PODGORICE- Dorëheqja e kryeministrit malazez, Milo Gjykanoviç, u detyrua nga presionet e mëdha të Brukselit. Këtë e bëjnë të ditur ekspertët e Institutin Ndërkombëtar për studime të lindjes së mesme dhe ballkanike IFIMES. Sipas tyre, me arrestimin e Sanaderit është hapur në Ballkan një epokë e re e luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, ndërsa edhe dorëheqja e Milo Gjukanoviqit ka të bëjë me akuza të ngjashme. "Dorëheqja e kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç erdhi si pasojë e presioneve të bashkësisë ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian dhe lidhet edhe me akuzat për përfshirje në krimin e organizuar dhe në korrupsion", - theksojnë ekspertët. "Problemi i shteteve të rajonit është se në majë të strukturave politike dhe në majë të strukturave kriminale, si zakonisht ndodhen njerëzit e njëjtë", - thotë për Deutsche Wellen kryetari i Institutit IFIMES, Zijad Beqiroviç. "Arrestimi i ish-kryeministrit kroat Ivo Samader hapi një epokë të re në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Asnjë politikan i rangut më të lartë më nuk mund të jetë i sigurt se nuk do të arrestohet për veprat e kryera", - vlerëson ai. Edhe dorëheqjen e kryeministrit malazez, Beqiroviç e sheh të lidhur me akuzat për krim të organizuar dhe korrupsion. "Ne më parë kemi deklaruar se Gjukanoviç ndodhet nën presion ekstrem dhe se duhet të tërhiqet nga skena politike. Largimi i tij lidhet me proceset kundër tij në Itali por edhe mundësinë e fillimit të proceseve të reja", - thotë ai. Megjithatë pa dëshmi konkrete nuk mund të thuhet saktësisht pse kryeministri Gjukanoviç dha dorëheqjen, vlerësojnë në Këshillin e Evropës. Kryetari i grupit të shteteve për luftë kundër korrupsionit GRECO, Drago Kos, thotë se vërejtje të pakundërshtueshme për korrupsionin në adresë të Gjukanoviçit janë dëgjuar për vite të tëra dhe ka qenë vetëm çështje kohe kur do të fillonin pasojat. Ndërkohë, politika në Mal të Zi është trazuar që prej dorëheqjes së kryeministrit. Opozita kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, por Partia në pushtet dhe partnerët e saj e quajnë këtë kërkesë të pabazë dhe antikushtetuese. Ithtarë të idesë së zhvillimit të zgjedhjeve të reja janë Nebojsha Medojeviç, lider i Lëvizjes për Ndryshime dhe Andrija Mandiç nga Demokracia e Re Serbe. Mandiç pohon se Gjukanoviç bën pjesë tashmë tek aksioni "Pakoja Ballkanike". "Nga skena politike do të largohen Sanader dhe Gjukanoviç, pra ata që nuk janë shqetësuar aspak për respektimin ose mosrespektimin e ligjeve", pohon ai. Nga ana tjetër përfaqësuesit e koalicionit qeverisës kanë hedhur poshtë këtë kërkesë të opozitës. Kryetari i Partise Social-demokrate, partnere e koalicionit qeverisës në Mal të Zi dhe kryetar i Parlamentit Ranko Krivokapiç thotë se shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk ka bazë ligjore. Ai thotë se Qeveria nuk ka rënë por kemi të bëjmë vetëm me dorëheqjen e kryeministrit. Edhe Luigj Shkreli, anëtar i këshillit qendror të partisë në pushtet, thotë se kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme është e pabazë. Ai në vazhdim vlerëson lartë rolin e Gjukanoviçit në krijimin e një shoqërie shumë-etnike me synim integrimet evropiane dhe evro-atlantike. Sipas tij, pakicat në Mal të Zi Gjukanoviçin do ta mbajnë në mend si politikan të hapur e konstruktiv.
(Shkrimi eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt