësit e ngjarjes, Butler theksoi se kjo nuk i takon BE, pasi BE më shumë se njëherë ka theksuar ajo ka kontribuar për gjetjen e një zgjidhjeje për ngërcin politik në Shqipëri. Tani, tha ajo, duhet që vetë liderët e politikës shqiptare të punojnë për zgjidhjen e kësaj krize.
    “Nuk i takon BE se te thote se kush është përgjegjës per ngjarjet. E rëndësishme qe politikanet te perdorin nje retorike te qete, por i takon atyre të tregojne që mund të përmbushin kriteret e kërkuara, për të cilat shqiperia ka aplikuar për të marrë statusin kandidat. Rikujtoj kritirete e përmendura në Nëntor –bashkepunimi në parlament për të miratuar ligjet në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt BE-së. Ka disa hapa që duhen ndërmarrë, dhe është e rëndësishme që të gjithë aktorët politike të bëjnë punën e tyre. Komisioni ka bere perpjekje te vazhdueshme me takime si me kryeministrin Berisha ashtu edhe me liderin e opozites Edi Rama per te gjetur nje zgjidhje, por tani i takon vetë liderëve që të gjejnë rrugen e daljes nga kriza dhe të zgjedhin nëse duan te permbushin kriteret e kerkuara nga BE, për të vazhduar rrugen e integrimit europian”.

    Butler dhe njëhetë kujton se kriteret drejt integrimit të një vendi në BE mbetet ai i funksionimit të demokracisë, ndaj i bën thirrje qeverisë të bashkëpunojë për zbardhjen e ngjarjeve të 21 Janarit.
    “Ne kemi e beret e qarte kriteret qe duhen permbushur, dhe mes tyre me i rendesishme eshte pikerisht funksionimi i demokracise. I takon tashmë autoriteteve shqiptare që të tregojnë përgjegjësi politike dhe ti rikthehen dialogut që të permbushin rekomandimet tona.

    (d.b/s.g/BalkanWeb)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-01-2011 më 10:46

  5. #145
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,421
    Postimet në Bllog
    22
    Demonstrata, Rama takon Topin: Më 28 janar, paqësisht kundër dorës vrastare të pushtetit

    Demonstrata, Rama takon Topin: Më 28 janar, paqësisht kundër dorës vrastare të pushtetit
    TIRANE - Gjykata nis vlerësimin e masave të sigurisë për 113 të arrestuarit në demonstratën e 21 janarit. Deri tani masat e sigurisë kanë qenë arrest me burg 20 ditë dhe për disa të tjerë detyrim me paraqitje. Rama apel në median italiane: Ndërkombëtarët të ndërhyjnë.Kerkon takim me Presidentin e Republikes. Mazhoranca ne mbledhje te jashtezakonshme te Kuvendit ngre komision hetimor pa pranine e opozites. Kryeministri kërcënon Edi Ramën dhe sulmon prokuroren e Pergjithshme, e SHISH.

    RAMA: MË 28 JANAR, DEMONSTRATË HOMAZH KUNDËR DORËS VRASTARE TË PUSHTETIT
    Ora: 15:50- Pas takimit me Presidentin e Republikës, kryetari i Partisë Socialiste doli përpara mediave për të ftuar qytetarët në demonstratën e 28 janarit.

    Ndërsa theksoi se demonstrata do të jetë një homazh në nderim të të vrarëve të 21 janarit, kryesocialisti tha “Kur bëhen të shtatat shqiptare, të premten, do të jemi të gjithë në Bulevard për ata të tre që nuk do të jenë më atje”.

    Kjo demonstratë, tha lideri socialist, do të jetë një kundërpërgjigje paqësore kundër dorës vrastare të qeverisë. “Më 28 janar, në domonstratën homazh do t’i kundërpërgjigjemi dhunës shtetërore me paqe.” tha Rama.

    MBYLLET TAKIMI RAMA-TOPI
    Ora 14:50-Përfundon takimi mes Presidentit Topi dhe kreut të PS-së Edi Rama. Takimi I filluar në orën 13. 30 minuta ka përfunduar në 14. 52 minuta. Kryetari I PS-së nuk ka dhënë asnjë prononicm për median, duke njoftuar për një konferencë për shtyp në orën 15.00 nga selia rozë.

    PROTESTE PARA DREJTORISE SE POLICISE
    Ora12. 45 Disa deputetë të PS-së dhe dhjetëra gra kanë protestuar rreth orës 12. 40 para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ata kërkojnë të lirohen nga policia disa të afërm të mbajtur në komisariat që nga dita e premte, kur u zhvillua demonstrata e opozitës.

    RAMA TAKON TOPIN NË PRESIDENCE SOT NE 13:30
    ORA: 12:14 Kreu i Partisë Socialiste i kërkon takim presidentit të Republikës Bamir Topi për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit pas demonstratës së 21 janarit. Zyra e shtypit pranë presidencës konfirmon zyrtarisht se takimi me kërkesë të Edi Ramës do të zhvillohet në orën 13. 30 në Presidencë.

    JEPET MASA E SIGURISE PER 11 TE ARRESTUAR
    ORA: 12:00 Gjykata e Tiranës vazhdon vlerësimin e masës së sigurisë për të ndaluarit gjatë demonstratës së 21 janarit. Për Arben Kacorrin, nga Tepelena, Lindita Balavia, 34 vjec dhe Erald Bruçi, 20 vjec nga Tirana, Aldi Lleshi, Romeo Shahini, Julian Sulaj dhe Ermal Gjoni u dha masa e sigurisë “detyrim me paraqitje“. Për Azem Ukaj, Xhulian Topalli, Berti Mema, dhe Behar Gega u dha masa e arrestit 20 ditë burg. Ata akuzohen për shkatërrim prone dhe kundërshtim të forcave të policisë.

    GJYKATA: 20 DITE BURG PER 2 TE ARRESTUAR ME 21 JANAR
    Ora 11: 30 Deri në orën 11. 26 minuta është dhënë masa e arrestit 20 ditë burg për dy protestues, Elvis Startalli dhe Tomor Bermeta. Në Gjykatën e Tiranës pritet të jepet masa e sigurisë dhe për 111 të arrestuarit e tjerë. Masa e sigurisë po vlerësohet nga 11 gjyqtarët të seksionit penal dhe civil të Gjykatës së shkallës së parë të Tiranës.

    RAMA: ITALIA E BE TE DENOJNE DHUNEN E SHTETIT
    Italia dhe BE nuk duhet të pranojnë në Shqipëri një realitet të papranueshëm për botën demokratike dhe të dënojnë dhunën e shtetit i cili vret njerëz të pafajshëm”: Ky është apeli që lideri i partisë socialiste ka bërë sot në mëngjes në një bashkëbisedim me gazetarët italianë.
    Europa- ka shtuar Rama- nuk mund të pranojnë që në Shqipëri të mund të ndodhin gjëra që nuk do të pranonin kurrë të ndodhnin në vendet e tyre, në bazë të principeve, vlerave të panegociueshme: që njerëzit vdesin sepse protestojnë o sepse opozita përfukizohet “bastarde nga qeveria”

    MASA E SIGURISE PER 113 TE ARRESTUARIT, PEZULLON PUNEN NORMALE TE GJYKATES
    Ora 09:00- Kanë nisur në gjykatën e Tiranës seancat për vlerësimin e masave të sigurisë për 113 të arrestuarit nga policia gjate demostratës së 21 janarit në kryeqytet. Të arrestuarit akuzohen për “dhunim te institucioneve kushtetuese”, “prishje rendi e qetesisë publike” dhe “kundërshtim të forcave te rendit”.
    Gjykimi i 113 personave ka angazhuar pjesën më të madhe të gjyqtareve në gjykatën e Tiranës, të cilët kanë pezulluar gjyqet e tjera që ishin planifikuar për ditën e sotme.
    Burime nga prokuroria sqaruan se prokuroria kishte dorëzuar në gjykatë 6 urdhërarrestet për gardistët e akuzuar si përgjegjës për vrasjen e tre protestuesve ditën e premte. Kjo pasi me pare urdherarrestet duhen ekzektutuar nga policia e cila prej me shume se 48 ore refuzon te ekzekutoje vendimin.

    Sipas burimeve pranë organit të akuzës të Tiranës të cilat u referohej dje NEWS24 urdhër-arresti është prerë për Ndre Prendin, Komandanti i Përgjithshëm i Gardës se Republikës, Alfred Ahmetaj Zevendëskomandati i Gardes së Republikës, Dashamir Shehu, shef i njësisë nr. 2 në Garde, Fran Prenga, Drejtor i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, Vladimir Ndreaj, Komandant Nuk dihen ende emri i një tjetër drejtuesi të gardës, për të cilin është prerë urdhër-arresti.

    TV NEWS24, që prej pasdites së demonstratës së 21 janarit, transmetoi pamjet e vrasjes së Ziver Veizit para derës së kryeministrisë. Kamera fokusoi momentin kur një ushtar i ulur në gjunjë nga një dritare në krah të godinës së kryeministrisë qëllon me automatik dhe një demonstrues bie në tokë mbrapsht.

    KUVENDI MIRATON NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR PËR DEMONSTRATEN
    Ora 22:07 ( 23 janar) Në orët e vona të mbrëmjes mazhoranca pa praninë e opozitës u mblodh ne nje mbledhje te jashtezakonshme te Kuvendit te Shqipërisë per te miratuar "ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal, për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues, më 21 janar 2011". Komisioni u miratua me 73 vota pro.
    Sipas vendimit, objekt i punës së komisionit është hetimi rreth veprimtarisë së aktorëve të përfshirë për zbatimin e ligjit 'për tubimet', në demonstratën e 21 janarit. Po ashtu, objekt është edhe hetimi rreth veprimtarisë së institucioneve shtetërore, sipas kompetencave në legjislacionin respektiv për zbulimin dhe identifikimin paraprak të kërcënimeve dhe sinjaleve për organizimin e veprimit kriminal për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues.Miratimi i ngritjes së komisionit u bë gjatë një seance jashtë radhe të parlamentit, ku opozita nuk mori pjesë.

    Po dje paradite u zhvillua ceremonia mortore e dy prej viktimave të demonstratës, e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt. Ndërsa dje pasdite, kryeministri Sali Berisha sulmoi prokuroren e Përgjithshme Ina Rama duke e akuzuar se po punon me dy standarde dhe kërcënon liderin e opozitësEdi Rama që, në rast se do të tentojë të bëjë sërish demonstrata, “do të gjejë atë që meriton një bandit”. Kreu i ekzekutivit e lëshoi këtë deklaratë në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, ndërkohë që disa minuta më pas vetë Rama u përgjigj se do të jetë vetë në ballë të protestave.

    BERISHA NË KUVEND: SHISH ASNJË INFORMACION PËR GRUSHTIN E SHTETIT
    ORA 21:30, (23 janar)- Ashtu sic e paralajmëroi kryeministri Berisha në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Parlamenti u mblodh për të ngritur një komision hetimor në lidhje me demonstratën e 21 Janarit.
    "Organizatori i vrasjeve në demonstratën e 21 janarit është Edvin Rama dhe në çdo rrethanë do të kërkoj hetim për çdo jetë të humbur", deklaroi sot në Kuvend kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë seancës se parlamentit të mbledhur jashtë radhe.

    Berisha u shpreh se SHISH nuk dha asnjë informacion paraprak për grushtin e shtetit të opozitës. prandaj sipas tij do ngrihet komision hetimor parlamentar. "Që po përgatitej dhuna këtë e kemi ditur të gjithë pasi kemi marrë të dhëna të gjithanshme se po paguheshin persona, por këtë të dhënë një institucion në Shqipëri nuk e kishte marrë dhe ky është SHISH-i. Në datën 20 janar me shkresë zyrtare SHISH dërgon zero të dhëna në Kryeministri. Se çfarë i mbylli sytë dhe veshët këtij shërbimi kjo është punë e tyre", tha Berisha.
    "Në këto rrethana, kur u sulmua Kryeministri i vendit nga kryetari i opozitës për t'i marrë karrigen në mes të ditës dhe kur kërkohet ndëshkimi i kolektiv i gjithë zinxhirit të gardës, kur agjencia kryesore e SHISH i ka dhënë zero të dhëna policisë, ftoj të ngrihet komisioni hetimor parlamentar", tha Berisha.

    (s.g/e.n/BalkanWeb)

  6. #146
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,421
    Postimet në Bllog
    22
    Çavushoglu: KiE do të merret seriozisht me demonstratën

    Presidenti i Këshillit të Evropës Mevlut Çavushoglu ka deklaruar se Këshillit i Europës do të merret seriozisht me situatën në vendin tonë pas demostratës së 21 janarit.Çavushoglu ka deklaruar se ndihet keq që dhuna politike në Shqipëri degjeneroi në vrasje.

    "Kjo është shumë shqetësuese dhe Këshlli i Europës do të merret shumë seriozisht me këtë situatë”, ka thënë ai. Më tej presidenti i Këshillit të Europës ka deklruar se kryeministri shqipar Berisha ka njoftuar ardhjen në seancën e Këshillit ditën e enjte.

    Në seancë pritet që kryeministri t`i përgjigjet pyetjeve të anëtarëvëe të Këshillit të Europës për situatën politike në vend dhe veçanërisht demontratën e 21 janarit.


    Ora news

  7. #147
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,421
    Postimet në Bllog
    22
    Berisha: Urdhër-arrestet për gardistët, puçi i dytë

    Kryeministri Berisha nё njё takim me pononjёsit e policisё sё shtetit paralajmёroi liderin e partisё socialiste Edi Rama pёr demostratёn qё do tё mbajё tё premten me mbёshtetёsit e tij, qё tё mos guxojё qё ti afrohet institucioneve qeveritare. Berisha akuzoi sёrisht liderin e Partisё Socialiste Edi Rama si organizuesin e grushtit tё shtetit dhe kёtё sipas tij ai e bёri vetёm e vetёm pёr ti zёnё vendin.

    Berisha e konsideroi punёn e policisё sё shtetit pёrgjatё demostratёs tё 21 janarit si njё punё heroike dhe profesionale. Ai shtoi se policia pёrjetoi 5 orё sulme barbare nga demostruesit.

    Kryeministri Berisha gjithashtu u shpreh se ёshtё kёrkuar ndihmё nga vendet tё ndryshme pёr tё dёrguar ekspertё pёr tё hetuar, pasi sipas tij, grushti i shtetit nuk mund tё kalojё pa u hetuar.

    Ora news

  8. #148
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,421
    Postimet në Bllog
    22
    Ekspertizë 70 armëve të Gardës, 6 arrestet pezull. Dorëzohen gëzhojat

    Një numër i konsiderueshëm armësh luftarake janë sekuestruar nga Prokuroria në magazinat e Gardës së Republikës.

    Prokurorët që po hetojnë vrasjen e tre demonstruesve më 21 janar kanë bllokuar të gjitha armët e përdorura nga efektivat e Gardës ditën e ngjarjes, përfshi edhe ato që nuk kanë kryer qitje. Sekuestrimi i armëve ka nisur mbrëmjen e të shtunës, duke vazhduar edhe ditën e djeshme. Gëzhojat në oborrin e Kryeministrisë, që ishin sekuestruar më parë mëngjesin e të shtunës, janë dërguar dje bashkë me armët për ekspertizë në Laboratorin Qendror Kriminalistik. Ka qenë ora 14:50 minuta, kur dy oficerë të Prokurorisë kanë dërguar në laborator vetëm 70 nga 140 armët e sekuestruara tek Garda. Bashkë me armët janë dërguar edhe disa gëzhoja dhe predhat e plumbave, të cilat janë gjetur në trupin e njërit prej të vdekurve dhe në vendin e ngjarjes. Oficerët e Prokurorisë kanë kërkuar që ekspertiza të fillonte menjëherë, duke kërkuar të ishin të pranishëm deri në përfundimin e saj. Kjo ekspertizë do të përcaktojë se cila armë ka shtënë predhat që shkaktuan vdekjen e tre personave. Më pas, bazuar në dokumentet e marra në Gardë, do të identifikohet efektivi që ka pasur në shërbim armën, e cila ka kryer qitjen, duke bërë kështu veçimin e përgjegjësisë për ngjarjet e ndodhura.

    6 urdhër-ndalimet, pezull
    Edhe gjatë ditës së djeshme, gjashtë urdhrat e ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria mëngjesin e të shtunës kanë mbetur pezull. Policia ka vazhduar hetimet për dëmtimin e pronës private dhe publike, siç ishte vendroja tek Kryeministria dhe automjetet që u dogjën, ndërkohë që Prokuroria deklaron se është në pritje të zbatimit të urdhër-ndalimeve nga policia. Organi i akuzës duket se ndodhet në pamundësi për t`iu drejtuar gjykatës, për sa kohë që urdhër-ndalimet nuk janë ekzekutuar. Kjo për shkak se ligji parashikon se urdhri i ndalimit paraqitet në gjykatë për vlerësim vetëm pasi është zbatuar, pra vetëm pas ndalimit nga policia të personit ndaj të cilit është lëshuar urdhri.

    Akuza për gardistët
    Prokuroria e Tiranës ka pohuar dje se nga pamjet filmike të sekuestruara në disa televizione, si dhe nga pyetja e dëshmitarëve, ka dyshime të bazuara se vrasja e tre personave në demonstratë është kthyer nga Garda e Republikës. Sipas prokurorisë, urdhrat e ndalimit janë nxjerrë pikërisht mbi këtë "dyshim të bazuar", i cili mbështetet, sipas akuzës, edhe në deklarimet e personave që kanë qenë të pranishëm pranë viktimave. Ata kanë pretenduar se në momentin kur ka ndodhur vrasja e tre personave, kanë parë efektivat e Gardës të qëllonin me armë.

    Hetimi në dy linja
    Prokuroria e ka ndarë në dy linja hetimin e ngjarjeve që ndodhën gjatë demonstratës së opozitës në Tiranë. Njëri grup hetimi, i drejtuar nga dy zv.prokurorë të rrethit, po investigon vrasjen e tre protestuesve. Të gjitha provat lidhur me këtë fakt i dorëzohen këtij grupi prokurorësh. Ndërkohë, një numër më i madh prokurorësh e hetuesish po hetojnë të arrestuarit për djegien e makinave, për kundërshtimin dhe plagosjen e policëve dhe për thyerjen e dëmtimin e vendrojës dhe xhamave të Kryeministrisë.

    Urdhrat e ndalimit

    Ndrea Prendi, komandant i Gardës
    Alfred Ahmetcenaj, zv.komandant
    Dashamir Shehi, komandant njësie
    Vladimir Dedaj, drejtues njësie
    Altin Kollçinaku, efektiv
    Fatos Bushati, efektiv

    Fotografohen të arrestuarit

    Prokuroria e Tiranës gjatë ditës së djeshme u ka bërë fotografi personale 113 personave të arrestuar nga policia me akuzën e kundërshtimit të policisë dhe shkatërrimit të pronës. Menjëherë pas demonstratës së 21 janarit, policia deklaroi se kishte vënë në pranga 113 persona, si dhe një shtetas me pistoletë në brez. Prokuroria u ka bërë foto këtyre personave dje, në paraburgime dhe komisariate. Këto fotografi do të krahasohen me pamjet e marra prej kamerave të medias dhe policisë ditën e ngjarjes, me qëllim identifikimin e veprimeve konkrete që ka kryer secili prej 114 personave të arrestuar nga policia. Numri i lartë i të arrestuarve ka krijuar një ngarkesë të jashtëzakonshme pune për Prokurorinë, e cila, dje, edhe pse në një ditë
    pushimi zyrtar, ka nxjerrë në punë gjithë oficerët dhe prokurorët e saj.

    Kodi i Procedures Penale

    Neni 253
    Ndalimi i të dyshuarit për një krim
    1. Kur ka shkaqe të bazuara për të menduar se ka rrezik ikjeje, prokurori urdhëron ndalimin e personit që dyshohet për një krim, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se dy vjet.
    2. Policia Gjyqësore kryen ndalimin me iniciativën e vet kur nuk është e mundur, për shkak të gjendjes së ngutshme, të pritet urdhri i prokurorit

    Neni 254
    Moslejimi i arrestimit dhe ndalimit në rrethana të caktuara
    1. Arrestimi ose ndalimi nuk lejohet kur nga rrethanat e faktit del se veprimi është bërë gjatë kryerjes së një detyre ose gjatë ushtrimit të një të drejte të ligjshme ose kur ekziston një shkak padënueshmërie

    Panorama
    Trazhgim Sokolaj

  9. #149
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,421
    Postimet në Bllog
    22
    Procesi për 114 të ndaluarit në protestë. Gjykata: Detyrim paraqitje shumicës

    UPDATE- Gjykata e Tiranës ka nisur shqyrtimin e vlefshmërisë se arresteve, per te caktuar masat e sigurisë për 114 të arrestuarit pas demonstratës së dhunshme të së premtes para godinës së Kryeministrisë.

    Deri në mesdite janë dhënë 34 vlerësime të masave të sigurisë, shumica e te cilave, me 'detyrim paraqitje'.

    Rreth ores 11.00 u dha masa e sigurise, "20 dite burg" per dy prej te ndaluarave, Tomor Bermeta dhe Elvis Spartallin.

    Pas tyre me te njejten mase sigurie jane lene ne burg per 20 dite edhe 6 persona te tjere.

    Akuza e komunikuar ndaj tyre eshte "shkaterrim" dhe "kundershtim i policise".

    Disa protestues, jane lene te lire, vetem me detyrim paraqitje, pasi Prokuroria nuk kishte sjelle provat e mjaftueshme. Te lire u lane Andi Lleshi, Erald Buçi, Julian Sulaj, Ermal Gjoni dhe Romeo Beqo. Nderkohe qe seanca vijon dhe pritet te zgjase deri ne mesdite, per shkak te numrit te madh te te ndaluarve.

    Materialet ndaj të arrestuarve kishin mbërritur dje në këtë institucion. Bëhet e ditur se, për arsye të numrit të konsiderueshëm të të arrestuarve, në shqyrtimin e masave do të angazhohen disa prej gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës. Kjo edhe prej pamundësisë për shtyrjen e seancës së masës së sigurisë, për shkak të kalimit të afateve të mbajtjes në qeli pa vendim gjykate.

    Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur dje se për rreth 30 persona sot pritet që të kërkohet masa e sigurisë "arrest me burg", ndërsa për pjesën tjetër ato të "arrestit me burg me afat 20 ditor" dhe ajo e "detyrimit të paraqitjes". Me anë të një njoftimi zyrtar, policia e Tiranës bëri të ditur të shtunën emrat e 114 personave të arrestuar gjatë demonstratës të 21 janarit. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë "kundërshtimi i punonjësve të policisë" dhe "shkatërrim prone". Sipas policisë, arrestimet ishin realizuar në kushtet e flagrancës, ndërsa një prej tyre u arrestua pas analizimit të pamjeve filmike, ku ai dukej se gjatë demonstratës mbante me vete një pistoletë pa leje. Po sipas policisë, 8 nga të arrestuarit ishin persona me precedentë të mëparshëm penalë.

    Panorama
    ar.ba

  10. #150
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,421
    Postimet në Bllog
    22
    Presidenti Topi pret Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.

    24 janar 2011

    Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti sot në mesditë Kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama, me kërkesën e këtij të fundit, për të diskutuar lidhur me situatën e rëndë të krijuar në vend.

    Presidenti Topi shprehu shqetësimin e madh për gjendjen e tensionuar në vend dhe nënvizoi se: “në situatën e krijuar bëhet më se e domosdoshme vendosja e dialogut politik institucional si mjaft e rëndësishme për stabilitetin e vendit, rendin publik, jetën e qytetarëve dhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

    Kryetari i Shtetit nënvizoi nevojën urgjente të mbizotërimit të maturisë e dialogut, duke kërkuar nga faktorët dhe aktorët politikë të gjejnë vullnetin e duhur dhe të përmbushin përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre duke vënë interesat e vendit dhe të popullit shqiptar mbi gjithçka tjetër. “Në këto momente, më shumë se asnjëherë tjetër na duhet qetësi, maturi dhe përgjegjësi politike dhe individuale, për t’i lënë kohën dhe hapësirën e nevojshme funksionimit të shtetit të së drejtës dhe instititucioneve të pavarura ligjore të tij.” – u shpreh Presidenti Topi.

    “Institucionet e shtetit dhe punonjësit në detyrë janë të shenjtë e të paprekshëm, ashtu sikurse është edhe mbrojtja dhe kujdesi për jetën e qytetarëve. Në çdo rrethanë, e drejta legjitime për të demonstruar paqësisht duhet administruar me përgjegjësi maksimale!” – theksoi Presidenti Topi.

    Gjithashtu Kreu i Shtetit mbështeti edhe një herë zhvillimin e një hetimi tërësor, të paanshëm, profesional dhe transparent të ngjarjeve të datës 21 janar duke nxitur bashkëpunimin mes institucioneve të zbatimit të ligjit. “Vetëm shteti ligjor është garancia e një vendi demokratik dhe ai duhet të respektohet nga cilido!” – u shpreh Presidenti Topi.

    Presidenca

Faqja 15 prej 29 FillimFillim ... 5131415161725 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •