Nje shkrim shume interesant per ngjarjen.
Kush e rrahu arkitektin Maks Velo
• Fatos Lubonja
Lexova para disa ditësh në gazetën “Shekulli” një lajm të rëndë, shqetësues , për rrahjen dhe kërcënimin me vdekje të arkitektit Maks Velo nga një individ që identifikohej si pronar apo agjent i një pronari që po ndërton diçka në Tiranë. Bëhej fjalë për një godinë në një shesh (që nuk jepej me emër), për të cilin Velo thuhej se kishte shkruar para dy muajsh se ishte një dhunim i arkitekturës dhe urbanistikës, por nuk jepej informimi se ku dhe kush. Përbri lajmit kishte edhe një letër solidariteti me Velon, e firmosur nga emra të njohur të jetës sonë intelektuale, ku denoncohej akti. Por edhe aty vura re se nuk përmendej autori dhe sheshi, ndonëse ngjarja kishte ndodhur ditën për diell, kur Velo kthehej nga shëtitja e mëngjesit në Parkun e Liqenit, dhe agresori nuk thuhej se kishte qenë i maskuar.
Për të marrë vesh se për cilin shesh dhe për cilin pronar bëhej fjalë m’u desh të pyes një burim konfidencial me të cilin pata, pastaj, edhe një bisedë paksa më teorike. Më rezultoi se, sipas gjithë gjasave, bëhej fjalë për ndërtesën që po ngrihet në Sheshin Italia përpara stadiumit “Qemal Stafa”, atje ku dikur ka pasur një lulishte. Burimi që më informoi më tha se pronari qënkej i revoltuar pasi ai e ka me leje atë ndërtim, duke shtuar se Velo nuk ka të drejtë që e përmend atë sepse duhet të përmendte Bashkinë që i ka dhënë leje. Shkurt, gati gati sikur po e justifikonte disi pronarin që kishte rrahur Velon.
Ajo që më intereson mua, përtej kësaj historie, është bash pyetja se kush e ka rrahur e kanosur Maks Velon, që ndryshe shtrohet në formën e pyetjes: kush ka ushtruar dhunë mbi shprehjen e lirë në emër të interesit publik, që e konsideroj si dhunë edhe mbi mua si qytetar dhe gazetar, pasi edhe unë mendoj se ajo ndërtesë vërtet është një shëmti dhe dhunë arkitektonike në atë shesh, madje edhe në kundërshtim me të famshmin ligj që e ka bërë atë zonë monument kulture? Me fjalë të tjera solidarizohem edhe unë me një pasazh të letrës së intelektualëve të njohur, ku thuhet se “ndihemi të pambrojtur”, (pambrojtje që sipas meje shprehej qartë dhe në frikën që kishte gazeta për të investiguar autorin e krimit), duke parë se “kushdo që ka para, që merr leje ndërtimi ose hap biznese të mëdha, mund të na kërcënojë hapur”.
Mirëpo, ndërkohë që mediat që shkruan për rrahjen e Velos përqendroheshin te fajësia e biznesmenit, të cilit më në fund i doli emri, sipas bashkëbiseduesit tim, Velon nuk e ka rrahur e kërcënuar ky, por Bashkia pasi është ajo nxitësja, shkaktarja e këtij konflikti sepse ajo ia ka dhënë lejen e ndërtimit dhe prandaj në media nuk del se cili është sheshi dhe cila është ndërtesa. Ja, dëgjo – shtoi ai - mund të ketë shumë barbarë e injorantë që nuk dinë se ç’do të thotë një monument kulture dhe që mund të ndërtojë ku t’ia dojë interesi, po janë politikanët që i kemi vënë për të na ruajtur nga këta injorantët që e mbajnë përgjegjësinë. Tek e fundit, pra, ai më hodhi idenë se një biznesmen mund të bëjë çfarë të dojë përderisa gjen politikanë të korruptuar, prandaj ne duhet të ushtrojmë presion mbi politikanët dhe ligjbërësit tanë dhe jo mbi biznesmenët tanë, siç më akuzoi se bëj unë ndonjëherë në shkrimet e mija.
Personalisht kam një problem me këtë argumentim, që në vështrimin e parë duket se s’ka të sharë. Problemi, sipas meje, qëndron në atë se shteti nuk është diçka abstrakte që punon pavarësisht nga të pasurit dhe të varfrit nëpërmjet ligjit që është i barabartë për të gjithë. Kështu thuhet se duhet të jetë teorikisht, por në praktikë, e veçanërisht tek ne, është krejt ndryshe. Shteti, në fakt, është produkt i qytetarëve të tij dhe në rastin tonë, nëpërmjet atij instrumenti që tanimë e njohim të gjithë me emrin “korrupsion”, shteti është kapur nga ata qytetarë që kanë para, e që ndajnë pushtet e interesa me politikanët në institucionet shtetërore. Prandaj, ne kemi arritur në situatën që e shohim jo vetëm me Sheshin Italia, por edhe në shumë sheshe të tjera të Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, pavarësisht nëse rrihet apo jo ndonjë si Maks Velo dhe pavarësisht se për masakrimin e të tjerë shesheve intelektualë si Maks Velo dhe të tjerë nuk flasin fare. Pse planet franceze e belge që shkatërrojnë sheshin “Skënderbej” çfarë janë?
Sipas meje, ajo çka ka ndodhur me Tiranën dhe jo vetëm është prova më evidente se shteti është i këtyre pronarëve. Prandaj dhe Velon, që shfaqet në këtë rast si zë i interesave të publikut, nuk e ka rrahur as Bashkia veçmas dhe as pronari veçmas, por të dy së bashku, si dy faqe të së njëjtës dorë. Pra Maks Velon e rrahu dhe kërcënoi me vdekje shteti si instrument i këtyre pronarëve, ku politikani bën fasadën e dukshme të tij, kurse pronari përbën thelbin e tij. Dhe kur them “shteti” nuk kam parasysh vetëm Bashkinë që i ka dhënë lejen e ndërtimit atij/atyre pronarëve. Edhe gjykatat të këtyre pasunarëve janë. Madje, madje do të thosha se ky pronari që ka rrahur Maks Velon duhet të jetë disi i frustruar apo i pafuqishëm që ka përdorur thonjtë e vet sepse ka të tjerë që kanë thonj shumë më të sofistikuar: media e instrumente të tjera shumë më të fuqishme për të të “rrahur” e “kërcënuar” në mënyrë që të mos të të lenë asnjë shenjë. Harruat që biznesmeni i njohur Taçi, pasi rrahu një gazetar e i doli boja, nxitoi të blejë një televizion? Bile bile, po shkoj edhe më larg: këta pasunarë kanë në dorë të bëjnë edhe ligje që të mbrojnë grabitjet e tyre. Pse, rastësisht është mbushur Parlamenti me milionerë?
Dikush në këtë moment të diskutimit do të më thotë: shkove shumë larg në abstragim se, tek e fundit, kështu është edhe në SHBA: lobet e fuqishme diktojnë politikën. Po edhe në SHBA, për fat të keq, ka lobe të pasurish që kontrollojnë pushtetin e që, jo rrallë, veprojnë në dëm të shumicës. Shikoni se ç’ndodhi me krizën ekonomike që shkaktoi një bandë të babëziturish me qendër në Ëall Street. Por ka dhe diferenca ama: ne jemi shumë më të paditur se ata, prandaj dhe shumë më të dhunshëm e më të babëzitur e më miopë, shumë më jashtinstitucionalë se ata, shumë më informalë se ata dhe, ç’ka është më e rëndësishmja, kemi shumë më pak instrumente në mbrojtje të interesave të atyre që nuk janë pjesëtarë të bandës dmth. të interesave të publikut të gjerë. Dhe nuk janë diferenca të vogla.
Prandaj vazhdoj të ngulmoj se, përveç shumëçkaje që ka të bëjë me implementimin e shtetit ligjor në vend (e në këtë rast më vjen mirë që policia ka vepruar ndaj agresorit ndonëse çështja që shtroj nuk ka të bëjë me krimin e rrahjes e kanosjes ndaj Velos, por me krimin e padrejtësisë së rëndë shoqërore që është instaluar në vend për shkak të lidhjes korruptive politikë-biznes), është e nevojshme të lindë sa më parë një parti e lëvizje civile vërtet e majtë. Një parti e lëvizje e majtë që të mbrojë vërtet interesat e shtresave të pambrojtura të shoqërisë, pasi partia e kryesuar nga Kryetari i Bashkisë, që i ka dhënë leje ndërtimi rrahësit të Velos, sikurse thonë shumë zëra kritikë brenda saj, ka pak shanse të shndërrohet në një parti siç ka emrin, “socialiste”, pasi tashmë është e kapur me thonj për fyti nga pasunarët si ky thonjvënësi i Velos që, kur s’të rrahin dot duke të blerë, të rrahin fizikisht dhe, kur as kjo s’mjafton, të kërcënojnë edhe me vdekje.
"Panorama"
Nuk e rrahen Maksin e shkrete dhe para ca vitesh?
Se ke mbeshtet Maksi Velo, eshte e drejta e tij si qytetar i lire. Ashtu sic eshte e drejta e tij qe te shpehi mendimin e tij hapur per urbanistiken e Tiranes. Eshte krim te dhunosh nje qytetar vetem se shkruajti nje artikull ne gazete per urbanistiken. Personi qe e ka dhunuar Velon duhet te marri ndeshkimin maksimal te ligjit dhe duhet te behet shembull per te gjithe ata qe i genjen mendja se qendrojne mbi ligjin.
Raste te tilla duhet te ndeshkohen me ligj dhe shteti duhet t'i dali ne mbrojtje qytetarit i cili dhunohet ne kete menyre vetem se levroi lirine e fjales.
Albo
Ehh eshte nje thenje "Goja Ham Shpina Bam" gzohem qe e paskan rahur,ndoshta ky Velo mund ket pat te drejt te kjo pun ama une jam i kenaqur sepse goja e ketij i knaqi sllavet ne maqedoni e dini mesiguri te gjithe se cka tha per ne te TV Klan.
SIKUR EDHE 1 MILION SHQIPTAR DO VRITEN NGA SLLAVET JU PERSERI DO THONI MIRE JEMI!!TURP
Maks Velo: Politika mbron ndërtuesit, shteti është pushtuar
Dërguar më: 31/05/2010 - 14:03
Fatmira Nikolli
Ai i ka ende në qafë shenjat e dhunës ushtruar mbi të. "Janë në mes 400 milionë lekë, ndaj më goditi", - thotë Maks Velo, arkitekti i sulmuar para pak ditësh në orën 09:25 të mëngjesit, për shkak të një artikulli. Në këtë të fundit, ai cilësonte si një gabim urban një godinë që kishte nisur të ndërtohej mes Rektoratit dhe stadiumit "Qemal Stafa". Teksa pohon se pas këtij artikulli punimet u pezulluan meqenëse u vunë në dijeni kryeministri i vendit dhe kreu i Bashkisë, ai shton se në Shqipëri ndërtuesit janë të lidhur me politikën, ndaj këta të fundit e kanë pushtuar Tiranën. I sulmuar nga një biznesmen, gjatë intervistës dhënë për gazetën, Velo shton se trualli mbi të cilin po ndërtohet pranë stadiumit "Qemal Stafa" është në fakt pronë e shtetit. Sipas tij, ajo iu është blerë pronarëve nga italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore. "Por siç ndodh në vendin tonë, ajo na paska edhe pronar tjetër, e ky i fundit ia ka shitur ndërtuesit që po ngre një godinë aty, 400 milionë lekë. Unë nuk e di se kush e mbron e me kë ka të bëjë ky ndërtues që më sulmoi mua, po duhet të ketë lidhje të forta". Ai e sheh këtë ngjarje si pasojë e një problemi të madh, atij të shpërfytyrimit urban të shoqërisë. Velo e quan absurd faktin që një person nga Gjirokastra e ka marrë atë truall si kompensim. "A jepet për kompensim një pronë publike?" - pyet Velo, të cilin biznesmeni e ka kërcënuar edhe me jetë. Në këtë rrëfim të gjatë për të sqaruar ngjarjen, ai tregon se si nisi kjo histori, pse nuk shkoi në polici derisa i telefonoi Lulzim Basha e çfarë i tha ky i fundit? Sa e rrezikuar është fjala e lirë dhe, a do vijojë ai t'i denoncojë ndërtimet. Ai nuk harron të thotë se është habitur nga qëndrimi i shoqatës "Tirana", e cila si asnjëherë tjetër, kësaj radhe heshti!
Ju u sulmuat para disa ditësh nga një biznesmen. Cilat janë arsyet që ju sulmoi?
Në fakt, kjo është një histori e gjatë që vazhdon prej gati 15 vitesh. Unë e kisha ndjekur me të dëgjuar historinë e këtij ndërtimi, por qe një fakt shumë i rëndë. Problemi qëndron kështu. Një personi, për një pronë në Gjirokastër, Komiteti i Kthimit të Pronave i kthen truall në Tiranë dhe i jep një territor publik. I jep si kompensim lulishten që është pranë "Kolonave", përballë stadiumit "Qemal Stafa". Është shumë interesant fakti tjetër që unë nuk e dija, por ma tha Artan Lame. Ai truall iu është blerë pronarëve nga italianët, bashkë me truallin ku është akademia etj. Pra është një tokë e trashëguar. Kjo e rëndon akoma më shumë problemin. Dhe, prej kohësh ajo ishte e rrethuar me llamarina, gjë që të linte të kuptoje se do ndërtohej diçka. Në maketin francez ajo tokë ishte lulishte. Pra ish-kryeministri Nano nuk e dha si tokë ndërtimi. Ky personi që e kishte marrë si kompensim, e ka shitur me një shumë parash fantastike, 400 milionë lekë. Ata që e kanë blerë, kanë paguar një avokat, i cili pasi ka parë dokumentet iu ka dhënë OK-in që ta blinin. Pasi e blenë, kërkuan leje ndërtimi, dhe këtu është faji i dytë i rëndë që Bashkia ia dha lejen. Pastaj e anuloi atë dhe filloi procesi gjyqësor, e në tri shkallët e tij fitoi Bashkia, ndërsa në Kushtetuese fitoi ndërtuesi. E në vend që kjo gjykatë të shihte se kishte një shkelje kushtetuese të rëndë, ajo e aprovon ndërtimin dhe fillon puna. Në këtë moment unë shkruaj artikullin, ka qenë data 11 mars. E në të thuhej se është një gabim i rëndë urbanistik. Dua të sqaroj opinionin se unë kam bërë një artikull të veçantë për këtë problem, se ka njerëz që e ngatërrojnë me një tjetër shkrim. Aty, unë kam shënuar të dhënat që janë në tabelën para godinës. Pas këtij shkrimi punimet janë pezulluar pas vënies në dijeni të kryeministrit dhe kreut të Bashkisë së Tiranës. Tani ai më konsideron mua fajtor për këtë gjë.
Si ndodhi ngjarja e ku ishit ju atë ditë?
Unë kisha dalë herët në mëngjes dhe pasi ika nga parku, u ula për një kafe tek "Sheratoni" jashtë, e pasi lexova edhe gazetat, u ngrita të iki. Ndërsa ecja, dikush më thirri në emër. Ka qenë ora 09:25. Ndalova dhe pashë një burrë të veshur mirë që vraponte. Më pyeti nëse e njihja dhe i thashë jo. Dhe ai më tha që i kisha shënuar emrin në gazetë, se jam pronari i truallit. I thashë që ajo që keni vënë në afërsi të godinës është publike dhe mund ta shohë çdokush, e ndaj vihet. Më pas më tha: 'Unë do të të vras, do të të shqyej, do të të nxjerr gurmazin" dhe më kapi për fyti. Pastaj dihet se çfarë ndodhi.
Fillimisht ju nuk e bëtë denoncimin në polici, më pas ndryshuat mendje. Përse?
Nuk doja ta bëja, por e bëra. E bëra meqenëse ministri Lulzim Basha më mori në telefon dhe e falenderoj për këtë, sepse u vunë të gjithë në lëvizje për ta kapur, e qe ai që më këshilloi që ta bëja. Unë nuk kisha besim tek këto instanca sepse para tri vitesh në një të përditshme unë isha i sulmuar edhe i ofenduar çdo ditë. I hodha në gjyq, e ky i fundit zgjati tre vjet. Meqenëse mua nuk më kishin ardhur lajmërimet nga posta për tri seancat e fundit, se ishin ndërruar 4 gjyqtarë, procesi u anulua. Në prokurori më thanë që mund të nisja një gjyq me postierin e më pas t'ia nisja nga e para gjyqit me gazetën. Dhe unë hoqa dorë, por humba edhe besimin tek drejtësia. Tani, atë që më sulmoi mua e kanë kapur, dhe le të shohim si do të shkojë. Në rastin për të cilin po flasim, Shoqata 'Tirana' nuk po ndërhyn fare, dhe është për t'u çuditur sepse ajo ka reaguar gjithmonë, për shumë ngjarje. Në këtë rast ajo hesht! S'e kuptoj përse. Është detyrë e saj që të mbrojë territoret publike të Tiranës. Ajo ka dalë në protestë për sheshin, kur ndërtimi i tij është gjë e mirë, dhe nuk del për pushtimin e territorit, kur kjo është gjë e keqe. Po pse? Sepse ata arkitektë që dalin kundër sheshit, janë të përfshirë vetë në afera, e në mos këtë, në të tjera.
Pas kësaj që ka ndodhur, sipas jush, sa e rrezikuar është fjala e lirë?
Është shumë e rëndë. Nuk është goditje vetëm kundër meje, por edhe kundër të gjithë atyre që e duan Tiranën, e që thonë dy gjëra për të. Pas kësaj vjedhjeje galopante na ka mbetur vetëm të pushtojmë Strasburgun dhe Brukselin. Është një cikël i mbyllur, një rreth vicioz institucional që i mbron këta. Nëse ti ia jep këtë pronë, ai do ta mbrojë. Unë nuk e di se si i ka fijet politike ai, që shkon në kundërshtim me të gjitha parimet ligjore, e kundër planit rregullues të një qyteti. Problemi është shumë i thellë. Kam vënë re që janë disa ndërtues që bllokojnë shtetin. Ky njeri që guxon të më kapë mua për fyti, është i mbrojtur. Besoj se shteti ka rënë pre e bandave të caktuara, të cilat janë ndihmuar nga politika me prona politike. Tashmë janë konsoliduar dhe nuk ke ç'iu bën. E kam thënë vazhdimisht që qeveria nuk merret me problemin më të madh të vendit, që është shpërfytyrimi urban i Shqipërisë. Këtë javë kam qenë për herë të parë në Babrru e në Paskuqan dhe kam parë një tmerr. Aty është një Kandahar i vërtetë. Por edhe përgjatë autostradave ndërtohen vazhdimisht banesa. Aty ku ndërtohen autostrada, menjëherë ndërtohen shtëpi. Këto të fundit ndërtohen në tokë buke dhe më pas kur iu dëmtohet shtëpia se rrëshqet dheu, kërkojnë dëmshpërblim. Por, në tokë buke nuk ndërtohet se nuk ka struktura mbajtëse ajo. Ky është problem, sepse i gjithë populli banon ngjitur me autostradat. Demokracia tek ne është kuptuar si pushtim. Prishja e objekteve në Ksamil është rrjedhojë e kësaj, një moment i thua njerëzve ndërtoni (pushtojnë), e pastaj iu thua ndaloni, ata nuk e kuptojnë përse njëherë po, e njëherë jo. Ky është rasti më flagrant, sepse është dikush që pushton lulishten para stadiumit "Qemal Stafa". Ajo godinë nuk mund të qëndrojë, s'ka kuptim.
Pas këtij sulmi, ju do të vazhdoni të denonconi "gabimet urbanistike" në Tiranë apo gjetkë?
Sigurisht. Unë e bëj me shpirt, nuk e bëj për ndonjë përfitim. Nëse do e bëja për këtë të fundit, unë do kisha ndaluar tani.
Çfarë i kërkoni tani opinionit publik apo forcave të rendit?
Opinionit publik i kërkoj që në këtë rast të ngrihen gjithë qytetarët, që të paktën të ndalojë këtë skandal të madh të kryeqytetit, i dyti pas kullave. Duhet dhënë një shembull, një shembull qytetar, ndryshe do të ndodhë sërish. Një shembull për të gjithë ata që kanë kthyer pronat në territore publike, për ata që kanë dhënë lejet e ndërtimit. Është rreth i mbyllur dhe lufton kot. "Armiqtë" në këtë rast janë politikanët, janë juristët, janë KRRT-të. Tani, nëse Bashkia e fton gjyqin, do prishet objekti dhe taksapaguesit do të paguajnë 400 milionë lekët e blerjes. Vijmë te pika zero, kohë kur italianët e blenë dhe na e lanë si pronë publike.
gazeta shqiptare
Kur te te rrahin ty, a do te vinte mire nese une do te shprehesha "mire ja bene"? Sot eshte Maks Velo, neser do te jesh ti e une qe rrihemi nga njerez qe kujtojne se qendrojne mbi ligjin.
Fjala eshte e shenjte, dhe cdo njeri eshte i lire te shprehi mendimin e tij, na pelqen apo nuk ka pelqen mua e ti. Dhe fjala e lire e cdo shqiptari duhet respektuar, pavaresisht nese jemi dakord me te apo jo.
Kjo dallon nje shoqeri te qyteteruar me nje shoqeri te prapambetur me mentalitet mesjetar.
Albo
Krijoni Kontakt