Brokaj lë mandatin e deputetit: Jam i zhgënjyer
"Jam i lodhur dhe i zhgënjyer nga politika e këtyre 17 viteve, ndaj kam vendosur të ndërpres mandatin tim të deputetit". Pas një përvoje të gjatë 18-vjeçare, një nga politikanët më veteranë të vendit ka marrë vendimin për tërheqjen përfundimtare. Deputeti i LSI-së, Sabit Brokaj, me një qetësi "olimpike" që e ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës politike, ka deklaruar se vendimi i tij është personal, por nuk ka harruar të falënderojë edhe elektoratin e tij për votën që i ka dhënë. Në fjalën e tij të fundit në sallën e Kuvendit, Sabit Brokaj ka bërë një prezantim të karrierës së tij si politikan, duke vënë në dukje se "në kushtet aktuale ndihet i zhgënjyer dhe i trishtuar, pasi në 17 vjet nuk është realizuar asnjë gjë në ata sektorë që konsiderohen si strategjikë, themeli ekonomik i shtetit, as energjinë, as pronën, as turizmin, as bujqësinë, por më e keqja është se ne pësuam dukurinë e përshtatjes". Më vjen keq, ka theksuar Brokaj më tej, se ne po përshtatemi me diferencën e madhe, varfëri për shumicën dhe pasuri me një grup njerëzish, u mësuam me gjakmarrjen mesjetare etj. Pas përfundimit të fjalës së tij në Kuvend, deputeti i LSI-së, Sabit Brokaj, është përshëndetur dhe falënderuar nga kolegët e tjerë si të pozitës, ashtu edhe të opozitës për kontributin shumëvjeçar që ai ka dhënë në politikë. Në emër të deputetëve, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka falënderuar Brokajn për kontributin e tij të vyer në këto 17 vjet, si dhe ka shprehur vlerësimin "për individualitetin dhe për bashkëpunimin e treguar në shërbim të interesave kombëtare". Vlerësim i cili më pas është bërë edhe nga deputetë të tjerë si Qemal Minxhozi e Pëllumb Xhufi. Ndërsa vetë kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pasi ka deklaruar se "për sa i takon dorëheqjes së Brokajt nga mandati i deputetit, ky ka qenë një vendim krejtësisht i bazuar mbi vullnetin e tij individual, por kjo nuk do të thotë që ai do të largohet nga LSI. Pavarësisht nga ky vendim, Brokaj mbetet një nga figurat kryesore që ka kontribuar jo vetëm në themelimin e LSI-së, por që do të ndihmojë edhe në të ardhmen për arritjen e objektivave të kësaj force politike". I pyetur lidhur me zëvendësimin e tij, Meta tha se "në listën e LSI-së në zgjedhjet e 3 korrikut i pari ka qenë Dritan Prifti, i cili ka përfituar tashmë duke pasur edhe rezultatin më të mirë, ndërkohë që i dyti është Spartak Braho, i cili rifutet në sallën e Kuvendit".
Gazeta Shqip!
Shpresojmë të mos jetë i fundit!
Krijoni Kontakt