Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, thotë se partitë politike që e kanë sjellë Kosovën në gjendjen aktuale e kanë “karton të kuq” për koalicion
Jeton Llapashtica
Prishtinë, 21.11.2010. Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, në një intervistë për “Zëri” thotë se subjekti politik që ai drejton nuk do të bëjë koalicion me asnjërën nga partitë e mëdha në vend. Klinaku, lëvizja e të cilit në zgjedhjet parlamentare do të garojë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, thotë se agjendën e bisedimeve me Serbinë, pala kosovare duhet ta hartojë vetë dhe se në të duhet të futet edhe Kosova Lindore dhe jo vetëm veriu i vendit.
Zëri: Në zgjedhjet e dhjetorit Lëvizja për Bashkim do të garojë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Pse e keni marrë këtë vendim?
Klinaku: Zgjedhjet në Kosovë edhe vetë KQZ-në e ka zënë bukur të papërgatitur për shkak të mbajtjes së jashtëzakonshme të tyre. Edhe Lëvizjes për Bashkim këto zgjedhje i kanë ardhur në një moment tepër kritik, kur ne po e bënim tejkalimin nga veprimtaria teorike, pra nga hartimi i programeve, platformave, vijës politike në pjesën e punës praktike që është shtrirja e organizatës nëpër komuna tjera. Ky moment kritik ka ndikuar që ne të provojmë t’i grumbullojmë forcat me të cilat përafërsisht përputhemi në pikëpamje, në mënyrë që të formojmë një bllok të së mirës në Kosovë, një bllok kundër bllokut të së keqes e që faktikisht është i përbërë nga pesë partitë kryesore, të cilat e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.
Zëri: Çka synoni të arrini në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje?
Klinaku: Koalicioni është vetëm zgjedhor dhe në radhë të parë është çështja e votës. Jemi të interesuar që ta maksimalizojmë votën për bllokun e mirë, apo bllokun i cili përpiqet për bashkim kombëtar dhe nëse dëshirojmë ta përmbledhim këtë me dy fjalë, për bashkim kombëtar dhe luftë anti-korrupsion. Dëshirojmë që me këtë votë zëri i këtij blloku të dëgjohet në Parlamentin e Kosovës. Ky është synimi kryesor.
“Karton të kuq” për partitë e mëdha
Zëri: Nëse hyni në Kuvendin e Kosovës, me cilën parti pretendoni të bëni koalicion qeverisës?
Klinaku: Tani parapëlqimi ynë është realizuar në terren dhe duket qartë. Në koalicion me tjerët në një farë forme ne e kemi, jo në prag të zgjedhjeve, por qysh më herët kemi bërë, i kemi vendosur ato që tani po quhen vija të kuqe, do të thotë, me pesë partitë politike që janë fajtorët kryesorë për gjendjen aktuale dhe të cilat asnjë shenjë përmirësimi nuk kanë në këtë drejtim, ne nuk bëjmë koalicion. Ato janë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë.
Zëri: A do të pranoni të hyni në koalicion me një parti, e cila në bisedimet direkte me Serbinë do të mund ta trajtonte edhe zgjidhjen e çështjes së veriut të vendit?
Klinaku: Tani nëse ne flasim vetëm për veriun, për mendimin tonë bëhet gabimi i parë dhe edhe zgjidhja predikohet. Nëse flasim vetëm për veriun, zgjidhje do t’i jepet vetëm veriut. Ne mendojmë se në raportet shqiptaro-serbe nuk ekziston vetëm një çështje dhe ajo e veriut, por ekziston edhe çështja e Kosovës Lindore. Nëse ne lejojmë që të na imponohet agjenda e bisedimeve, e vërtet është se do të jetë vetëm veriu në agjendë, por ne duhet të insistojmë që të mos jetë kështu. Agjendën në një farë forme ta imponojmë edhe ne dhe nëse lejojmë që të bisedohet vetëm për veriun zgjidhje do të gjendet vetëm për veriun dhe aty ne jemi menjëherë në disavantazh.
Thaçi shkatërroi identitetin e shqiptarëve
Zëri: Kryeministri Hashim Thaçi po pretendon se në partinë e tij i ka të gjitha grupet e shoqërisë, të cilët kanë kontribuar më së shumti për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Cili është vlerësimi i juaj për këto pretendime të “uzurpimit” të meritave?
Klinaku: Nëse i shohim vetëm nga deklarimet nuk ka parti politike që nuk deklaron se i ka në gjirin e vet të gjitha sferat e shoqërisë, që nga ato të luftës e deri te këto të ndërtimit të shtetit. Këto janë vetëm deklarata, por duhet të bazohemi në veprime konkret të tyre. Po pajtohem me juve, kur thoni se vetë PDK-ja, normalisht duke qenë udhëheqëse në institucione krejt këto veprime i ka kryer në kundërshtim me deklaratat e veta politike. Duke filluar nga imponimi i flamurit, që është aktualisht shtetëror i Kosovës, festa e 28 Nëntorit, të cilën e ka shndërruar në një festë të shqiptarëve, pra një ditë në 365 ditë për 95 për qind të popullsisë, Kushtetuta, e cila Kosovën e desovranizon, pra shqiptarët i margjinalizon dhe Pakoja e Ahtisarit e shumë çështje të tjera, të cilat në veprim kanë ndryshuar plotësisht në deklarata publike.
Zëri: Vazhdimisht po thoni se me pesë partitë më të mëdha nuk do të bëni koalicion. Nuk do të bëni koalicion vetëm për shkak të keqqeverisjes. Apo për shkak të pushtetit ato mund të bënin edhe kompromise në dëm të vendit?
Klinaku: Tani nëse i shohim veprimet e qeverive të deritashme dhe nëse guxojmë të predikojmë se në qeverinë e ardhshme paska me qenë PDK-ja, LDK-ja apo AAK-ja, ose një koalicion i mundshëm i tyre, ky është vetëm një predikim dhe nuk mendojë se do të duhej të ndodhte kështu, dhe pyetja juaj të shtrohet a do të jenë të gatshme që për shkak të pushtetit ta japin një pjesë të Kosovës, apo të bëjnë koncesione siç kanë bërë në të kaluarën, unë mendoj se ai rrezik është permanent për shkak se na tregon historiku i tyre i mëhershëm.
Zëri: Edhe nëse qeverinë e drejton Hashim Thaçi?
Klinaku: Këto janë bërë gjithmonë, madje sidomos duke i drejtuar Hashim Thaçi. Nën qeverinë e Hashim Thaçit janë bërë të gjitha këto ndryshime që i thash pak më parë që kanë qenë tërësisht antikombëtare, që kanë qenë në kundërshtim me intereson qytetarëve të Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë në përgjithësi. Ato derisa kanë ndodhur në të kaluarën, nuk kemi asnjë arsye të mendojmë se do të ndryshojnë tash.
Krijoni Kontakt