Pallati i Mustafës
Isa Mustafa tha se në Qeveri ekziston një ide për rrënimin e Pallatit të Rinisë. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ndërkaq, thotë se ky është një spekulim ose paranojë elektorale.
Nga Besiana Xharra më 31.10.2009 në ora 8:28
Kandidati i LDK’së për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se pretendon ta rrënojë Pallatin e Rinisë.
Gjatë një takimi me të rinj të LDK’së mbi platonë e këtij pallati, ai ka thënë se “pëlqimi për rrënimin e Pallatit të Rinisë ka shkuar në zyrën e Ministrit të Ekonomisë dhe Financave”.
Ai nuk ka dhënë detaje të tjera, por ka shtuar se rrënimi i këtij pallati nuk do të lejohet nga Komuna e Prishtinës.
“Ne e kemi kundërshtuar rrënimin e Pallatit të Rinisë dhe kemi thënë se ky pallat mund të rrënohet vetëm me referendum, në qoftë se qytetarët dhe rinia pajtohen, vetëm atëherë mund të rrënohet ky pallat”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, arsyetimi i dhënë nga Qeveria është se në kohën e ndërtimit të pallatit, kanë kontribuar edhe qytetarët e Fushë-Kosovës, Novobërdës, Obiliqit, të cilët kanë qenë pjesë e Komunës së Prishtinës dhe se atyre duhet t’u takojë diçka.
“Mirëpo, unë ju them gjithë atyre qeveritarëve, përfaqësuesve të AKM’së tashmë AKP’së se ky arsyetim është i pabazë”, ka thënë ai, duke shpjeguar se gjatë viteve ’70 prishtinasit kanë kontribuar për ndërtimin e Pallatit të Rinisë.
Reagon Ministri Shala
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala ka reaguar ndaj deklaratave të Isa Mustafës se - Qeveria synon rrënimin e Pallatit të Rinisë.
“Nën një, nuk po guxoj t’iu besoj veshëve të mi për deklaratën e dhënë nga z. Mustafa. Dhe nën dy, duke mos besuar se çfarë ai ka deklaruar, unë konsideroj se ky është thjesht një spekulim ose një paranojë elektorale”, ka deklaruar Shala për Express, të premten.
Krijoni Kontakt