Tiranë, 24 janar – Plot tre milionë euro ka fituar ish kryeministri shqiptar Fatos Nano kurse drejtori i një reviste të njohur italiane dhe tre gazetarë të saj u dënuar secili me nga një vit e gjysmë burg nën akuzën e shpifjes.
Gjithçka ka ardhur pas një shkrimi që “L’Espresso”, e përjavshme italiane, publikoi disa vite më parë me titullin “Il Padrino dell’Albania….”.
Vendimi i datës 21 janar 2010 është dhënë nga gjykatësi Dott. Terranova nga Gjykata e Romës, ka informuar median, kryetari i nderit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Në procesin penal kundër “Gruppo Espresso S.p.a”, palë e lënduar ishte ish – kryeministri Fatos Nano i përfaqësuar nga Studio Ligjore Italiane me Av. Massimo Pisani dhe Av. Engjëll Agaci të Dhomës së Avokatëve të Romës.
Gjykata e Romës e dha vendimin në procesin e ngritur në vijim të denoncimit për shpifje të ish- kryeministrit Z. Fatos Nano, kundër të përjavshmes italiane “L’Espresso” në lidhje me artikullin e publikuar në datën 2 gusht 2002 me titull “Il Padrino dell’Albania….”.
Edhe në këtë proces gjyqësor - ashtu si dhe në atë kundër gazetës “Unità” i zhvilluar dhe i përfunduar me sukses pranë Gjykatës së Milanos, Fatos Nano, përfaqësohej nga e njëjta Studio Ligjore Italiane, me Av. Massimo Pisani dhe avokatin shqiptar Engjëll Agaci, të dy të Dhomës së Avokatisë së Romës.
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Romës parashikon dënimet kundër katër të pandehurve:
1 vit e 6 muaj burg për Daniela Hamaoui , drejtore e “L’Espresso”, 1 vit e 6 muaj burg për Claudio Pappaianni , gazetar, autor i artikullit, 1 vit e 6 muaj burg për Dina Nascetti, gazetare, autore e artikullit dhe 1 vit e 6 muaj për Giuseppe Rolli, gazetar, autor i artikullit.
Për sa i përket kërkesës së dëmshpërblimit prej 3 milionë euro, gjykata mbasi vendosi të drejtën e dëmshpërblimit të Fatos Nanos, që do të përballohet nga 4 gazetarët dhe Grupi Editorial Espresso, vendosi gjithashtu t’ia kalojë për kompetencë mbi vlerësimin e masës së dëmit Gjykatës Civile të Romës.
Rëndësia e këtij vendimi qëndron në vlerësimin e peshës së shpifjeve dhe akuzave që gjykata, konsideroi dhe e shprehu me masën e dënimit ndaj gazetarëve. Një dënim i tillë në Itali është i pa precedent deri më sot.
Edhe ky vendim - ashtu si ai i mëparshmi i dhënë nga Gjykata e Milanos – komenton Nano, - hodhi poshtë në mënyrë definitive, shpifjet dhe akuzat e publikuara në shtypin italian ndaj ish – kryeministrit Fatos Nano, duke afirmuar edhe një herë integritetin e figurës së tij të lidhur me kontributin historik politik, jo vetëm në zhvillimin e Shqipërisë në demokraci, por edhe të marrëdhënieve të saj të gjithanshme e preferenciale me Italinë fqinje, me autoritetet, sipërmarrjen dhe popullin e saj, të vlerësuar në mjaft raste edhe nga shtypi i madh italian. (NOA)
Krijoni Kontakt