Deputeti serb i Kosovës: Rruga Durrës - Kukës, zhvillim edhe për Serbinë
Një grup deputetësh të Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Kosovës kanë vizituar ditën e djeshme nga afër kantierin e ndërtimit të rrugës Durrës - Kukës. Në këtë përfaqësi bënte pjesë edhe deputeti serb, Branisllav Gërbiç, i cili u shpreh se ky projekt është gjigand dhe ka për t’[i shërbyer zhvillimit të gjithë rajonit. “Rruga Durës - Morinë do të sjellë zhvillim për gjithë rajonin”, - tha deputeti serb. Deputeti serb tha më tej se ky projekt do t’i shërbejë më tej lidhjes mes Kosovës e Shqipërisë. Ndërtimi i rrugës mori një vlerësim maksimal për punimet edhe nga përfaqësuesi boshnjak i Komisionit të Integrimit Xhezair Murati. “Jam shumë i impresionuar që shoh nga pranë punimet e një objekti grandioz, i cili do t’i shërbejë zhvillimit të rajonit”, - tha ai. Në këtë vizitë, deputetët e Kosovës shoqëroheshin nga deputetët e Komisionit të Integrimit Evropian të Kuvendit të Shqipërisë dhe media. Deputetët e Kosovës vëzhguan nga pranë punimet dhe morën informacion nga instruktorët e ndërtimit të rrugës, të cilët sqaruan ndër të tjera, se falë punës 24-orëshe, është bërë e mundur hapja e mbi 50 për qind të tunelit. Kryetarja e Komisionit të Integrimit të Kuvendit të Kosovës, deputetja Zylfie Hundozi, tha se deputetët e Kosovës janë të impresionuar nga ky investim gjigand. “Kjo rrugë është një projekt i jashtëzakonshëm dhe ia vlen çdo investim për të. Kjo rrugë është një investim i madh jo vetëm për Shqipërinë, Kosovën, por për gjithë rajonin”, - tha Hundozi. Segmenti Rrëshen - Kalimash do të jetë pjesë e një autostrade prej 170 km. Ky segment përfshin 27 ura, ku ura më e gjatë arrin 360 metra, ndërsa ura më e lartë shkon deri 80 metra. Në të gjithë gjatësinë e segmentit të urave është realizuar 20 milionë metër kub gërmim, ndërkohë që për realizimin e tyre është hedhur 120 mijë metër kub beton.
16/07/2008
Gazeta Standard
Krijoni Kontakt