Beqir Sina/Nju Jork
Kujtdo që do të më pyeste se ç‘do të shkruaja për gazetarin shqiptaro-amerikan të FoxNews, Erol Bala, do t'i përgjigjesha: "Për promovimin e emrit të tij si gazetar i njërit prej televizioneve kombëtare amerikane nga më të mëdhatë në SHBA". Dhe kjo nuk është pak, mbasi Erol Bala është gazetari shqiptar, i cili qëndron i "fshehur" pas kuintave të FoxNews. Emrin e tij e zbuloi aktori i njohur shqiptar në Nju Jork, Luan Bexheti, i cili njihet me Erolin prej kohësh dhe ata janë bërë shokë të mirë, pra kanë lidhur një shoqëri shqiptarësh në Amerikë.
Teksa isha si i ftuar special i Erolit, që të shihja se ku punonte ai, pata rastin të vizitoja një gjigant mediatik në zemër të Nju Jorkut - kanalin televiziv konservator FoxNews. Thënë të drejtën, siç i themi ne shqiptarët, "të ik petulla", po t'u dha rasti të hysh në ambientet e këtij televizioni. Baza e tij ka më shumë se gjysmën e kateve të një rrokaqielli 80-katësh në sheshin Rockefeller Ceneter, që janë pronë e Foxnews (multi-milionerit Rupert Murdoch).
Aty janë studiot, redakistë dhe zyrat e administratës, në një pallat gjigant, që këtu në Nju Jork thirren gradaçiela ose "qiellgërvishtëse".
Në hyrjen qendrore, sapo të pyetësh se po kërkoje një punonjës me emrin Erol Bala, menjëherë të drejtojnë në studion D tek programi më popullor në Amerikë "The Morning Show With Mike and Juliet". Ndërsa sapo të hysh në studion D dhe gjendesh midis aq gazetarësh dhe teknikësh, natyrisht që menjëherë të shkon mendja se sa të suksesshëm janë sot edhe fëmijët e shqiptarëve në Amerikë, sidomos kur e di faktin se ndonjëri prej tyre ka arritur të depërtojë edhe në këtë gjigant. Eroli na thotë se përgjigjja që flet më së miri për sukseset e shqiptarëve në Amerikë është "Historia e shqiptarëve të Amerikës", që është njëra prej më të rëndësishmeve në gjithë diasporën tonë.
"Për këtë gjë mendoj se së pari duhet t'i jemi mirënjohës këtij vendi të madh, por edhe prindërve tanë, thotë Eroli, duke shtuar se ata, megjithese larg vendit të tyre dhe duke bërë punë të rënda, kaluan gjithë jetën duke punuar për të kërkuar një jetë më të mirë për fëmijët dhe familjen e tyre. Ata gjithçka na e kushtuan ne fëmijëve të tyre. Ata na mësuan që edhe në vend të huaj, ne të rritemi si shqiptarë, me gjuhën, zakonet e traditën shqiptare. Ata sakrifikuan që ne të shkollohemi dhe të edukohemi, megjithëse për vete nuk bënë këtu asnjëherë një jetë më të mirë se ç'e kishin në vendin e tyre".
Prindërit e mi, thotë ai, erdhën këtu në vitin 1974. Babai e nëna me ne tre fëmijët (tre djem), të detyruar nga gjendja e vështirë ekonomike në ish-republikën e Maqedonisë së atëhershme, vetëm e vetëm për të bërë një jetë më të mirë e lëshuan vendlindjen e tyre, Ostrenin, një katund ndërmjet Strugës e Manastirit dhe emigruan në SHBA.
Vetë babai i Erolit bëri punë të ndryshme dhe e ndërtoi jetën e tij, ashtu si edhe familjet e tjera të emigrantëve shqiptarë këtu në Amerikë. Ata bënë gjithçka me djersën e ballit dhe me ndershmërinë e tyre vetëm për të na siguruar një të ardhme ne fëmijëve të tyre. Këtë e pranon edhe Eroli teksa thotë se edhe prindërit tanë janë të kënaqur për të vetmen gjë: kur na shohin ne fëmijët e tyre, se jemi bërë të paktën të zotët e vetes dhe kemi arritur ndonjë sukses.
Në shtëpi, tregon Eroli, ne bëjmë një jetë tradicionale shqiptare, ashtu si shumcia e familjeve të emigratëve shqiptarë. Shkojmë e vijmë tek njëri-tjetri, takohemi shpesh në dasma e raste të ndryshme. Nëna ime është shtëpiake e mirë dhe gatuan të gjitha llojet e ushqimeve si në fshatrat shqiptare. Eroli thotë se i pëlqen shumë fshati i prindërve. Ai thotë se është i "dashuruar" shumë pas vendlindjeve të dy prindërve të tij - Manastirit të babait dhe Strugës së nënës. Për këtë edhe në vizitën e fundit në Strugë, Manastir e Ohër ai ka realizuar një dokumentar 10 minutësh, i cili gjendet edhe në Youtube me titull "The Balkan Excursion". Mund të klikoni dhe ta shikoni atë dokumentar që tregon për jetën e banorëve të këtyre anëve, zakonet e traditat e tyre si dhe atë më të shkëlqyerën: bukuritë e mrekullueshme natyrore të këtyre viseve shqiptare, që janë perla të Ballkanit.
I gjithë stafi i kanalit televiziv FoxNews në Nju Jork e di që Eroli është shqiptar.
Erolli është i edukuar në shkollat amerikane. Ai ka përfunduar në mënyrë të shkëlqyer, siç tregon vetë, të gjitha shkollat, deri sa ka përfunduar edhe universitetin. Ai tregon se si në shtëpi, sidomos kur kishin gazmende familjare, kur ai ishte i vogël, jo vetëm prindërit, por edhe të afërmit e tij gjithmonë e nxirrnin përpara miqve dhe të afërmve të recitonte, të imitonte dikë nga familja ose të këndonte ndonjë këngë. "Nuk e di se përse, por mua në familje më konsideronin si "një komedian, si një yll kinemaje", shton Eroli për përvojat e veta të para me publikun.
"Mirëpo kjo, sqaron ai, më ka ndihmuar shumë kur sot unë jam bërë gazetar. Pasi fitova shumë dhunti nga ato që do të më nevojiteshin gjatë jetës, deri sa edhe duke u rritur më lindi pasioni të intervistoja ose të drejtoja edhe unë një ditë emisone në radio ose në televizion, si gazetar. Sapo përfundova universitetin iu drejtova një radioje të qytetit, këtu në Nju Jork, për punë. Kur mbërrita në dyert e lokalit, kujton Eroli tash, ku ishte atëherë qendra e asaj radioje, drejtuesit e saj kur mësuan se për çfarë kisha shkuar dhe çfarë po kërkoja, u habitën se çfarë lidhje kisha unë me gazetarinë. U thashë me bindje se kisha shumë dëshirë të filloja punën në radion e tyre si spiker ose si gazetar. Përgjigjja e tyre ishte se edhe nëse unë kisha aftësi, përvojë e diplomë dhe e meritoja një vend të tillë pune aty, ata nuk kishin të më paguanin për një vend pune që nuk ma siguronin dot. Siç më sqaroi njëri prej tyre më pas, numri i gazetarëve ishte i "fryrë". Megjithatë, më kushtëzuan duke më dhënë një mundësi se, nëse punoja deri sa të lirohej një vend pune, që nuk i dihej se kur, ata do të më mbanin, duke provuar njëherësh aftësitë e mia. Pasi kuptuan pasionin tim pas gazetarisë. Pranova! M'u desh të punoja tek ajo radio një vit pa asnjë penny (qindarkë) vetëm e vetëm të realizoja ëndrrën time që të bëhesha një ditë gazetar dhe të bindja kolegët e mi për këtë. Sakaq, pas një viti, një mik imi më rekomandoi të kontaktoja me zyrat e kanalit televiziv FoxNews në Manhattan për një vend pune. Shkova dhe mbusha një formular, ku më pas konkurrova për një vend pune aty, të cilin deshi Zoti dhe e fitova".
Gazetari shqiptar që qëndron i "fshehur" pas kuintave të FoxNews "Dita e pranimit në FoxNews si gazetar fillestar i tij, për mua patjetër që është njëkohësisht edhe një nga ditët më të gëzuara në jetën time. Qe pesë vjet punoj në këtë kanal dhe tash jam koordinator në disa studio dhe drejtoj disa herë intervistat e emisionit "The Morning Show with Mike and Juliet" në realizimin direkt, që bëhet ndodnjëherë edhe në rrugë. Ky është program i mëngjesit i kanalit televiziv FoxNews. Ai fillon nga ora 9:00 deri në orën 10:00 paradite, nga e hëna deri të premten. Kam drejtuar vetëm për FoxNews reportazhin nga Auto Show më të famshëm në New York: "International Auto Show Civic Center", i cili mund shikohet në You Tube "Motor Minute Hosted by Erol Bal".
Duke folur për programin televiziv "The Morning Show with Mike and Juliet" në FoxNews, ku ai ka çdo ditë detyrën e koordinatorit të këtij programi, Eroli thotë se ky program transmetohet në gjithë territorin e SHBA-ve dhe ka rreth 15 milionë shikues çdo ditë. Sipas sondazheve ky program mëgjesi rradhitet, sipas tij, i treti në SHBA dhe është një variete shumë interesante. Ai tregon me shumë pasion se, në këtë program marrin pjesë për çdo ditë njerëzit më të famshëm në Amerikë: politikanë, artistë, shkencëtarë, psikologë, ligjëbërës, zyrtarë të lartë amerikanë, talente të jashtëzakonshme si dhe trajtohen edhe probleme sociale e familjare.
Pra, është një program tipik edukativ i kanaleve më të mëdha amerikane. Ai shton se ndoshta një ditë në variete do të thërrasë edhe ndonjë shqiptar". Si pothuaj të gjithë gazetarët e këtij kanali dhe gazetarët amerikanë në përgjithësi, edhe tek Erol Bala nuk e shihje fare tendencën e kapardisjesn, që fatkeqësisht po e ndeshim sot tek ndonjë gazetar shqiptar, në Shqipëri.
Gjatë bisedës, duke folur për profesionin e gazetarit, për vendin e gazetarisë në jetën e sotme dhe në realitetet e sotme, në të cilat janë futur edhe gazetarët shqiptarë, gazetari shqiptaro-amerikan Erol Bala thotë se baza është pavarësia, liria dhe kushtet në të cilat punon gazetari.
Të dy ishim të mendimit se si lajmi “i mirë” dhe ai “i keq” mund të nënshtrohen dhe të përdoren për krijimin e pamjes strategjike dhe se mediat duhet të jenë të lira dhe të tregojnë se si mbrojnë ato lirinë e vet, me atë farë shprehet sot solidariteti profesional i gazetarëve dhe pikërisht ky është kriteri për guxim qytetar dhe profesional.
Në ndarje gazetari Erol Bala na tha se pavarësisht ku dhe në ç’kushte punojnë gazetarët shqiptarë, ata kurrsesi s'duhet të demoralizohen e as të kenë frikë. Ata detyrën e gazetarit duhet ta kryejnë me vetëmohim, si mision të tyre profesional e fisnik dhe të jenë sa më shumë njerëzorë dhe të prezantojnë jetën në mënyrë realiste. Iliria News Agency
Krijoni Kontakt