Deputetët e bëjnë problem heqjen e 28 Nëntorit nga kalendari i festave shtetërore
Kuvendi i Kosovës shqyrtoi dhe miratoi sot në parim edhe 6 projektligje që dalin nga pakoja e Ahtisarit. Miratimi i këtyre ligjeve po bëhet me procedurë të shpejtë, në bazë të një mocioni të miratuar më herët nga Kuvendi i Kosovës. Deputetët dhanë më shumë vërjetje për projektligjin për Agjencinë e Kosovës për intelegjencë dhe për projektligjin për Festat zyrtare të Republikës së Kosovës.
Projektligji për Festat Zyrtare është miratuar në parim me 54 vota të deputetëve të Kosovës. Deputetët kanë kërkuar që 11 festave të përcaktuara në projektligj t’i shtohen edhe tri festa tjera: Dita e Çlirimit të Kosovës, Dita e Dëshmorëve dhe 28 Nëntori, Dita e Flamurit kombëtar.
Deputetët e grupit parlamentar të PDK-së kanë thënë se nëse këto tri festa nuk shtohen në projektligj, atëherë në shqyrtimin e dytë do të jenë të rezervuar se a të votojnë për apo kundër. Qëndrim të njëjtë ka mbajur edhe grupi tjetër i koalicionit qeverisës, LDK-ja, sipas të cilëve projektligjit duhet që t’i ndërrohet emërtimi prej Festat zyrtare në Republikën e Kosovës, në Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës. Edhe opozita duke kërkuar që tri festat të shtohen në projektligj, nuk e ka parë të arsyeshme që të debatoj më shumë, duke u thirrur në atë se as pozita nuk ishte plotësisht për projektligjin. Grupi parlamentar i serbëve ka thënë se nëse shqiptarët i shtojnë 3 festat e kërkuara, atëherë edhe serbët do të kërkojnë që të shtohen festat e tyre kombëtare.
Një komision ad hoc do të shqyrtojë vërjetjet dhe sugjerimet e deputetëve deri nesër, kur do të bëhet shqyrtimi i dytë dhe miratimi në tërësi i këtyre ligjeve. Paraprakisht janë miratuar 19 ligje që dalin si obligim nga pakoja e Ahtisarit.
mbrapa 20 maj 2008 - 15:16:48
Krijoni Kontakt