
Postuar më parë nga
edspace
Klodi,
Problemi nuk është tek gjuha apo tek përkthimi i Windows Vista, por tek mentaliteti i disa shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë që i mendojnë shqiptarët e Kosovës si ndonjë popull i huaj, me gjuhë dhe identitet tjetër. Vër re se si ti dhe të gjithë të tjerët që kanë kundërshtuar Windows Vista në shqip, u referoheni shqiptarëve të Kosovës si "ata", si "Kosovarët", si "gjuha Kosovare", etj. Vër re se si ti dhe plot të tjerë i veçon "ata" dhe "ne", sikur të ishe duke folur për dy popuj të ndryshëm.
Identiteti i Kosovës është shqiptar. Kosova është thjesht një krahinë e Shqipërisë që fatkeqësisht u veçua për pak kohë nga toka nënë. Shqiptarët e Kosovës flasin shqip, dhe, si çdo krahinë tjetër e Shqipërisë, ka dialektin e saj. Në krahinën e Kosovës valëvitet flamuri i kuq me shqiponjën dykrenore, si në çdo krahinë tjetër shqiptare. Traditat e Kosovës janë po aq të larmishme sa të çdo krahine tjetër, por zanafilla e tyre është po e njëjtë. Prandaj, kurrë të mos u referohemi vëllezërve tanë si "Kosovarë" por si "shqiptarë të Kosovës"; të mos diskutojmë për "ata" dhe "ne", por të diskutojmë për shqiptarët.
Për t'u rikthyer përsëri tek tema, në përkthimin e Windows Vista është përdorur gjuhë e pastër letrare, jo krahinore. Ata që thonë se ka terma krahinore nuk sjellin asnjë shembull, por nisen nga ai mentaliteti dhe paragjykimi i gabuar që kanë për shqiptarët e Kosovës.
Shqiptarët kudo duhet të gëzohen dhe mirëpresin përparimin në çdo fushë. Pavarësia e Kosovës dhe formimi i një shteti të dytë shqiptar duhet të shikohet si një mundësi për të rritur vlerat e përbashkëta shqiptare, jo për t'i ndarë ato. Bashkëpunimi i shqiptarëve kudo duhet të jetë vëllazëror dhe i natyrshëm, sepse jemi një popull dhe kemi një të ardhme të përbashkët.
Krijoni Kontakt