Flet ish-ministri i Financave dhe i Ekonomisë, anëtari i Akademisë së Shkencave
Fatura ende e padukshme e katastrofës së përmbytjeve, ajo financiare kërkon një ndërhyrje paraprake prej nga ku mund të kanalizohen më mirë energjitë dhe fondet e shtetit. Ish–ministri i Financave, Anastas Angjeli, hedh në këtë intervistë disa sugjerime me vlerë, që përveç aspektit ekonomik japin edhe një rrugë komunikimi politik, së fundmi i munguar.
Buxheti i vitit 2011 sapo u miratua dhe një nga ndryshimet e bëra me një debat të gjerë ishte dhe ai, që vetë mazhoranca qeverisëse bëri për të përballuar pasojat e përmbytjeve në zonën e Shkodrës. Në disa deklarime tuaja, ju keni thënë se kjo është e pamjaftueshme. Pse dhe si e gjykoni këtë në kushtet që katastrofa po zgjerohet?
-Katastrofa nga përmbytjet dhe pasojat e saj po vijnë duke u rritur në mënyrë shumëdimensionale, si nga pikëpamja e shtrirjes territoriale në vend, ashtu edhe nga pasojat dhe dëmet që ajo po shkakton, në të gjitha planet. Kështu që propozimi i bërë dhe i miratuar për një fond për ndërhyrje në shtratin e lumit të Bunës, mendoj se megjithëse i domosdoshëm, ishte, dhe tashmë akoma më shumë, mbetet i pamjaftueshëm. Ideja ime, e bërë dy ditë më parë (para miratimit nen për nen të buxhetit) ishte për një ndihmë më të madhe dhe me një vizion tjetër. Më konkretisht, ajo lidhej me faktin se kjo çështje tashmë po shndërrohet në “kronikë” dhe nuk mund të zgjidhet “duke fajësuar Zotin apo natyrën”. Kjo kërkonte një reflektim më të gjerë ndaj ndryshimeve globale të klimës, ndaj “ekonomisë së gjelbër” përmes fillimit të projektimit dhe zbatimit të programeve konkrete në vendin tonë. Natyrisht, për momentin dhe çështjen në fjalë, mendoja dhe sugjeroja se diskutimi dhe miratimi i buxhetit 2011, ishte rasti më i mirë për krijimin dhe miratimin e një Fondi të Posaçëm për Përballimin e Situatës së krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. (Jashtë fondit të kontigjencës apo fondit rezervë të KM). Teknikisht, ky problem mund të zgjidhej, ose duke e vendosur nen të veçantë në Ligjin e Buxhetit të vitit 2011, me detyrimin që kundrejt një projekti konkret, kjo shumë të rimiratohet me gjithë projektin për përballimin e situatës në zonën e Shkodrës, me ligj të veçantë, në fillim të sezonit të ardhshëm kuvendor në janar 2012, ose këto fonde t’u shtohen Ministrive të Linjës që lidhen me çështjen e përmbytjeve (pjesëtare të projektit) si: Ministria e Bujqësisë, Ministria e Transportit, Ministria e Brendshme e Pushtetit Vendor), Ministria e Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë etj., kundrejt projektit që të miratohet gjithashtu me ligj. Natyrisht, kjo kërkonte edhe konsensusin e opozitës. Me sa duket, situata po progreson me shpejtësi dhe katastrofa nga përmbytjet po zgjerohet dhe prognoza edhe në javën e ardhshme duket se jep sinjale të vazhdimit të përkeqësimit të saj. Kësisoj duhet vazhduar, që brenda mundësive të jepen zgjidhjet më efektive.
Z.Angjeli, a mund të na thoni më konkretisht se cilat mund të ishin këto zgjidhje?
Së pari, qeveria duhet të menaxhojë buxhetin e mbetur të këtij viti në mënyrë më efektive në dobi të minimizimit të pasojave të përmbytjes, sidomos për çështjet më emergjente të kësaj faze(Evakuimi i banorëve, zhbllokimi i pikave nevralgjike që mund të pakësojnë sasinë e ujërave, sigurimi i pajisjeve e mjeteve të nevojshme, marrja e masave për furnizim me ushqime e medikamente, për njerëzit në radhë të parë, por edhe për gjënë e gjallë) etj.
Së dyti, unë mendoj se qeveria ka ende kohë, të rivlerësojë situatën dhe nëse mendon se duhen bërë ndryshime të tjera në buxhet (destinacion shpenzimesh) nuk duhet të ngurrojë t’i drejtohet Presidentit të Republikës të mos e firmosë projektbuxhetin e vitit 2011 dhe ta rikthejë atë në Kuvend për ndryshime, ku besoj se nuk do të mungojë konsensusi i opozitës, të cilin e ofroi edhe pak ditë më parë. Kjo nuk është tërheqje, por reflektim ndaj situatës katastrofike që po rëndohet, nga ora në orë dhe në të gjithë territorin e vendit. Natyrisht që në këto ndryshime tashmë nuk duhet konsideruar vetëm zona e Shkodrës, por gjithë zonat e prekura dhe ato që parashikohen të preken.
Së treti, është momenti që të ketë një kontribut më të madh edhe nga komuniteti i biznesit dhe çdo qytetar.
Z.Angjeli, mendoni se buxheti ynë i ka mundësitë që të përballojë gjithë këtë dëm të madh financiar?
Natyrisht që mundësitë financiare janë të kufizuara dhe të pamjaftueshme, pasi duhet të përmbushen edhe shumë detyrime të tjera, por këtu fjala është për të bërë maksimumin e mundshëm, duke privuar apo spostuar në kohë ndonjë prioritet, që tashmë s’mund të jetë prioritet. Nga ana tjetër, nisur nga përmasat alarmante që po merr kjo katastrofë natyrore e përmbytjeve, nisur nga përshkallëzimi në rritje i reshjeve dhe në ditët në vijim dhe për rrjedhojë dhe rritja e pasojave dhe dëmeve jo vetëm humane, por edhe ekonomike e veçanërisht e “faturës financiare” me përgjegjësi qytetare, profesionale, por edhe politike si ish-ministër i Financave dhe i Ekonomisë sugjeroj:
-Institucionet e Larta Drejtuese të Shtetit dhe ato që kanë përgjegjësi direkte të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë dhe të drejtat për t’iu drejtuar urgjentisht partnerëve dhe institucioneve ndërkombëtare, donatorëve, kundrejt projekteve konkrete për ndihmë emergjente dhe financiare (duhet urgjentisht të funksionojnë grupet e evidentimit dhe vlerësimit, të dëmeve dhe pasojave) etj. Gjithashtu, vendi ynë, si vend anëtar i NATO-s duhet të insistojë në kërkesën e ndihmës për përballimin e kësaj katastrofe dhe pasojave të saj që mund të shndërrohen në dramatike. Akte dhe konventa ndërkombëtare parashikojnë detyrimet e institucioneve të ndihmës emergjente dhe pse jo, edhe humanitare, në raste katastrofe, ç’ka i japin mundësi qeverisë, të kërkojë urgjentisht këto lloj ndihmash.
Cili është gjykimi juaj mbi rolin e opozitës në këtë situatë?
Dua të theksoj se besoj se për të gjithë është e qartë se këtë katastrofë nuk e krijoi opozita. Kjo është një katastrofë natyrore, që padyshim qeveria dhe institucionet e saj, kanë përgjegjësinë e tyre, për atë pjesë që lidhet me ushtrimin e detyrave dhe kompetencave në fushat përkatëse sipas vartësisë, si dhe një përgjegjësi lidhet me faktin se sa dhe si janë zbatuar masat e marra në fillim të këtij viti ku u ndodhen në një situatë, thuajse të tillë, por që kryesisht ishte e izoluar, në zonën e Shkodrës. Nga ana tjetër, opozita ofroi kontributin e vet me diskutimin në Kuvend, sipas mënyrës së saj,i cili nuk u konsiderua. Por mua më duket se në këtë moment ka më shumë rëndësi bashkëpunimi dhe solidariteti sesa politizimi i tejskajshëm, apo nxjerrja e përgjegjësive apo transferimi i tyre.
Krijoni Kontakt