Close
Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 28
  1. #11
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    K


    kaldaj/ë, ~a f. Fjalë e huaj që ka hyrë në gjuhën shqipe nga italishtja. E ka edhe FGJSSH, i cili jep edhe sinonimin e saj shqip ngrohtore, që e zëvendëson mirë fjalën e huaj. Kështu mund të thuhet: Ngrohtore elektrike. Ngrohtore me dy furra. Punon në ngrohtore. etj. Edhe fjala kaldajist, e huazuar po nga italishtja, zëvendësohet me fjalën shqipe ngrohtar, ~i, p.sh.: Brigada e ngrohtarëve. Është ngrohtar i dalluar.

    kalkuloj kal., kalkulim, ~i m. Termi kalkuloj, me temë të huazuar nga gjuhët neolatine, përdoret me kuptimin “bëj veprime me numra për të nxjerrë një përfundim ose për të gjetur atë që kërkohet”. Në këtë kuptim, në vend të këtij termi, përdoret fjala shqipe njehsoj, p.sh.: Njehsoj sipërfaqen (vëllimin) e një trungu. Njehsoj shpejtësinë (kohën). Edhe emri kalkulim zëvendësohet me fjalën njehsim, që lidhet nga pikëpamja fjalëformuese me foljen njehsoj, p.sh.: Njehsimi i sipërfaqes (i gjatësisë, i lartësisë) së një trupi. Në ligjërimin libror kalkuloj përdoret edhe me kuptimin e foljes llogarit: Llogarit me përpikëri. E llogariti me laps në dorë. Prandaj, sipas rastit, në vend të kalkuloj të përdoret fjala llogarit, ndërsa në vend të emrit kalkulim fjala e prejardhur shqipe llogaritje: Llogaritje aritmetike. Llogaritja e një këndi. Fjala e huazuar kalkulatriç/e, ~ja, që përdoret si term në fushën e matematikës, mbulohet plotësisht me togjet e shqipes makinë llogaritëse, makinë njehsuese, sipas tipit të emërtimeve të pathjeshta makinë shirëse, makinë larëse etj.

    kallaballëk, ~u m. Fjalë e huaj që ka hyrë ne gjuhën shqipe nga turqishtja dhe përdoret kryesisht në ligjërimin bisedor. E ka edhe FGJSSH, si fjalë të ligjërimit bisedor, me kuptimin “grup i madh njerëzish, shumicë njerëzish; gjindje e madhe; turmë”. Në vend të saj mund të përdoret fjala turmë, por, sipas rastit, edhe togfjalëshat gjindje e madhe, shumë njerëz (ose shumë), p.sh.: U fut në turmë. Gjindje (turmë) e madhe. Kishte shumë njerëz. Jemi (bëhemi) shumë. Megjithatë në biseda, në letërsinë artistike, në frazeologji (Mblidhe kallaballëkun) mund të përdoret me vlera stilistike.

    kalorimet/ër, ~ri m. Ky term ndërkombëtar i fizikës e i kimisë me kuptimin “mjet për të matur sasinë e nxehtësisë që thithin ose lëshojnë trupat”, zëvendësohet me fjalën shqipe nxehtësimatës, të cilën e ka edhe FGJSSH.

    karshi ndajf. dhe paraf. Është fjalë e ligjërimit bisedor, e huazuar nga turqishtja. Përdoret si ndajfolje dhe si parafjalë. FGJSSH e ka këtë fjalë, por nuk e shpjegon dhe të çon te fjalët shqipe, përkatësisht: përballë, ballë për ballë, përkundrejt: I rri përballë (ballë për ballë, përkundrejt). Në shtëpinë përballë (përkundrejt). Mali që ndodhet përballë (ballë për ballë, përkundrejt), ndërsa për përdorimet si parafjalë këshillohen, sipas rastit, fjalët dhe shprehjet përballë, kundrejt, përpara, ndaj; në krahasim me, p.sh.: Përballë (kundrejt, përpara) shtëpisë. Detyrat ndaj Atdheut (Partisë, popullit). Pra, siç shihet, shqipja ka vetë disa mjete e mënyra për ta zëvendësuar fjalën e huaj.

    kaskad/ë, ~a f. Edhe kjo fjalë, si sinonim i fjalës katarakt, është përdorur pa nevojë për fjalën ujëvarë.

    katarakt, ~i m. Kjo temë nga gjuhët neolatine, që ka kuptimin “rrjedhë uji që bie me rrëmbim nga një lartësi e madhe dhe e thiktë”, është përdorur pa nevojë për fjalën shqipe ujëvarë, p.sh.: Ujëvarat e Drinit. Bie si ujëvarë. Fjala shqipe ujëvarë përdoret edhe me kuptim të figurshëm, p.sh.: Ujëvarë drite.

    koagulon kal. e jokal., koagulohet vetv., koagulim, ~i m., koaguluar (i, e) mb. Kjo çerdhe fjalësh me temë nga gjuhët neolatine përdoret kryesisht në mjekësi. Në vend të koagulon, koagulohet në gjuhën shqipe përdoren fjalët mpiks. mpikset, p.sh.: E mpiks gjakun. Mpikset shpejt. Në vend të koagulim përdoret emri mpiksje, ndërsa mbiemri i koaguluar zëvendësohet me i mpiksur. Prandaj thuhet: Mpiksja e gjakut. Gjak i mpiksur.

    koincidon jokal. Kjo fjalë me temë të huaj nuk jepet në FGJSSH. Në gjuhën tonë fjala koincidon është përdorur me kuptimet: 1) “Ka gjëra të njëjta a të përbashkëta me diçka tjetër”; 2) “Ndodh në të njëjtën kohë me diçka tjetër, bie në po atë kohë”. Në këto kuptime ajo zëvendësohet plotësisht me fjalët shqipe përkon, përputhet, pajtohet, p.sh.: Thëniet e tyre përkonin. Përvjetori përkonte me një ngjarje tjetër të rëndësishme politike. Ardhja e tij përkoi me ditëlindjen tënde.

    kolektiv,~e mb., kolektivisht ndajf. Fjalë me temë nga gjuhët neolatine. Përdoren shumë në ligjërimin libror. I ka edhe FGJSSH. Mbiemri kolektiv, ~e zëvendësohet me fjalën shqipe i (e) përbashkët, p.sh: Punë e përbashkët. Përgjegjësi e përbashkët. Banesë e përbashkët. Kullotë e përbashkët. Si term gjuhësor është zëvendësuar prej kohësh me fjalën shqipe përmbledhës, p.sh: Emër përmbledhës. Me kuptim përmbledhës., por vijon të përdoret si term në ekonomi, p.sh.: Pronë kolektive. Normë kolektive. Ndajfolja kolektivisht po zëvendësohet me fjalët shqipe së bashku, bashkërisht (kur nuk ka kuptimin “si kolektiv, me kolektivin”), p.sh. Punojmë së bashku (bashkërisht).

    komplikoj kal., komplikim, ~i m., komplikuar (i, e) mb. Kjo çerdhe fjalësh, që zë fill nga një temë e burimit neolatin, nuk është përfshirë në FGJSSH, sepse në vend të këtyre fjalëve të huaja të ligjërimit bisedor, përdoren fjalët shqipe ndërlikoj, ndërlikim, i ndërlikuar; koklavit, koklavitje. i koklavitur; në disa raste mund të përdoren edhe fjalët ngatërroj. ngatërrim, i ngatërruar. Ja një varg thëniesh që dëshmojnë përdorimin e këtyre fjalëve në vend të fjalëve komplikoj, komplikim, i komplikuar. Ndërlikoj një ushtrim. E ndërlikuan çështjen. Ndërlikimi i gjendjes. Figurë e ndërlikuar. Detyrë e koklavitur. Punë e koklavitur (e ngatërruar).

    komshi, ~u m., sh. ~nj, ~njt; komshi/e, ~a f., sh. ~e, ~et. Fjalë e huazuar nga turqishtja. FGJSSH e ka këtë fjalë, por nuk e shpjegon dhe e çon te fjalët shqipe fqinj, ~i m. dhe fqinj/ë, ~a f., p.sh.: Fqinji im. Shkoj te fqinjët. Fqinjë e mire. Është fqinja ime. Në përdorim mbiemëror fjala e huaj duhet zëvendësuar me shqipen fqinj, ~e, p.sh.: Fshati fqinj. Edhe fjala tjetër e huazuar gjiton, duhet zëvendësuar, si emër dhe si mbiemër, me fjalët shqipe, përkatësisht: fqinj, ~i m., fqinj/ë, ~a f. dhe fqinj, ~e mb.

    koncentroj kal., koncentrohem vetv., koncentrim, ~i m. koncentruar (i, e) mb. Fjala koncentroj, me temë nga gjuhët neolatine, është zëvendësuar me fjalën përqendroj, p.sh.: Përqendroi forcat. Përqendruan zjarrin. Përqendruan pushtetin (fuqinë) në duart e veta. Edhe koncentrahet është zëvendësuar me përqendrohet, ndërsa mbiemri i koncentruar me i përqendruar; të gjitha këto fjalë të prejardhura lidhen me temën e foljes përqendroj. Prandaj duhet të thuhet: Nuk përqendrohet dot. Përqendrimi i prodhimit. Me vështrim të përqendruar.

    kondicionoj kal., kondicionohet vetv., kondicionim, ~i m., kondicionuar (i, e) mb. Këto fjalë, me temë të huazuar nga gjuhët neolatine, nuk jepen në FGJSSH, sepse në vend të tyre prej kohësh po përdoren fjalët e ndërtuara me temën kushtëzoj, kushtëzohet, kushtëzim, i kushtëzuar, p.sh.: Plani i prodhimit kushtëzon planin e shpërndarjes. Kushtëzohet nga gjendja politike. Kushtëzimi i veprimeve. Dukuri e kushtëzuar. Refleks i kushtëzuar / psikol. Ajër i kushtëzuar.

    kondit/ë, ~a f. Në vend të fjalës konditë FGJSSH këshillon që të përdoret fjala kusht p.sh.: Kusht i domosdoshëm (kryesor). Kushtet ekonomike (shoqërore). Kushtet e jetesës. Kushtet e armëpushimit. Kapitullim pa kushte. Dënim me kusht / drejt.

    kondit/ë, ~a f., sh. ~a, ~at. Këtë fjalë me temë të huazuar nga gjuhët neolatine FGJSSH e ka, por nuk e shpjegon; në vend të saj këshillon fjalën kusht, që përdoret prej kohësh dhe e zëvendëson në të gjitha kuptimet: Kusht i domosdoshëm. Kushte ekonomike. Kushti i parë (i dytë, i tretë...) Kusht kryesor. I ka të gjitha kushtet. Punonte në kushte të vështira. Me kusht që...

    konfondoj kal., konfondohet vetv., konfondim, ~i m., konfonduar (i, e) mb. Folja konfondoj, me temë nga gjuhët neolatine, ka kuptimin “përziej bashkë pa rregull e pa kriter; ngatërroj në mendje; marr një gjë për një gjë tjetër”. Nuk është e përfshirë në FGJSSH, sepse me këtë kuptim përdoren fjalët shqipe ngatërroj, përziej. Ja disa shembuj: I ngatërruan emrat. Më ngatërroi me një shokun e vet. Ngatërroi ngjyrat. U ngatërruan nocionet. Edhe në vend të fjalëve të prejardhura konfondim, i konfonduar përdoren fjalët shqipe ngatërrim, i ngatërruar. P.sh.: Ngatërrimi i dy çështjeve të ndryshme. Ngatërrimi i emrave (i datave).

    konfrontoj kal., konfrontohem vetv., konfrontim, ~i m. Kjo çerdhe fjalësh, që zë fill nga një temë e burimit neolatin, nuk është përfshirë në FGJSSH, sepse në vend të tyre në shqipen përdoren fjalët ballafaqoj, ballafaqohem, ballafaqim, p.sh.: Ballafaqoj mendimet (pikëpamjet, përvojën, metodën e punës) me një tjetër. U ballafaquan para kolektivit. Ballafaqimi i së resë me të vjetrën. Metoda e ballafaqimit. Ballafaqimi është një nga format më të frytshme të kontrollit punëtor. Sipas rastit, fjalët konfrontoj, konfrontohem e konfrontim zëvendësohen edhe me fjalët përqas, përqasem e përqasje, p.sh.: Përqas dy përkthime. Përqasja e dy gjuhëve.

    konkluzion, ~i m., konkludoj kal. Fjala konkluzion ka hyrë në gjuhën shqipe nga gjuhët neolatine. E ka edhe FGJSSH me kuptimin kryesor “përfundim, mendim përgjithësues që nxirret pasi shqyrtohet e studiohet një çështje a diçka tjetër, duke u mbështetur në të dhëna të ndryshme”; prandaj edhe këshillohet që në çdo rast, në vend të konkluzion të përdorim fjalën shqipe përfundim, p.sh.: Përfundim logjik (i drejt). Përfundimi që del nga përvoja. Nxjerr përfundimet. E një rrënje me konkluzion është edhe folja konkludoj — përfundoj, “arrij në një mendim përgjithësues pasi shqyrtohet a studiohet një çështje, duke u mbështetur në të dhëna të ndryshme”. Kuptimi i saj mbulohet me foljen përfundoj, ose, sipas rastit, me togfjalësha të ndërtuar me foljet nxjerr, arrij etj. përfundim, p.sh.: Tani po përfundoj. Duke përfunduar. Përfunduan një marrëveshje. Ata nxorën përfundimin se... Arritën në përfundim se... Në terminologjinë sportive, konkludoj mbulohet edhe me foljen shënoj, p.sh.: Nuk arrin të shënojë.

    konsiston jokal. Kjo folje e leksikut libror, me temë të huazuar nga gjuhët neolatine, nuk përfshihet në FGJSSH, sepse në vend të saj në shqipen e sotme përdoret rregullisht fjala qëndron, p.sh.: Ku qëndron shkaku i këtij ndryshimi? Këtu qëndron e vërteta. (Fjala konsistim ka këto kuptime: fortësi, dendësi, lidhmëria më e dobët apo më e fortë e përbërësve, qëndrueshmëri; fig. përhershmëri, palëkundshmëri. Folja konsiston ka këto kuptime: të jesh i qëndrueshëm, i ngulmët, që bëhet pa iu ndarë dhe me të gjitha forcat, që bëhet me këmbëngulje MD).

    konsultor/e, ~ja f. sh. ~e, ~et. Fjalë me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Gjendet edhe në FGJSSH. Fjala shqipe këshillimore, që e zëvendëson në të gjitha kuptimet, ka filluar të përdoret gjerësisht, p.sh.: Këshillimorja e grave (e fëmijëve). Këshillimorja e lagjes (e fshatit). Çoj fëmijën në këshillimore.

    kontemporan, ~e mb. Fjalë e huaj që ka hyrë në gjuhën e shkrimit nga gjuhët neolatine. Nuk e ka FGJSSH. Kjo fjalë është zëvendësuar me fjalën shqipe bashkëkohor, ~e, pra: Qytetërimi bashkëkohor. Shoqëria (muzika, pedagogjia) bashkëkohore. Autorët (shkrimtarët) bashkëkohorë.

    koordinoj kal, koordinim, ~i m., koordinues, ~e mb., koordinuar (i, e) mb. Këto fjalë kanë temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Gjithë këtë çerdhe fjalësh FGJSSTI nuk e jep. Kuptimin e foljes koordinoj e mbulon fjala shqipe bashkërendoj, p.sh. Bashkërendoj detyrat (forcat, përpjekjet, veprimet...). Edhe fjalët e prejardhura koordinim, koordinues dhe i koordinuar janë zëvendësuar me fjalët e shqipes bashkërendim, bashkërendues, i bashkërenduar, p.sh: Bashkërendim i veprimtarisë (i pikëpamjeve, i qëndrimeve). Organet bashkërenduese. Veprime (lëvizje) të bashkërenduara.

    korparmat/ë, ~a f., sh. ~a, ~at. Fjalë e terminologjisë ushtarake e huazuar nga italishtja. FGJSSH këtë fjalë e ka lënë vetëm në një kuptim, si hist., pasi kështu emërtohej njësia më e madhe e ushtrisë sonë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare (“Përpara korparmatë, / armik mos lër mbi dhe, / me gjakun e heronjve, / ndërto Shqipërinë Re!”). Në kuptimin “Njësi e madhe ushtarake që përbëhet nga disa divizione dhe nga trupa speciale” është zëvendësuar me truparmatë, siç e jep edhe FGJSSH. P.sh. Shtabi i truparmatës.

    korrektur/ë, ~a f. Kjo fjalë e huaj përdoret kryesisht si term në fushën e shtypshkronjës. FGJSSH kuptimin e dytë të saj “ndryshimi që i bëhet diçkaje për ta përmirësuar; shenja që tregon gabimet në një faqe të shkruar me dorë a me shtyp”, nuk e shpjegon, por e çon te fjala shqipe ndreqje që e zëvendëson plotësisht, p.sh. Bëj ndreqjet e duhura. Termi korrekturë vijon të përdoret në kuptimin e parë “fletë e shtypur a fashikull, që përmban një tekst dhe shërben si kopje për të ndrequr gabimet e shtypit; bocë.

    korrent, ~i m. Fjalë me burim nga gjuhët neolatine. Është zëvendësuar me fjalën shqipe rrymë, të cilën e këshillon edhe FGJSSH. Ja disa shembuj: Rrymë elektrike. Rrymë e vazhdueshme. Rrymë trefazëshe (shumëfazëshe). Burim rryme. Ushqen me rrymë. I ndërpreu rrymën.

    kulminant, ~e mb., FGJSSH e ka këtë fjalë të huaj, e cila ka hyrë në gjuhën tonë nga gjuhët neolatine. Në vend të saj përdoret fjala kulmor, ~e, p.sh.: Pjesa kulmore. Pika kulmore e shfaqjes. Në togun pika kulminante fjala e huazuar zëvendësohet, sipas rastit. edhe me e lartë; mund të zëvendësohet edhe i gjithë togu me emrin kulmi, p.sh.: Beteja kishte arritur pikën më të lartë (Beteja kishte arritur kulmin) në vend të Beteja kishte arritur pikën kulminante. Ajo kishte arritur pikën më të lartë (Ajo kishte arritur kulmin) në vend të Ajo kishte arritur pikën kulminante.

    kundërofensiv/ë, ~a f., sh. ~a, ~at. Shih tek ofensiv/ë, ~a.

    kurioz, ~e mb., kuriozitet, ~i m. Janë fjalë të huaja të panevojshme që kanë hyrë në gjuhën shqipe nga gjuhët neolatine, prandaj edhe FGJSSH nuk i ka. Mbiemri kurioz ka si kuptim të parë “që ka si dëshirë të madhe për të parë diçka, për të mësuar një të fshehtë, për të hyrë në hollësira etj.” dhe si kuptim të dytë me ngjyrim keqësues “që është i prirur të dijë edhe gjëra që nuk i përkasin dhe që nuk kanë të bëjnë me të”. Fjala kuriozitet përdoret me kuptimin “dëshirë e madhe për të parë diçka, për të hyrë në hollësira etj. (edhe me ngjyrim keqësues). Në vend të këtyre fjalëve sot përdoren përkatësisht fjalët shqipe kureshtar, ~e dhe kureshtj/e, ~ja, kërshëri, ~a, p.sh.: Njeri kureshtar. Është (tregohet) kureshtar. E bëri kureshtar. Ka kureshtje. Shuaj kureshtjen. Mbiemri kureshtar përdoret edhe me kuptimin “ai që ka kureshtje”, p.sh.: Ishin mbledhur shumë kureshtarë. Edhe trajta e shumësit kuriozitete me kuptimin “diçka që të ngjall kureshtje” mund të zëvendësohet me fjalën kureshti, ~të, p.sh. Kureshtitë shkencore. Vizitoi kureshtitë e vendit (e qytetit) etj. (Fjala kuriozitet ka edhe këto kuptime: që ndodhë rrallë, diç jo e rëndomtë, e jashtëzakonshme, veçanti, çuditshmëri; gjë e rrallë, gjë interesante, gjë e denjë për t’u parë MD).

  2. #12
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    L


    lavatriç/e, ~ja f. Kjo fjalë e huaj që ka hyrë në gjuhën shqipe nga italishtja, zëvendësohet me togfjalëshin makinë larëse ose edhe vetëm larëse. E ka edhe FGJSSH, p.sh.: Fut rrobat në makinë larëse. Prodhimi i makinave larëse. (Këto propozime nuk janë me vend, meqë lavatriçe ka kuptimin e ngushtë për makinën e larjes së rrobave, kurse, në anën tjetër, kemi edhe makinën për larjen e enëve, prandaj makinë larëse ka kuptim të gjerë dhe nuk mund ta zëvendësojë fjalën lavatriçe e lëre më të thuash vetëm larëse, ku mund të nënkuptohet edhe njeriu si larës i rrobave dhe i enëve. MD).

    legjislativ, ~e mb. Për këtë fjalë të huaj FGJSSH të çon te fjala shqipe ligjvënës, ~e, e cila e ka zëvendësuar atë në të dy kuptimet e saj: 1) “që ka të drejtën të nxjerrë e të vendosë ligje” dhe 2) “që merret me hartimin e ligjeve”. Në vend të fjalës së huazuar legjis1ativ takohet edhe termi ligjdhënës, i cili nuk është i nevojshëm, sepse termi ligjvënës i mbulon plotësisht kuptimet e fjalës së huazuar, p.sh.: Organ ligjvënës. Pushteti ligjvënës. Veprimtari ligjvënëse.

    leguminoze, ~t vet. sh., leguminoz, ~e mb. Terma të botanikës me burim nga gjuhët neolatine; nuk jepen në FGJSSH. Emri leguminoze, ~t, ka kuptimin “familje bimësh, e cila përmbledh barishte, shkurre ose drurë që ë kanë frytin bishtajë”; këtu hyjnë, p.sh, bizelet, bathët, fasulet, thjerrëzat, qiqrat etj. Në vend të emrit leguminoze, ~t FGJSSH jep fjalën bishtajore, ~t, p.sh.: Familja e bishtajoreve. Bishtajore njëvjeçare (shumëvjeçare). Mbiemri 1eguminoz, ~e është zëvendësuar me fjalën shqipe bishtajor, ~e (“që e ka frytin bishtajë a si bishtajë”), pra, thuhet: Bimët bishtajore. Perimet bishtajore.

    literatur/ë, ~a f., sh. ~a, ~at. Fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine. E ka edhe FGJSSH, por pa shpjegim. Në vend të saj këshillohet fjala letërsi. Fjala e huaj duhet zëvendësuar vetëm në kuptimin “tërësia e veprave të shkruara që kanë të bëjnë me një nga fushat e dijes ose që trajtojnë një çështje të caktuar”, që përdoret ende, p.sh.: Letërsi politike (shkencore. teknike, mjekësore, pedagogjike, gjuhësore, historike). Letërsia për Skënderbeun. Letërsia për rritjen e gjedhit (për bletarinë, për pemëtarinë, për sëmundjet e fëmijëve). Në kuptimet e tjera (“krijimtari letrare, lloj arti etj.”) ajo është zëvendësuar me kohë.

  3. #13
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    M


    medicin/ë, ~a f., medicinal, ~e mb. Fjalë të huaja që kanë hyrë në shqipen e shkruar nga gjuhët neolatine. Në vend të tyre përdoren prej kohësh fjalët mjekësi, ~a dhe mjekësor, ~e. Tashmë edhe në botimet e shkencës së mjekësisë, me të drejtë, u është dhënë përparësi formimeve shqipe. Kështu tani lexojmë rregullisht: Mjekësia ligjore. Mjekësia sportive. Studion për mjekësi. Sapun mjekësor. Bimë mjekësore. Qendër mjekësore.

    medikolegal, ~e mb. Në vend të kësaj fjale të përbërë nga dy tema të huaja, po përdoret që prej disa vjetësh formimi shqip mjekoligjor, ~e. Kështu thuhet: Komisioni mjekoligjor. Shqyrtim mjekoligjor.

    megaloman, ~e mb. megalomani, ~a f., janë dy fjalë të huaja që përdoren kryesisht në stilin libror. FGJSSH i çon përkatësisht te fjalët mendjemadh, mendjemadhësi, p.sh.: Njeri mendjemadh (në vend të: Njeri megaloman). Është mendjemadhe. Shenja mendjemadhësie. Flet me mendjemadhësi. (Kuptimi kryesor i kësaj fjale është: harbim, dëshirë e tepruar për një gjë; trenia – marrëzia e madhështisë, madhështi e përfytyruar, mbivlerësim i sëmurë i vetvetes etj., prandaj kjo fjalë nuk mund të zëvendësohet vetëm me fjalën mendjemadhësi MD).

    -metër Fjalë me burim nga greqishtja e vjetër, që përdoret edhe si gjymtyrë e dytë në shumë fjalë të përbëra me kuptimin “masë, matës”, p.sh.: barometër, gazometër, goniometër, gjeometër, kalorimetër. manometër, perimetër, termometër etj. Një pjesë e këtyre fjalëve, që kanë hyrë si terma me përdorim ndërkombëtar, përdoren edhe në gjuhën shqipe p.sh. barometër, gjeometër, kilometër, termometër etj. kurse pjesa tjetër, me të cilën emërtohen veglat dhe aparatet teknike, është zëvendësuar me fjalë shqipe. Kështu p.sh., FGJSSH këshillon të përdoret: gazmatës në vend të gazometër, nxehtësimatës në vend të kalorimatës, këndmatës në vend të goniometër, dendësimatës në vend të densimetër.

    mizeri/e, ~a f. FGJSSH nuk e ka këtë fjalë të huazuar nga gjuhët neolatine, sepse kemi fjalën shqipe mjerim për kuptimet themelore përkatëse: Mjerim i madh. Jetonte në mjerim. Shpëtuan nga mjerimi. Edhe si sharje, në përdorime të tilla, si: Ik, or mizerie! Ç’mizerie! etj., që i takojnë ligjërimit të thjeshtë dhe nuk janë të gjuhës letrare, fjala e huaj mund të zëvendësohet me fjalë të shqipes (fig. i keq, i ndyrë, i poshtër): Ik, or i lig (i poshtër)! Sa i poshtër (i ndyrë, i lig, i keq)!

    monst/ër, ~ra f., monstruoz,~e mb. Të dyja këto fjalë me prejardhje nga gjuhët neolatine nuk jepen në FGJSSH. Emri monstër në gjuhën tonë është përdorur me disa kuptime, që i mbulon plotësisht fjala shqipe përbindësh. Këtë e këshillon të përdoret edhe A. Xhuvani (në veprën: “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”). Edhe mbiemri monstruoz (që përdoret në kuptimet 1) “Që ka përmasa jashtëzakonisht të mëdha, që të kall tmerrin”; 2) fig. keq. “Shumë i shëmtuar e i neveritshëm, që bëhet me egërsi të madhe”), zëvendësohet plotësisht me fjalën shqipe i përbindshëm. P.sh: Qenie e përbindshme. Krime të përbindshme.

    monument,~i m., sh. ~e, ~et. Fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine. Në kuptimet “vepër arkitekture ose skulpturë e ngritur në një vend për të përjetësuar kujtimin e një ngjarjeje historike a të një njeriu të shquar”, dhe “vepër e shkruar, që ka vlera të veçanta historike, kulturore, shkencore etj.” ka hyrë në përdorim fjala shqipe përmendore, p.sh.: Përmendorja e Partizanit (e Skënderbeut). I ngritën një përmendore. Përmendoret e para të shkrimit të shqipes. Poema “Bagëti e bujqësi” është përmendore e pavdekshme. Edhe në kuptimin “ndërtesë a vepër tjetër arti (urë etj.) e vjetër e me vlera artistike ose historike” mund të zëvendësohet po me fjalën përmendore, p.sh.: Përmendore historike. Përmendore arkitekture. Instituti i Përmendoreve të Kulturës. Mbrojtja e përmendoreve. U shpall përmendore kulture.

    mortalitet, ~i m. Fjalë e huazuar nga frëngjishtja. Është përdorur kryesisht në fushën e mjekësisë. Në vend të saj ka hyrë në përdorim fjala vdekshmëri, ~a, të cilën e këshillon edhe FGJSSH. Fjala shqipe vdekshmëri, ~a e mbulon fjalën e huaj në të gjitha kuptimet dhe përdorimet, p.sh.: Vdekshmëri e lartë (e ulët). Ulja e vdekshmërisë.

  4. #14
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    N


    neglizhoj kal. dhe jokal., neglizhenc/ë, ~a f. Fjalë me temë të huazuar nga frëngjishtja. Në FGJSSH nuk janë dhënë. Fjala neglizhoj mund të zëvendësohet me disa shprehje shqipe sipas kuptimeve ose lidhjeve të saj me fjalë të tjera. P.sh.: Nuk kam kujdes. Nuk i vë kujdes. Lë pas dore (të cilat i këshillon edhe A. Xhuvani në veprën e tij “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”): i shmanget, p.sh.: Ai lë pas dore detyrën. Nuk duhet lënë pas dore. Ai nuk i vë kujdes. Fjalën neglizhencë e zëvendësojnë fjalët shqipe pakujdesi, mungesë kujdesi, p.sh. Pakujdesi në punë. Ndodh (vjen) nga pakujdesia a mungesa e kujdesit, por shqipja ka edhe mënyra të tjera të themi që e mënjanojnë fare këtë fjalë. P.sh.: Nuk ia vë veshin punës. Nuk tregoi kujdes në punë.

    novacion, ~i m., sh. ~e, ~et. Huazim nga gjuhët neolatine. E ka edhe FGJSSH. Nganjëherë në botime të ndryshme, sidomos në shtypin e përditshëm, ka dalë edhe në trajtën inovacion. Kuptimi kryesor i kësaj fjale është “metodë e re në prodhim ose në teknikë, diçka e re e përparimtare në fushën e shkencës a të artit”. Në këtë kuptim zëvendësohet me fjalën e shqipes risi, p.sh.: Risi gjuhësore. Risi letrare.

  5. #15
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    O


    ofensiv/ë, ~a f., sh. ~a, ~at. Është fjalë me burim nga gjuhët neolatine. Përdoret kryesisht në terminologjinë ushtarake, por edhe në fusha të tjera me kuptim të figurshëm. Është përfshirë edhe në FGJSSH, por aty jepet njëherazi edhe fjala shqipe mësymje, e cila e zëvendëson atë në të gjitha kuptimet e përdorimet: Mësymje e përgjithshme. Mësymje ushtarake. Kaluan (u hodhën) në mësymje. Nisën mësymjen. Edhe fjala kundërofensivë zëvendësohet me fjalën kundërmësymj/e, ~a: Kundërmësymja e ushtrisë Nacionalçlirimtare. Filloi kundërmësymja e përgjithshme. U hodhën në kundërmësymje.

    okllai, ~ia f., sh. ~, ~të. Fjalë me prejardhje nga turqishtja, që në disa të folme të shqipes ka marrë trajta të ndryshme. Në vend të kësaj fjale të huaj në gjuhën letrare përdoret e duhet të përdoret fjala petës, ~i, që është me burim popullor, p.sh.: E tëholli me petës.

    orator, ~i m, sh.~ë, ~ët; oratori, ~a f.; oratorik, ~e mb. Janë fjalë të huaja me burim nga gjuhët neolatine. FGJSSH i cilëson si fjalë librore dhe në vend të shpjegimit jep fjalët shqipe përkatëse: gojëtar, ~i (femërore e saj gojëtar/e, ~ja); gojëtari, ~a; gojëtar, ~e, p.sh.: Është gojëtar i madh. Shquhet si gojëtar (gojëtare). Art i gojëtarisë. Gojëtaria është arti i të folurit bukur e rrjedhshëm. Aftësi gojëtare. Siç shihet, fjalët shqipe i mbulojnë fjalët e huaja në të gjitha kuptimet dhe përdorimet.

  6. #16
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    P


    parantez/ë, ~a f. Fjalë me burim nga greqishtja e vjetër që ka hyrë në gjuhën shqipe nëpërmjet frëngjishtes. FGJSSH e jep këtë fjalë me dy kuptime. Kur përdoret me kuptimin e parë “Shenjë pikësimi, e përbërë nga dy viza të harkuara, ku përfshihen fjali sqaruese në mes të një fjalie; shenjë e tillë që përdoret në veprimet matematike”, zëvendësohet me termin kllapë, ~a, p.sh.: Hap (mbyll) kllapat. Vë midis kllapave (ndër kllapa). Kllapa katrore. Kur përdoret me kuptimin e dytë “Fjalët ose fjalitë që thuhen si diçka e ndërmjetme a anësore, jo të lidhura drejtpërdrejt me fillin themelor të shtjellimit të mendimit”, fjala porantezë zëvendësohet me ndërtime e togje të tjera të shqipes që përdoren me kuptim të përafërt, p.sh.: E tha kalimthi, ndërmjet të tjerash, në vend të: E tha në parantezë.

    parcel/ë, ~a f., parceloj kal., parcelim, ~i m. Fjala parcelë është huazuar nga italishtja. FGJSSH e ka këtë fjalë, por nuk e shpjegon dhe e çon te fjala shqipe ngast/ër, ~ra, e cila ka marrë përhapje të gjerë, p.sh.: Ngastër e madhe (e vogël). Kullimi i ngastrave. Ngastrat e misrit (e grurit, e pambukut). Kuptimet dhe përdorimet e fjalëve të prejardhura parceloj dhe parcelim mbulohen me togjet e shqipes ndaj (tokën) në ngastra dhe ndarja (e tokës) në ngastra ose me fjalët ngastëroj, ngastërim.

    pastiçeri, ~a f. pastiçer, ~e mb. Të dyja këto fjalë të huaja kanë hyrë në gjuhën shqipe nga italishtja. Në vend të emrit pastiçeri ka kohë që në shqipen përdoret fjala ëmbëltore. FGJSSH nuk e shpjegon këtë fjalë, por e çon te fjala shqipe ëmbëltore. Ja një varg shembujsh ku fjala shqipe ëmbëltore përdoret në vend të fjalës së huaj pastiçeri: Hynë në një ëmbëltore. Ëmbëltore “Rinia”. Ëmbëltore “Tirana”. Fjala pastiçer përdoret me kuptimin “ai që merret me gatimin e ëmbëlsirave, ai që bën ëmbëlsira”. Në këtë kuptim kjo fjalë e huazuar mund të zëvendësohet me shqipen ëmbëltar (Fjala ëmbëltar nuk është në FGJSSH, në vend të kësaj duhet përdorur ëmbëlsirashitës MD). Ja disa shembuj: Punon si ëmbëltar. Është ëmbëltar i dalluar.

    penetroj kal., penetrim,~i m. , penetrues. ~e mb. Këto fjalë, me temë nga gjuhët neolatine, nuk jepen në FGJSSH, sepse janë zëvendësuar tashmë me fjalët shqipe depërtoj, depërtim, depërtues, p.sh.: Ushtritë armike nuk depërtuan dot në prapavija. Depërtim ushtarak. Depërtim ideologjik. (Kjo fjalë ka edhe këto kuptime penetrim: fuqi depërtuese, mendjehollësi, mendjemprehtësi, aftësi për të hyrë në thelbin e gjërave; penetroj: hyj, futem, përshkoj, infiltrohem, shpërthej; shoh tej përtej, shoh nëpër; fig. blej mendjen, tejshoh; shoh në fund të fundit; kuptoj, marr vesh; hetoj, vëzhgoj etj. MD).

    perfeksionoj kal., perfeksionohem vetv., perfeksionim, ~i m. Këto fjalë me temë nga gjuhët neolatine nuk i jep FGJSSH. Kuptimi kryesor i fjalës perfeksionoj është “bëj diçka më të mirë nga ç’ka qenë, duke synuar të mos ketë asnjë të metë; përsos”. Zëvendësohet me fjalët shqipe përsos, përkryej. p.sh.: Përsos (përkryej) metodën e punës (stilin në punë). Ka përsosur (përkryer) gjuhën etj. Edhe fjalët perfeksionohem, perfeksionim zëvendësohen përkatësisht me përsosem, përsosje, p.sh.: Përsoset teknika. Çdo ditë edukohemi, mësojmë, kalitemi e përsosemi. Përsosja e mëtejshme e planifikimit të bujqësisë. Përsosja e metodës dhe e stilit në punë etj.

    personal, ~e mb. Fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine. Ka filluar të zëvendësohet në të gjitha kuptimet dhe përdorimet me fjalën shqipe vetjak, ~e, p.sh.: Pronë vetjake. Interesi vetjak. Çështje vetjake. Higjiena vetjake. Jep shembullin vetjak. Sende vetjake. Basketbollistët bënë pak gabime vetjake.

    petal, ~i m. Fjalë e huaj e fushës së botanikës që emërton “secilën nga fletëzat e holla me ngjyra, që përbëjnë kurorën e një luleje”. Në këtë kuptim kjo fjalë është zëvendësuar me fjalën shqipe pet/ël, ~la, p.sh.: Petël e kuqe. Petlat e trëndafilit. I ranë petlat.

    predominoj kal., predominim, ~i m., predominues, ~e mb. Edhe këto fjalë nuk jepen në FGJSSH. Fjala predominoj me burim gjithashtu nga gjuhët neolatine, ka kuptimin “kam epërsi, zotëroj mbi të tjerët, sundoj mbi të tjerët, shquhem më shumë”, dhe zëvendësohet fare mirë në gjuhën tonë me fjalët mbizotëroj, mbisundoj, p.sh.: Në brigadë mbizotërojnë gratë. Në vepër mbisundojnë elementet e motiveve popullore. Në fshat para Çlirimit mbisundonin marrëdhëniet gjysmëfeudale. Në vendin tonë mbizotëron popullsia fshatare. Kudo mbizotëron fryma e aksionit. Emri predominim zëvendësohet me mbizotërim, mbisundim. p.sh.: Mbizotërim i thellë (i madh, i dukshëm). Mbizotërim i metodave revolucionare. Mbisundimi i industrisë së rëndë. Mbisundimi i së kuqes mbi ngjyrat e tjera. Edhe mbiemri predominues zëvendësohet me mbizotërues, mbisundues, p.sh.: Forcë mbizotëruese. Sektor mbizotërues. Ide mbisunduese. Tipar mbisundues.

    preferoj kal., preferohem pës., preferim, ~i m., preferenc/ë, ~a f., preferuar (i, e) mb. Foljen preferoj (preferohem), me temë të huazuar nga gjuhët neolatine, FGJSSH e cilëson si fjalë librore dhe në vend të shpjegimit jep fjalët dhe shprehjet shqipe parapëlqej. pëlqej më shumë, p.sh.: Parapëlqen (pëlqen më shumë) mendimin tënd. Parapëlqejmë (pëlqejmë më shumë) lojërat me dorë. Në ligjërimin bisedor në këtë kuptim përdoret edhe shprehja kam qejf më shumë, p.sh.: Është gjella që kam qejf më shumë. Fjalët preferim dhe i preferuar, që janë formuar nga tema foljore, zëvendësohen nga fjalët parapëlqim dhe (i, e) parapëlqyer, p.sh.: Parapëlqimi i kësaj lidhet me vetitë që ka. Rrushi, molla, portokalli, mandarina janë nga frutat më të parapëlqyera. Me fjalën shqipe parapëlqim, në kuptimin “prirje që kemi ndaj dikujt a diçkaje, që më pëlqen më shumë se të tjerët a të tjerat; mendimi paraprak që jep dikush se e pranon dikë a diçka, miratim, pëlqim paraprak”, mund të zëvendësohet edhe fjala preferencë që është huazuar nga italishtja, p.sh.: Sipas parapëlqimit të secilit. Nuk është ecur me parapëlqime.

    presion, ~i m. Është fjalë e huaj me prejardhje nga gjuhët neolatine. Në vend të saj FGJSSH ka dhënë fjalën shqipe trysni, ~a (që është si term në fizikë) me kuptimin “forca e shtypjes që ushtron një trup i ngurtë, i lëngët a i gaztë me peshën ose me forcën e tij mbi një trup tjetër; shtypje, presion”. Pra thuhet: Trysnia e ajrit. Trysnia atmosferike. Trysnia e gjakut. Në kuptimin e dytë “ndikim që ushtrohet me forcë kundrejt dikujt, shtrëngim për ta detyruar të veprojë ashtu siç dëshiron një tjetër, forca që ushtrohet kundrejt diçkaje, trysni” kjo fjalë përdoret, por, siç shihet nga shpjegimi, FGJSSH jep krahas saj edhe me këtë kuptim fjalën trysni, ~a, e cila ka filluar aty-këtu ta zëvendësojë fjalën presion edhe me kuptim të figurshëm, p.sh.: Trysni ekonomike (politike, ideologjike). Ushtron trysni. Ky përdorim ka filluar të zgjerohet duke u shtrirë edhe në fusha të tjera.

    prezentoj kal., prezentohem vetv., prezentim, ~i m. Fjalë me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Përdoret pa nevojë sidomos në ligjërimin bisedor. FGJSSH nuk i ka këto fjalë dhe në vend të tyre jep fjalët dhe togjet e fjalëve shqipe, përkatësisht: paraqit, njoh me; paraqitem, njihem me; paraqitje, njohje. p.sh.: Po ju paraqit (po ju njoh). Ia paraqiti vëllait (E njohu me vëllanë). Të paraqitemi (të njihemi). Po paraqitem edhe unë. Paraqitja te eprori.

    primar, ~e mb. Fjalë librore me prejardhje nga gjuhët neolatine. FGJSSH fjalën primar, ~e e jep pa shpjegim, duke e çuar te fjala shqipe parësor, ~e, e cila e zëvendëson plotësisht fjalën e huaj, p.sh.: Kuptimi parësor. Dukuri parësore. Trajta parësore.

    produktiv, ~e mb., produktiv, ~i m. Kanë hyrë në gjuhën shqipe nga gjuhët neolatine. Në vend të mbiemrit produktiv, që ndeshet më shumë në ligjërimin letrar, përdorim fjalët prodhues, prodhimtar dhe i frytshëm, frytdhënës, p.sh.: Është shumë prodhimtar. Punë e frytshme (frytdhënëse). Ekonomi (degë) prodhimtare. Vit prodhimtar. Prapashtesë prodhimtare. Tokë prodhimtare. Për produktivitet FGJSSH në vend të shpjegimit jep sinonimin shqip prodhimtari, p.sh.: Rritja e prodhimtarisë së tokës. Të ngremë më tej shkallën e prodhimtarisë.

    progres, ~i m., progresist, ~e mb. Kjo çerdhe fjalësh, që zë fill nga një temë e burimit latin, përdoret kryesisht në gjuhën librore. Fjalën progres, të cilën FGJSSH e shpjegon: “prirje e përgjithshme zhvillimi, ecje përpara, kalim në një shkallë më të lartë, përparim”, e zëvendëson fjala shqipe përparim, të cilën edhe FGJSSH e jep si sinonim pas shpjegimit, p.sh.: Përparim ekonomik (shoqëror). Ne rrugën e përparimit. Mbiemrin progresist FGJSSH nuk e shpjegon, por e jep me referim te fjala shqipe përparimtar, që e zëvendëson plotësisht në të gjitha kuptimet e përdorimet, p.sh.: Forcat përparimtare. Mendimi përparimtar.

    progresiv, ~e mb. Edhe kjo fjalë e huaj, me burim latin, përdoret kryesisht në gjuhën librore. Mund të zëvendësohet, sipas rastit, me fjalën shqipe i përparuar e përparues, p.sh.: Mesatarja e përparuar. Norma të përparuara. Farma përparuese e sëmundjes.

    proporcion, ~i m. proporcional, ~e mb. disproporcion, ~i m. Këto fjalë të huaja, siç këshillon edhe “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, zëvendësohen përkatësisht me fjalët shqipe përpjesëtim, ~i, përpjesëtimor, ~e dhe shpërpjesëtim, ~i, p.sh.: Madhësi përpjesëtimore. Zhdukja e shpërpjesëtimeve etj.

  7. #17
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    R


    radikal, ~e mb., radikalisht ndajf. Fjalë me temë nga gjuhët neolatine. FGJSSH nuk i ka këto fjalë, sepse në vend të tyre kemi fjalët shqipe rrënjësor dhe rrënjësisht: Ndryshim (përmirësim) rrënjësor. Shndërrim rrënjësor. Në mënyrë rrënjësore. E pastroi rrënjësisht. Ndryshoi rrënjësisht.

    reciprok, ~e mb. Fjalë e huaj me prejardhje nga gjuhët neolatine. FGJSSH jep si kuptimet e saj, ashtu edhe sinonimet shqipe: i ndërsjellë, i dyanshëm, i shoqishoqëm. Këto vitet e fundit. si në shtyp, ashtu edhe në radiotelevizion etj., fjala e huaj reciprok po zëvendësohet gjithnjë e më tepër me fjalën shqipe i ndërsjellë, pra: Lidhje (marrëdhënie) të ndërsjella. Ndikim i ndërsjellë. Huazime të ndërsjella. / gjuh. Ndihmë e ndërsjellë / drejt. Mirëkuptim (besim) i ndërsjellë. Dëshirë e ndërsjellë. Edhe fjala reciprocitet, që gjithashtu ka një përdorim të gjerë si fjalë e huaj, mund të zëvendësohet me fjalën shqipe ndërsjellës,~a, p.sh. Parimi i ndërsjellësisë. Vë kushte mdërsjellësie.

    refraktar, ~e mb. Kjo fjalë ka hyrë në gjuhën shqipe nga gjuhët neolatine. E ka edhe FGJSSH me dy kuptime. Kur përdoret si term në teknikë, me kuptimin “që nuk shkrihet a nuk prishet në nxehtësi të madhe, që e duron zjarrin; që është karakteristik për lëndët, të cilat e durojnë nxehtësinë e madhe”, kjo fjalë zëvendësohet me fjalën shqipe zjarrdurues, ~e. që e mbulon plotësisht kuptimin e saj, p.sh.: Tulla zjarrduruese. Çelik zjarrdurues. Lëndë (veshje) zjarrduruese. Ka veti zjarrduruese. Në kuptimin e figurshëm “që nuk pranon ndryshime, që kundërshton ndikimet, të cilat kërkojnë ndonjë ndryshim; që nuk tregohet i gatshëm për të pranuar a për të marrë një ide a një teori të re, një zakon të ri etj.”, fjala refraktar i përket stilit libror dhe nuk ka përdorim të dendur: Qëndrim refraktar. Njeri refraktar. Megjithatë, edhe në këtë kuptim mund të bëhet përpjekje për ta zëvendësuar.

    refuzoj kal., refuzohet pës., refuzim, ~i m. Çerdhe fjalësh me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. A. Xhuvani këshillonte që në vend të huazimit refuzoj të përdorim “e kthej, kthej prapë, e hedh tej, e mohoj, nuk e qas, nuk e dëgjoj, nuk e dua”. Edhe FGJSSH e jep me fjalë të shqipes. si: “nuk e pranoj, hedh poshtë, nuk e dua, kundërshtoj, p.sh. Nuk e pranoi (e hodhi poshtë, e kundërshtoi) kërkesën (urdhrin, ftesën). Nuk pranoi ta bënte (të vinte, të shkonte, të fliste). Nuk e pranoi dhuratën. Refuzim zëvendësohet me mospranim, hedhje poshtë, kundërshtim.

  8. #18
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    S


    sakrifikoj kal., sakrifikohem vetv., sakrifikim, ~i m., sakrifikuar (i, e) mb. Kjo çerdhe fjalësh gjendet edhe në FGJSSH. Fjala sakrifikoj është prejardhje nga italishtja. Kuptimi i saj është “jap jetën për dikë a për diçka; nuk e kursej ose e lë të humbasë dikë a diçka për të arritur një qëllim; heq dorë nga diçka për hir të një qëllimi ose në të mirë të dikujt”. Pra, ajo mund të zëvendësohet me fjalët e gjuhës shqipe flijoj, therorizoj ose me togfjalëshat bëj fli, bëj theror, p.sh.: Flijoj veten (jetën) për të mirën e atdheut. Flijoi rininë e tij. E gjithë çerdhja mund të zëvendësohet me fjalët e prejardhura: flijohem, therorizohem; bëhem fli, bëhem theror; flijim, therorizim; i flijuar, i therorizuar, p.sh.: U flijua për lirinë e vendit të tij. Flijimi i interesit vetjak për të mirën e përgjithshme.

    sekondar, ~e mb. Fjale librore, me prejardhje nga gjuhët neolatine. FGJSSH nuk e ka këtë fjalë, po jep në vend të saj fjalën shqipe dytësor, ~e me dy kuptime: 1) “që vjen pas një tjetri dhe varet prej tij, që përcaktohet nga një tjetër: kund. parësor” dhe 2) “që është në vend të dytë, që është i dorës së dytë, jokryesor”. P.sh: Materia është parësore, ndërgjegjja dytësore. (?) Rrugë dytësore. Lëndë dytësore. Kanale dytësore.

    seleksionoj kal., seleksionohet pës., seleksionim, ~i m., seleksionuar (i, e) mb. Çerdhe fjalësh me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Kuptimin e foljes seleksionoj (“Zgjedh sipas një kriteri të caktuar gjërat më të mira ose individët më të përshtatshëm për diçka”) FGJSSH, me të drejtë, e jep me sinonimin shqip përzgjedh. E gjithë çerdhja mund të zëvendësohet me fjalë shqipe të prejardhura nga folja e mësipërme, të cilat japin në mënyrë të përpiktë si kuptimet e përgjithshme të çerdhes me bazë të huaj, ashtu edhe ato terminologjike. Pra, mund të përdorim: përzgjedh, përzgjidhet, përzgjedhje, i përzgjedhur. P.sh.: Përzgjedhin mallrat për shitje. Përzgjidhen farërat për mbjellje. Përzgjedhja artificiale (në bujqësi). Përzgjedhja e futbollistëve më të mirë. Bëj përzgjedhjen. Xeherorët e përzgjedhur.

    sepal, ~i m. Fjalë e huaj e fushës së botanikës, që emërton secilën nga gjethëzat, zakonisht të blerta, që përbëjnë kupën e lules”. Në këtë kuptim kjo fjalë është zëvendësuar në tekstet shkollore, ashtu siç këshillojnë “Fjalori i botanikës” dhe FGJSSH me fjalën shqipe nënpetël. P.sh.: Nënpetla e lules. Lule me katër nënpetla. Petlat dhe nënpetlat.

    silvikultur/ë, ~a f. Term i bujqësisë, me prejardhje nga gjuhët neolatine, ashtu si edhe terma të tjerë të kësaj fushe, që kanë si gjymtyrë të dytë fjalën kulturë. Prej kohe është zëvendësuar me fjalën shqipe pylltari, ~a (ashtu si apikulturë, frutikulturë, hortikulturë, olivikulturë, vitikulturë janë zëvendësuar me fjalët shqipe bletari, pemëtari, kopshtari, ullishtari, vreshtari). Edhe FGJSSH e jep këtë fjalë pa shpjegim, duke e çuar te fjala pylltari, p.sh.: Zhvillimi i pylltarisë. Fakulteti i pylltarisë. Dega e pylltarisë. Kurs për pylltari.

    spektator, ~i m. Fjalë e huaj që ka hyrë në shqipen nga gjuhët neolatine. Në vend të saj po përdoret me të drejtë fjala shqipe shikues. P.sh.: Shikues i rregullt i teatrit (i kinemasë, i shfaqjeve). Duartrokitjet e shikuesve. Vende për shikues. Po kështu, në këtë kuptim, edhe fjala telespektator duhet zëvendësuar me fjalën teleshikues, p.sh.: Mijëra teleshikues i ndoqën ndeshjet.

    spontan, ~e mb. Fjalë e huaj, me prejardhje nga gjuhët neolatine. FGJSSH e ka si fjalë librore. Kuptimet e saj mbulohen me fjalën shqipe i vetvetishëm, p.sh. Veprim i vetvetishëm. Pjesëmarrje (lëvizje, kryengritje) e vetvetishme. Në mënyrë të vetvetishme. Prirje (dëshirë) e vetvetishme. Bimësi e vetvetishme. Edhe fjala e prejardhur, e formuar me prapashtesën -isht: spontanisht ndajf. mund të zëvendësohet me fjalë e shprehje të shqipes, si vetvetiu (ose thjesht vetiu), në mënyrë të vetvetishme, p.sh.: Mbinë vetvetiu. Lindi vetvetiu (ose në mënyrë të vetvetishme). U shfaq vetvetiu. Dijet nuk vinë vetvetiu.

    stabilitet, ~i m. Fjalë e huaj me prejardhje nga gjuhët neolatine. Kjo fjalë në të kaluarën është përdorur dendur e po përdoret ende pa nevojë në shtyp e në publicistikë. FGJSSH e jep këtë fjalë pa shpjegim, duke e çuar te fjala shqipe qëndrueshmëri, e cila e zëvendëson plotësisht në të gjitha kuptimet e përdorimet. Prandaj, në vend të Stabiliteti ekonomik (politik). Faktor stabiliteti etj., duhet të përdoret Qëndrueshmëri ekonomike (politike). Faktor qëndrueshmërie. Qëndrueshmëria e çmimeve.

  9. #19
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    T


    tarrac/ë, ~a f., tarracoj kal., tarracim, ~i m. ...(mungojnë dy faqe) Tarracat e shtëpive (e pallateve). Shtëpi me tarracë. Dal në tarracë. Shoh nga tarraca. Në këtë kuptim kjo fjalë, si term i arkitekturës, nuk është zëvendësuar, por për kuptimin e saj të dytë “Brez toke i gjatë e i sheshtë, që hapet në faqe të malit a të kodrës dhe që shërben për të mbjellë pemë e bimë të tjera” prej kohësh ka hyrë në përdorim të gjerë fjala shqipe brezar/e,~ja f., të cilën e ka edhe FGJSSH si sinonim të kuptimit 2 të fjalës tarracë, p.sh.: Brezaret e Vlorës (e Sarandës). Mal me brezare. Hapin brezare të reja. Brezare me agrume (me ullinj). Edhe folja e prejardhur tarracoj dhe emri i formuar prej saj tarracim janë zëvendësuar me brezaroj, brezarim, p.sh.: Brezarojnë kodrat. Brezarimi i shpateve të malit.

    tekstualisht ndajf. Kjo fjalë e huaj, formuar me prapashtesën -isht nga tema tekstual me prejardhje nga gjuhët neolatine, ka kuptimin “Siç është (thënë e shkruar) në tekst”. Nuk është përfshirë në FGJSSH, sepse për të shprehur kuptimin e saj në shqipen, kemi togjet fjalë për fjalë dhe pikë për pikë, që përdoren sipas rastit, kur riprodhojmë diçka të shprehur me shkrim a me gojë, pa i hequr e pa shtuar gjë, kur përkthejmë diçka nga një gjuhë në tjetrën fjalë për fjalë, p.sh.: Ai ia përsëriti fjalë për fjalë (pikë për pikë), ashtu siç i kishte parë e dëgjuar. Përkthimi është bërë fjalë për fjalë sipas origjinalit. Nxënësi e tha mësimin fjalë për fjalë (pikë për pikë) sipas tekstit. Edhe mbiemri tekstual, ~e zëvendësohet në gjuhën shqipe me mbiemrin i fjalëpërfjalshëm, ose me togun fjalë për fjalë, p.sh. Përkthim i fjalëpërfjalshëm (fjalë për fjalë).

    transformoj kal., transformohem vetv., transformim, ~i m., transformuar (i, e) mb. Kjo çerdhe fjalësh zë fill nga një temë e burimit neolatin Ajo nuk është përfshirë në FGJSSH, sepse prej kohësh është zëvendësuar plotësisht me fjalët shqipe shndërroj, shndërrohem, shndërrim, i shndërruar, p.sh.: Shndërroj natyrën. Shndërroj ndërgjegjen (shoqërinë). Shtëpi e shndërruar në kështjellë. Shqipëria është shndërruar në një vend me ekonomi të zhvilluar. Shndërrime të thella (rrënjësore). Shndërrime ekonomike (revolucionare). Shndërrimi i energjisë. Dukej krejt i shndërruar.

    transmetoj kal., transmetohet pës., transmetim, ~i m. Kjo çerdhe fjalësh, me prejardhje nga gjuhët neolatine, gjendet edhe në FGJSSH. Folja transmetoj në FGJSSH jepet si fjalë librore. Kuptimi i saj mund të shprehet, sipas rasteve, me disa fjalë të shqipes, si: kumtoj, jap, përcjell, përçoj. Kumtoj (ose jap) një lajm (një urdhër, një porosi, një kërkesë). ATSH-ja kumtoi (ose dha) këtë deklaratë. Luteni t’i jepni (ose t’i çoni) përshëndetjet tona. Rrotat me dhëmbë mbështillen nga zinxhiri, i cili përcjell (ose përçon) lëvizjen. Kjo lloj përcjelljeje përdoret në biçikletat, motoçikletat dhe traktorët. Radioja dhe televizioni japin këngë popullore (muzikë, ndeshjen e futbollit). Dhamë Lajmet. Po kështu, në vend të transmetohet ose transmetim mund të përdoren fjalët jepet dhe dhënie, p.sh.: Ndeshja do të jepet edhe më anë të televizionit. Dhënia e lajmeve.

    transplantoj kal., transplantohet pës., transplantim, ~i m., transplantuar (i, e) mb. Këto fjalë, që përdoren kryesisht si terma të bujqësisë (por edhe në kirurgjinë plastike MD), nuk janë përfshirë në FGJSSH, sepse në vend të tyre përdoren fjalët shqipe artis, artiset, artisje, artisur (i, e). Ja një varg shembujsh, ku fjalët e huaja zëvendësohen me fjalët përkatëse të shqipes: Artis lulet. Artisen bredhat. Artisja e fidanëve. Domate të artisura. Këto fjalë të shqipes zëvendësojnë edhe fjalët me temë të huazuar nga italishtja trapiantoj, trapiantohet, trapiantim, trapiantuar (i. e) që përdoren, pa nevojë, me po ato kuptime. Në raste të veçanta në vend të transplantoj përdoret folja përandit, me kuptimin “shkul një bimë nga vendi ku është mbjellë dhe e ngul në një vend tjetër për ta rritur; i rralloj bimët”, p.sh.: Përanditën pishat. Përanditën bredhat. Po kështu zëvendësohen edhe fjalët e prejardhura transplantim dhe transplantuar (i, e) përkatësisht me përanditje dhe përanditur (i, e), p.sh.: Përfunduan përanditjen e bimëve. Bredha të përanditur.

    turn, ~i m. Fjalë me prejardhje nga gjuhët neolatine. E ka edhe FGJSSH, por pa shpjegim; në vend të saj këshillohet fjala shqipe ndërresë, p.sh.: Ndërresa e parë (e dytë, e tretë). Ndërresa e paradites. Ndërresa e natës. Përgjegjës ndërrese. Punë me dy (me tri) ndërresa. Mori (filloi) ndërresën. Fjala ndërresë përdoret edhe në ushtri për një grup të organizuar ushtarësh, që kryejnë veprime të caktuara, p.sh.: Ndërresa e parë barkas. Përgjegjës i ndërresës.

    tutel/ë, ~a f., tutor, ~i m., tutori, ~a f. Këto fjalë e kanë prejardhjen nga italishtja. Kuptimi i fjalës librore tutelë mbulohet me fjalën shqipe kujdestari, p.sh.: E futi (e mbajti) nën kujdestari. Doli nga kujdestaria. Vende nën kujdestari. Emrat tutor, ~i dhe tutori, ~a janë përdorur si terma në drejtësi, ndërsa sot janë zëvendësuar përkatësisht me fjalët shqipe kujdestar,~i dhe kujdestari, ~a, p.sh.: Kujdestari i fëmijëve. E vunë (e kanë, e morën) nën kujdestari.

  10. #20
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-01-2011
    Vendndodhja
    Mitrovicë
    Postime
    283
    U


    unanim, ~e mb., unanimisht ndajf., unanimitet, ~i m. Janë fjalë me burim nga gjuhët neolatine. FGJSSH fjalët unanim, ~e dhe unanimisht i ka çuar përkatësisht te fjalët shqipe (i. e) njëzëshëm dhe njëzëri, që i mbulojnë ato në të gjitha kuptimet e përdorimet: Vendim (mendim, pranim) i njëzëshëm. Përkrahje (kërkesë) e njëzëshme. Vota të njëzëshme. U miratua (u pranua, u pëlqye) njëzëri. E zgjodhën (e dënuan) njëzëri. Fjala unanimitet, ~i, që përdoret në stilin libror, zëvendësohet me fjalën njëzëshmëri, ~a, p.sh.: Njëzëshmëri e plotë. Parimi i njëzëshmërisë. Shprehje e njëzëshmërisë. E shoqëruar me parafjalën me, pra në shprehjen me unanimitet, është zëvendësuar, ashtu si ndajfolja unanimisht, me fjalën shqipe njëzëri. p.sh.: U vendos njëzëri. Përfundimet i miratuan njëzëri.

    unifikoj kal., unifikohet pës., unifikim, ~I m., unifikuar (i, e) mb. Këto janë fjalë të ligjërimit libror, me temë nga gjuhët neolatine, gjenden edhe në FGJSSH, por pa shpjegime. Në vend të fjalëve të huazuara këshillohet që të përdoren fjalët shqipe njësoj. njësohet; bashkoj, bashkohet; njësim, bashkim, njësuar (i, e), njësishëm (i, e), bashkuar (i, e), p.sh.: Njësuan normën gjuhësore. U njësuan çmimet. U njësuan programet e shkollave. U njësua një organizatë (një parti). Njësohen mendimet (pikëpamjet). Bashkohen organizatat. Bashkojnë forcat. Njësimi i monedhës (i normave, i kërkesave). Forcojnë bashkimin. Norma (çmime) të njësuara. Shkolla e njësuar. Gjuha e njësuar letrare. Drejtshkrimi i njësishëm.

    uniform—e mb. Kjo fjalë e leksikut libror ka hyrë nga gjuhët neolatine. FGJSSH e jep pa shpjegim, duke e çuar te fjala shqipe i njëtrajtshëm, e cila e zëvendëson në të gjitha kuptimet e përdorimet Kështu p. sh., thuhet: Përhapje (shpërhapje) e njëtrajtshme. Dridhje (prerje) e njëtrajtshme. Lëvizje e njëtrajtshme (si term në fizikë, në vend të lëvizje uniforme). Edhe fjala uniformitet, ~i zëvendësohet në të gjitha kuptimet e përdorimet me fjalët shqipe njëtrajtshmëri dhe njëtrajtësi, p.sh. Njëtrajtshmëria (njëtrajtësia) e tokës. Njëtrajtshmëria (njëtrajtësia) e shtresës, Njëtrajtshmëria (njëtrajtësia) e lëvizjes (fiz.).

    univers, ~i m. Fjalë e stilit libror, me burim nga latinishtja. Në vend të saj prej kohësh në gjuhën shqipe përdoret fjala gjithësi, të cilën e këshillon edhe FGJSSH, p.sh.: Ligjet (të fshehtat) e gjithësisë. Studimi i gjithësisë.

    urban, ~e mb., interurban, ~e mb. Fjalë të huazuara nga gjuhët neolatine. Në vend të fjalës urban, ~e mund të përdoren fjalët shqipe qytetor, ~e ose qytetës, ~e p.sh.: Shërbimi (transporti) qytetor (qytetës), kurse në vend të fjalës interurban,~e mund të përdoret fjala ndërqytetor, ~e ose ndërqytetës, ~e p.sh.: Telefon (autobus) ndërqytetor (ndërqytetës). Këto fjalë që i këshillon edhe FGJSSH, kanë nisur të përdoren edhe në shtypin e përditshëm.

    urgjent, ~e mb., urgjent ndajf. Janë fjalë me burim nga italishtja. Mbiemri urgjent, ~e mund të zëvendësohet, sipas rastit, me fjalët shqipe i ngutshëm, i menjëhershëm, i shpejtë, p.sh.: Punë (detyrë, çështje) e ngutshme. Nevojë e ngutshme. Është tepër e ngutshme. Ndihmë e shpejtë. Mori masa të menjëhershme. Telegram i ngutshëm. Lajmthirrje e ngutshme. Edhe për ndajfoljen urgjent mund të përdoren fjalët shqipe menjëherë, ngutësisht, p.sh.: U nisën menjëherë (ngutësisht). E dërgoi menjëherë (ngutësisht).

Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •