
Postuar më parë nga
Ujku'80
• Nga Kiço Blushi
Nuk ka qënë kurrë Shqipëria në ngërç e mbi një kapërcyell të tillë kaq asfiksues e kaq të pasigurt.Jo, nuk është vetëm mungesa e energjisë
elektrike dhe e ujit, çmenduria e çmimeve dhe e pasigurisë së frikëshme për jetën.Ka një mërmëritë përgjithëshme, nënështrim,
heshtje, përulje, pajtim të thiktë me prapësitë, ligësitë, vulgaritetin, poshtërsitë, pabesitë, abuzimet, theqafjet dhe fatkeqësitë që na...
vijnë nga lart e nga poshtë e që po na kapllosin përditë e më shumë. Askush nuk bëzan.Shëëëët, mos e ngri zërin! Ka edhe më keq, mos u anko, mos fol se do të na dëgjojë "dikushi"dhe, në mos ty, gruan e zë papritur e pakujtuar "reforma", pallatit i pritet "rastësisht" uji, biznesit i vijnë apansëz tatimorët, ndërtimit i vjen policia ndërtimore…E shikon si e pësoi filani? E padashje kthejmë kokën prapa se mos (largqoftë!), na ka dëgjuar ndonjë "kokërruar" që e çon llafin "aty", te i ligu…Mos pandeh se ke ku të ankohesh! Provo , o njeri, të trokasësh në ndonjë zyrë! Bjeri telefonit të hapur (më sak: të prishur) të kryeministrit! Shumica e shqiptarëve sot flasin me vete. Shëtit në bulevard darkave, kur nuk ke drita që të shikosh se sa qytetarë flasin me vete e vështrojnë lart, në qiell, kotmëkot!
Ja përse lajmet për kobet, për vdekjet (në fakt duhet thënë: për vrasjet) e minatorëve në Bulqizë, për krimet në shoqëri (në Shkodër u vranë dy njerëz për një kanerinë), për krimin brenda famljes (në Lezhë babai vrau të birin për ujin, ndërsa në Tiranë nusja mbyti vjehërrën me mësallë) si dhe aksidentet e përditëshme nëpër rrugë nuk na bëjnë më përshtypje.As arroganca e zyrtarëve, kur halli na çon në ndonjë zyrë, nuk na fyen më, madje na duket se pikërisht atë sjellje harbutërore e kemi hak, dmth e meritojmë.Aman, mos fol sa të mbarojmë punë, thuaj vetëm lepe peqe! Se po të mori inat ndonjë zyrtar, po të futi në rreth të kuq, gjej vrimë e futu! Ku të ankohesh?Jemi bërë si palestinezët, afganët dhe irakenët që tashmë janë përshtatur me mënxyrat e "fatit", me vdekjet e vrasjet, me shkatërrimet e keqpërdorimet, me kuturunë e jetës që nuk dihet se si do të na vijë nesër! Zjarret që kanë shkrumbuar vendin nuk na djegin ne, nuk na përkasin ne; madje as nuk na bëjnë më përshtypje edhe kur qeveria jonë e dhembsur i dhuron 60 mijë euro viktimave të Greqisë dhe nuk kujtohet për viktimat e këtushme, për të shkrumbuarit e këtushëm, për të vrarët shqiptarë nëpër rrugë, nëpër lokale e miniera…Jeta e një shqiptari vlen më pak se jeta e një qeni apo e një maceje në një vend të Europës e Amerikës! Me një qetësi olimpike Shqipëria po shkretohet dita për ditë nga mosbesimi i ndërsjellë e sidomos nga shpërdorimi i pandërprerë i pushteteve që mbjellin mosbesim te vendi e te "shteti yt", i cili, nuk dëshiron të na ketë aleatë, po armiq, hasmë, njëlloj si dikur. E ky ndoshta është shkaku kryesor që po rrënon e shkërmoq atë "lëndë"çimentuese që e ngjiz një komb!
Ky moral pa moral prej zhelanësh të paguar nën dorë me "tendera politikë" po na përvëlon më shumë edhe se zjarret e vrasjet e sherret e ikjet e përditëshme të shqiptarëve nga vendi i shqiponjave që mbetën të drobitura, duke shpesuar më kot se, nesër do të jemi më mirë; se medemek po të futemi në NATO e në BE, më në fund do të dalim nga ky qorrsokak! Kush e ka fajin,dreqi e mori që ne, krejt ndryshe nga popujt e tjerë, madje edhe më keq se fqinjët e vegjël rrotull nesh, po hamë kësisoj veten me dhëmbë? Ku ndodh që një zyrtar i lartë, pasi ka vjedhur miliona, pasi e kanë nxjerrë nga hiçi për ta tjetërsuar në një zyrtar lake, guxon e del nëpër ekrane e gazeta e shet moral e na mëson, duke e bërë surratin leckë, (dje me Nanon, sot me Berishën, nesër me Ramën), se si duhet të kuptojmë zhvillimet politike në vend, në rajon e më gjërë? Këta "analistë" të paguar shtrënjt nga politika i japin Fjalës publike ndikim, ndikimin e transformojnë në opinion publik, opinionin publik në pushtet të pakontrolluar të një grupi të caktuar politik, rëndom të një njeriu të vetëm, të atij që aktualisht ka pushtet, po që gjithësesi rezultati përherë mbetet i njëjtë: qytetari trajtohet si një enë bosh që mbushet vetëm me "propagandë", dmth me mashtrime…Individi (vetja) është krejt i pambrojtur, i dobët, pa asnjë ndikim dhe fuqi për të kundërshtuar, nga që është i destinuar të jetë i vetëm!Ai që quhet popull është pra një shumësi vetjesh që nuk kanë pikë mundësie të ndjehen si një shoqëri e vetëdijëshme, e organizuar dhe e përbashkuar në një trup që di të mbrojë interesat e të drejtat e veta.Populli nuk është i falimentuar; ai është i çmontuar, i demotivuar, i dekurajuar, i paralizuar, i copëzuar në tre milion vetje që nuk kanë lidhje mes vedi. Për këtë arsye ne nuk jemi bërë akoma shoqëri.Më sak, ne jemi detyruar të gjallojmë si një parashoqëri, ku gjithsecili lufton "në pyll" vetëm për vete, vetëm për familjen dhe për fisin e vet! Qeveritë që venevinë nuk na lënë të organizohemi, përkundrazi, bëjnë të pamundurën të na sundo-përçajnë dhe të na detyrojnë të besojmë se vetëm Zoti mund të mendojë për ne të gjithë. Vetëm nëse do Zoti e bie shi ne mund të kemi drita e ujë, mund të shuhen madje edhe zjarret jo vetëm nëpër pyje, po edhe në shoqëri, nëpër partira e në familjet tona!
Në këtë situatë mjerane e quaj gabim të akuzosh e të bësh me faj popullin që nuk ngrihet e nuk reagon për të përmbysur këtë klikë të ndyrë e të paturp që nuk na qeveris, po na leqendis! Nuk gaboj po të them se sindikatat, si instrumente që kanë lindur nga nevoja për organizime e protesta kolektive, në Shqipëri janë veglat më të ndyra të atyre që kanë pushtet! Madje jo vetëm minatorët, po as gazetarët, si pjesa më e ndërgjegjshme e shoqërisë, nuk kanë sindikata të mirëfillta!As shkrimtarët, as artistët, as shkencëtarët…Gazetarët mund të mbrojnë "Fjalën e lirë" kur këtë e dëshiron dhe e lejon pronari, po nëse pronari e kthen fletën, asnjë gazetar nuk ka fuqi e mundësi të ndikojë. Shumica e partive në Shqipëri janë parti informale, të xhuvelizuara që në lindje, të varura nga "aleancat" që shtërzojnë e pastaj pjellin pushtete informale, të papërfaqësuara nga vota dhe vullneti ynë. Ceka psh.nuk vepron ashtu si po vepron se dëshiron, po se është i shtërnguar, për të mbijetuar, që të bëjë ato që po bën…Ndërsa partitë e mëdha "flasin" me gjuhën e kryetarit të padiskutueshëm! Kur nuk flasin, se si e se nga dalin nja "gjashtë" copë deputetë anonimë që fët e fët na prodhojnë një President "të të gjithë popullit"! Po a ka faj populli në këtë rast?A është populli i përfaqësuar në Presidencë? Ku është përnjimend i përfaqësuar populli, ku?Përherë thuhet që vota e tij manipulihet, dmth vidhet! Kjo do të thotë që populli nuk e zgjedh qeverinë që e drejton. Të gjitha pushtetet kanë qënë e janë nën sundimin e Njëshave të padiskutueshëm e të pazëvendësueshëm të kryetarëve të partive të mëdha që tashmë "u vjen prapa historia"; të udhëheqësve që qytetarët i trajtojnë si plastelinë, por jo si popull. Populli i ka ndjekur pas nëpër metingje, po a ka të drejtë ai, populli pra, të ndjekë sërish pas këta dinsëzë në këtë situatë kaq zhgënjyese, në këtë tatëpjetë të terrtë që nuk ka "autor"? Kujt mund ti japësh besimin tend, duke qënë i sigurtë se nuk ka për të të mashtruar? Edhe institucionet e pavaruara dhe adminstrata janë vënë nën hyqmin e uzurpatorëve të pluralizmit.Vetë pluralizmi është bërë informal, fallc, kallp, jo vetëm në politikë, po edhe në atë që quhet "shoqëri civile". Nuk gjen as edhe një OJQ apo OJF, njëlloj si partitë e sindikatat, apo firmat e ndërtimit, mediat apo institucionet "e pavarura" të cilave mund t'u shkojë një "kontroll shtetëror" dhe të mos u gjejë ndonjë veprimtari informale dhe abuzive.E si mund të guxojnë drejtuesit e tyre të sakrifikojnë veten për të mbrojtur të vërtetën, interesat e shoqërisë e të popullit?Si mund ata të na ndërgjegjësojnë?A mund të paguhet një e vërtetë me faturën e një gjobe disa miliona eurosh që të ve qeveria? Pse nuk reagon bota e biznesit, ku janë këta biznesmenët tanë kaq të fuqishëm? Kur nuk pipëtijnë biznesmenët në këtë krizë të paparë, pra, kur nuk organizohen ata, si mund të reagojë individi fukara dhe i pambrojtur që del te "ushtari i panjohur"? Kush pra, kush mund të japë një model që lipset të ndiqet pas?
Ja pra përse të gjithë flasin, shajnë e mallkojnë vetëm me vete! Shoqërisë shqiptare i është vrarë nervi i reagimit dhe i ndjeshmërisë sepse të zezën ia kanë bërë sistematikisht të bardhë e të bardhën të nesërmen sterrë të zezë! Për këtë mosbesim total nuk e ka fajin as populli, as historia; fajin e ka propaganda me altoparlantët e keqpolitikës që kanë shvlerësuar Fjalën publike, kuptimin e lirisë dhe nevojën e demokracisë! Ja përse Shqipëria është transformuar në një katund të madh e të çorganizuar që përherë, si në një mallkim ritual, drejtohet domosdo e ritmikisht nga një "Njeri me top"!
***
E pra, në këtë terr mbrëkombëtar ja tek po vjen një lajm i gëzuar: qeveria ka vendosur të rishkruhet historia! Ky paskërka qënë halli ynë i madh!.Historia, e kaluara jonë e ndritur, qënkësh shkruar keq e për faqe të zezë! Fëmijët janë edukuar keq, ata po rrinë rrugëve, po mbeten analfabetë, po përdorin drogë dhe po braktisin shkollat se nuk duan të mësojnë këtë histori të mallkuar të shkruar mosmëkeq! Kjo do të thotë se e sotmja i ka punët në rregull jo vetëm me veteveten, dmth me historinë, po edhe me ne të gjallët. Kjo do të thotë se fajin që ne po na venë punët jo dhe aq mirë e ka shkrimi i keq i historisë! Dmth edukimi! Dmth e kaluara, pasi e sotmja me ca vështirësi të vogla po shkëlqen! Pra, fajin e kanë shëmbujt e këqinj që jep historia e shkruar keq! E sotmja nuk i ka as edhe një borxh së shkuarës, (i paska vetëm këtë: rishkrimin e historisë, dhënien e modeleve të vërteta e të pastra!) madje nuk ka frikë as nga e nesërmja gjë që do të thotë se e sotmja e ka fytyrën të pastër e të larë! E pra, le të rishkruhet historia me rrënjë e me degë sepse e sigurt është që në historinë e këtij mijëvjeçari, pavarësisht se kush dhe si do ta shkruajë atë të flamosur, kjo do të jetë qeveria dhe qeverisja më kobzezë, më e papërgjegjëshme, më dëshpëruese e më shpresëvrasëse në historinë e Shqipërisë!
Me keqardhje të thellë e them, po kam frikë se kjo pandehmë (largqoftë) do të jetë e vërtetë! Po ikin edhe 20 vjet të tjera me gënjeshtra e "lugë të zbrazur"! Po ikën e po shuhet jeta e disa brezave! Ky vend po rrënohet nga zjarret e qeverisjet e mbrapshta si në asnjë vend tjetër! Nuk e meritojmë ne këtë "fat"! I pushtuar nga këto mendime ogurzeza jam ulur në darkë te bordurat përballë Piramidës dhe shoh se bulevardi i madh është pa drita, i pushtuar nga terri, si në një okupim që ngallon prej frikës së bombardimeve të befta. Regëtijnë ca neone te kryeministria dhe te Kuvendi. Kam dalë nga shtëpia si shumica e qytetarëve se, në orë të caktuara, me përpikmëri ushtarake nuk kemi drita. Bulevardi madhështor i kryeqytetit ndriçohet edhe nga llamburitjet e reklamanve të dy Kullave binjake që ushqehen nga gjeneratorët që zhurmojnë gjithandej!…Gjithë vendi është kthyer tashmë në një koshere gjigande…Kurrë nuk ka qënë bulevardi i madh pa drita, as kur ishte gjëndja e jashtëzakonshe në 97-tën!Askurrkund në botë nuk mund të gjesh një qytet të vetëtransformuar në kryeqytet të gjeneratorëve që nuk kanë të ngopur me atë zhërzhërin e tyre që të cingërit jo vetëm nervat!Jemi në okupim të territ, nuk kemi shpëtim!Jemi të kapur rob nga terri dhe nga qeveria e gjeneratorëve që del e thotë se kjo krizë do të zgjidhet vetëm në nga vitet 2020! Dimri ka për të qënë edhe më i terrtë! TEC-et dhe kabllot nënujore me Italinë na serviren si lavazhe të trurit që nuk thith më gënjeshtra, po edhe që nuk reagon dot kur i futin në gojë e në vesh gënjeshtra rozë-e-blu! Është pak të thuash: jemi të mashtruar! Jemi të poshtëruar aty ku nuk mban më!
Si nuk u vjen pak turp atyre që drejtojnë aktualisht vendin?Si është e mundur që ata dalin në publik e ngjajnë aq të vetëkënaqur e të lumtur?Kështu llafos vetmevete, teksa dëgjoj një sirenë alarmi të policisë. Mollois, natyrisht më kot e nëpër tym, fare kot, tamam si ai i papuni i Migjenit e si shumica dërrmuese e shqiptarëve! E ndoshta se po parakalon, me ndihmën e sirenave alarmuese të policisë një udhëheqës i madh e i lartë i vendit tonë të lirë e demokratik që me siguri po nxiton për në zyrë ku e presin vendime shumë të rëndësishme për fatet tona!…Ndoshta është Presidenti i ri, ndoshta kryeministri, kush dreqin e di? Pas xhamave të zinj nuk dallohet fytyra e udhëheqësit, as targat e veturave të tyre, të cilat përherë do të kenë shifrën 1 për të treguar edhe me targa se ata (ata pra!) më në fund janë bërë njëshat e këtij vendi!…Polici i gjorë nuk vë dot regull, i bie më kot bilbilit me alarm e frikë se mos e pushojnë në vend, ngaqë nuk po e hap dot shtegun e kalimit për udhëheqësin. Nuk mund të gjesh kurrkund në botë një pamje më groteske! Pavarësisht se nuk ka faj, polici prapë ka faj: po kalon udhëheqësi e mileti mospërfillës nuk po e hap rrugën! Njerëzit kuturisin nëpër errësirë pa çarë më kokën për sirenën alarmuese të udheheqësit...Ka edhe nga ata që e shajnë udhëheqësin me zë nga nëna e me libër shtëpie, si thonë vlonjatët…E ç'faj ka nëna e gjorë e udhëheqësit në fjalë?- guxoj e i them një kalimtari që po shante me zë të lartë. - Po ty ç'të duhet?-më kërcënon i panjohuri i ndërkryer me mua. Uh, ja, udhëheqësi ynë po na përshëndet me dorë nga xhami i makinës së tij të zezë, ndoshta se kujtoi që ai që po e shante nga nëna po thërriste emrin e tij për ta përshëndetur! Në darkë me siguri kemi për ta parë e dëgjuar në lajme! O Zot, sa i dashur, i qetë, krenar, i lumtur, i sigurt, largpamës dhe i thjeshtë është ai edhe kur Shqipërinë e ka pllakosur tejembanë terri, zjarret dhe skamja!E ç'rëndësi ka kjo?Rëndësi ka që targa e makinës së tij ka jo një njësh, si Presidenti, po tri njësha!
Ky është Njeriu me top! Ky është udhëheqësi ynë i shquar, më i shquari në shekuj, atë që po e ndjek pas së gjalli historia, ai që gjuan me top e nuk i bën syri tërr, ai që nuk do t'ia dijë për vogëlsitë e për hallet e vockla të këtij vendi dhe të kësaj shoqërie, atij që nuk i bëjnë përshtypje si janë dritat dhe uji! Ai ka hallin e NATOS, të Kosovës e të rajonit! Ai ka hallin se si të shitet Shqipëria një euro! Ai ka hallin se si të instalojë internetin në çdo katund! Ai ka hallin se si të çojë edhe disa djem të tjerë në Irak që të meritojë ndonjë fjalë të mirë nga SHBA…dhe, natyrisht, edhe se si do të rishkruhet historia…Është udhëheqësi karizmatik që më një saktësi e siguri të admirueshme, sa herë t'i teket gjuan me top opozitën dhe e trullos, gjuan me top institucionet dhe i paralizon, gjuajti me top presidencën dhe e mori, gjuajti natën me top RTSH-në dhe KKRTSH-në dhe e zaptoi, gjuaji me top KQZ-në dhe e mori, gjuajti me top Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe po e vë nën kontroll, gjuajti me top Zogun e Zi dhe e rrafshoi, po gjuan me top prokurorinë e përgjithëshme dhe e ka ngrirë, i ra me top Shërbimit Civil dhe po e zapton, shkon në Kuvend dhe gjuan me top kush i del përpara e askush nuk bën as gëk as mëk, shkon ndonjëherë në partinë e tij dhe kur edhe aty bëhen votime rezultati del vevetiu 99,99%, flet përditë në qeveri dhe të gjithë e shohin në sy si një Mesi! Madje madje edhe ambasadori i ri i SHBA-së, në takimin e parë me të, u shkri së qeshuri!
Shqipëria tashmë është transformuar në një katund të madh që ka rënë në duart e marrëzisë, të marrëzisë së drejtuar nga sundimi absolut i "njeriut me top"…Ai e di se sot, prej dëshpërimit mbarëkombëtar, ka plot që nuk shohin "njeriun me top", po ia venë fajin popullit: populli e ka fajin që ne kemi rënë në këtë krizë të paparë!Se këtë qeveri që kemi ne e meritojmë, vetë e votuam, etj etj.E kjo më kujton një katundar që kur shkuan avionët e ardhur nga jashtë për të shuar zjarrin, ai menjëherë nxorri shkrepsen e i vuri zjarrin pyllit. Një fshatar e ndaloi dhe e qortoi: -Pse po i ve zjarrin pyllit? -Që të shof se si do ta shuajë aeroplani i jashtëm! E pikërisht këtë katundar duhet ta marrin e ta bëjnë ndonjë zëvëndës ministër, se katundari në fjalë donte t'i vinte zjarrin një pylli për të provuar efektivitetin e ndërkombëtarëve, ndërsa qeveritarët tanë e po i vënë përditë zjarrin Shqipërisë dhe po ngrihen lart e më lart në pjedestalin e historisë e të vetëlavdisë!
Është e vërtetë edhe kjo: qeveria jonë, para ca ditësh nisi helikopterët urgjent për në veri, në vendlindjen e kryeministrit për të shuar zjarret dhe…dhe i pajisi zjarrfikësit me purteka! Ndërsa në darkë "Njeriu me top" na lajmëroi me gëzim se ne jemi gati për të hyrë në NATO dhe se, në ndryshim nga Greqia, ne nuk na janë djegur njerëz të gjallë, gjë që është edhe një tjetër sukses i qeverisë!
A janë të mjaftueshëm këto shëmbuj të ndritur për t'ia vënë fajin popullit dhe për të mos e hedhur gjithë përgjegjësinë mbi ne, qytetarokatundarët e ndershëm, krenarë e të urtë shqiptarë?
Krijoni Kontakt