Itali, festivali ndërkombëtar i bandave
Banda frymore e Shkodrës merr vendin e parë
SHKODER- Banda frymore e qytetit te Shkodrës ka zënë vendin e parë në festivalin ndërkombëtar të bandave të zhvilluar në qytetin Giulianova të Italisë. Performanca e lartë artistike e kësaj bande muzikore solli jo vetëm klasifikimin në vend të parë të kësaj bande, por edhe të deklaratave të drejtuesve të Bashkisë së Giulianovës, të cilët theksuan se ishte një nder i madh t’i dorëzonin përfaqësuesve të qytetit të Shkodrës, një qytet mjaft i njohur për kulturën dhe historinë e tij, një çmim kaq të madh që akordohet nga vetë Presidenti i Republikës së Italisë Napolitano. Në këtë konkurrim morën pjesë me dhjetëra formacione të bandave të ndryshme frymore të botës. Pas bandës muzikore të qytetit të Shkodrës, u nderua me çmim të dytë banda frymore e Skocisë, me çmim të tretë ajo e Polonisë dhe me çmim të publikut banda e atelieve të Ishujve Karaibe. Banda frymore e qytetit të Shkodrës u themelua 131 vite më parë, pikërisht në vitin 1878. Gjatë gjithë veprimtarisë së saj kjo bandë është vlerësuar me mjaft çmime duke u bërë tepër e njohur për vlerat e saj.
Në vitin 1930 çmimi i parë në konkursin kombëtar të orkestrave frymore të zhvilluar në Tiranë
-Në vitin 1962 në festivalin e organizuar në Vlorë, kjo bandë merr titullin më të lartë “Laureat i festivalit”
-Në konkursin e vitit 1967 në Korçë fiton vendin e parë
-Në vitin 1968 në takimin e radhës të zhvilluar në Elbasan, zë vendin e parë.
-Në korrik të vitit 2008 u vlerësua me çmimin e parë në festivalin kombëtar të bandave frymore të organizuar në Sarandë
-Shtator 2009 çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar të zhvilluar në Itali.
Në vitin 1977 në takimin e zhvilluar në Shkodër zë vendin e parë
Në vitin 2003 Këshilli Bashkiak i Shkodrës e nderon me titullin e lartë “Krenaria e Qytetit”
Nga viti 1990 kjo bandë për mungesë fondesh dhe kujdesi u shpërnda, për t’u riorganizuar në vitin 2001. Që nga ky vit ka marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e rëndësishme të qytetit, ndërkohë që është ftuar edhe nga vendet e tjera të Ballkanit.
metropol
Krijoni Kontakt