
Postuar më parë nga
Edvin83
TIRANE-Parlamenti miratoi dje, prishjen e Piramidës dhe ndërtimin në vend të saj, të godinës së re të legjislativit. Projektvendimi me kërkesë të disa deputetëve të PD-së u miratua me 71 vota pro dhe 64 kundër, në fund të seancës së djeshme parlamentare, e cila ishte shumë e rrëmujshme. Në këtë vendim saktësohet ndërtimi i Kompleksit të ri parlamentar në vendin ku ndodhet Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”, në Tiranë, sipas planvendosjes së parashikuar. Projekti i kompleksit të ri parashikohet të realizohet me anë të konkursit ndërkombëtar, me ftesë për marrje pjesë të studiove më të njohura ndërkombëtare, sipas detyrës së projektimit që i bashkëlidhet vendimit, por që ende nuk është bërë publik. Vlerësimi i projekteve të paraqitura do të kryehet nga një juri ndërkombëtare e përbërë prej pesë arkitektësh të shquar, vendas dhe të huaj. Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi dhe akteve të tjera ligjore, do të krijohet edhe një komision shtetëror, ku do të bëjnë pjesë veç Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit edhe kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Në këtë komision janë edhe Ministri i Punëve Publike e Transpoirteve, i Financave dhe dy krerët e grupeve më të mëdha parlamentare në Kuvend e Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. 7 ditë, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi do të përcaktojë studiot e njohura ndërkombëtare që do t’ju dërgohet ftesa për të marrë pjesë në këtë konkurs si dhe do të miratojë rregulloren e organizimit të Konkursit ndërkombëtar.
Ideja për ndërtimin nga e para të sallës së re të Kuvendit, së bashku me komisionet dhe me zyrat që sot ndodhet ish-godina e Komitetit Qendror u bë publike gati një muaj më parë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo, sipas saj, është një sfidë për tu realizuar në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Nga ana tjetër, në nisje të këtij sesioni, Kuvendi shpenzoi 73.2 milionë lekë për rikonstruktimin e sallës së seancave parlamentare. Është bërë konfigurimi, heqja dhe rivendosja e sistemit elektronik, i cili është sistemi më modern në Europë. Ndërkohë për projektin që do të fillojë të vihet në jetë dhe që mendohet të përfundojë për një periudhë dy-vjeçare do të bëhet një ligj i veçantë, ku do të përcaktohen edhe fazat vijuese të ndërtimit, çmimet, etj.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt