Një 21-vjeçar ka tentuar të vrasë me thikë të dashurën e tij pasi ajo vendosi t'i japë fund lidhjes
E mitura ndodhet në spital në gjendje të rëndë, ku mjekët i kanë hequr njërën veshkë dhe presin mbijetesën
VLORË - "Më mirë të të zhduk, sesa të të kenë të tjerët". Këto kanë qenë fjalët që i ka thënë vajzës që dashuronte, teksa e ka goditur disa herë me thikë në trup. Historia e dashurisë mes dy të rinjve, duket se ka përfunduar në vrraga gjaku për vajzën, finalizuar nga i dashuri i saj.
Gjithçka është vendosur nga thika, që ka përshkuar disa herë trupin e vajzës, ndërsa gjurmët e gjakut kanë mbetur në divanin e dhomës së ndenjies, ku ishte ulur vajza.
Historia e ndodhur në orët e drekës së djeshme në periferinë e Vlorës, duket se ka lënë pa frymë banorë të lagjes "Kushtrimi" e "11 Janari", në kufi mes të cilave ndodhet shtëpia e vajzës, që kanë qenë të tmerruar nga ajo që kanë parë dhe dëgjuar.
Duke u futur në lagjen "Kushtrimi", të tregojnë menjëherë një shtëpi në ndërtim e sipër. Në shtëpinë njëkatëshe, njëri prej xhamit të dyerve është i thyer, ndërsa brenda saj kanë mbetur njolla të mëdha gjaku në divan dhe dysheme, si dhe televizori ndezur.
Siç tregojnë banorë të zonës, ngjarja ndodhi kur vajza ishte vetëm në shtëpi. Djali ka hyrë brenda dhe pak kohë më pas debatet janë ashpërsuar, teksa janë dëgjuar më pas të bërtitura dhe ulërima.
Disa herë thikat kanë përshkuar trupin e vajzës dhe pas kësaj 21-vjeçari ka lënë banesën e së dashurës dhe atë në një pellg gjaku dhe ka përshkuar me vrap lagjen, duke humbur rrugicave të saj.
Fqinjët sqarojnë se vajza ka dalë vetë nga shtëpia, duke thyer edhe xhamin e derës, ndërsa më pas është ndihmuar nga një nga djemtë e lagjes dhe nga një punonjës policie, që rastësisht ka qenë duke kaluar aty. Ka qenë ky i fundit që ka njoftuar kolegë të tij dhe ambulancën, ndërsa e ka nxjerrë pranë rrugës që lidh lagjen periferike me qytetin. 15-vjeçarja madje ka arritur të komunikojë me të duke i treguar mbi ngjarjen, si dhe emrin e djalit dhe marrëdhënien që kishte pasur me të.
Të dy të rinjtë njiheshin me njëri-tjetrin. Ata kishin pasur një lidhje, por duket se marrëdhëniet e tyre kishin ndryshuar. 15-vjeçarja Milena Shene mësohet t'i ketë komunikuar djalit se do të ndërprisnin gjithçka, çka jo vetëm nuk është mirëpritur nga 21-vjeçari, por ka mjaftuar që të arrijë deri në kërcënime. Përkeqësimi i raporteve ka arritur kulmin në orët e drekës së djeshme.
Djali ka behur në shtëpinë e vajzës dhe pasi nuk ka gjetur me të gjuhën e përbashkët, ka folur me tehun e thikës. 21-vjeçari me origjinë nga Kukësi dhe me banim në Spitallë të Durrësit e ka qëlluar minorenen 6 herë me thikë, në grykë, në kraharor, në shpatull dhe në bark, ndërsa plagët te vajza janë shtuar edhe në krah e duar gjatë rezistencës që ka bërë.
Prej pak kohësh vajza kishte lënë shkollën. Ajo paraditeve rrinte në banesën e saj, ndërsa i ati shkonte të punonte. Prindërit e saj ishin të divorcuar dhe 15-vjeçarja jetonte vetëm me të atin.
Aktualisht ajo ndodhet në spitalin rajonal të Vlorës, ku i është nënshtruar ndërhyrjeve, ndërkohë që mjekët ende nuk janë shprehur për jetën e saj. Autori i krimit është i identifikuar, si një 21-vjeçar me inicialet A.A., me origjinë nga Kukësi dhe me banim në Spitallë të Durrësit. Efektivët e policisë vijojnë hetimet për ngjarjen, si dhe punën për kapjen e autorit.
Krijoni Kontakt