V
vadit kal., vaditj/e, ~a f., vaditur (i, e) mb., vaditës, ~e mb., vaditës/e, ~ja f. Këto fjalë, me temë nga sllavishtja, i ka edhe FGJSSH, por pa shpjegime. Në vend të tyre këshillon që të përdoren fjalët shqipe ujit, ujitj/e, ~a, i (e) ujitur, ujitës, ~e, ujitës/e, ~ja, p.sh.: Ujit tokën. Ujit bimët (lulet). Ujiten fushat. Kanal (rrjet) ujitës. Vijë (makinë, aftësi) ujitëse. Ujitëse lulesh. Ujitje e plotë (e pjesshme). Ujitja e grurit (e misrit). Afati i ujitjes. Tokë (sipërfaqe) e ujitur. Bimë të ujitura. Fjalët vadit dhe i (e) vaditur vijojnë të përdoren krahas togjeve të tjera të shqipes me kuptim të përafërt p.sh.: U lanë me gjakun e shokëve. Larë me gjak. I larë në djersë.
verbal, ~e mb., verbalisht ndajf. Fjala verbal ka hyrë në gjuhën shqipe nga gjuhët neolatine. FGJSSH nuk e ka këtë fjalë, sepse është zëvendësuar me shqipen gojor, ~e, p.sh.: Agjitacion gojor. Kumtim gojor. Udhëzime (të dhëna) gojore. Kërkesë (deklaratë, notë) gojore. Marrëveshje gojore. Metodë (formë, kujtesë) gojore. Edhe ndajfolja verbalisht, e formuar brenda shqipes nga tema e fjalës së huazuar dhe prapashtesa –isht, është zëvendësuar tashmë me fjalët shqipe gojarisht, me gojë, p.sh.: U morën vesh gojarisht. E lajmëroi gojarisht. E paraqiti kërkesën gojarisht. E njoftuan gojarisht.
violenc/ë, ~a f., violent, ~e mb. Fjalë të huaja që kanë hyrë në gjuhën shqipe nga italishtja. Nuk i ka FGSSSH. Në vend të violencë në shqipe përdoret prej kohësh fjala dhunë. Ja një varg shembujsh ku fjala e huaj violencë është zëvendësuar me fjalën shqipe: Akt dhune. Me dhunë. Përdor dhunën. Marr (fitoj) me dhunë (me forcë). Fjala violent mund të zëvendësohet me i dhunshëm ose me dhunë: Veprim i dhunshëm (me dhunë).
violet mb. Fjali me burim nga gjuhët neolatine. FGJSSH nuk e shpjegon, por në vend të saj jep fjalën vjollcë, p.sh.: Ngjyrë vjollcë. Fustan vjollcë. Edhe termi i fizikës ultraviolet, që përdoret kryesisht në togun rreze ultraviolet, zëvendësohet me formimin ultravjollcë, pra duke shqipëruar vetëm pjesën e dytë violet me shqipen vjollcë, p.sh.: Rreze ultravjollcë.
vitikultur/ë, ~a f., vitikultor, ~e mb. Këto fjalë, me burim nga gjuhët neolatine, janë përdorur si terma në bujqësi. Fjalën vitikulturë e jep edhe FGJSSH me dy kuptime: 1. Kultura e hardhisë; 2. Degë e shkencës bujqësore që merret me rritjen e hardhisë. Krahas këtij shpjegimi jepet edhe sinonimi vreshtari. Në të dy kuptimet fjala vitikulturë zëvendësohet me fjalën vreshtari, për të cilën FGJSSH jep shpjegime të plota, “degë e bujqësisë që merret me rritjen e hardhisë; kultura e hardhisë; mjeshtëria e vreshtarit”. Termin vitikultor “Fjalori” nuk e jep fare, sepse për këtë kemi fjalën vreshtar për të dy kuptimet “ai që punon vreshtat” dhe “ai që merret me vreshtari”. Prandaj sot përdoren rregullisht: Zhvillimi i vreshtarisë. Studime në fushën e vreshtarisë. Dega e vreshtarisë. Merret me vreshtari. Vreshtar me përvojë etj.
Krijoni Kontakt