Çahet asfalti, vidhet sinjalistika, hapen kanale dhe “nyja” të paligjshme
Hyrje-daljet e parregullta nga fshatrat apo lagjet e Kukësit, drejt e në autostradë po krijojnë gjithnjë e më shumë probleme dhe rrezik për banorët. Në segmentin e shkurtër Kukës-Morinë, prej pak më shumë se 16 kilometrash ka dhjetëra rrugë fshatrash, lagjesh e banesash të veçanta si hyrje-dalje të parregullta dhe të pamiratuara në autostradë. Në afërsi të repartit ushtarak (brigadës së këmbësorisë), ngjitur me qytetin e Kukësit, një kamion transporton inerte duke kaluar drejt e në autostradë nëpërmjet një shtegu që e kanë hapur njerëzit vetëm për këtë qëllim. Edhe vetë nëpunësit e brigadës ushtarake hyjnë dhe dalin në autostradë pa pasur një nyje të miratuar. Në fshatin Shtiqën e deri tek ura në Rexhepaj, ka gjithsej gjashtë hyrje-dalje, ndonëse e gjithë gjatësia e segmentit të autostradës është më pak se 3 km. Në shumë pika të autostradës, ku integrohen rrugët e fshatrave si nyje të pamiratuara, vetë autostrada të ngjan me një baltovinë fshati dhe aspak me një autostradë. Një banor i Shtiqnit, i cili po hynte në autostradë me traktor me rrota në një nyje “pirate”, tha se për fshatin nuk kishte shumë hyrje-dalje në autostradë dhe se derisa nuk e pengonte askush, po shfrytëzonte rastin për të fituar kohë. Edhe pjesa tjetër deri në Morinë është e mbushur plot me hyrje-dalje të paligjshme që përdoren nga automjetet, këmbësorët, por edhe bagëtitë e fshatrave, duke rritur probabilitetin e aksidenteve. Gjithashtu, në pjesën që kalon në qytetin e Kukësit persona të paautorizuar kanë hapur një kanal në trupin e autostradës dhe më pas e kanë mbushur me zhavorr. Ndërkohë, pranë saj nuk ka ndonjë tabelë që të paralajmërojë se ka ndërhyrje në rrugë dhe automjetet duhet të bëjnë kujdes, sepse mund të bëjnë aksident.
Sinjalistika e dëmtuar
Nga Kukësi e deri në Morin, i gjithë segmenti i autostradës, i përfunduar verën e shkuar, por ende i padorëzuar, është kthyer thuajse në një rrugë rurale. Bordurat anësore që tregojnë kufirin e rrugës me drita fosforeshente janë dëmtuar gati plotësisht. Në trasenë e autostradës që kalon në qytet janë hapur kanale që më pas i kanë mbuluar me zhavorr, ndërsa në pika të caktuara ka shembje të skrapatës dhe inertet kanë zënë një pjesë të aksit. Drejtues të Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve thonë se kjo pjesë e rrugës nuk është marrë ende në dorëzim dhe se sinjalistika mbetet problem i kompanisë ndërtuese dhe i policisë. Por burime të policisë thonë se nuk është në detyrën e tyre ruajtja e sinjalistikës. “Ne ushtrojmë herë pas here kontrolle për shpejtësinë e mjeteve në rrugë etj., për të shmangur aksidentet e mundshme dhe jemi të ndërgjegjshëm që prishja e sinjalistikës është një nga shkaktarët e aksidenteve, por nuk kemi ç’të bëjmë” tha një efektiv i qarkullimit rrugor në Kukës.
Çahet asfalti
Përveç rënies së dherave nga skarpata e autostradës, tashmë edhe çarjet e asfaltit përbëjnë një dukuri në segmentin Kukës-Morin. Në dalje të qytetit të Kukësit, si dhe në fshatrat: Përbreg, Bardhoc etj, asfalti ka pësuar çarje për shkak se rruga në një pjesë të mirë është ndërtuar mbi dheun e hedhur, i cili edhe pse është ngjeshur, përsëri ka pësuar tkurrje. Asfalti është dëmtuar në dhjetëra metra gjatësi në qytetin e Kukësit, ku muri mbrojtës i rrugës ka pësuar deformim, në fshatin Përbreg për të njëjtin shkak të tkurrjes së dheut të hedhur, bordurat e krahut të majtë të drejtimit Prizren-Kukës kanë pësuar zhvendosje. Ndërkohë, traseja e rrugës është çarë në fashetën anësore, si dhe në mes të korsisë. Pas largimit të kompanive ndërtuese nuk gjen njeri kompetent që të prononcohet për këto probleme, që janë pasoja të zbatimit të projektit. Disa inxhinierë të pavarur thonë se vepra ende nuk është dorëzuar e plotësuar dhe se deri në dorëzim mund të shfaqen edhe defekte të tjera që do të duhet të riparohen. Nga ana tjetër, përvoja ka treguar se pas përfundimit të investimit askush nuk kujtohet më mbi përgjegjësitë.
---------alla shqiptarce----
Krijoni Kontakt