Frika e vërtetë e Greqisë për emrin e Maqedonisë, dhe si duhet ta shfrytëzojnë atë SHBA
Wednesday, 13 February 2008-gazeta sot
Nga Kastriot Myftaraj
Çështja e emrit të Maqedonisë është bërë këto kohë, pas çështjes së Kosovës, çështja nr. 2 në agjendën ballkanike të diplomacisë ndërkombëtare dhe kjo në sajë të insistimit të Greqisë që Maqedonia të ndryshojë emrin, pasi me këtë emër praktikisht shpreh pretendime territoriale ndaj Greqisë, ku ka dy provinca me emrin Maqedoni (Maqedonia Qendrore dhe Maqedonia Perëndimore).Që Greqia të ketë frikë nga Maqedonia se mund të t’ i marrë territore Greqisë, kjo duket qesharake, se territoret merren me luftë, dhe Maqedonia në raport me Greqinë është si xhuxhi me gjigandin sa i përket fuqisë ushtarake. Greqia nuk është vetëm një vend që është mbi pesë herë më e madhe si popullsi dhe si territor se Maqedonia, por edhe shumë më e armatosur. Maqedonia praktikisht nuk është një fuqi ushtarake. Maqedonia sot praktikisht nuk ka aviacion ushtarak, duke mos pasur avionë gjuajtës dhe bombardues . Avionët e vjetër luftarakë gjuajtës dhe bombardues Su-25 dhe Su-25 UB që kishte ia shiti Gjeorgjisë në vitin 2005. Aviacioni i Maqedonisë sot përbëhet vetëm nga 21 helikopterë nga të cilët vetëm 12 janë helikopterë sulmi nga ata që përdoren për luftime guerrilje dhe 9 janë helikopterë transporti, nga të cilët 2 helikopterë amerikanë të llojit UH-1 Iroquois (Bell Textron) ia ka dhënë ironikisht Greqia, në kohën kur ushtria maqedone luftonte kundër shqiptaro-maqedonëve. Artileria e Maqedonisë sot përbëhet vetëm nga 12 sisteme lëshimi ruse BM-21 GRAD, të viteve gjashtëdhjetë, nga ato që njihen rëndom si «Katjusha».
Maqedonia sot ka vetëm 31 tanke T-72 ruse, që konsiderohen të vjetra dhe që ia ka blerë Ukrainës në 2001. Të tjerat janë larguar nga shërbimi si tepër të vjetra dhe janë shitur për skrap. Maqedonia sot praktikisht nuk ka ushtri, duke qenë se ka vetëm 11 mijë ushtarë aktivë. Maqedonia ka probleme të mëdha etnike të brendshme dhe nuk do të jetë kurrë në gjendje, edhe sikur të ishte e armatosur, që të bënte një luftë kundër Greqisë, apo kundër kujtdo vendi tjetër. Prandaj duket se Greqia e ka hallin dikur tjetër kur trembet nga Maqedonia, dhe kërkon ndryshimin e emrit të shtetit fqinj. Greqia ka frikë se kur me ndryshimin e kufijve në Ballkan, Bullgaria të aneksojë pjesën më të madhe të FYROM, rreth 70% të saj dhe gjithë vijën kufitare me Greqinë, Bullgaria do të ruajë emrin e Maqedonisë si një provincë të saj, dhe me këtë do të ripohojë rivendikimet e saj të vjetra ndaj Greqisë, për Maqedoninë greke që ka qenë e banuara nga sllavë, të cilët i janë nënshtruar një procesi asimilimi nga ana e Greqisë, por që ende e ruajnë identitetin e tyre. Greqia nuk ka frikë nga Maqedonia e sotme me 2.022.547 banorë (sipas regjistrimit të vitit 2002), sot rreth 2.040.000 banorë, nga të cilët vetëm 64% sipas regjistrimit zyrtar janë sllavo-maqedonë, por ka frikë nga Bullgaria me 9 milion banorë që del si vend kufitar i Greqisë nga Traka në Prespë, pasi të ketë aneksuar pjesën më të madhe të Maqedonisë. Dhe tekefundit Greqia ka frikë nga Rusia që mbështet pretendimet e Bullgarisë ndaj Greqisë, sipas traditës së «Traktatit të Shën Stefanit». Viti 2008 është shpallur zyrtarisht viti i Rusisë në Bullgari. Në 17 janar të këtij viti në Sofje u mbajt ceremonia e shpalljes së vitit të Rusisë në Bullgari, me rastin e 130 vjetorit të çlirimit të Bullgarisë nga Turiqa, prej ushtrisë ruse. Në këtë ceremoni ishte i ftuar dhe foli Presidenti i Rusisë Vladimir Putin. Në prani të homologut të vet bullgar, Putin theksoi: «miqësinë unike tradicionale mes popujve tanë, të cilët historia i ka bërë kaq të afërt.
Stërgjyshërit tanë vunë themelet e kësaj miqësie dhe rrënjët tona të përbashkëta sllave dhe traditat shpirtërore ortodokse i dhanë asaj fuqi». Më tutje Putin u shpreh: «Është e rëndësishme të kujtohet kjo në një moment të tillë të rëndësishëm për Bullgarinë-130 vjetorin e clirimit të Bullgarisë dhe të restaurimit të shtetit bullgar. Një monument i Heronjve të Plevnës (ushtarëve rusë të vrarë në betejën kryesore kundër turqve në Bullgari atë kohë- shënimi im: Kastriot Myftaraj) është në qendër të Moskës dhe një monument i Ushtarit të Panjohur dhe i Carit Çlirimtar (Aleksandrit II të Rusisë-shënimi im: Kastriot Myftaraj) është në në Sofje. Këto janë më tepër se monumente në në kujtesën e luftrave tona të përbashkëta. Presidenti (bullgar) përmendi që 400 monumente në Bullgari përkujtojnë këtë ngjarje. Ky është një testament i atyre që ranë në Plevna dhe në Lartësitë Shipkin, një testament që na fton ne të vlerëosjmë ndjenjat tona vëllazërore si trashëgimia më e paçmuar e përbashkët që kemi». Monumenti i Car Aleksandrit II të Rusisë në Sofje mban shënimin «Carit Çlirimtar nga Bullgaria murënjohëse». Të nesërmen e këtij fjalimi, në 18 janar 2008, Putin vendosi një kurorë tek ky monument. Është e qartë se Putin u përpoq të potencojë pansllavizmin gjatë vizitës së tij në Bullgari. Por nga fitorja e Rusisë në Luftën Ruso-Turke të viteve 1877-1878, për të cilën flet Putin, Rusia nxorri Bullgarinë e Madhe të Traktatit të Shën Stefanit, të cilin ia imponoi Turqisë së mundur. Kjo Bullgari kishte si kufi jugor bregdetin e sotëm grek të Egjeut, duke pasur brenda territorit të saj dhe gjithë Maqedoninë e sotme greke. Në Bullgari ka shumë njerëz që e shikojnë aleancën me Rusinë si mënyrën më të mirë që Bullgaria të marrë pjesën më të madhe të territoreve që i humbi pas korrektimit të Traktatit të Shën Stefanit në Kongresin e Berlinit, me ndërhyrjen e Britanisë së Madhe. Para së gjithash bullgarët janë të zemëruar me Greqinë se u ka marrë «Alzasë-Lorenën» bullgare me të cilën kuptohet Traka Perëndimore, që sot është pjesa verilindore e territorit të Greqisë, por që deri në fund të Luftës së Parë Botërore ka qenë pjesë e territorit të Bullgarisë dhe që kësaj të fundit iu mor për t’ iu aneksuar Greqisë, me Traktatin e Neuilli sur Seine të vitit 1919, që ishte ekuivalenti i Paktit të Versaille për Bullgarinë.
Kjo e la Bullgarinë pa dalje në Detin Egje, duke i shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm gjeostrategjik dhe gjeoekonomik, aq sa në historinë bullgare përcaktohet si «katastrofa e dytë nacionale», pas asaj të Luftës së Dytë Ballkanie, dhe vazhdon të quhet edhe sot si një padrejtësi e madhe. Sot lidhjet mes Rusisë dhe Bullgarisë nuk janë vetëm etnike dhe fetare, por edhe ekonomike, derisa Bullgaria është bërë vendi-kyç në Ballkan prej nga nisen linjat ruse të naftës dhe gazit drejt Egjeut, Europës Qendrore dhe Adriatikut. Pikërisht në këtë vizitë të Putin u nënshkrua marrëveshja ruso-bullgare për gazjellësin që pasi të vijë nga Rusia nëpër Detin e Zi do të kalojë nëpër Bullgari për të shkuar në Serbi, Europën Qendrore dhe përtej Adriatikut. Me rastin e ndërtimit të naftësjellësit Burgas-Alexandropulos, në Bullgari nuk u la pa u thënë hapur nga disa media dhe politikanë, dhe nga disa të tjerë si nën zë, se sikur mos të ishte për padrejtësinë e vitit 1919, i gjithë naftësjellësi do të kishte kaluar në territorin bullgar. Rusia ndoshta nuk do t’ i mbështesë rivendikimet territoriale të Bullgarisë ndaj Greqisë, se Rusia po përpiqet shumë që ta bëjë Greqinë partneren e saj të ngushtë, dhe aleaten e saj, në rradhë të parë me anë të gjeopolitikës së naftës dhe gazit, si dhe duke theksuar lidhjet fetare mes dy vendeve siç bëri Putin gjatë vizitës në Malin Athos në 2005. Por ama Rusia sigurisht që nuk do të mungojë që t’ ia mbajë Greqisë si «Shpatën e Damokleut» mbi krye kërcënimin bullgar, kur Bullgaria të ketë aneksuar pjesën më të madhe të FYROM. Greqia në fakt i trembet një aleance bullgaro-turke kundër saj, dhe Rusinë e shikon si frenuesin më të sigurt të Bullgarisë për të mos hyrë në këtë aleancë kundër Greqisë. Kështu Bullgaria dhe Greqia janë në pozitën e pengut gjeopolitik të Rusisë.
E tepërt të thuash diplomacia ruse do të dijë të luajë mirë me të dyja vendet duke i mbajtur të lidhura pas Rusisë. Greqia është kundër aneksimit të Maqedonisë nga Bullgaria, se e shikon Maqedoninë si një shtet-tampon mes saj dhe Bullgarisë, që mban larg kontrollit të Bullgarisë një pikë shumë delikate strategjike që është Lugina e Vardarit, që përbën shtegun më të mirë të invazionit ndaj Greqisë nga veriu dhe të daljes shumë shpejt në bregdetin egjean. Në rast se pjesa e Luginës së Vardarit në kufirin e sotëm maqedono-bullgar, do të jetë nën kontrollin e Bullgarisë, atëherë Greqia është si ai tigri që ka kthetrën e leopardit në bark, ndërsa e ka mendjen tek luani që ka përballë. Por duket se Greqia nuk e ka të qartë se kur kërkon që FYROM të ndryshojë emrin ajo stimulon pikërisht ndarjen e Maqedonisë. Ndryshimi i emrit të një shteti nuk është një gjë kaq e thjeshtë, aq më tepër i një shteti shumëetnik. Në momentin që do të hapet debati për ndryshimin e emrit në Maqedoni, do të fillojë konflikti mes etnive për këtë çështje dhe kjo mund të shërbejë fare mirë si pikënisja e shpërbërjes së Maqedonisë, ose si justifikimi për të zbatuar planin e shpërbërjes së saj. Dilema e Greqisë është se ajo do që Maqedonia të ekzistojë si shtet, por duke pasur frikë se ajo nuk do të mbijetojë kërkon që të marrë që të evitojë që tani, së paku në letër, ato gjëra që u trembet në rast se Maqedonia nuk do të ekzistojë, gjë që sjell që Greqia të stimulojë shpërbërjen e Maqedonisë.
Kështu, fare mirë, Greqia mund të arrijë efektin e padëshiruar. Por Greqisë duket se i shpëton kjo dilemë e saj, se për Greqinë, aneksimi nga Bullgaria i pjesës më të madhe të Maqedonisë së sotme krijon një makth gjeopolitik. Bullgaria është një aleat i natyrshëm i Turqisë në një luftë kundër Greqisë, aq më tepër që të dy vendet kanë precedentin e të qenit aleatë në Luftën e Parë Botërore. Në rast të një lufte greko-turke, planifikuesit strategjikë grekë llogarisin se betejat tokësore me Greqinë do të bëhet në vijën kufitare të shkurtër greko-turke (kufiri me Turqinë është kufiri më i shkurtër tokësor i Greqisë, vetëm 204 km), ku Greqia ka ndërtuar një lloj «Vije Mazhino» prej 204 km, si dhe në Qipro, që sipas dokumentit zyrtar grek, Doktrinës së Mbrojtjes Nacionale Greke, përfshihet në kuadrin e mbrojtjes të shtetit grek, pra dhe ushtrisë greke. Planifikuesit ushtarakë grekë parashikojnë që ta neutralizojnë në frontin e Trakës msymjen e forcave shumë më superiore tokësore turke, në një front të shkurtër, si dhe të bëjnë një diversion në Qipro për ta okupuar edhe pjesën turke të ishullit, duke e detyruar Turqinë të çojë përforcime në rrugë detare dhe ajrore, të cilat grekët parashikojnë t’ i dëmtojnë rëndë. Mbi bazën e këtij suksesi, stretegët grekë parashikojnë që të zhvillojnë me sukses betejën në në det për ishujt e Egjeut pranë bregdetit turk dhe të kalojnë në msymje ajrore mbi territorin turk, veçanërisht mbi Stamboll dhe Izmir. Si betejë vendimtare parashikojnë atë ajrore ku parashikojnë ta asgjesojnë, kryesisht me anë të sistemeve kundërajrore raketore, aviacionin ushtarak turk, superior ndaj atij grek, që pritet të mbulojë msymjen turke në Trakë, Qipro dhe në ishujt e Egjeut. Ky plan rrezikon të dështojë si plani strategjik francez në Luftën e Dytë Botërore, në rast se në luftë, në anën e Turqisë hyn dhe Bullgaria. Në rast të një aleance turko-bullgare, kur Bullgaria do të kishte aneksuar dhe pjesën më të madhe të Maqedonisë, dhe gjithë vijën kufitare të saj me Greqinë, duke arritur kufiri bullgaro-grek në 740 kilometra, atëherë vija e frontit për Greqinë do të shkonte në 944 kilometra.
Kjo do të thoshte që ushtria greke, si forcat tokësore dhe aviacioni, të detyroheshin të përqëndroheshin përgjatë kufijve veriorë të Greqisë, duke i lënë të zbuluara ishujt e Egjeut dhe Qipron. Një angazhim i tillë ushtarak do të thotë se Greqia nuk do të jetë në gjendje që të çojë përforcime në Qipro dhe ishulli do të bjerë i gjithi nën kontrollin e ushtrisë turke, duke u shkaktuar një eksod i popullsisë greke. Hapja e frontit të veriut do të thoshte që aviacioni turk do të mund të përdorte aeroportet bullgare duke e anashkaluar mbrojtjen antiajrore greke të përqëndruar nga lindja dhe do ta godiste Greqinë nga veriu, duke vënë kështu në rrezik vetë bazat ajrore në Larisa dhe Souda ku qendron pjesa kryesore e aviacionit ushtarak grek, duke e detyruar atë që të angazhohej në luftë për mbrojtjen e bazave të veta. Zotërimi i pjesës së Luginës së Vardarit në kufirin e sotëm maqedono-grek nga një Bullgari aleate e Turiqsë, do të thotë që 3000 tanket moderne të ushtrisë turke ta kenë rrugën e hapur për të hyrë në Greqi nga Veriu, duke e evituar «Vijën Mazhino» greke, saktësisht siç bëri Gjermania në Luftën e Dytë Botërore, me Vijën Mazhino autentike. Në këtë luftë sigurisht nuk duhet nënvlerësuar as ushtria bullgare. Ministrja e Jashtme e Greqisë, Bakoyanis është sot në Ëashington për të biseduar për çështjen e emrit të FYROM. SHBA duket se janë arbitri mes Greqisë dhe FYROM për këtë çështje. Por e vërteta është se meqë Greqia praktikisht e shikon këtë si një çështje mes saj dhe Bullgarisë, arbitri i vërtetë është Rusia. Sensibiliteti i lartë grek për çështjen e emrit të FYROM, dhe ndjenja e rrezikut që ka Greqia, e bën këtë të fundit peng të Rusisë.
SHBA mund ta kundërbalancojnë impaktin e Rusisë në këtë çështje, vetëm duke i ofruar Greqisë rolin e tyre si frenues të Turqisë për të mos hyrë në një aleancë antigreke me Bullgarinë. Por këtë rol SHBA duhet t’ ia shesin shtrenjtë Greqisë, duke i kërkuar para së gjithash që të frenohet ndaj pretendimeve të saj në Shqipëri. Tekefundit SHBA nuk kanë se çfarë t’ i kërkojnë tjetër si shpërblim konkret Greqisë në Ballkan, për këtë rol, veç atij që të tërhiqet nga pozita e saj e kolonozimit ekonomik të Shqipërisë dhe që të frenojë një lëvizje separatiste greke në Shqipëri, sipas formulës së Epirit të Veriut. E mira do të ishte që SHBA mos ta pengonin Bullgarinë që në rast të aneksimit të saj të një pjese të madhe të FYROM, të ruante emrin e Maqedonisë si nëj provincë e saj, se kështu ruhet frika e Greqisë. Tekefundit Greqia nuk ka si t’ i bëjë presion Bullgarisë se kjo është anëtare e BE dhe NATO. Greqia që prej vitit 2001 është përjashtuar përfundimisht nga forcat bërthamore të NATO, ku bënte pjesë me avionë A-7 Corsair Ils, duke bartur bomba taktike bërthamore amerikane B-61 në bazën ajrore të NATO-s në Araxos, Greqi. Kështu që një luftë mes saj dhe Bullgarisë e Turqisë nuk ka rrezik që të shkallëzohet në luftë bërthamore, çka do t’ i preokuponte realisht Fuqitë e Mëdha dhe vetë SHBA.
Krijoni Kontakt